BEHXHET SHALA BAJGORA: HARTAT E BATON HAXHIUT SIPAS POROSIVE TË HASHIMI(U)T!

Prishtinë, 16 shtator 2018: (A po bashkohet Lugina a në Ujman po shpërthen turbina) – Kohëve të fundit presidenti ynë legjendar e që po shkëlqen sidomos kur bie terri , përveç me Vuçiqin me të cilin e ka një lidhje adrenaline , më së shpeshti po takohet me shqiptarët e Luginës së Preshevës të cilët thuaja i ka bindur se tashmë janë pjesë e Kosovës , vetëm se pritet korigjimi formal i kufijve. Realisht , me Behgjet Pacollin takohet on-line kurse me Behxhet Shalën nuk takohet fare. Më ka eliminuar sikur të isha gylenist përballë Erdoganit. Po flitet se Hashimi , hartat e reja gjeografike , topografike , të biznesit e sidomos të pis-nesit i ka porositur në Turqi , te babai i Gëzimit , Rexhep Taip Erdogan. Se pse e bënë këtë presidenti ynë legjendar e kam të qartë por se pse këtë karrem me aq lehtësi po e gëlltisin shqiptarët e Luginës , asessi nuk e kuptoj aq më parë që nuk është hera e parë që shqiptarët e Luginës mashtrohen nga liderë dhe lideruca nga Kosova , Maqedonia dhe sidomos Shqipëria. Shqiptarët e Luginës , të Malit të Zi dhe të Maqedonisë në vazhdimësi i janë nënshtruar një skizofrenie politike andaj kurrë nuk kanë menduar , vepruar apo bashkëvepruar si një trup i përbashkët edhe në çastet më të vështira prandaj me ta kanë luajtur si kanë dashur , daçiqët , gjukanoviqët , gruevskët dhe të tjerët. Nuk e kam të qartë çka kërkojnë shqiptarët e Luginës te Thaçi dhe a e dijnë se janë duke e bërë argatin e dreqit kundër Kosovës dhe kundër vet shqiptarëve të Luginës . Me vet faktin që ata bëhen pjesë e këtij skenari që luan me kufijtë e Kosovës, ata e përligjin çdo kërkesë të Serbisë për veriun e Kosovës dhe jo vetëm veriun sikur që e vënë në pikëpyetje pavarësinë e Kosovës. Kosova e ka shpallur pavarësinë me kufijtë ekzistues dhe si e tillë është pranuar nga 115 shtete dhe me Kushtetutë e ka bërë shprehimisht të qartë se nuk ka pretendime territoriale ndaj askujt sikur që e ka të ndaluar bashkimin me shtete tjera. Shqiptarët e Luginës janë shtetas të Serbisë dhe ata duhet të kërkojnë të drejta në kuadër të këtij shteti sikur që serbët e Kosovës janë shtetas të Kosovës dhe realizimin e të drejtave të veta mund dhe duhet t’i kërkojnë vetëm brenda institucioneve të Kosovës. Nëse serbët e Kosovës kërkojnë më shumë të drejta seqë iu garantojnë dokumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe Kushtetuta e Kosovës edhe shqiptarët e Luginës duhet të kenë kërkesa të ngjashme. Kërkesa e shqiptarëve të Luginës së Preshevës për bashkim me Kosovën , e sponsorisuar nga presidenti shkëlqesorë Hashim Thaçi në formë të një Rezolute e cila do të votohej në Kuvendin e Kosovës është një flluskë sapuni që nuk mund të jetësohet aq më parë që nuk ka asgjë konkrete se si do të realizohej ky skenar primitiv dhe i dëmshëm përkundër që disa kondomë të Hashimit , nën siglën e gazetarit i kanë lëshuar disa balonë provues për të testuar disponimin e opinionit. E kam një mik të mirë psikolog dhe një ditë kërkova të më sqaroj ankthet që i kam për këtë çështje politike duke i thënë se mendimet e huaja ( të Thaçit ) kanë hyrë në kokën time dhe më shkaktojnë ankthe të vazhdueshme . E pyeta shkurt ; doktor a jamë unë i sëmurë a është Hashimi dhe a jam bërë edhe unë si shqiptarët e Luginës që po shkojnë pas Hashimit dhe po i besojnë edhe kur po iu shet biftek në vend të koçeve të dashit ? E pata dëgjuar dikund fjalën egzorcist me demek dikush qenka në gjendje t’ua heq shpirtërat e ligë nga trupi dhe e luta të ma hjek ankthin që nuk më lë të qetë një kohë të gjatë. Jo tha , mënyra më e mirë është të zgjerosh ofertën e Hashimit dhe përveç Luginës duhet të bindesh se do ta marrim edhe Nishin , Prokupjen , Sanxhakun , Novi Pazarin , Plavën dhe Gucinë , Grudën dhe Hotin , Ulqinin dhe krejt Qamërinë . Ika nga miku im psikolog me mërmëritje se ate e paska përpunuar më herët dhe më shumë Thaçi , Vuçiqi , Daçiqi dhe dreqi dhe i biri. Rezoluta e propozuar nga shqiptarët e Luginës dhe e sponsorizuar nga Thaçi është me hile dhe nuk duhet , as të votohet dhe as të kalojë ( nëse eventualisht do të votohej ) nga deputetët e Kuvendit të Kosovës sepse në këtë mënyrë deputetët e Kosovës do ta përligjnin ndarjen e Kosovës dhe e dhunojnë Kushtetutën e vendit. Hashimi po e luan lojën e Ponti Pilatit i cili , pas gozhdimit të Krishtit i lau duart duke e liruar veten nga çdo përgjegjësi. Presidenti ynë shkëlqesorë do të veprojë pikërisht si Ponti Pilati, e ka të qartë se kjo Rezolutë do të dështojë sepse është e dështuar që në ngjizje dhe pastaj për mosvotim të saj do ta akuzojë opozitën dhe një pjesë të pozitës se janë kundër bashkimit të Luginës me Kosovën dhe se janë kundër bashkimit kombëtar ! Kjo është loja ku Hashimi është Maradonë kurse kundërshtarët politikë janë si lojëtarët e Ishujve Faroe krahasuar me Maradonën. Asnjë politikan apo qytetar i Kosovës nuk duhet të pranojë të bëhet pjesë e një skenari ku flitet për kufirin e Kosovës përjashtuar demarkacionin me Serbinë e që ky shtet nuk do ta pranojë por as që do të kushtëzohet nga BE sikur që për këtë nuk u kushtëzuan shtetet e dala nga shkatërrimi i ish – Jugosllavisë , përjashtuar këtu Kosovën. Janë përralla pohimet se Serbia do ta pranojë Kosovën dhe se Kosova do të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara nëse bëhet korigjimi i kufijve . Janë këto mashtrime ordinere dhe të ulëta. Serbia do ta pranonte njohjen e pavarësisë së Kosovës vetëm nëse e merr veriun e Kosovës si tërësi , e merr një pjesë të anamoravës , një pjesë të llapit , një pjesë kah Dukagjini , nëse siguron kapacitet dhe status eksterritorial për manastiret , kishat dhe pronat kishtare që do të mbesin jashtë territoreve që do t’i merrte Serbia dhe si kundërvlerë do të pranonte që pjesë e Kosovës të bëheshin disa fshatra të Luginës së Preshevës me xhamiat e ndërtuara nga Erdogani e që për kryeqytet do ta kishin qendrën e njohur politike , kulturore , ekonomike e sidomos biznesore , e njohur dhe e pranuar në gjithë , Tërrnovcin e njohur sidomos nga Interpoli . Po e shihni që korigjimin e kufijve po e përkrah edhe Kuperi i cili e dhunonte skajshmërisht ekipin nga Kosova në bisedimet “ teknike “ me Serbinë e që udhëhiqeshin nga një mashtruese dhe gënjeshtare ordinere siç ishte Zezdita ( Fjolla ) Tahriri e cila sot , sikur dikur Azem Vllasi kur u shkartirat nga babai politik – Millosheviq , u bë patriot i dërrasave , edhe Zezdita po “ alarmon “ nga rreziku për këto bisedime , pasi na pati krypur me rrena se në këto bisedime po mbrohej pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës dhe se Serbia do ta njohë Kosovën. Kujt i kujtohet sot emri i Robert Kuperit përveç atyre që janë takuar me te dhe nuk kanë pasur guxim ta thonë edhe një fjalë të vetme në mbrojtje të Kosovës ? Apo , kujt i kujtohet një bukuroshe siç ishte baronesha Ashton nëse nuk do të ishin puthjet pasionante me presidentin tonë historik , atëherë kryeministër i Kosovës , zotni Hashim Thaçi ?! Edhe sot , Frederika Mogerini , nga një familje e spikatur në Itali në luftë kundër krimit të organizuar dhe luftë ndaj atyre që trafikojnë me narkotikë ( në realitet është e kundërta e saj ) , një burokrate në përfundim të mandatit së bashku me Johanes Han- i ( mbiemrin e ka të një miku tim nga Veleshta Hani ) po bëjnë presion që të arrihet një marrëveshje e ngutshme midis Vuçiqit dhe Thaçit duke u radhitur në anën e Serbisë , aq më parë që në çdo variant Serbia do të dali fituese nga kjo marrëveshje. Nëse Serbia , pas përfundimit të marrëveshjes histo ( e )rike midis dy liderëve autokratë , Thaçit dhe Vuçiqit , nga Kosova e merr edhe një qerre me dru , atëherë është fituese dhe kjo nuk do të duhej të pranohej. Jam i sigurt se çdo korigjim i kufijve do të sjellë luftë të re në Kosovë thuaja menjëherë dhe se kjo luftë nuk do të mund të izolohej vetëm në Kosovë. Gjithashtu , jam i sigurt se çdo Bashkësi e komunave serbe , si pushtet i tretë , do të sillte luftë dhe spastrim etnik në një periudhë të mëvonshme.

Ekipi negociator i propozuar , pa kredibilitet politik dhe kombëtar : Qeveria e ka propozuar një ekip negociator vetëm me kandidatë të pozitës por se e ka lënë si mundësi që të plotësohet edhe nga opozita dhe shoqëria civile. Për kryesues është propozuar Fatmir Limaj kurse anëtarë janë : Enver Hoxhaj asnjëherë anëtar i PDK-së por paradoksalisht i propozuar si anëtar i PDK-së, Behgjet Pacolli si përfaqësues i Kamerunit dhe Kazakistanit i cili , kurrë në jetën e vet nuk e ka bërë një angazhim të hajrit për Kosovën dhe shqiptarët , Dardan Gashi, që seriozisht nuk e kam të qartë se kend e përfaqëson dhe cilit subjekt politik i kalon, të mbitokës apo nëntokës , Mahir Jagxhilar që nuk ka informata elementare se çka po ndodhë me te dhe rreth tij por se gjithmonë është në pushtet , në të gjitha kohërat si dh Avni Arifi të cilin askush nuk e pyet se sa kushton pazari i qenve e lëre më të vendosë për kufijtë e Kosovës. Nga ky grup të cilit do t’i kishte lakmi edhe baroni Minhauzen , autoriteti i pranuar në planin ndërkombëtar për emancipimin dhe shpërndarjen e rrenës , vetëm dy veta kanë kontribuar për lirinë e Kosovës duke sakrifikuar edhe jetën kurse të tjerët , ose kanë qenë në shërbim të Serbisë ose e kanë kaluar kohën duke kruajtur koçet. E këta të na përfaqësojnë në bisedime me Serbinë !! Kurrë dhe asnjëherë. Jam për ate që ekipi negociator të ketë më shumë anëtarë të opozitës kurse shoqëria civile duhet të jetë vetëm si ndihmuese , këshilluese dhe jo anëtare sikur që çdo anëtari duhet t’i bëhet verifikimi i së kaluarës dhe të cilët do të merrnin përgjegjësi për këto bisedime dhe do ta nënshkruanin një deklaratë që do të nënkuptonte marrjen e përgjegjësive dhe jo vetëm të honorareve . Nëse mbetet në mëshirën e këtij grupi të propozuar në mesin e të cilëve ka edhe antikombëtarë , sekserë dhe moralisht të diskredituar atëherë edhe po ta kishim hapësirën territoriale të Kinës nuk do të mjaftonte që t’i përmbushim apetitet e Serbisë. Ku grup negociator dhe me këtë përmbajtje nuk duhet as të votohet e lëre më të mandatohet për bisedime me Serbinë ! Ndryshe , na rrou dreqi , së bashku me berberin e Sevilas ( Shumadisë ) , Aleksandar Vuçiqi . Opozita , jo që do të duhej ta kundërshtonte formimin e ekipit negociator por do të duhej të insistonte që të formohej dhe ajo ta ketë rolin kryesor duke ua bërë me dije në Bruksel se asnjë marrëveshje në dëm të Kosovës nuk do të kalojë. Kështu , duke bërë zhurmë në Prishtinë dhe në Kuvendin e Hajkobillës vetëm sa do ta forcojnë këtë Grup të Hurit dhe të Konopit , ku pjesa antikombëtare është mbizotëruese në vendimmarrje eventuale . Nuk shoh tjetër rrugë! Edhe më heret kam shkruar dhe deklaruar se lufta në këto bisedime nuk po bëhet për kufijë dhe territore por për mbushjen e Asociacionit të komunave serbe me fuqi ekzekutive. Jam pëshurrur së qeshuri dhe më kapi shkulja – diarrea ( mendova nga virusi ) e po del se është nga kërcënimi i AKR –së dhe Gjet Pacolli se nëse preket Mitrovica atëherë kjo parti e madhe dhe përcaktuese për të gjitha zhvillimet lokale dhe globale do të tërhiqet nga koalicioni ! Po na shkërdhejnë nga të gjita pozitat !
Tash edhe PDK , ( me dy kryetarë) ka filluar ta kundërshtojë Hashimin dhe lojërat e tij me kufijë . Uroj që ky kundërshtim të mos bëhet sipas direktivave të BE –së , apo saktësisht ta them , të Hashim Thaçit ! PDK është dashur menjëherë ta kundërshtojë këtë çmenduri e jo të reagojë pasi të falet Bajrami. Në këtë kontekst më parimore janë treguar LDK me së paku 10 kryetarë , Alternativa me gjithsej 2 anëtarë , LVV refuzon çdo propozim në mënyrë refleksive nëse vjen nga PDK dhe Thaçi , PSD e Kaçusha Jasharit, është dikund në mes etj.
Unë “ protestoj “ :

Para 10 ditësh në një shkrim pata parashikuar se protestat e organizuar nga një grup qytetarësh do të dështojë sepse këta protestues recidivistë dhe shetitës nuk kanë kondicion për shtigje të gjata dhe nuk kanë kapacitet të krijojnë një masë kritike të qëndrueshme e cila do të ndikonte të bëheshin ndryshime. Më në fund , vet e ngrenë flamurin e bardhë të dorëzimit e që është shumë më mirë se protestat që zbeheshin dhe pakësohej numri i protestuesve , deri në tre musketirët e fundit. Situata , ndonëse , po të ishte e tillë në vende tjera do të nxirrte në protesta me lehtësi 100.000 protestues e ndoshta edhe më shumë , në Kosovë lehtësisht amortizohet nga politikanët e vendit dhe ndërkombëtarët . As partitë politike nuk kanë kapacitet që për një kohë të gjatë të sigurojnë pjesëmarrje të madhe të protestuesve. Protestat e organizuara në Kosovë rëndom dështojnë prandaj nuk prodhojnë ndryshime kurse vetëm protestat spontane mund të prodhojnë ndryshime dhe rezultate. Në Kosovë ka të ngjarë të ndodhin këso protestash sikur edhe të formohen grupe që edhe me mjete të tjera do ta kundërshtonin politikën aktuale , nëse në të vërtetë Kosova do ta merrte “ vellika teposhtëzën “ , sipas zhargonit rahovecian. Uroj të përfundoj mirë dhe pa pasur nevojë për sakrifica tjera !
Prostitucioni politik dhe informativ

Në vendet me një demokraci të pakonsoliduar politikanët kryesisht identifikohen si prostituta politike , pa hyrë në sqarime për këtë epitet , edhe të pamerituar. Politikanët duhet ta bëjnë të kundërtën e prostitucionit sepse për këtë e kanë marrë mandatin. Nëse dikush e ka të legalizuar aktivitetin e prostituimit dhe për këtë , jo që nuk sanksionohet me ligjet në fuqi por se shpërblehet me miliona e miliona euro të taksave tona është Radio Televizioni i Kosovës me akronim RTK sepse edhe me letra , përveç aktivitetit të dëshmuar deri më tani , është e vetmja shtëpi publike me letra në Kosovë . Tash , si prostituta të dëshmuara dhe ligjërisht të mbrojtura duan t’u kërcejnë së paku 500.000 qytetarëve të Kosovës duke ua fryrë faturat e energjisë elektrike për 2.5 euro për njehësorë në kohën kur kjo Shtëpi e vetme publike me letra në Kosovë nuk prodhon fare rrymë – programe ) përveç pordhëve dhe fendëve të politikanëve që shkërdhehen me ta !
Nexhmedin “ trimi “ dhe haxhiqamilët e Drenicës

Nexhmedin Spahiu më duket se është me profesion matematikan ndonëse matematika politike kurrë nuk i del ashtu si e mendon sepse shifrat ia ngatërrojnë gjykimin e drejtë. Nuk e them që nuk është i ditur , madje është shumë i ditur sepse fort ka dëshirë të hyjë dhëndërr me koçe të tjerëve. Pas protestës së banorëve të Drenicës që , me të drejtë e penguan hyrjen në Drenicë të Aleksandar Vuçiqit i cili e ka një të kaluar të qartë kriminale dhe ka përgjegjësi konkrete për krime në Drenicë dhe Kosovë , Nexhi i sulmoi ashpër protestuesit duke i quajtur haxhiqamilë sepse qenka dashur të protestojnë në veri të Kosovës derisa Nexhi i kruante bolet në jug të Mitrovicës apo Novi Pazar. E pamoralshme është kjo Nexh , qoftë edhe nëse thuhet nga ekselenca e juaj. Drenicakët do të turpëroheshin po ta linin Vuçiqin të shkelë mbi varret e Adem , Shaban dhe Hamëz Jasharit , të Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit , Ilaz Kodrës dhe Sandokanit , Azem Bejtës dhe Shotë Galicës , Shaban Polluzhës dhe Mehmet Gradicës , Tahir dhe Nebi Mehës dhe të gjithë të tjerëve . E kuptoj dhe bashkëndiej shuuumë me dhembjen e serbëve që nuk e takuan kryetarin e tyre me të kaluar kriminale , por sakrifica e dëshmorëve të përmedur më lartë dhe të gjithë të tjerëve është mbi të gjitha dhe gjithmonë do të mbetet ashtu. Unë nuk pata guxim të bëhem pjesë e protestës në Drenicë prandaj nuk kam asnjë të drejtë që në mbrojtje dhe arsyetim të qyqarllëkut tim , t’i quaj haxhiqamilë ata që e kryen detyrën njerëzore , kombëtare dhe morale. As ti Nexh nuk e ke këtë të drejtë ! Ish, ish pra Nexh!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura