PROF.DR.ABDULLA MEHMETI: ÇASTI HISTORIK PËR SHQIPTARËT NË MAQEDONI

Shkup, 14. 12. 2016: Në emër të Akademisë Shqiptare Amerikane të Shkencave dhe Arteve, me seli në Shkup, udhëheqësve të subjekteve politike të shqiptarëve në Maqedoni, u bëj këtë
A P E L
Duke marrë parasysh situatën e krijuar pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit, subjekteve politike dhe popullit shqiptar në Maqedoni u është krijuar një çast i jashtëzakonshëm historik, i cili nuk do të mund të përsëritet për gjatë kohë në të ardhmen.
Prandaj, pavarësisht nga rezultatet e arritura të subjekteve politike të shqiptarëve; pavarësisht nga opinionet e ndryshme të analistëve dhe ekspertëve të ndryshëm për dalje nga kriza aktuale politike në vend; qëllimet e dashamirëse të qarqeve politike në Tiranë dhe Prishtinë; liderët e partive politike të shqiptarëve në Maqedoni e kanë fjalën kryesore dhe përgjegjësinë për gjetjen e zgjidhjes në situatën e krijuar pas këtyre zgjedhjeve.

Nëse këta udhëheqës nuk kanë vullnet të mirë për t’u ulur në një tavolinë të përbashkët për të marrë vendimin e madh historik në interes të popullit që e përfaqësojnë, së paku të nënshkruajnë një Deklaratë të përbashkët, drejtuar opinionit dhe institucioneve të vendit dhe atyre ndërkombëtare, se: të gjithë liderët e subjekteve politike të shqiptarëve në Maqedoni, duke u mbështetur në vullnetin politik të popullit që e përfaqësojnë, janë të gatshëm të marrin një qëndrim të përbashkët, pavarësisht nga rezultatet e subjekteve të tyre në zgjedhjet e fundit, me çka do t’i tejkalojnë dallimet mes tyre në interes të popullit shqiptar, të cilin e përfaqësojnë, edhe atë:
Të gjithë së bashku, në emër të subjekteve politike që i përfaqësojnë, ta mbështesin formimin e qeverisë së re në Republikën e Maqedonisë nga koalicioni i partive opozitare të udhëhequra nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë, nëse ajo pajtohet, me marrëveshje me shkrim dhe me garanci ndërkombëtare, ta iniciojë ndryshimin e Kushtetutës së vendit, me çka shqiptarëve do t’u garantohet statusi juridik-kushtetues dhe politik i popullit konstituiv në Republikën e Maqedonisë, përkundër statusit të deritashëm të pakicës kombëtare, i cili deri më sot ka qenë në kundërshtim me realitetin etnik dhe historik të këtij shteti.
Vetëm me ndryshimin e një neni të vetëm në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë do të sigurohej formimi i qeverisë së re dhe stabiliteti i këtij shteti në të ardhmen.
Neni që duhet të përfshihet në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë, përmes amendamentit për ndryshimin e saj, duhet të ketë këtë përmbajtje:
,,Republika e Maqedonisë është shtet nacional i popullit maqedonas dhe shtet i popullit shqiptar, si dhe i bashkësive të tjera etnike që jetojnë në të.”
Në të kundërtën, përgjegjësia do të bie mbi liderët dhe strukturat udhëheqëse të subjekteve politike aktuale të shqiptarëve. Mosarritja e këtij qëndrimi nga liderët shqiptarë do t’i detyrojë qytetarët shqiptarë me këmbëngulje të kërkojnë zgjidhje të tjera, në përputhje me vullnetin politik dhe aspiratat e tyre historike.
Shkup, 13 dhjetor 2016

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura