BEHXHET SHALA BAJGORA: FESTA E BAJRAMIT TË MADH, PËRFITIM POLITIK DHE ZHVILLIM BIZNESI!

 Prishtinë, 7. 7. 2016: (Ndarja e ndihmave, për publicitet) – Pas përfundimit të agjërimit në kushte jashtëzakonisht të rënda shkaku i temperaturave të larta dhe kohëzgjatjes, u festua Dita e Bajramit të Madh në të gjitha trojet ku jetojnë shqiptarët e besimit islam. Kishte dallime të mëdha, sidomos midis Tiranës dhe Prishtinës. Në Tiranë ishte një numër i madh i besimtarëve që faleshin në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit “ dhe që ceremoniali fetar udhëhiqej nga udhëheqës shpirtërorë që shquheshin me kompetencën dhe gojëtarinë e tyre e që nuk ishte ashtu në Prishtinë. Ndonëse udhëheqësit shpirtërorë të besimit islam në Tiranë flisnin për interesin kombëtar dhe shtetëror , më befasoi fakti se, midis tjerash, përparësi i jepej fesë para kombit dhe atdheut duke përdorur porosinë me radhitje: “për fe, komb dhe atdhe….”?! Dukej sikur feja ishte para dhe më e rëndësishme se kombi dhe atdheu e që , në asnjë aspekt nuk do të duhej të ishte ashtu, me përjashtim të rasteve ku feja është vet shteti apo edhe mbi shtetin ! Muaji i Ramazanit është muaj i solidaritetit me ata që janë në gjendje të vështirë materiale e që nuk kanë mundësi materiale as për ta siguruar ushqimin minimal e lëre më një darkë me të gjitha të mirat . Për këtë arsye, njerëzit e vullnetit të mirë u dalin në ndihmë këtyre skamnorëve në mënyrë që , së paku për festën e Bajramit të Madh ta kenë sofrën plot . Janë dy lloje të atyre që u ndihmojnë skamnorëve për këtë dhe festat e tjera ; biznesmenë dhe politikanë që , përmes kontributeve duan të përfitojnë, edhe personalisht, edhe si biznes duke e keqpërdorur këtë kontribut përmes publicitetit të tepruar dhe të pështirë e që nuk ka asgjë të përbashkët me të bërit mirë, duke i ndihmuar të varfërit! Jemi dëshmitarë të një situate të neveritshme kur biznismenë të kamur , në prani të mediave që “rastësisht“ qëllojnë aty, personalisht ndajnë pako me ndihma me një përmbajtje tejet modeste ! Kjo dukuri , jo që nuk ka lidhje me humanizëm dhe solidaritet, por është një veprim i ulët për të përfituar në kurriz të atyre që kanë shumë nevojë për ndihma. Veprim jashtëzakonisht i pamoralshëm duke keqpërdorur gjendjen materiale dhe shpirtërore të skamnorëve të cilët , “ bëmirësve “ të tyre u thurin lëvdata sikur të ishin Zoti vet! Kjo mëmyrë e të “ dhuruarit “ për shkak të përfitimit publicitar dhe biznesor e ka marrë një “ legjitimitet “ të opinionit publik në vend se t’i nënshtrohet një gjykimi publik moral! Grupi tjetër i dhuruesve janë ata që e bëjnë :” për shpirt të tyre dhe hatër të Zotit “ duke dhuruar shumë më tepër ndihma për skamnorët , duke mos pranuar ta bëjnë këtë para medieve dhe duke shpërndarë pako të cilat , jo vetëm se i kanë plotësuar nevojat për drekën e Bajramit të Madh por ka pasur ushqime dhe gjësende të tjera , nëse jo për tërë muajin atëherë së paku për 15 ditë po . Këta janë ata donatorët e vërtetë të cilët edhe vet kanë shpërndarë ndihma, duke mos treguar se kush i ka siguruar këto ndihma ! Dhuruesit e mëdhenj dhe filantropët e vërtetë të shndërruar në bëmirës tradicionalë , kurrë nuk e tregojnë identitetin e tyre ose , kur dihet identiteti i tyre , ata nuk mburren me aktin e bëmirësisë dhe nuk duan të përfitojnë asnjëherë nga ku akt ! Dhuruesit falso që kanë ardhur te paraja në mënyrë të pamoralshme , janë mashtrues ordinerë prandaj kanë nevojë për publicitet shtesë duke përfituar nga fatkeqësia e skamnorëve ! Këta nuk duhet të llogariten fare si dhurues !

Kuvendi i Kosovës, Xhenifer Lopez dhe Naim Tërrnava
Është krejtësisht normale që gjatë muajit të Ramazanit , udhëheqësit institucionalë të shtrojnë darka për ata që agjërojnë e që janë në kuadër të bashkësive fetare . Sipas protokollit , udhëheqësit institucionalë shtrojnë darka për adashët e tyre të institucioneve fetare që nënkupton njëfarë reciprociteti të nivelit të atyre që ftojnë dhe janë të ftuar ! Skamnorët duhet ta vazhdojnë agjërimin edhe pas iftarit ! Për ta shtrojnë dreka kryesisht organizatat bëmirëse të shteteve të huaja apo “kuzhinierët e Erdoganit“. E pastaj fajsëohen për shtrirjen e radikalizmit islam ! Gjithashtu , në ditën e festimit të Bajramit të Madh apo të Vogël është rregull që Bashkësia Islame e Kosovës të vizitohet nga krerët institucionalë , partitë politike , pozita dhe opozita , ambasdorë të huaj , udhëheqës të bashkësive fetare tjera , autoritete morale sikur edhe nga shoqëria civile ! Është një pritje ku ka shumë hipokrizi shkaku se aty shkojnë personalitete që e sulmojnë BIK-un për radikalizëm islam, për xhihadë dhe rekrutues të xhihadistëve të ISIS-it sikur personalitete të tillë që anatemohen me fatva nga BIK-u për ateizëm dhe blasfemi ! Pas vizitave , sikur dhuruesit falso , dalin para medieve duke dhënë deklarata krejtësisht të kundërta nga ajo që mendojnë dhe veprojnë . Politikanët kryesisht janë të pasinqertë kurse udhëheqësit fetarë , nën presion të situatës japin deklarata shfajësuese për veten e tyre, gjithashtu të pasinqerta dhe këto janë rregullat elementare të një hipokrizie moderne që siguron mbijetesën , në kundërshtim me çdo normë morale, edhe për një pjesë të “ elitës “ politike sikur edhe për një pjesë të “elitës“ shpirtërore! Në tërë këtë proces , ndërkombëtarët janë monitorues dhe “lehtësues“ në luftë kundër terrorizmit dhe radikalizmit islamik i cili , sipas tyre në Kosovë qenka shumë i përhapur dhe i cili , po e rrezikon paqen dhe sigurinë globale! Budallakia e sidoms e keqja, qoftë edhe e qëllimshme është si oqeani; nuk ka skaj dhe nuk ka fund! Ajo që më bëri shumë përshtypje ishte darka e shtruar nga Kuvendi i Kosovës për një kategori të zgjedhur , në me krye Muftiun e Kosovës , Naim Tërrnava e që , të jem i sinqert ishte befasi e madhe për mua , edhe si parashikues i rezultateve sportive sikur edhe proceseve politike ! Me largimin e Sylë Tahirsylajt , kam mundur të merrem edhe me parashikimin e motit por u përmbajtja , për momentin ! Në atë darkë nuk ishte i ftuar astenjani skamnorë dhe ajo darkë ishte shtruar , në ambient të hapur siç ishte oborri i Kuvendit të Kosovës , afër pllakës për të pagjeturit dhe Varrit Hebraik ! Zoti i Madh, duke e ditur qëllimin e mirë , sikur të donatorit ( Kuvendit të Kosovës ) e sidomos të atyre që ishin të uritur e që kishin ardhur me toaletë të zgjedhur , i kurseu nga moti i lig . Aty vetëm ka munguar edhe ansambli kombëtar turk nga Stambolli dhe shfaqja e serialit të radhës: “Sulltani i Madhërishëm“ apo “Lugina e Ujqëve “! Eh Ibro Tatlisses , Ibro Tatlisses , po pse na le të vetmuar në kohët më të vështira dhe kur më së shumti na duheshe ! Kryetari i Kuvendit , z. Kadri Veseli , me rastin e festës së Bajramit të Madh e vizitoi, siç i takonte , BIK-un dhe Myftiun Naim Tërrnava. Po të njëjtën ditë , në darkën e shtruar në ambientin e hapur të oborrit të Kuvendit të Kosovës , kryetari i Kuvendit të Kosovës përsëri e takoi Myftiun Naim Tërrnava ! Unë i kam lakmi për këtë veprim se , në rrethana normale , po ta takosh dy herë brenda një dite edhe vet Xhenifer Llopez, do të ishte e tepërt e lëre më Myftiun e Kosovës ! Ky është rast tipik i pragmatizmit politik për të cilin duhen shkathtësi të veçanta ! Po ta kishte kryetari i Kuvendit një këshilltar me pak tru sikur që është rasti im , do ta këshillonte që ka mjaftuar një takim me Myftiun dhe se do të ishte shumë më mirë që në darkën e shtruar në oborrin e Kuvendit të Kosovës të ftohen skamnorët e uritur , së bashku me një pjesë të vogël të kabinetit qeveritar , disa drejtues të BIK-ut dhe i pashmangshmi , Shkëlqesia e Tij , Presidenti i Republikës së Kosovës , zotëri Hashim Thaçi. Kjo do të kishte kuptim dhe do të ishte një porosi e mirë për të gjithë. Kështu siç ndodhi … Zoti i Madh na ruajt nga të paditurit dhe përfituesit e rastit , të të gjitha kategorive dhe të të gjitha besimeve !
Do ta harroni Muratin, pas 10 korrikut
Me 10 korrik 2016 në Prishtinë do të vijë një gjeodete e kadastrës për shënjimin e kufirit me Crna Goren e cila do t’i ngulë kunjat aty ku të dojë vet prandaj do ta shohim se si do të reagojnë ata që deklaruan se Kosova poi humbë më shumë se 8200 hektarë, si do të reagojnë ata që deklaruan se Mali i Zi ka hyrë 5 kiilometra në trup të Kosovës, ata ekspertë që kanë deklaruar apsi është falur Bajrami dhe ata që e ngulin flamurin e Shqipërisë në pikën që konsiderojnë se është kufiri për t’u kthyer pastaj në Prishtinë dhe për të pirë makiato apo espresso në kafeteritë e qytetit ! Do të shohim se si do të reagojnë mediat që ishin kundër apo pro demarkacionit ! Do të shohim si do të reagojë shoqëria civile apo politikanët që e pushkatuan Murat Mehën ! Do të shohim si do të reagojnë ata që deklarojnë se Mali i Zi na qenka i gatshëm për ta diskutuar dhe rishqyrtuar demarkacionin me Kosovën por se këtë nuk e dëshiron pozita dhe Hashimi i I-rë ! Do ta shohim se si do të reagojnë ata që kanë deklaruar se vet politikanët e Kosovës paskan kërkuar që demarkacioni i kufirit me Malin e Zi të futet si kusht për liberalizim të vizave . Do ta shohim se si do të reagojnë ata kur do te jemi para një situate që do të ratifikohet ky demarkacion ashti siç është e ne do të mbetemi pa viza sepse do të dalin kërkesa tjera nga BE. Realisht , gjeodetja e kadastrës që vjen me 10 korrik 2016 do të sigurojë votat e nevojshme dhe do t’i hesht patriotët me bateri. E kemi gjithmonë arsyetimin:” është kërkesë e miqve ndërkombëtarë dhe se nuk e kemi mendjen të bëjmë luftë kundër krejt botës …”! Unë, pasi nuk mund të bëhem deputet , as ministër e as zëvendës ministër, as kryetar bordi apo konsull, as ambasador në Vatikan (ëndërr e jetës), as zëvendësambasador, as klient i gejshave në Japoni (ma hodhi Leoni), as rektor, as profesor të Universitetit publik të Prishtinës pa emër, as veteran i luftës e as intelektual i pavarur pasi nuk jam as intelektual, kurse , nuk kam mbërri në atë shkallë të çmendurisë sa të pretendojë të jem Hashim, Isë apo Kadri , po deklaroj publikisht se në asnjë rrethanë dhe me asnjë çmim nuk do ta votoja këtë variant të demarkacionit me Malin e Zi të knjaz Nikollës. Dikush , mbase me të drejtë mund të gjykojë se ky sakrifikim imi (virtual) mund të jetë , jo për bindje parimore por shkaku se kam mbetur i përjashtuar nga postet por ju garantoj se , po të isha në ndonjë post, reagimi im ndaj demarkacionit do të ishte shumë më i ashpër! Kështu , si po duket, do të bëhemi me demarkacion dhe do të mbetemi pa viza . Vizat mund t’i marrim edhe më vonë kurse territoret e humbura nuk do t’i marrim astenjihere. E keni Ulqinin , Hotin , Grudën , Plavën , Gucinë , Shën Naumin dhe ¼ e Serbisë së sotme ?! Qofsha i gabuar në këto parashikime !
Eh more Gjergj, more Skender
Pas Murat Mehës, kohëve të fundit personi më i sulmuar ësht Gjergj Kastrioti – Skenderbeu. Më së shumti apo kryesisht po sulmohet nga ata që deklarojnë se më shumë se 500 vjet kemi bashkëjetuar me Perandorinë Otomane kurse aktin kur na kanë ngulur në hunj, nuk ishte i dhunshëm por i vullnetshëm. Kur të bashkëjetoni vullnetarisht me dikend, nuk ka nevojë t’ju ngulin në hunj por …në diçka tjetër! Popujt e tjerë , në mungesë të trimave dhe heronjve, shpikin figura mitike si Heronj të Panjohur, Wilhelm Tell, Shqepan Malli, Kosovska Devojka, Simonida etj. kurse ne i shkelim heronjtë e vërtetë dhe vlerat e vërteta sikur që po bëjmë me Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, Adem Jasharin, Adem Demaçin dhe vlera të tjera, për t’i zëvendësuar me antivlera dhe plehra ! E tepërt është kjo !
Finalja e europianit
Parashikoj finalen: Gjermani – Portugali dhe parashikoj që këto dy kombëtare do t’i mundin kundërshtarët me dy a më shumë gola diferencë. Dëshira ime është finalja Gjermani – Wells por cilësia është ndryshe! Ta shohim !

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura