AVZI MUSTAFA: EDHE NXËNËSIT TALLEN ME LEKTYRAT SHKOLLORE!

Shkup, 25 qershor 2017: Te Ana Karenina: “Ana ishte një tipke që ishte martuar me një plak, por ishte dashuruar në një tip…..” Te Romeo dhe Zhulieta nga Shekspiri: “Dy banda të qytetit ishin zënë për mos me i prek bukuroshet e bandave të njërës ose të tjetrës palë. Romeo në pamje të jashtme duket si një gej. Ai ditën mbyllet në dhomë e shikon televizorin dhe kush e di a ia ndien për të dashurën ose dëgjon muzikë. Ndërkaq Zhulieta, një damicë e re pa përvojë në dashuri, besatohet dhe se nuk do të bëjë qejf me dikë tjetër…..dhe nuk do ta tradhtoj Romeon e saj…. libri është kull….” .Te gjitha fjalet bile i përdorin edhe në gjuhën lokale dhe zhargone.
Nga ditari i hospitimeve
Në bazë të plan-programit mësimor në lëndën e gjuhës dhe letërsisë shqipe është e paraparë që të lexohen dhe të përpunohen edhe një numër i caktuar i veprave letrare që, meqë janë të përcaktuara për shkolla, emërtohen lektyra. Qëllimi kryesor i lektyrave është që nxënësit të nxiten të punojnë në mënyrë të pavarur me librin, të munden në mënyrë të pavarur të sjellin gjykime mbi vlerën ideo-artistike të veprave letrare, ta zgjerojnë kreativitetin dhe imagjinatën, ta pasurojnë fjalorin, ta përmirësojnë kulturën e të shprehurit me gojë e me shkrim etj.
Që të bëjmë interpretim ose analizë të pavarur të librit që është paraparë me plan-programin mësimor libri gjithsesi duhet të lexohet në tërësi. Se a lexohet libri a nuk lexohet flet fakti se nxënësit shpesh vetëm i përshkruajnë lektyrat nga nxënësit e gjeneratave të mëparshme dhe në formë talljeje fillojnë ta interpretojnë lektyrën, duke i përdorë edhe zhargonet e tyre gjatë të folurit të përditshëm. Që prej ditës kur profesori (sha) i lajmëron se për javën tjetër në bazë të plan-programit do të përpunohet lektyra me këtë titull…, nxënësit menjëherë pyesin sa faqe ka? Uh sa e trash qenka, kush do ta lexojë?! S’po më lexohet aspak, dua të shikoj filma, të luaj me video-lojërat dhe të sillem nëpër kafe me të dashurën/in. Leximi për mua është monoton, asgjë nuk kuptoj. Po humbin 3-4 orë në jave për të diskutuar se çka ka dashur të thotë shkrimtari në këtë vepër. Çka më intereson se cila ka qenë dashnorja e tij. Lektyrën e parë e fillova dhe e lexova vetëm faqen e parë. Nuk kam kohë të mësoj e ku të gjej kohë të lexoj. Këto janë fjalët që mund të dëgjohen nga nxënësit e shkollave të mesme.

Pse ndodh kështu dhe ku është shkaku?
Kemi krizë leximi, mungojnë shprehitë e punës, nuk përputhet interesi i tyre me përmbajtjet e lektyrave të caktuara, librat janë të vëllimshme, duhet të bëhet zëvendësimi i tyre me forma të tjera etj., janë vetëm disa nga arsyet që mund të përmenden për këtë përgjigje. E vërteta e lektyrave që jepen nëpër shkolla është se lista e lektyrave nuk ka ndryshuar gati 50 vjet. Me këto lektyra ka mësuar babai im, unë dhe tani djali im. Fillim e mbarim Antigona, Hamleti e Besniku. Thuajse Homeri, Danteja, Petrarka, Bokaço e Beqir Musliu nuk kanë fare vlerë. Byroja, për Zhvillimin e Arsimit deri tash, asnjëherë nuk e ka parë të udhës që të bëjë të paktën një anketë rreth lektyrave. Me sa duket vjetërsia e plan-programit gati 50-vjeçar është po ashtu një prej shkaqeve që ndikon në leximin e lektyrave. Nuk e di a janë po ato shije, që dikur i kemi pasur ne, por e di se deri tash nuk është ngritur asnjë herë një komision që do të organizonte bashkë me nxënësit një debat mbi këtë çështje dhe ku rreth kësaj problematike do të dëgjohej edhe zëri i nxënësve.
Mos vallë është problem numri i lektyrave që nxënësit duhet ti lexojnë gjatë shkollimit. Disa vepra të letërsisë botërore që duhet ti lexojnë mbase duhet të ndërrohen, sepse tani nuk janë më interesante, si p.sh. Robinson Kruso i Defos s’ka shije për gjeneratën e sotme. Ose, është për tu habitur sa pak nobelistë jepen si lektyra shkollore, ndërsa ne përgatisim gjenerata për botën e globalizuar, ku do të jetë turp të mos dihet se pamuk nuk është vetëm bimë, por edhe mbiemri i një nobelisti. Besoj se tani ka shumë shkrimtarë botërorë që i shkojnë për shije gjeneratës së sotme, aq më tepër që veprat e reja vazhdimisht krijohen duke e pasur parasysh edhe elementin lexues si komponent të krijimit të veprës. Në fakt shumë nxënës dëshirojnë të lexojnë, por jo atë që dikush ua ka caktuar.
Disa thonë se lexojnë, por lexoj astronomi, psikologji, por jo edhe Afërditën që herë shkon e herë kthehet nga fshati që të emancipojë. Ose, paramendoni lektyrë shkollore jepet Thikat e Neshat Tozajt. Nëse i pyesim profesorët, por edhe prindërit, të gjithë jemi të një mendimi, se lista duhet të freskohet. Kujtoj se kjo do të na çojë ta marrim librin në dorë.
Megjithatë ka edhe diçka që duhet të përmendet – se nuk është e thënë vetëm të lexohet lektyra, por duhet të gjendet edhe një strukturë e përbashkët për interpretimin e lektyrës, se nëse është fjala vetëm për ta ditur subjektin e saj, nxënësit e bëjnë edhe nëpërmjet të internetit dhe e gjejnë lektyrën të interpretuar për një gjysmë ore. Mos leximi i lektyrave dhe humbja e kësaj kërshërie te nxënësit, sidomos te nxënësit e shkollave të mesme, është një humbje e madhe. Ata, pas shkollimit të mesëm, asnjëherë në jetë nuk do të kenë rast e kohë ti lexojnë ato vepra që i kanë pasur si lektyra. Kështu mbeten pa e njohur mitin e mollës së artë, lindjen e Zeusit, personazhin e Evropës etj., që natyrisht do të jenë turp të mos dihen në botën e globalizuar evropiane. Le që ata të cilët nuk lexojnë mbeten edhe me fjalor të dobët e me kulturë nën nivel. Nëse u referohemi statistikave, ato janë rrëqethëse: ka nxënës që nga biblioteka (e shkollës ose bibliotekë tjetër) që kurrë nuk ka marrë libër.
Duke e pasur parasysh gjithë këtë që e thamë më sipër, propozoj që në këtë drejtim të ndërmerren më shumë masa: të mbahen tribuna e takime mes nxënësve, arsimtarëve, botuesve, kritikëve dhe shkrimtarëve për njohjen me vlerat e mirëfillta letrare, pastaj Byroja të përpilojë listë më të gjatë lektyrave që nxënësit të kenë mundësi të zgjedhin më shumë, të përfshihen emra kulmorë të artit letrar, të përfshihen të gjitha llojet e zhanret letrare etj.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura