Viti, 12. 05. 2015 – Është shumë e vërtetë se sentimenti për ndjenjën kombëtare shqiptare tek shqiptarët kudo që ndodhën është shumë i fortë. Sa herë që ndodhë diçka që ngritë debat shoqërorë atëherë bashkimi kombëtarë është përfundimi i pashmangshëm i pothuajse çdo analize, debati apo muhabeti. Dhe, kjo për mendimin tim është refleksion i eklektizmit tonë shoqërorë e politik. Sidoqoftë ndjenja e përbashkësisë kombëtare është vlerë që duhet ruajtur me fanatizëm. Ama, duhet pasur kujdes në mënyrë që kjo ndjenjë të mos jetë vetëm si pikë referimi për të kaluarën tonë të përbashkët, mirëpo të shërbej si përvojë për ecjën tonë të përbashkët si komb në mënyrë sa më racionale e realiste. Mendoj që fjalimet folkloristike për bashkim kombëtarë, qëndrimet e disa njerëzve të cilët duan të rehabilitohen në shtratin e madh të atdhetarizmit si dhe dëshira e madhe për hakmarrje politike nuk jan elemente të cilat ndikojnë në mendimin pozitiv shoqërorë e politik. Sidoqoftë zhvillimet e fundit në Maqedoni sërish kan riaktualizuar, sikurse plotë herë më parë përmes ngjarjeve të tjera, temën e prishjes së shtetit të Maqedonisë dhe bashkimin e shqiptarëve në një shtet të vetëm. Me aq lehtësi thuhet e flitet për ndarjen e Maqedonisë sa që të mbushet mendja se është duke u bërë fjalë për ndarjën e një embëlsire e jo për një shtet sovran e të pavarur, me integritet territorial të njohur nga komuniteti dhe e drejta ndërkombëtare. Përkitazi me këtë, mendoj se është e udhës që të thuhen disa fjlaë për këtë çështje.
Gjithsesi se duhet të bëhet e qartë se në të drejtën ndërkombëtare bashkëkohore integriteti territorial i shteteve është njëri nga parimet fundamentale të saj. Gjithashtu është mëse e nevojshme të qartësohet se njohja që një shtet e merr nga komuniteti ndërkombëtarë është një mekanizëm shumë i fuqishëm juridik e politik i cili çimenton ekzistimin e atij shteti kudo që është. Gjithashtu duhet të sqarohet edhe nji herë se stabiliteti ndërkombëtarë është përmbi agjendat politike të ndonjë entiteti të caktuar politk apo ushtarak. Të tri këto elemente mund të thuhet se vlejnë edhe për Maqedoninë. Fundja, disolucioni i ish federatës jugosllave dhe Konfernca e Paqës për Jugosllavinë, rrespektivisht Komisioni i Badinterit si mekanizëm i autorizuar nga atëherë, Komuniteti Evropian për të dhënë vlerësime profesionale mbi vetëvendosjen etnike apo territoriale, kan treguar se përcaktimi i të drejtës ndërkombëtare dhe i komunitetit ndërkombëtarë, në këtë rast atij evropian, është për natyrën territoriale të vetëvendosjes, duke e margjinalizuar skajshmërisht vetëvendosjen etnike. Atëbotë Badinteri përmes Mendimeve të tij rivendosi parimin bazë të së drejtës ndërkomëbëtare, Uti Possidetis. Vetëvendosja territoriale u apliku në procesin e dekolonizimit të Afrikës dhe një pjese të Azisë, ajo u apliku edhe në shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik dhe Çekosllovakisë, dhe natyrisht se u apliku edhe në rastin e prishjes së ish Jugosllavisë. Vlenë të theksohet se Serbia e ka pyetur Komisionin e Badinetrit nëse serbet në Bosnje e Hercegovinë e në Kroaci kan të drejtë të bashkohen me Serbinë. Përgjigja e Badinterit ka qenë e vendosur se nuk ka vetëvendosje etnike por ka vetëvendosje territoriale, me ç’rast secila republikë do të ruaj kufijt e saj administrativë që i kishte në kohën e ish Jugosllavisë. Ballkani nuk është regjioni i vetëm ku është apliku kjo qasje. Në Afrikë vetëm 4 shtete jan homogjene, të gjitha shtetet tjera që dolën nga dekolonizimi ishin heterogjene në aspektin etnik. Somalia është njëri nga shtetet homogjene të Arikës, ama somalezët jan të ndarë në 4 shtete tjera përreth.
Por t’i kthehemi Maqedonisë. Sot Maqedonia është shtet i cili njihet nga bota si i tillë. Prishja e saj në këto rrethana gjeopolitike është veçse një iluzion imagjinarë i naivëve politik. Rendi i ri ndërkombëtarë i pas luftës së dytë botërore njeh shumë pak raste të prishjes apo shkatërrimit të shteteve. Derisa ndarja apo siç quhet secesioni sipas normave juridiko-pozitive të së drejtës ndërkombëtare vjen në shprehje vetëm në rrethana të veçanta. Sepse sot, krijimi i shteteve është çështje e së drejtës nuk është çështje e faktit, siç ka qenë në të kaluarën. Osetia Jugore dhe Abkhazia jan dy entitete pothaujse të pavarura në Gjeorgji, mirëpo askush nuk i ka njohur. Referendumi i Krimesë për t’u bashkuar me Rusinë nuk u njohë nga bota demokratike. Qiproja Turke, Katanga, Biafra e plotë entitete të ndryshme të cilat nuk jan njohur si shtete nuk mund të ekzistojnë si të tilla. Mirëpo ka edhe raste të tjera ku vetëvendosja e jashtme ka ardhë në shprehje si rezultat i cënimit të vetëvendosjes së brendshme, ashtu siç është e paraparë në mënyrë implicite me Deklaratën përë Marrëdhëniet Miqësore. Bangladeshi është modeli i ndarjës së një shteti si rezultat i pabarazive në mes të dy entiteteve shtetërore. Bengalët nuk e bën shtetin e tyre sepse munden, por për shkak se kishin të drejtë në kuptimin e të drejtës ndërkombëtare dhe u njohën shumë shpejt nga pothuajse e gjithë bota, anipse në kohën e shpalljës së pavarësisë së tyre nuk e kontrollonin pothuajse 30 % të territorit të tyre.
Çka na mëson Bangladeshi?
Nga krijimi i shtetit të Bangladeshit mund të nxjerrim mësime të rëndësishme. E para është shtjerrja e mjeteve efektive juridike. Kjo do të thotë se entiteti i caktuar në kuadër të një shteti së pari duhet të provoj që çështjet t’i adresoi përmes shtetit në të cilin bën pjesë. Pra duhet të ekzistoj një entitet i caktuar etnik i cili duhet të jetë homogjen etnikisht, koheziv territorialisht dhe politikisht i qartë në kërkesat e tij. E tek atëherë kur kërkesa për vetëvendosje të brendshme nuk merret parasysh nga shteti amë atëherë vjen në shprehje ndarja e atij shteti dhe formimi i shtetit të ri nga ai entitet të cilit i mohohet vetëvendosja e brendshme. Pra secesioni. Mirëpo secesioni nuk mund të ndodhë pa njohje. Sepse edhe Krimea i’u bashkua Rusisë mirëpo asnjë shtet nuk e pranuan cënimin e integritetit territorial të Ukrainës. E e kundërta, shteti mund të krijohet edhe nëse në momentin e shpalljes së pavarësisë apo gjatë ekzistëncës së tij nuk e kontrollon një pjesë të territorit të tij. Duhet të theksohet së në bazë të së drejtës ndërkombëtare tradicionale, rrespektivisht Konventës së Montevideos, kontrolli i territorit është kriteri bazë për formimin e një shteti. Kroacia, Kosova, Bangladeshi, Timori Lindorë, Kongo, Nigeria e shumë e shumë shtete të tjera në momentin e shpalljes së pavarësisë së tyre nuk e kan kontrolluar territorin e tyre. Mirëpo kjo nuk e ka penguar komunitetin ndërkombëtarë që t’i njeh këto vende si shtete të pavarura dhe sovrane.
Definitivisht Maqedonia me këtë rend botërorë të sajuar nuk do të prishet, sepse ky është qëndrimi i komunitetit ndërkombëtarë, ky është korpusi i normave juridike pozitive të së drejtës ndërkombëatrë i sajuar nga rendi i ri botërorë. E shqiptarët në Maqedoni duhet të koordinohen dhe të kërkojnë atë që i’u takon në bazë të dispozitave juridike të dy dokumenteve juridike të së drejtës ndërkombëtare. Këto dy instrumente jan Deklarata mbi Marrëdhëniet Miqësore dhe Konventa e Vjenës, dokumente këto të cilat afirmojnë vetëvendosjen e brendshme dhe mundësinë potenciale për materializimin e vetëvendosjes së jashtme në rast të pamundësimit definitiv të vetëvendosjes së brendshme. Përfundimisht shqiptarët e Maqedonisë i plotësojnë kriteret për të qenë entitet konstituiv i shtetit. Dhe, në këtë drejtim duhet të punojnë në mënyrë permanente.
– Kontakti me autorin: [email protected].