BEHXHET SHALA BAJGORA: A DO TË BËHET XHARRAHU I LUTËS HERO I KOSOVËS!

Prishtinë, 23 qershor 2017: (Kush shantazhon, “fiton“) – Pas përfundimit të zgjedhjeve, në një shkrim analitik (të gjithë u bëmë analistë!!) thashë se ai që ka kapacitet më të madh shantazhues , do të jetë fituesi i zgjedhjeve nëse i referohemi parimit makiavelist të marrjes së pushtetit me të gjitha mjetet apo edhe përpjekjeve të mbetjes në pushtet gjithashtu duke përdorur të gjitha “parimet morale“ të Nikolo Makiavelit. Në këtë kontekst mendoj se LDK është fitues i zgjedhjeve sepse është përcaktuesi kryesor për formimin e qeverisë, sipas parimeve lutomakiaveliste. Realisht LDK ka kapacitet shantazhues që e ka futur në qarkullim përmes atyre që, ndryshe flasin dhe ndryshe veprojnë dhe të cilët e kanë një çmim për lëkurën e tyre sepse fytyrë nuk kanë andaj nuk mund ta shesin ate që nuk e kanë. Është edhe një, nuk e di si ta quaj, parti apo lëvizje, bashkim interesi apo karikaturë politike personale e formuar nga valltarja ekzotike e Gadafit dhe lejlekut shtegtar që i bëri kërkesa shantazhi VV dhe Albin Kurtit e të cilat deri më sot, që sigurisht se është pritur, nuk ia bëri as pioni i Serbisë në Kosovë, Sllavko Simiq , “kryetar“ i Listës Serbe. Zgjedhjet u fituan nga koalicioni PAN që sipas Kushtetutës ka të drejtën që ta formojë qeverinë në afatin e përcaktuar me ligj dhe nëse nuk ka sukses atëherë do të duhej t’i njihej kjo e drejtë forcës së dytë politike e kjo është VV. Tash kanë filluar bisedimet, pa u certifikuar ende rezultatet e zgjedhjeve për formimin e qeverisë. Ramush Haradinaj , si i nominuar nga koalicioni PAN për mandatar për formimin e qeverisë është i sigurt se i ka votat e mjaftueshme dhe nuk lë asnjë mëdyshje për këtë. Albin Kurti si i nominuar nga VV gjithashtu është i sigurt se do të bëhet kryeminstër dhe në këtë mënyrë edhe po sillet , përkundër procedurave të njohura për formimin e qeverisë. LDK , me një komoditet që e ka fituar në këto zgjedhje si pala më e fuqishme shantazhuese , pas një heshtjeje afatshkurtër , tash po i tregon dhëmbët duke vënë kushte. Në këtë situatë jashtëzakonisht shumë është radikalizuar Lutfi Haziri, baba i decentralizimit në baza etnike që, përveç se e përjashton çdo bashkëpunim me PDK , me të cilën deri dje u shkërdhyen në të njëjtin shtrat – koalicion qeverisës , edhe VV dhe Albin Kurtit po i vendos kushte nëse duan që LDK ta bëjë një koalicion me partinë e Kurtit. Është krejtësisht e pritshme që në këtë mish – mash të rezultateve , LDK ta kërkojë postin e kryeministrit për Avdullah Hotin në kohën kur Isa Mustafa po e bënë një strategji dalëse nga politika. Me këtë kërkesë LDK po përpiqet ta forcojë pozitën në skenën politike të Kosovës, të arsyetohet para elektoratit dhe t’i ruaj pozitat e sulltanëve politikë të komunave që janë shndërruar në sundimtarë dhe despotë absolut duke e penguar çdo reformë brenda LDK-së dhe duke ngulfatur hapësirën për kuadro të reja të LDK-së që aq shumë i mungojnë! Këtë kërkesë të LDK-së dhe Lutës edhe do ta merrja si një veprim taktik për ngritjen e çmimit gjatë formimit të koalicionit paszgjedhor ndonëse VV ka të drejtë morale ta ketë këtë mundësi por parimi makiavelist ia mundëson LDK që ta arsyetojë këtë kërkesë . Përtej kësaj Luta del me një kërkesë jonormale dhe tipike shantazhuese duke kërkuar nga VV dhe Albin Kurti që ta vlerësojnë presidentin “historik“ Ibrahim Rugova ashtu siç e ka përcaktuar me menynë politike LDK dhe Lutfi Haziri e që nuk e ka bërë askush deri më tani! Kjo vetëm sa dëshmon që LDK nuk është e gatshme për reformë dhe se ende shpreson të fitojë vota me varrin e Ibrahim Rugovës apo duke manipuluar me familjarë të ngushtë të Rugovës që marrin vesh në politikë për aq sa ka marrë vesh Don Kishoti në programin Excel! Askush nuk ka të drejtë t’i imponojë Lutfi Hazirit dhe LDK vlerësimin dhe ndjenjat që i kanë për Rugovën por me çfarë të drejte LDK dhe Luta ua imponojnë Ibrahim Rugovën të tjerëve. Ka harruar Luta se Albin Kurtin në kohën e Rugovës gjatë protestës studentore policia serbe e tërhiqte zvarrë duke e keqtrajtuar brutalisht. Ibrahim Rugova doli kundër këtyre protestave të drejta sikur që e bllokoi çdo përpjekje për çlirimin e Kosovës. Madje, ai, brenda natës e formoi një fraksion të studentëve që ishin kundër protestave duke i dërguar një porosi të qartë policisë serbe si të veprojë me studentët dhe profesorët protestues që kërkonin lirimin e objekteve universitare. Madje, ka pasur raste kur “intelektualë“ të atëhershëm e që pastaj u bënë figura të “shquara“ të rugovizmit, që i ndiqnin studentë që protestonin duke ua lëshuar qentë kur studentët donin të hynin në shtëpitë e tyre për t’u mbrojtur nga policia serbe. Në këtë kontekst, mos u befasoni nëse nesër Luta apo ndonjë tjetër të kërkojë që xharrahu i tyre të shpallet Hero i Kosovës sikur që u shpallën disa oficerë të Shërbimit Kundër Zbulimit të Ushtrisë Jugosllave apo bashkëpunëtorë të UDB. Prandaj , edhe kërkesat politike qoftë edhe shantazhuese duhet ta kenë një kornizë logjike e jo t’ia huqin sikur që e bëri Luta dhe disa të tjerë të LDK-së. Çdo parti politike e ka menynë politike që e konsumon për aq sa i duhet me e marrë apo mbajtur pushtetin dhe asnjë subjekt serioz politik nuk do të pranojë që të ushqehet me një meny politike të një subjekti tjetër politik me të cilin thuaja nuk ka asgjë të përbashkët përveç gjakimit për pushtet. Valltarja ekzotike e Gadafit shkoi edhe më larg se Luta duke e kërcënuar Albinin dhe VV se, nëse vazhdon me fjalorin për bashkim kombëtar dhe bashkim me Shqipërinë atëherë nuk do të ketë asgjë nga koalicioni me VV thuaja se ajo i ka fituar 30 deputetë e jo 2 sa i kanë fituar në saje të koalicionit me LDK dhe AKR e jo se kanë pasur ndonjë elektorat që do t’i votonte . Këta e kanë formuar një parti a lëvizje politike për t’u rehatuar themeluesit e jo për t’u shndërruar në një forcë politike. Madje, duke i vënë një emër të madh – Alternativa , qëllimin e kanë pasur ta ngrisin pazarin politik ndonëse nuk kanë anëtarë as për një kombi të Kodrës së Trimave. Kur je ngushtë, të gjithë të shalojnë e kështu po vepron LDK dhe menderme thënë Alternativa e dy themeluesve që duket të jenë anëtarë të vetëm të kësaj paçavure politike, me VV dhe Albinin. Është çështje e VV dhe e Albinit si do të veprojnë në situatën e krijuar.

PDK dhe koalicioni PAN
Është e vërtetë se i fituan zgjedhjet por se janë larg komoditetit të formimit të qeverisë ashtu si kanë menduar dhe ashtu si po flasin tani. Janë në situatë që t’i marrin edhe dy – tre deputetë “ kinezë “ vetëm ta formojnë qeverinë që në aspektin strategjik do t’i dëmtojë këto subjekte deri në margjinalizim. Po duket se pushteti është pasion aq i papërballueshëm saqë kanë humbur të gjitha kriteret dhe parimet. NISMA u rritë krahasuar me PDK dhe AAK por AAK ka një përparësi sepse e ka kandidatin për kryeministër. Më e lagura ka dalë PDK që u detyrua të bëjë kompromise të dhimbshme sikur të ishte pjesë e bisedimeve në Dejton. Hoqi dorë nga posti i kryeministrit , e rudhi listën e deputetëve duke krjiuar një listë të imponuar ku, përjashtuar disa rasteve, kriter për deputetë ishte nëse jeni i biri apo bija e Taras Bulbës, mbesa e Kim Kardashianit apo trashigimtar gjenetik dhe biologjik i të sakrifikuarve. Lista nepotiste e PDK-së e ka dëmtuar shumë këtë parti e cila është dashur të mbledhë mend nga praktika e keqe e LDK-së që trashigimtarët e Rugovës i mveshi me pushtet , jo për shkak të respektit ndaj Rugovës por se instrumentalizuan me ta, anëtarë të familjes Rugova (thuaja të gjithë degët e kësaj familje) ndonëse nuk marrin erë nga politika. Edhe PDK bëri lista të imponuara e që çmimin që po e paguan tash është cikërrimë me ate që do ta paguaj më vonë! Në listën e PDK-së, përjashtuar disa raste, të tjerët janë analfabetë politik. E çka ju duhen ata pavarësisht bir apo bijë e kujt jeni?! Hashim Thaçi konsiderohet Zeus i PDK-së që nënkupton se është zot i zotave prandaj kurrë nuk do të lejojë që dikush të jetë mbi Zotin President. Kadri Veseli e ka marrë PDK-në në kohën më të keqe për të dhe shumë e kanë sabotuar gjatë rrugëtimit të tij politik. Transicionin është përpjekur ta kalojë me njerëz të gabuar dhe jokompetentë. Kadri Veseli nuk është përgjegjës për rrëzimin e Isa Mustafës sepse Isën e rrëzuan deputetët e LDK-së të cilët pastaj nuk i futi në listën e LDK-së për deputetë. Mirëpo, mendoj se Kadri Veseli nuk është dashur të votojë për rrëzimin e Isës për shkak të korrektësisë. Mendoj se Kadriut nuk i mungon korrektësia por se nuk është gjetur si duhet në situatën e krijuar. Prandaj, të gjitha faturat duhet t’i paguaj vet. Po të isha në vend të Kadriut , nëse nuk do të jenë në gjendje ta formojnë qeverinë , do ta votoja çdo mandatar tjetër, qoftë Albin Kurtin apo Avdullah Hotin dhe do të kaloja në opozitë edhe nëse do të kisha mundësi të mbetem në pozitë. Për PDK janë shumë me rëndësi zgjedhjet lokale dhe kjo është e vetmja mundësi për këndellje apo rikthim në radhët e para të odës politike. Qeveria me 2-3 deputetë “kinezë” duke i lënë anash afërsisht 60 deputetë shqiptarë do të ishte një hipotekë që nuk do të shlyhej me asgjë. Përveç se do të kishte kohë për përgatitje për zgjedhje lokale , PDK nuk do të mbetej peng e temave të mëdha si ; Demarkacioni , Asociacioni , bisedimet me Serbinë , Gjykata Speciale etj., të cilat do t’i qëndronin si shpata e Demokleut pozitës me VV dhe partitë që do të bënin koalicion me te. Çdo formacion qeverisës nuk ka jetgjatësi në Kosovë. PDK duhet të brengoset për faktin se është partia më e urryer dhe se askush vullnetarisht nuk do të bashkëpunojë me të. Madje, skifterët si Isa dhe Luta nuk pranojnë të bisedojnë as me ndërmjetësimin ndërkombëtar me PDK-në. Po del se për VV dhe LDK, Lista Serbe është më e afërt dhe më e pranueshme për bashkëpunim se PDK! Edhe kjo është Kosovë!
VV si fituese morale
Vetëvendosje ka fituar më së shumti shkaku se i dyfishoi votat dhe deputetët . Lista e deputetëve të VV është listë e guerilës urbane , terreni nuk është fare i përfaqësuar. Patriotët dhe partizanët e bashkimit kombëtar nuk janë askund në këtë listë. Mirëpo, kjo listë, krahasuar me ate të LDK dhe PDK është shumë më e përgatitur në aspektin profesional dhe do të jetë dominuese në debatet parlamentare, i pëlqeu dikujt apo jo. Fitorja morale nuk nënkupton se domosdoshmërisht do ta merrni pushtetin madje, sa më shumë të insistoni ta merrni pushtetin, pushteti do të largohet nga ju aq më parë që nuk jemi përcaktues dhe vendimarrës se kush do të qeverisë dhe si do të duket qeveria si dhe kush do ta ketë postin e kryeministrit. Albin Kurti po sillet si kryeministër i ardhshëm ende pa përfunduar procedurat që e konsideroj gabim të madh. VV, sipas mendimit tim më të rëndësishme duhet t’i ketë zgjedhjet lokale se marrjen e pushtetit tani. Kush e fiton Prishtinën, Pejën, Mitrovicën, Ferizajin, Prizrenin dhe Gjilanin e ka pushtetin në Kosovë e jo kush e ka qeverinë. Tash është koha më e keqe për VV ta merr pushtetin sepse kjo parti e ka vështirë të përballet me sfidat e Demarkacionit, Asociacionit, Gjykatën Speciale, bisedimet me Serbinë etj., shkaku se votat i ka fituar kryesisht duke i kundërshtuar këto procese. VV nuk mund të bëjë një kthesë të madhe duke i përkrahur këto procese shkaku se do ta pësonte në zgjedhjet lokale. Qeverisja e VV do të kishte efekte pas 2-3 viteve. VV nuk i ka krijuar këto procese prandaj edhe nuk mund t’i zgjidhë ato. Po , nëse i lejojnë ndërkombëtarët , le ta provojë edhe VV . Mirëpo , sa i përket këtyre proceseve VV nuk do të jetë në gjendje të ndryshojë asgjë! E këto procese janë kushte që bashkësia ndërkombëtare të bashkëpunojë me ju duke ua lejuar marrjen e pushtetit. Përparësi e madhe e VV është se pjesa dërmuese e rinisë janë , ose anëtarë të VV, ose përkrahës të tyre.
Pendimi i vonuar e personazhit të Aleksandër Dymas – LDK
LDK është përcaktuese për formimin e qeverisë por në këtë kontekst ka rol epizodik e jo kryesor. LDK duhet të reformohet shkaku se ka nevojë për infuzion duke e kaluar ndërrimin e gjeneratave pa thyerje të mëdha. Elefantët e kësaj partie duhet të tërhiqen duke shkuar bashkërisht drejt varrezës kolektive politike. LDK nuk ka nevojë ta marrë postin e kryeministrit por ka nevojë ta fitojë Prishtinën dhe të forcohet duke fituar edhe qytete tjera të mëdha. Këtë mund ta bëjë vetëm duke kaluar në opozitë e jo duke qenë patericë, qoftë e PDK-së apo e VV. Jam i sigurt se Isa Mustafa po bëhet gati për pensionim politik por se është shumë i kujdesshëm se në duar të kujt do ta lë partinë. Mendoj se ai dëshiron që ta lë në duar të dikujt që mund ta kontrollojë e që do të ishte gabim i madh. LDK në pushtet do të shërbejë si mish për top për të tjerët ndërsa në opozitë do të ishte vetja. Isa Mustafa e pranoi se nuk e ka përfillur kërkesën e amerikanëve për ta dërguar në votim Demarkacionin dhe nga ai çast mund të llogaritet si i pensionuar. Si për PDK ashtu edhe për LDK do të duhej të vlejë rregulli apo parimi , të votohet mandatari për qeveri kushdo qoftë ai dhe të kalohet në opozitë. Nëse dëshiron të kalojë nëpër procesin e reanimacionit politik si parti. Në të kundërtën kjo parti do të vdesë biologjikisht dhe politikisht.
Për fund , të gjitha partitë , pozitë apo opozitë duhet të angazhohen dhe të pamundësojnë faktorizimin e Listës Serbe. Në të kundërtën do të kontribuojnë në forcimin e rolit të Serbisë në Kosovë duke e bërë Serbinë bashkëpronare të proceseve në Kosovë e që nënkupton legalizimin e federalizimit të Kosovës. Mendoni për këtë !

22 qershor 2017 Prishtinë
Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA
 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura