BEHXHET SHALA BAJGORA: HAJDE O TE DADA OOOOO, HAJDE O TE DADA OOOO!

Prishtinë, 21. 04. 2016: (Nderi i Kombit i akademikëve të pandershëm) Së voni doli një propozim që ish udhëheqësi jugosllav dhe vrasësi i atdhetarëve shqiptarë , që nga ata që ishin kundër komunizmit gjatë luftës së dytë botërore , që ishte në dijeni për masakrën e Tivarit , aksionit për mbledhjen e armëve , shpërnguljen e dhunshme të shqiptarëve në Turqi , atdhetarëve dhe luftëtarëve të Shaban Polluzhës , të atyre të pasluftës , vrasjes , arrestimit dhe diferencimit të atyre që organizuan dhe morën pjesë në demonstrata , që nga viti 1968 e deri në vitin 1981 të cilët madje i quajti “ plehra të Kosovës “ duke u treguar se bira e miut vlen 300 groshë , Fadil Hoxha të dekorohet me titullin Nderi i Kombit nga president i Shqipërisë . Propozimin e nënshkruan tetë ( 8 ) akdemikë të Klubit të Pensionistëve të Papunë e quajtur Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës sikur edhe valltarja e Moamer Gadafit që është kryetare e një komune në Kosovë . Këta akademikë janë bijë të Fadil Hoxhës dhe ish sistemit komunist jugosllav ndërsa njëri prej tyre u bë akademik duke u bë jetëshkrues , glorifikues , maskues dhe mëshehës i krimeve të komunizmit dhe Fadil Hoxhës prandaj , në kohën e demokracisë së brishtë në Kosovë ku antivlerat janë shndërruar në vlera , antikombëtarët në patriotë , hajdutët në ruajtës të thesarit , xhelatët në viktima , të pamoralshmit në ligjërues të moralit , mbytësit e lirisë në çlirimtarë , as ky propozim nuk duhet të na habisë aspak. Madje , është përmbushje e një detyrimi moral të “ akademikëve të Fadilit “ dhe Sorajës së Gadafit ndaj atij që ishte pjesë e të gjitha proceseve politike, që nga koha e grupeve anarkiste të Shkodrës , krimeve serbe gjatë luftës së dytë botërore , Kuvendit të Prizrenit ku shqiptarët “ me vullnetin “ e tyre hoqën dorë nga bashkimi kombëtar dhe me Shqipërinë për t’u bashkuar me sllavët dhe Jugosllavinë ( Serbinë e Madhe ) e deri sa e rrëzuan nga pushteti vejushat dhe gratë serbe të kohës së Millosheviqit dhe Azem Vllasit. Akademikët nga ish Jugosllavia e që përfitojnë pameritueshëm sot nga Kosova duke u shpërblyer që i kanë shërbyer një regjimi shtypës , është dashur të tregojnë se pas Konferencës së Bujanit , pikërisht i propozuari i tyre u distancua nga këto vendime duke i dërguar një letër shokëve komunistë serbë të komitetit me të cilën distancohej nga : “ vendimet e ngutshme “ që janë marrë në këtë konferencë. Gjithashtu , është dashur të tregojnë se si ishte përgjigjur kandidati i propozuar për Nderin e Kombit atyre që ishin ankuar për krimet monstruoze të komunistëve serbë , malazias dhe “ shqiptarët “ e Shefqet Peqit ndaj etnonacionalistëve të Shaban Polluzhës që luftonin për liri dhe bashkim kombëtarë për t’i mos lënë eshtrat në Tivar , Srem apo Triestë ! Vrasjet ishin aq të shumta në numër sa që , në pamundësi t’i varrosnin në varreza masive si në kohën e Sllobodan Millosheviqit , vetëm i mbulonin me një shtresë të hollë dheu duke iu mbetur këmbët me opinga mbi dhe dhe duke u shqyer nga qentë endacakë . Fadil Hoxha atëherë ishte përgjigjur se do të kujdesen që të vrarët dhe të masakruarit të mbulohen mirë me dhe që t’u mos u duken gjymtyrët. Nuk u kishte thënë se do të angazhohej për ndërprerjen e krimeve sepse vet ishte pjesë e krimit . Kur Fahri Hoxha , i vëllai luhatej në trekëmbësh ku ishte i varur , Fadili i akademikëve të ish Jugosllavisë , thyente këmbët për t’u mos u vonuar në takimin e shokëve komunistë serbë të komitetit në Shtërpcë dhe të mos hidhërohen ata. Fadil Hoxha , kur Ushtria e Lavdishme Çlirimtare e Kosovës e filloi luftën për çlirimin e Kosovës paska deklaruar se : “ po ta kishte një moshë tjetër do t’i mbathte çizmet sikur në luftën e dytë botërore dhe do t’u bashkangjitej djemëve dhe vajzave të UÇK-së “ ! E dinte shumë mirë se çizmet që i kishte mbathur në luftën e dytë botërore duke u radhitur në anën e komunistëve serbë dhe jugosllavë nuk do t’i binin tamam në luftën e fundit mirëpo kjo ndikoi që ai të varrosej me nderime “ ushtarake “ të TMK-së , shumicën e të cilëve i pati quajtur plehra pas demonstratave të vitit 1981 . Nuk la asgjë të shkruar pas vete sepse nuk mund ta përjashtonte rolin e tij në këto masakra prandaj krimet që i bëri , nuk i luftoi , nuk i tregoi i mori me vete. Mirëpo la pas vete ata që vet i bëri për ta mbrojtur nga diçka nga e cila nuk mund të mbrohet dhe të cilët , për shkak të rolit të tyre në të kaluarën , nuk mund të sillen ndryshe . Prandaj , me përpjekjet e tyre “ intelektuale “ dhe “ akademike “ për këtë propozim të neveritshëm vetëm sa e dëshmojnë se kostumi i tyre “ kombëtar “ vetëm sa e lakuriqon përmbajtjen e tyre të mjerë nga e kaluara ose, të jem më i qartë , kostumi i tyre ua mbulon përmbajtjen sikur shtresa e hollë e dheut që ua mbulonte gjymtyrët të etnonacionalistëve të ekzekutuar të Shaban Poluzhës nga baballarët e atyre që u shërbyen akademikët e Fadilit ! Ua kam borxh lexuesve të nderuar t’ua jap një sqarim për Sorajën sepse gjeneratat e rej mund të mos kenë dëgjuar për te. Soraja ishte një valltare e bukur dhe ekzotike që pastaj, duke u martuar me Shahun e Iranit , Reza Pahlavi , nga valltarja u bë mbretëresha e Iranit ! Në Shqipëri janë krejtësisht të painformuar dhe skajshmërisht të korruptuar kur ndahen dekoratat për qytetarët e Kosovës , që nga Qytetar Nderi , Katundar Nderi e deri te Nderi i Kombit ! Edhe spiujt më të mëdhenj të UDB-së dhe Shërbimit Kundërzbulues të Ushtrisë së Jugosllavisë i kanë nderuar me Nderi i Kombit dhe dekorata të tjera duke e prostituuar deri në kurvëri këtë mundësi që ua jep Kushtetuta e Shqipërisë !
Biznesi ekonomik dhe biznesi politik
Ekonomia e Kosovës mund të zhvillohet vetëm nëse zhvillohet ekonomia e vogël dhe ekonomia familjare . Realisht ka pasur përparime në këtë drejtim sepse janë formuar pika të grumbullimit të prodhuesve të qumshtit , drithrave , manaferrave , pemëve dhe perimeve që prodhohen në Kosovë dhe prodhimeve të tjera . Edhe në fushën e politikës ka përparime të ndjeshme sepse merremi me politikë të vogël dhe fjalë të mëdha. Kështu , si shtet që e mbrojmë integritetin dhe sovranitetin e shtetit deri në makiaton dhe espreson e fundit , nuk lejuam organizimin e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë por lejuam pikat e grumbullimit të votave për zgjedhjet serbe në Kosovë të organizuara nga OSBE . Me ne nuk bëhet hajgare përveç se ne bëjmë hajgare me veten tonë !
Një dritë për karrierën time politike, në fund të tunelit
Jam deklaruar më parë se nuk marr përgjegjësi për shkrimet andaj , vet deklarimi im publik më mbron nga çdo pasojë ligjore. Realisht jam shumë i pavendosur në marrjen e vendimeve të mëdha dhe dallohem për shkurtpamësi politike ndryshe do të isha në mesin e politikanëve të pozitës dhe opozitës , të pushtetit apo atyre që duan të bëhen pushtet ! Në shkurtpamësinë time politike mendoja se po të shkoja te PDK do të duhej ta paloja bishtin para Hashimit ndëras me bisht të paluar nuk do të isha ky që jam . Pastaj , Hashimi si provokator , cinik dhe indikator siç është mund të më refuzojë me pretekst se nuk jam si Batoni sepse nuk i ngjaj atij, si nga e kaluara e tij patriotike e sidomos nga mençuria , se mund t’i pengojë Ademit , Xhavitit , Hajrës apo se Kamishit mund t’ia prish tymin e duhanit etj. kurse as ndaj Hashimit nuk kam qenë i mëshirshëm . Prandaj , Hashimi si historian që është , as nuk e harron të kaluarën e as nuk të falë! Këta të LDK-së nuk më duan sepse thonë se nuk po ua pranojë presidentin historik Himë Govën sikur se edhe Skendën e pata bërë lesh në lojën e guxhave kur ishim fëmijë në Llap. Edhe Ismeti është kundër meje sepse po thotë se ta kemi dhënë robin e nuk po na dëgjon . Gjuhën serbe e flas sikur shqipen prandaj iu ofrova Lista Srpska duke u thirrur në fëmijërinë e përbashkët me Rada Trajkoviqin në Besianë . Më refuzuan me një argument bindës duke më akuzuar se jam për Velika Albanija dhe se thanë se, sa a kenë PDK –në dhe LDK-në për mua dyert janë të mbyllura ! Me LVV i kemi ndarë rrugët në çastin kur ata hynë në rrugën çorre ndërsa aktivistët dhe patriotët e vërtetë i hodhën në Udhë të Madhe. Nëse LB i bënë nëntë ( 9 ) veta bashkë, unë do të jem i dhjeti ! Nisma për Kosovën ishte dhe mbeti embrion politik dhe Bilalli nuk më lenë as të nuhas e lëre më të futem brenda . AAK ishte partia ku kanë shkuar disa ish miq të afërt dhe që kanë mbetur në margjina apo janë shndërruar në dordolecë! E kisha një simpati për këtë parti sepse aty ishte Blerimi mirëpo i kam dy arsye pse nuk bëhem anëtar ; e para se nga aty ka ikur Donika dhe e dyta se për shkak të kërcënimit publik të Ramushit , një vit kam qenë në terapi të qetësuesve dhe kur kam dalur nga shtëpia nuk e kam bërë këtë pa u siguruar se Ramushi nuk është afër. Madje , edhe kur më thirrte në telefon Ramush Tahiri , nga frika e hudhja telefonin duke menduar se po lajmërohet Ramushi nga Interaktivi ! T’ua them të vërtetën se kurr nuk kam qenë në siklet më të madh se kur më ka thirrë Ramushi ( Tahiri ) dhe më ka thënë se në Rron . Së paku tri orë nuk e kam lëshuar shtëpinë pa u siguruar se në Rron nuk është asnjë person me emrin Ramush ! Fatmir – sisht gjërat kanë ndryshuar për të mirë dhe Ramushi ka ndryshuar shumë , as nuk po kërcënon e as nuk po insiston të bëhet kryeministër ! Tash e ka nënshkruar një kontratë të përbashkët me Nismën për zgjedhjet e parakohshme që ka gjasë të mbahen në vitin 2018 . E kanë lansuar një ofertë publike për subjektet tjera politike , shoqërinë civile dhe individët se mund të bashkohen me ta. Kjo nënkupton se nuk keni nevojë të kërkoni mëshirë për t’u bërë anëtar i partisë e as të përuleni . Këtu e shoh shansën time, të angazhohem në politikë dhe ta ruaj dinjitetin . Erdha !
Duhet t’i ndalet turri , këtij Petrit burri
Petrit Selimi ka vendosur me na marrë në çafë . Me na lanë pa serbë të Serbisë dhe në këtë mënyrë, përveç se po na lenë pa plazma keksa , po e rrezikon deri në shkërdhim projektin fenomenal ndërkombëtar të Mati Ahtisarit, për Kosovën multietnike . I lusë me përulje Nexhin dhe Lilën t’i ndalin turrin këtij etnonacionalisti sa nuk është bërë vonë . Largojeni nga ky post vendimmarrës që po e rrezikon miqësinë e përjetshme me Serbinë dhe vendoseni në një vend tjetër , psh. në kabinetin e presidentit Thaçi . Ju lutem shumë , ia bëni këtë të mirë Kosovës dhe të gjithë atyre që e duan vëllazërim – bashkimin e të cilët nuk janë pak. Ndryshe, mbaruam krejt !
Pak fjalë për titullin
Ditën kur u zgjodhë Hashim Thaçi president i Kosovës isha në sallën e Kuvendit . Po atë ditë në një shkrim i pata cekur 13 pika pse Hashimi do të zgjidhet president dhe ashtu ndodhi ! Të gjithë presidentët janë zgjedhur me marrëveshje politike, që nga president i Malshidezekut i cili ishte president pa shtet të njohur , Fatmirit , Behgjetit , Atifetja Dell dhe së fundi Hashimi ! U paralajmërua një inaugurim bombastik që ishte në shpërputhje me rrethanat në vend dhe logjikën e shëndoshë . Prandaj nuk isha në këtë inaugurim ndonëse kisha ftesën. Realisht , në këto rrethana edhe po të ngritej nga varri baba Shaban që më ka bërë duar dhe këmbë dhe pa mend , nuk do të isha pjesë e inaugurimit . Më bëri përshtypje që në këtë inaugurim merrnin pjesë edhe të tillë që kanë folur dhe shkruar për Thaçin zi e terr . Të pafytyrët mbesin të pafytyrë , në të gjitha rrethanat ! Gabova që nuk e shita ftesën e rregullt ndonjë biznesmeni apo cigareshitësi! Pa mend jam , e pranoj ! Më bëri përshtypje që Shkëlqesia e Tij , President i Republikës së Kosovës , Zotëri Hashim Thaçi, i thuri lavde presidentit të Malshidezekut dhe presidentes në ikje ndërkaq asnjëherë nuk e përmendi Heron e Gjallë të Kosovës dhe Nderin e Kombit , Bacën Adem Demaçi , që këta të luftës , si njeriu i parë, i bëri nga balta dhe i përkrahu në çastet më të vështira për ta , kur e kanë merituar dhe kur nuk e kanë merituar. Adem Demaçi i sëmurë dhe pa gojë nuk iu duhet më apo më mirë të them se pikërisht se si i tillë iu duhet ! Madhështia e një politikani nuk qëndron në faktin se i lavdëron , për përfitime politike antivlerat ndërsa i injoron vlerat e mirëfillta. Sa më shumë që të bëhet përpjekje për injorimin e tyre , sikur ishte rasti me Bacën e Madh , Adem Demaçi , mjerimi i këtyre politikanëve do të jetë më i madh dhe turpi vetëm sa do të rritet. Të mbahesh për degë duke injoruar rrënjët është rruga më e sigurt drejt mbytjes. Hashim Thaçi dhe shumë të tjerë pavarësisht posteve që i kanë dhe do t’i kenë , gjithmonë do të mbeten nën hijen e dy krijuesve më të mëdhenj dhe të përjetshëm të veprave kombëtare , Adem Demaçit dhe Adem Jasharit ! Këtë duhet ta kenë të qartë. Pas inaugurimit dhe pas largimit të disa mijra policëve , në një kafene , një politikane për të cilën është shpikur posti sepse, duke mashtruar dhe gënjyer opinionin, i mbulon mashtrimet dhe gënjeshtrat më të mëdha , iu drejtua njërit nga rrethi i ngushtë i familjes së presidentit me fjalët : “ çka po rri more aty , hajde o te dada oooo ! Ky është mjerimi ynë kur dadat u vardisen dadëve dhe bacëve vetëm për ruajtjen e një posti të mjerë ndërsa të ftuarit , edhe më të mjerë turrvrapojnë të bëhen pjesë e një tavoline intelektuale dhe ministrore ! Të mjerë jemi , definitivisht ! Ia kanë frikën me të drejtë Hashimit ndonëse, përkundër mospajtimit me te, mendoj se do të jetë më i mirë se krejt presidentët para tij. Historia përmes shembujve na mëson se mund ta pësoni keq nëse nuk jeni në dashuri me presidentin , Idi Amini , president i Ugandës i ka rrahur ministrat e qeverisë dhe anëtarë e kabinetit deri në alivanosje. Ka raste kur edhe e ka ngrënë mishin e tyre , si kanibal! Hashimi i ka hëngër këta moti dhe tash mund t’i rikthejë vetëm si mataerial riprodhues që edhe e meritojnë !

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura