ARVANITËT THEMELUESIT E GREQISË SË RE (2)

ARVANITËT THEMELUESIT E GREQISË SË RE (2)

Autori: Arben P. LLALLA, Pashtriku.org – 7 Prill 2022

ABSTRAKTI

Shumica e pjesëve që e përbëjnë këtë libër janë shkruar gjatë kohës kur kam jetuar në Greqi. Në të vërtetë, ishin ato reportazhe rreth jetës dhe ndihmesës së arvanitasve, por gjithmonë duke u përpjekur të nxirrja citimet dhe burimet prej nga i merrja materialet. Gjatë qëndrimit tim në Greqi në periudhën 1993-2004 m‘u dha mundësia të merresha veçmas me studimin e historisë së arvanitasve të Greqisë. Pa dyshim, kanë qenë drejtuesit e Lidhjes së Arvanitasve të Greqisë, Aristidh Kola, Jorgo Miha e Kosta Kazaqi, ata që më kanë ndihmuar për ta njohur në thelb çështjen arvanitase. Pra, ishin pikërisht këta intelektualë arvanitas që mi tregonin vendet ku jetonin dhe si ndaheshin në disa pjesë vendbanimet në Greqi ku banonin grekët me rrënjë shqiptare.

1. Arvanitasit që njihen si themelues të Greqisë së Re,

2. Shqiptarëte Trakës greke, pjesa më e madhe e të cilëve kanë ardhur si popullsi e shkëmbyer me Marrëveshjen e Lozanës dhe janë njohur dikur si pakicë kombëtare shqiptare,

3. Shqiptarët që banojnë nga Kosturi, Follorina e deri në periferi të Selanikut,

4. Shqiptarët e Epirit që njihen me emrin çamë dhe pjesa që i përkiste besimit islam, e cila është masakruar dhe përndjekur me metoda gjenocid më 1944-1945. Në Greqi ka edhe shqiptarë të fesë islame, sunitë dhe bektashinj, të cilët, nën trysninë e asimilimit, ende po rezistojnë. Këta gjenden në grupe të vogla dhe për fatin e tyre më shumë përkujdeset Turqia se sa Shqipëria.

Qëllimi i këtij libri është që t’i sjellë disa aspekte dhe dokumente historike në pika të shkurtra lidhur me kontributin e shqiptarëve, të cilët njihen me emrin arvanitas, për themelimin e Greqisë së re. Arvanitasit dhanë ndihmesë në të gjitha fushat e jetës së Greqisë, që në kryengritjen e vitit 1821 me heronjtë si Kollokotroni, Boçarët, Xhavellasit, Andruço, Miauli, Karaiskaqi etj., kryetarët e kryeministrat si Joani Kapodistria, Miauli, Krieziu, Kundurioti, Pangallos etj., ata që e themeluan Akademinë e Shkencave të Athinës, ata që bënë ndarjen e Kishës Autoqefale Ortodokse të Greqisë nga Patriarkana e Stambollit, pastaj piktorët me famë botërore, arvanitasit si Eleni Bukura, Niko Haxhiqiriako-Gjika, Niko Egonopulos, nobelisti Odise Elytis, për të vazhduar me aktorët e njohur të kinematografisë botërore dhe artistë të Greqisë, Irena Papas, Melina Merkuri, Eli Labeti, Haris Aleksiu, Keti Papanika, etj., Jean Morea që francezët e njihnin si ZhanMoreas (Joani Papadiamantopulos) i cili është themeluesi i simbolizmit francez dhe regjisori i njohur i kinemasë franceze, Kosta Gavras etj., të cilët janë arvanitas.

Po ashtu, edhe kryepeshkopi i Greqisë, i ndjeri Kristodhulos (1939-2008) me emër të lindur Kristo Parashqefedhis, por edhe kryepeshkopi i sotëm Jeromenos, me emrin e lindjes, Joani Lapi, janë nga familje arvanitase. Pra, një pjesë e mirë e këtij libri është monografi e shkurtër për heronjtë, kryeministrat, akademikët, piktorët, etj. Kuptohet që në suaza të këtij libri apo edhe të dhjetë librave të tjerë nëse do t‘i shkruanim, nuk do të mund të përmblidhej kontributi i arvanitasve për Greqinë, sepse rrënjët e tyre janë shumë të vjetra e të thella.

Brenda librit në fjalë kemi sjellë fakte se si gjuha shqipe ështëshkruar me shkronja që sot njihen si të gjuhës greke, në botimin e teksteve shqipe, në librat, revistat dhe gazetat e shekullit XIX që botoheshin në Greqi. Kjo tregon se shkrimi i gjuhës shqipe nuk ishte i panjohur për arvanitasit dhe për grekët.

Lexuesi do të njihet edhe me thirrjen e arvanitasve të Athinës drejtuar arbërve për një bashkim me Greqinë më 1899, kundër Perandorisë Osmane.

Kjo thirrje ka qenë një thikë pas shpine për shqiptarët jashtë Greqisë, duke marrë parasysh veprimet greke për ta realizuar ëndrrën e Megali Idesë në dëm të trojeve shqiptare. Për këtë libër i kemi shfrytëzuar botimet e Lidhjes së Arvanitasve të Greqisë, si kalendarët e përvitshëm, revistën Besa, librat e ndryshëm etj. Shumica e bibliografisë është mbështetur te gazetat, revistat dhe librat e autorëve grekë.

Krahas kësaj, i kemi përzgjedhur edhe mendimet e shumë profesorëve të historisë së Greqisë, të cilët nuk i mbështesin mitet që mësohen nëpër shkollat greke, por që i kanë shprehur mendimet e tyre shkencore për legjendat e vitit 1821, si dhe të vërtetën për 400 vite të skllavërisë së grekëve nën sundimin osman, për shkollat legale në Perandorinë Osmane dhe zhvillimin që kishte Greqia në këtë kohë, për mitine festës së 25 Marsit, mitin e ngritjes së flamurit grek nga peshkopi i Patrës, Gjermanos, si dhe të vërtetën se kush e nisi e kush e çliroi Greqinë.

Ishin tri Fuqitë e Mëdha, Rusia, Britania e Madhe dhe Franca, që për interesat e tyre nxitën kryengritjen e vitit 1821 dhe luftuan për pavarësinë e Greqisë.

Pa mbështetjen financiare dhe ushtarake të Fuqive të Mëdha, Greqia do të kishte një fat krejtësisht tjetër, ndoshta ende do të ishte pjesë e Turqisë, për shkak të grindjes dhe luftës së brendshme për pushtet në vitet e para të pavarësisë së saj. Kemi sjellë edhe disa shënime interesante nga vullnetarët e huaj që vajtën për ta ndihmuar kryengritjen, të cilët ndeshën jo grekët e lashtë për të cilët kishin lexuar nëpër libra, por njerëz që flisnin vetëm shqip, romiot dhevllehtë. Këta të huaj, me anë të shënimeve në formë të ditarëve, tregojnë për jetën e banorëve të Athinës, si dhe të shumë ishujve që ishin me shqiptarë.

Thjesht, është një libër që nuk është shkruar për propagandë politike,as për të hedhur baltë mbi të vërtetën e kryengritjes së vitit 1821, as kundër personaliteteve dhe institucioneve të Greqisë, por kryekëput për të thënë dhe mbrojtur të vërtetën që njerëzimi duhet ta mësojë pa ndikime emocionale dhe interesa politike.

Marrëdhëniet greko-shqiptare kanë njohur miqësi të sinqertë vetëm në kohën kur Greqia drejtohej nga presidenti dhe gjenerali arvanitas Teodor Pangallos (1925-1926), kur u shpërbënë të gjitha organizatat antishqiptare greke që kishin për synim aneksimin e jugut të Shqipërisë.

Në fillim të vitit 1980 ka pasur përpjekje nga arvanitasit për të ngritur ura të një miqësie të vërtetë greko-shqiptare, por këto janë shembur nga vetë Greqia, e cila ende e mban në fuqi Ligjin e Luftës që më 1940, një absurditet ky kur e mendon se jemi në shekullin XXI dhe të dy vendet janë anëtare tëNATO-s.

Çështja e arvanitasve nuk është thjesht një çështje historike. Greqia patjetër duhet ta njohë pakicën kombëtare arvanitase, ashtu sikurse Italia që i njeh pakicat historike arbëreshe, greke etj., duke u përkujdesur që gjuha, traditat, zakonet e tyre të ruhen e të mos të zhduken, sepse, nëse ndodh një gjë e tillë, atëherë do të vdesë një pjesë e historisë së lavdishme e popullit grek.

Të gjithë dashamirët dhe dashakeqët duhet ta kuptojnë se asnjë e keqe nuk i vjen ndokujt nga vetënjohja dhe krenaria e ligjshme për ruajtjen e vlerave tradicionale të kulturës dhe gjuhës shqipe të arvanitëve, por edhe të pakicave të tjera që jetojnë të “fshehura” në Greqi.

Tani ka ardhur koha që historianët në përgjithësi, sidomos ata që ndërtojnë dhe mbështesin mite, në këtë rast historiografia e Greqisë, duhet t’i analizojë keqkuptimet dhe realitetet e gabuara, duke u çliruar edhe vetë nga e kaluara që ka shumë mospërputhje midis historisë shkencore, me atë që e mësojnë në shkollat shtetërore.

Siç del nga konstatimet e shumë studiuesve, historianëve, publicistëve, gazetarëve grekë e të huaj, por edhe nga konstatimi ynë, pjesa më e madhe e historiografisë greke, e cila aty ku e sheh se kriteri etnik nuk i leverdis, e fsheh ose e fshin, për të ndërtuar pa kritere “rrëfimin kombëtar” që më shumë nuk i shërben të ardhmes afatgjatë të Greqisë.

Historiografia greke dhe e Ballkanit kanë nevojë për rishikime, për të mos thënë edhe për t’u rishkruar.

Libri “Arvanitasit – themeluesit e Greqisë së re” vjen për t’ua rikujtuar grekëve të sotëm, (një përbërje të popullsisë me shqiptarë, romios, vlleh, turq, romë, sllavë, hebrenj) se ishin pikërisht shqiptarët, trimëria dhe etja e tyre për liri që ia sollën lirinë Greqisë.

Prandaj Greqia nuk mund të jetë një vend i mbyllur për të drejtat e njeriut.  

Libri që mbani në duar, nuk është një libër që i ka thënë të gjitha gjërat për arvanitasit, por është një udhërrëfyes i kujtesës se arvanitasit ishin, janë dhe do jenë në atë pjesë të tokës së lashtë të tyre e cila njihet me emrin Greqi.

VIJON …

© Pashtriku.org

__________   

ARVANITËT THEMELUESIT E GREQISË SË RE (1)

Autori: Arben P. LLALLA, Pashtriku.org – 3 Prill 2022

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura