ARTUR ZHEJI: KRIJIMI I NJË SHTETI BRENDA SHTETIT NË KOSOVË SOT, ËSHTË NJË MINË QË MUND TË SHPËRTHEJ ME TELEKOMANDË NGA BEOGRADI NË ҪDO KOHË!

Tiranë, 07. 12. 2015:Tiranë, 07. 12. 2015: Të mbështesësh krijimin e një shteti brenda shtetit në Kosovë sot, është si të mbjellësh një minë që mund të shpërthehet me telekomandë nga Beogradi në çdo kohë… Është e habitshme se si mund të jepet me kaq lehtësi ky koncesion, me pasoja kaq të rrezikshme në 10 apo 20 vitet e ardhshme, në Republikën më proeuropiane dhe më proamerikane të Ballkanit, si edhe është Republika e Kosovës. Në këtë kontekst, rezistenca e opozitës kosovare, përtej mjeteve që përdor në këtë botë të sotme virtuale dhe efektesh speciale, është një Rezistencë Largpamëse. Ndonëse nuk habitem me Isa Mustafën, për historinë politike prej nga vjen, më duket disi e pashpjegueshme se si ka mundësi që PDK të jetë kaq e dashuruar me pushtetin dhe të qëndrojë kaq konform një marrëzie të tillë gjeopolitike, që është në të vërtetë një themelim i një Republike Srpska, në zemër të Kosovës.
***

Rasti më i fundit që lidhet me të ashtuquajturën Marrëveshje e Zajednicës, është një temë, mjerisht fare pak e rrahur ose e mbetur krejt periferike, në mediat e Shqipërisë. Duhej burgosja e Albin Kurtit që kjo situatë të bëhej sensitive për opinionin më të gjerë të përkëtej kufirit shqiptaro-shqiptar.
Ka shumë teza dhe debate për këtë çka po ndodh, nëse duhet ose jo, nëse është thelbësisht në të mirë të së ardhmes së Kosovës apo jo, apo se ashtu duhet e se ashtu e do Brukseli apo Washingtoni, se kështu e do gjeopolitika e sotme, e të tjera si këto.
Personalisht, as nuk dua të mbivendosem dhe as të bëhem pjesë e një debati të tillë. Ndoshta ka shumë gjysmë të vërteta kontradiktore në këtë lëmë. Vizita e Sekretarit të Shtetit të SHBA, John Kerry në Prishtinë, ishte realisht një mbështetje e dukshme dhe e qartë për linjën e deritashme të qeverisë së Kosovës.

Përpjekjet e Brukselit dhe Washingtonit për të mbajtur një raport së paku 50% me 50% ndërmjet Moskës dhe Perëndimit, të qeverisë Vuçiç, janë të qarta edhe ato. Vuçiç, dhe ata që e këshillojnë, nga Beogradi dhe nga Moska, kanë përpiluar një skemë inteligjente. Kryeministri serb amplifikon në mënyrë të besueshme peshën dhe influencën antiperëndimore që përbën rrezik të pushtojë Serbinë, garant i të cilit mospushtim është vetëm ai, “properëndimori” Vuçiç dhe në këmbim kërkon koncesione të vazhdueshme, kryesisht në kurriz të Republikës së Kosovës, që gjoja të qetësojë Serbinë e pakënaqur. Dhe kur gjykon se po lihet disi në harresë, turret për një vizitë në Moskë, ku e ka të garantuar mikpritjen e veçantë vëllazërore. Dhe duke u hequr i tunduar nga ngrohtësia e mrekullueshme që gjen nga kryefamiljari i familjes së madhe sllave moskovite. Duke shkaktuar kësisoj ca drithma në Bruksel e Washington, tejet sensitivë për ekuilibrat e brishtë gjeopolitikë të Ballkanit, ku antioksidentalizmi është ulur këmbëkryq edhe në Greqi.
E pra, faturën e kushtueshme të kësaj situate, në këtë rast duhet ta paguajë Kosova, duke lejuar de facto, krijimin e një minirepublike autonome serbe në territorin e saj, një shtet brenda shtetit, që do të konsolidohet ditë mbas dite.
Sot vëmendja botërore është e përqendruar tek ISIS dhe te lufta kundër terrorizmit ndërkombëta. Tek Kosova, Serbia apo Ballkani, është padyshim një kokëçarje e padurueshme tanimë për Washingtonin dhe Brukselin. Emergjencat dhe prioritetet janë zhvendosur prej kohe tjetërkund.
Në këtë optikë, një qeveri bashkëpunuese, në dhënien lirë dhe shpejt të koncesioneve gjeopolitike, gospodin Vuçiçit, për efekte të brendshme elektorale serbe, si edhe është rasti i Zajednicës, është automatikisht qeveria e duhur kosovare dhe qeveria që duhet mbështetur. Kerry është praktik dhe nuk ka kohë të humbasë me detajet ballkanase. Dhe kjo është e drejtë e vet, sepse axhenda e tij përfshin të gjithë Planetin Tokë.
– Çështja është se çfarë do të ndodhë ca kohë më pas, pasi të jetë qepur kjo arnë, në dukje e padëmshme e Zajednicës, edhe kur Kerry të mos jetë më Sekretar i Jashtëm i SHBA-së?
– E kur me siguri, Vladimir Putin do të vazhdojë të jetë President i Federatës Ruse?
– Dhe Vuçiç të jetë sërish në politikën e nivelit të parë dhe të vijojë, ndaj administratave të tjera të kërkojë koncesione të tjera?
– Po vetë kjo Republikëza e Vogël serbe-serbe, në truall të Republikës së Kosovës, njëherazi e “themeluar”, çfarë do të kërkojë tjetër?
– Policinë dhe ushtrinë e saj?
– Shkëputjen “legjitime” mbas një referendumi demokratik?
– Apo edhe zgjerimin e saj?
Qeveritë e Prishtinës dhe Tiranës, për shkak të një lufte të brendshme shpesh të pafytyrë, do të jenë gjithmonë me brekë nëpër këmbë, do të kenë gjithmonë halle skandalesh korruptive për të zgjidhur dhe do të jenë, simbas kësaj tradite të pandryshueshme, gjithmonë të dobëta.
Dhe në këmbim të mbështetjes së jashtme, do të jenë gjithmonë me pantallonat ulur, për të dhënë lirë dhe shpejt, koncesione, të menduara në mënyrë të sipërfaqshme edhe nga aleatët strategjikë.
Sepse të mbështesësh krijimin e një shteti brenda shtetit në Kosovë sot, është si të mbjellësh një minë që mund të shpërthehet me telekomandë nga Beogradi në çdo kohë. Dhe nëse në atë kohë, Beogradi, si edhe i ka interesat dhe traditën e vet disashekullore, do të anonte nga Moska, do të mund ta shpërthente këtë minë të telekomanduar ndërnacionale, edhe drejtpërsëdrejti nga Moska.
Është e habitshme se si mund të jepet me kaq lehtësi ky koncesion, me pasoja kaq të rrezikshme në 10 apo 20 vitet e ardhshme, në Republikën më proeuropiane dhe më proamerikane të Ballkanit, si edhe është Republika e Kosovës.
Në këtë kontekst, rezistenca e opozitës kosovare, përtej mjeteve që përdor në këtë botë të sotme virtuale dhe efektesh speciale, është një Rezistencë Largpamëse.
Ndonëse nuk habitem me Isa Mustafën, për historinë politike prej nga vjen, më duket disi e pashpjegueshme se si ka mundësi që PDK të jetë kaq e dashuruar me pushtetin dhe të qëndrojë kaq konform një marrëzie të tillë gjeopolitike, që është në të vërtetë një themelim i një Republike Srpska, në zemër të Kosovës.
Nuk më shqetëson fare kjo Republikë Srpska, nëse do të ishte një kantonizim zviceran, por si një casus belli, e pra një pretekst lufte, krejt i gatshëm dhe krejt shpërthyes, në një kohë të dytë, e që askush nuk na garanton që do të jetë një Kohë e Dytë më e Mirë.
Historia e Ballkanit na e mëson këtë. Me miliona viktimat e saja. Madje, krejt të freskëta.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura