BEDRI ISLAMI: MBI TË GJITHA ËSHTË KOSOVA, PASTAJ FSHATI DHE PRAGU I SHTËPISË

(Pashtriku.org, 17. 07. 2012) – Kjo është luftë për të mbrojtur pragun e Kosovës, që është në fund të fundit edhe pragu i shqiptarisë, pragu nga ku Shqipërisë etnike i kanë ardhur gjithnjë sulmet e pabesa veriore të sllavëve të jugut. Të mbrosh Kosovën do të thotë në fund të fundit të mbrosh kombin tënd dhe kjo është një detyrë fisnike shumë më e lartë se të mbrosh thjeshtë pragun e shtëpisë.
Duke qenë se, lufta e tanishme kundër pushtuesit serb, është një luftë e të gjithëve dhe jo vetëm për një zonë, një krahinë, një fshat, ajo ka marrë tashmë përmasa të mëdha dhe është njëri nga realitetet më të besueshme në tërë Kosovën. Qëllimi i shprehur qartas i UÇK-së, për luftë deri në fitore, dhe mbështetja e këtij besimi nga të gjithë ata që e dinë tashmë se qëndresa e armatosur ishte më se e domosdoshme – janë të natyrshme në jetën e shqiptarëve në Kosovë. Bëhen të tilla, pra, gjerësisht të përhapura dhe thellësisht të ngulitura, vetëm ato dije që përfaqësojnë ëndrrën më fisnike të popujve, dhe nuk mund të këtë ndjenjë më fisnike se dëshira për të qenë i lirë, për të qenë një komb i bashkuar, për të qenë zotër në vatrat tona. Kundër këtij ideali hapur ose fshehtas punojnë vetëm ata që së pari mendojnë në gjuhën e armikut, vetëm ata që tashmë kanë mohuar kombin.

Jakup Krasniqi – Zëdhënësi i SHP të Ushtrisë Ҫlirimtare të Kosovës.

…………………………………………

Është i vërtetë po ashtu fakti se tashmë kudo vlon dëshira për të qenë të gatshëm për të përballuar armikun. Megjithë barbaritë që bëri pushtuesi serb në Rahovec, ato nuk e kanë mposhtur popullin shqiptar, nuk ia kanë ulur dëshirën për liri. Përkundrazi, tashmë këmbëngulja e njerëzve për të qenë të gatshëm për të përballuar armikun është më e lartë dhe njerëzit po sakrifikojnë dhe jetën e tyre për të gjetur mjete luftarake.
Qoftë të jetë besimi i lartë, qoftë të jetë dëshira e fortë, nuk janë të mjaftueshme për të përballuar një armik të tillë si është ai që kemi përballë. Duhet shumë më tepër se kaq. Duhet edhe organizimi i lartë, edhe rritja e ndjenjës së përgjegjësisë, edhe zbatimi i urdhërave, edhe disiplina, e shumë gjëra të tjera që lidhen me luftën.

………………………….

SHIKONI DOKUMENTARIN KUSHTUAR OFICERIT TË KARIERËS – AGIM B. QELAJT

– KOMANDANT COLIT, I CILI RA HEROIKISHT NË MBROJTJE TË RAHOVECIT.

……………………………….

Shtabi i Përgjithshëm dhe shtabet rajonale që veprojnë në Kosovë, së bashku me Drejtoritë e ndryshme të krijuara pranë tyre, po bëjnë të gjitha përpjekjet që lufta e popullit tonë të jetë rreptësisht e përqendruar në një komandë, me pikësynime të qarta, e aftë për të përballuar sulmet armike, për t‘i shkaktuar humbje të rënda atij, por edhe që; popullsia shqiptare të mos dëmtohet ose mundësisht të dëmtohet sa më pak. Pësimet e humbjeve të mëdha në Bosnje, shumica e të cilave janë rrjedhojë e anarkisë dhe e pengesave mesboshnjake, nuk duhet të lejohen të ndodhin në luftën tonë çlirimtare. Nganjëherë ato bëhen me dashje, dhe kundër pengesave të tilla është e natyrshme që do të veprojë ashpër zëmërimi i popullit. Nganjëherë ato bëhen pa dashje ose si rrjedhojë e rënies në lojën e kurdisur dhe ata hapin telashe jo të pakta.
Kur cituam në fillimin e këtij shkrimi se mbi të gjitha është Kosova, pastaj është fshati e pragu i shtëpisë, nuk e bëmë rastësisht.
Në kohën kur lufta filloi të kishte shtrirje të gjerë, jo rastësisht u përhap parulla se „shqiptarët po luftojnë për të mbrojtur pragun e shtëpisë”. Ishte një këmbëngulje në përsëritje, e deri në lodhje e mediave titiste dhe të lidhur me qarqet legaliste për ta paraqitur luftën çlirimtare si një shpërthim i shthurur, si çdo gjë që vinte rastësisht.
Kishte emisar edhe nga Shqipëria zyrtare që ripërseritën se shqiptarët po luftokan vetëm për pragun e shtëpisë. Kjo „formulë” synonte ta rikthente rishtas luftën e shqiptarëve për pavarësi në një luftë kaçakësh, ose në një paraqitje kaçakësh. Duke u nisur nga fakti se Adem Jashari kishte rënë i rrethuar në shtëpinë e tij ata mbështetën teorinë se lufta është thjeshtë për pragjet e shtëpive, duke synuar që shqiptarët të jenë rishtas të vetmuar. Pra, që secili fshat të luftonte vetëm për fshatin e tij, secila shtëpi vetëm për shtëpinë e saj, ndërsa për Kosovën – askush. Sepse, duke patur pikëvështrimin deri tek pragu i shtëpisë, nuk mund të shohësh përtej kodrës ku mbaron fshati yt. Në të vërtetë, kjo solli edhe disa përpjekje për riorganizime në bazë fshati, të cilat fatbardhësisht morën fund shpejt, sepse shtabet rajonale, Shtabi i Përgjithshëm, organizatat çlirimtare të lidhura ngusht me to, sinjalizuan dhe vepruan për unifikimin e të gjitha forcave nën komandën e Shtabit të Përgjithshëm, për heqjen e konceptit se luftojnë vetëm për pragun e shtëpisë. Sepse, në fakt kjo është luftë për të mbrojtur pragun e Kosovës, që është në fund të fundit edhe pragu i shqiptarisë, pragu nga ku Shqipërisë etnike i kanë ardhur gjithnjë sulmet e pabesa veriore të sllavëve të jugut. Të mbrosh Kosovën do të thotë në fund të fundit të mbrosh kombin tënd dhe kjo është një detyrë fisnike shumë më e lartë se të mbrosh thjeshtë pragun e shtëpisë.

Tagrambledhësi i 3% – Bujar Bukoshi!

………………………………………..

Bujar Bukoshi, Isa Mustafa dhe vartësit e tyre në Gjermani, Slloveni, Zvicër etj., mblidhnin para në emër të pavarësisë së Kosovës, duke dhënë edhe këto “letra me vlerë”, madje duke e keqpërdorur edhe vulën e UҪK-së!

…………………………………………………………

……………………………………………………

Ky koncept tashmë është i kaluar disi, por jo kudo. Është tashmë i tejkaluar sepse njerëzit në Kosovë e dinë fare mirë se është e pamundur qoftë edhe praktikisht, që i vetëm, mbështetur në forcat e një fshati, të mbrosh vatrat stërgjyshore nga hordhitë serbe. Është gjithashtu disi i tejkaluar sepse njerëzit e kanë tashmë të qartë se vetëm të bashkuar, nën komandën e UÇK-së mund të mbrohet e gjithë Kosova, e në këtë mes edhe pragu i shtëpisë. Por, ndërsa është i tejkaluar në vendlindje, ai rishfaqet mijëra kilometra larg tij, në mërgim.
Si shfaqet në mërgim, pra konkretisht si shfaqet sot e kësaj dite në mesin e mërgimtarëve tanë?
Duhet thënë se shfaqet me një kontradiktë të dhimbshme mes dëshirës fisnike për të ndihmuar luftën dhe të vërtetës, se nuk mund të ndihmohet ashtu. Në një farë mënyre ata janë peng tragjik i së vërtetës se dikush po e pengon luftën.

Pashtrik, Gusht 1998: Në qendrën mobilizuese të Cahanit…

………………………………………………….

Të flasim konkretisht: kohët e fundit të ardhurat në Komisionet e Emergjencës janë pakësuar, megjithse ende janë të mëdha. Ajo që quhet qeveri po shfrytëzon të gjitha mjetet e mundëshme për të thithur mjetet materiale, dhe që ato të mos shkojnë tek UÇK-ja. Ndërsa disa vite më parë klani Bukoshit u thirr në emër të vetëmbrojtjes, vetëm në gjashtë muajt e fundit është thirrur së pari në emër të Drenicës, pastaj përmes Këshillave të Emergjencës dhe tani në emër të Pavarësisë së Kosovës. Por ende nuk është thirrur dhe as që ka ndër mend të thirret në emër të ndihmës për luftën çlirimtare. Përmes këtyre „thirrjeve” janë në fondin e „qeverisë” me miliona e miliona deviza të huaja, prej të cilave janë financuar gjëra të dobishme, por më shumë gjëra të dyshimta. E të dobishme kanë qenë financimet humanitare, sepse edhe ato i duhen Kosovës, por të tjerat, të dëmshmet, kanë qenë e do të jenë objekt i shkrimeve të tjera.
E ndodhur përballë faktit se fondet e Emergjencës po bien, përmes emisarëve të LDK-së, qeveria po nxit orgnizimin e mbledhjes së ndihmeve në bazë të fshatit, në bazë të grupeve të fshatarëve. Emisarët e LDK-së herë po qendrojnë në prapaskenë, dhe herë po veprojnë drjetpërdrejt. Qëllimi është i njëjtë: kudo le të shkojnë të hollat vetëm te fondi „Vendlindja thërret”, si fond i luftës dhe bashkimit kombëtar, mos të shkojnë.
Dhe nis kështu e dhimbshmja. Njerëzit e thjeshtë fillojnë të shqetësohen, fillojnë të vetorganizohen. Çuditërisht, qeveria që ka protestuar kundër çdo forme të mbledhjes së ndihmave, që ka thënë se nuk merr përgjegjësi etj etj, tani jo vetëm që hesht, por edhe përmes TV satelitor i bën thirrjet e saj. Thirrjet e fondit „Vendlindja thërret” i hesht. Qeveria e di fare mirë se përse po mblidhen fshatrat. E di se kjo formë e saboton luftën. Por i nxit jo vetëm me heshtjen e saj, por edhe me emisarët e saj LDK-istë. E di qeveria se sa vështirësi ka organizimi i një fshati kokë më vete, sepse edhe ajo, megjithëse e quan veten qeveri, kur deshti të krijojë linjën e dytë ushtarake FARK, dështoi. E si mund të veprojë një fshat i vetëm? A nuk e di qeveria se ky fshat do të bjerë ndesh me dallgët e vështirësive?
Të gjitha i di.

Bedri Islami, në një tubim me bashkëatdhetarët tanë në Gjermani.

……………………………………………………

Duhet thënë shqip për bashkatdhetarët: ndihmojeni luftën aty ku duhet. Vetorganizimet janë të dëmshme. Ju e keni qëllimin fisnik, por pasojat janë të dëmshme. Dhe janë shumëfish të dëmshme. Sepse ndërsa kërkoni përqëndrimin e luftës, ju bëni shpërqëndrimin e mjeteve të luftës. Sepse ndërsa kërkoni komandë unike, çka edhe është në të vërtetë, ju bëni njëmijë komanda. Sepse ndërsa kërkoni që lufta të jetë e organizuar, ju ndikoni në çorganizimin e saj. Fondet mund të mblidhen gjithsesi, por, ato kanë një shtrat ku duhet të derdhen, dhe ky është fondi „Vendlindja thërret”. Ju duhet të mendoni: kur Shtabi i Përgjithshëm i bën thirrje asaj që ju e besoni qeveri, që fondet t‘i derdhë në fondin „Vendlindja thërret”, po ju të tjerëve çfarë duhet t`ju thotë. Mos e copëzoni luftën. Mos e bëni atë të denjë për kufijtë e një fshati.
*) Nga cikli i shkrimeve: „Shansi i fundit në mbarim të shekullit”, të botuar për herë të parë në gazetën “Zëri i Kosovës” – në fund të vitit 1998 dhe në gjysmën e parë të vitit 1999.

…………………………………………………….

(ILUSTRIMET I PËRGATITI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura