AURENC BEBJA: GUSHT 1806 – CHATEAUBRIAND DHE BUKUROSHJA SHQIPTARE

Francë – 16 Tetor 2016: Në librin « Album de Chateaubriand – 1862 » gjejmë një shkrim të shkurtër në faqen n° 98 me titull «Chateaubriand i sëmurë tek një shqiptar». Shkrimtari dhe politikani i njohur francez, François René de Chateaubriand, në zhegun e muajit gusht të 1806, niset për vizitë tek një shqiptar që banonte në « Kératia » (në periferi të Athinës) dhe që njihej me konsullin francez të kryeqytetit grek. Gjatë udhëtimit, atë e kapin ethet dhe detyrohet të kalojë natën në banesën e shqiptarit.

François-René de Chateaubriand (1768 – 1848)

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France.

Në vijim, autori na rrëfen gjendjen e tij shpirtërore (fizike dhe emocionale) në praninë e bukuroshes shqiptare:
«Të nesërmen, e kalova ditën i shtrirë mbi shkorsën time, ndërsa të gjithë kishin dalë në ara; Edhe vetë Jozefi kishte dalë. Ishte aty vetëm vajza e mikpritësit tim. Ishte një vajzë shtatëmbëdhjetë apo tetëmbëdhjetë vjeçe, mjaft e bukur, që ecte këmbëzbathur dhe në flokë kishte plot medalje dhe monedha të vogla argjendi. Ajo nuk më shikonte fare dhe punonte sikur të mos isha aty.
Dera ishte e çelur, dhe nga aty hynin rrezet e diellit. Ishte i vetmi vend i ndriçuar në dhomë. Herë pas here më zinte gjumi; Zgjohesha dhe shihja sërish vajzën shqiptare, të merrej me diçka tjetër, duke kënduar me gjysëm zëri apo duke rregulluar flokët e saj. Ndonjëherë i kërkoja ujë dhe ajo më sillte një vazo të mbushur plot; duarkryq, ajo priste me qetësi të shuaja etjen, dhe pasi kisha mbaruar, ajo më pyeste: Ju bëri mirë ? Dhe pastaj u kthente në punën e saj.
Në heshtjen e mesditës dëgjohej vetëm gumëzhima e disa insekteve në banesë dhe disa gjela që këndonin jashtë. E ndjeja kokën bosh, siç ndodh shpesh pas një temperature të lartë ; sytë e mi të lodhur shikonin të fluturonin rreth meje një sasi shkëndijash dhe flluskash drite. Unë kisha vetëm mendime të turbullta por ama të ëmbla.»
Aurenc Bebja, Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura