BEHXHET SHALA BAJGORA: KURBANËT E POLITIKËS DHE YJET E SHUARA TË GALAKTIKËS

 Prishtinë, 6. 9. 2016: (Për një grusht miza, na lanë pa viza) – Jemi popull historik , me politikanë parahistorik. Pas çdo zhvillimeve sidomos atyre ndërkombëtare ku, sipas bindjes sonë jemi të pazëvendësueshëm, bëhemi pjesë e historisë. Për çdo proces ndërkombëtar deklarojmë se ka rëndësi historike prandaj Kosova, shqiptarët dhe kosovarët janë zemra dhe shpirti sikur edhe truri i çdo enciklopedie botërore. Të izoluar siç jemi , në mungesë të informatave dhe pamjeve reale, e kemi bindur veten se pa ne nuk bëhet asgjë në këtë botë dhe se presidenti Obama, po sa të zgjohet nga gjumi, fjalët e para që i thotë janë: “si i kam shiptarët dhe si e kam Kosovën pastaj vazhdon me detyrat e rëndësisë së tretë apo katërt siç janë raportet me Rusinë , Kinën, armatimin bërthamor të Iranit apo me ISIS-in dhe dokrra të tjera! Madhështia e rreme e që e kemi pjesa dërrmuese jona është mungesë e guximit për t’u përballur me problemet reale që i kemi dhe me të cilat duhet të merremi mirëpo, stërnipat e Skenderbeut nuk merren me punë të vogla sikur bijt dhe bijat e Shën Terezes , nga Kosova, e që po del se janë të shumtë gjithashtu nuk merren me probleme të lagjes prandaj e okupuan sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan ndonëse , pjesa dërrmuese e tyre as që kanë pasur njohuri elementare për këtë qytet – shtet por shteti , me paratë që t’i jep të bënë të mësosh shumë gjëra , të vizitosh qytete dhe shtete që nuk ua ke dëgjuar kurrë emrin , të fleshë në hotele ku kanë fjetur yjet e njohura botërore , të pishë vera e shampanjë pa ditur në të vërtetë se ç’ka pinë , të provosh ushqime që kur më parë nuk ke provuar , të takosh personalitete botërore që të ofrojnë material për biseda odash, së paku për dy gjenerata, të provosh talentin e të shkruarit si Dan Brown etj. Në planin biologjik dhe shpirtëror, nëna është më afër fëmijëve dhe është më e lidhur me ta se baballarët prandaj nuk u befasova kur në sheshin e Shën Pjetrit e pashë tërë klasën politike ( fillore , të mesme dhe disa me diploma ) të Kosovës në nderim të Nënës Tereze , tash Shën Tereze . E di që Shën Tereza ka folur për fëmijët që i ka rritur në Kalkuta të Indisë por kam pasur mungesë kriminale të informatave sepse nuk e paskam ditur që Hashim Thaçi , Isa Mustafa dhe Kadri Veseli janë bijtë e Nënës Tereze . Dhe shumë ministra të qeverisë së Kosovës , zëvendësministra , këshilltarë , shoferë , të dashura , sekretaresha , familjarë , mysafirë gjithashtu ishin bijë dhe bija të Shën Terezes . Kanë ardhur me duar në xhepa pa pasur nevojë ta shpenzojnë asnjë cent nga xhepi i tyre. Më herët, në Besianë të Llapit ishte një mjeshtër me zë teneqepunues i cili punonte shumë, fitonte shumë por nuk mund të kursente sepse dikush i afërt tërë mundin e linte në kafenet e Besianës dhe kur vinte koha për të paguar faturat ai i drejtohej kamerierit në gjuhën serbe (shkaku se ku shërbeheshin pijet alkoolike kamarieret ishin kryesisht serbe apo që e flisnin serbishten):” plaça (paguan) Hasan Teneqexhia…”. Kjo pastaj u shndërrua në një slogan për ata që nuk kishin para për të paguar dhe u drejtoheshin kamerierëve: “ plaça ( paguan ) Hasan Teneqexhia…”! Edhe në Vatikan, të gjithë bijtë dhe bijat e Shën Terezes thonin:” paguan Avdullah Hoti …nga Buxheti i Kosovës “! Skajshmërisht të pamoralshëm dhe të pasinqertë!

Kurbani i radhës i Hazreti Hashimit
Vetëm popujt historik , e ne nuk mund të jemi të tjerë përveç historik, njihen për flijime të paimagjinueshme për të mirën e përgjithshme, qoftë në aspektin fetar si edhe ate kombëtar. Njihet flijimi i të birit të profetit Ibrahim, flijimi i nënës për kështjellën e Rozafasë, flijimi i vajzave suliote, flijimi i Nora Kelmendit dhe Tringë Smajlit, flijimi i Oso Kukës dhe Vojo Kushit , flijimi më heret i Tahir Mehës dhe flijimi i tashëm i Murat Mehës, flijimi i Adem Jashait dhe familjes së Madhe e Jasharajve , flijimi i Vetonit dhe flijimi i Batonit sikur edhe flijimi deri në vetmohim i Dinos së privatizimit . Të gjitha janë bërë për të mirën e interesit publik ndonëse një pjesë e tyre , interesin publik ia kanë nënshtruar interesit personal. Në çdo regjim totalitar apo afër totalitarit ka viktima reale dhe viktima virtuale . Viktimat reale janë viktima të shtetit kurse viktimat virtuale janë pakurrizorë të pushtetit ! Sefedin Asanaj sipas zhargonit kosovar dhe Dino Asanaj sipas zhargonit të Bronxit ( SHBA ) u desh ta godasë veten 13 herë me thikë , për t’i mbuluar bosët e privatizimit , vendorë dhe ndërkombëtarë. Ekspertët e vendit deklaruan se goditja e vetes 13 herë me thikë është vetvrasje klasike dhe vetëm injorantët që nuk i përcjellin të arriturat e mjekësisë mund të kenë mendim ndryshe . E pranoj se , ndonëse e kam studiuar mjekësinë , bëjë pjesë në grupin e injorantëve sepse dyshoj në këtë vetvrasje. Pasi Dinoja kishte shtetësi amerikane , ekspertizën për shkaqet e vdekjes e bëri edhe një ekip nga SHBA të cilët vetëm sa nuk e fotokopijuan rezultatin e autopsiesë së ekspertëve vendorë ! Ec e thuaj tani se nuk kemi ekspertë për treg ndërkombëtar ! Këta të BE –së kurrsesi të merren vesh me politikanët tanë historik për liberalizimin e vizave ! Me keqardhje më duhet ta pranoj se politikanët anakronik të BE –së nuk i kemi më nën kontrollë dhe nuk po na dëgjojnë fare . Me fjalë tjera kanë dalë doresh. Kush more janë këta që nuk e dëgjojnë Hazreti Hashimin i cili ka thenë para pesë vjetëve se do të udhëtojmë pa viza sikur edhe i varuri i tij Bekimi që na i ka hequr vizat para dy vjetëve kurse e stërvarura e tij Zezdita , pas çdo takimi me “ vëllezërit serbë “ dhe “ miqtë kosovarë “ deklaron se nuk ka më viza dhe se qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë pa viza ! Mashtrim ordiner nga një mashtruese ordinere ! Pak ka munguar që t’i fitojmë vizat ; minus disa mijra hektarë tokë të Kosovës ( nëse i referohemi opozitës dhe ekspertëve të pavarur ) dhe luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit si kusht i dytë ! Kushti i parë që e nënkupton ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi mund dhe do ta përmbushin në njërën nga seancat e radhës kurse kushti i dytë është shumë vështirë i realizueshëm! A mund të burgoset shteti dhe qytetarët e saj, prandaj është vështirë i realizueshëm! BE, me arrestimin e politikanëve të korruptuar të profilit të lartë nënkupton kreun e shtetit të ekzekutivit, legjislativit apo presidentëve sepse konsiderojnë se ata, në bazë të postit e kanë edhe përgjegjësinë! Mos po mendoni se vettingu në Shqipëri po bëhet për Muçon e Mallakastrës, Januan e Gjirokastrës , Hazizin e Elbasanit , Mujon e Shijakut apo mëkatin e durrësakut Asessi! Po bëhet për Ilir Dukatin dhe Sali Tarakun dhe disa të tjerë , të fuqishëm dikur kurse tani krejt të mjerë ! Është interesant se për korrupsion dhe krim të orgaqnizuar të profilit të lartë dhe nivelit të ulët njerëzor dhe moral janë arrestuar kryesisht politikanë me mandate të skaduar. Kështu ndodhi në Slloveni , Kroaci , Rumani , Mal të Zi , Hungari, Serbi etj. prandaj , kjo praktikë sipas parimit :” ta qortoj fëmiun që të dëgjojë nusja ..” mund të zbatohet edhe në Kosovë . BE , në Kosovë mund ta pranojë si përmbushje e luftimit të korrupsionit të profilit të lartë edhe nëse e arrestoni një politikan të profilit më të ulët sidomos nëse banon në katet e larta të pallateve që i ka ndërtuar me djersën e korrupsionit . Për shumë gjëra ndërkombëtarët i kanë ulur kriteret në Kosovë e pse mos ta bëjnë edhe për këtë ?! Këtu qëndron fati i politikanëve të vegjël që u kanë shërbyer politikanëve të profilit të lartë sepse , sa më vonë të veprojë ligji , dënimet do të jenë më kapitale ! Dikush do të sakrifikohet sikur Dinoja i privatizimit dhe ky sakrifikim do të mbulohet me letra profesionale ! Mund ta marr me mend se kush do të jetë ai por ai nuk do të jetë humbësi më i madh . Jam i sigurt se edhe nëse votohet demarkacioni e duket se do të votohet , për katundarinë dhe qytetarinë e Kosovës përjashtuar politikanët, bijt dhe bijat e Shën Terezës dhe Hazreti Naimit, përsëri do të mbetet regjimi i vizave! Mund edhe të gaboj , së shpejti do të bindeni sepse unë jam i bindur për këtë !
Nënpresidenti Bajd..Bekim
Ministri i një ministrie së koti siç ishte ajo e integrimeve evropiane në kohën që as Afrika nuk do të na integrojë paska deklaruar se do ta lëshojë këtë ministri dhe do të kalojë në presidencë (te Shën Hashimi) dhe se atje do të jetë numri 2 apo dyshi i presidencës! Me një fjalë po e pranon se më nuk do të jetë Bekim Çollaku por nr.2 i presidencës duke u distancuar nga vetja dhe duke u shndërruar në numra, shifër. E tërë bota funksionin në bazë të numrave, edhe lufta, edhe ekonomia, edhe paqja, edhe dashuria, edhe urrejtja, edhe përkrahja etj. Kur ishim në burgje të ish Jugosllavisë, baballarët dhe majkat e disa personaev me ndikim sot në Kosovë na patën shndërruar në numra. Në vend të emrit dhe mbiemrit kishim numrin amëz si psh . në vend të Behxhet Shala, isha numër 7660 . Të gjithë ishim numra , nuk kishim identitet me emër dhe mbiemër. Po ne atëherë ishim numra me vlerë kurse sot vlera është shndërruar në numra. Kjo vlerë, përveç vlerës materiale , është e pavlerë nëse kemi parasysh kriteret e vlerësimit. Sot në Kosovë është një rregull që mbrohet edhe me Kushtetutë ; sa më shumë të jeshë i dështuar në fushën profesionale , aq më lartë do të ngjitesh në kierarkinë politike! Merreni me mend se ku do të përfundojë mashtruesja profesionale Zezdita nëse Bekimi për dështimet në ministrinë fantome po bëhet numri 2 i presidencës !
Kamishi dhe Llula në Finlandë
Jam adhurues i futbollit dhe një kohë të gjatë bëj tifo për Barcelonën, Juventusin, Dortmundin dhe Arsenalin kurse kombëtaren shqiptare e kam mbi të gjitha. Pra, jam për Shqipërinë dhe tjetër kombëtare nuk pranoj. Shqiptarët i kanë ndarë keq. Merreni me mend një popull 7 milionësh e kanë ndarë në pesë shtete sikur që ua bënë kurdëve. Tash , ndamjen e një populli që 100% janë një e kanë bartë edhe në fushën e sportit. Mos u habitni që nesër mund të ketë armiqësi edhe në fushën e sportit kur të luajnë Shqipëria dhe Kosova sikur që ka armiqësi midis Kores së Veriut dhe asaj të Jugut, Kinës dhe Tajvanit , Sudanit dhe Sudanit Jugor dhe shteteve të tjera që janë ndarë dhunshëm . Kosova luajti mirë aq më parë që nuk dihej nëse një numër i lojtarëve do të lejohej të luaj nga FIFA dhe se lojtarët nuk kanë kaluar kohë të gjatë së bashku . Kosova ka qenë me fat që atje , direkt nga sheshi Shën Pjetri i Vatikanit dhe pas takimit me Papën Françesk ka shkuar edhe Hasreti Hashimi . Në fund të lojës , përveç një pike të fituar zemra m’u bë mal kur atje pashë Bekim Haxhiun – Kamishin dhe Ismet Beqiri – Llullën. Ku ka ndjenjë më të madhe të krenarisë se kur të shihni se deputetët e Kosovës, përveç profesionit të politikanit brilant, intelektualit erudit, me një shtyllë të fortë kurrizore dhe integritetit të lartë moral , kanë njohuri ekselente për të gjitha sportet në përgjithësi kurse futbollit në rastin konkret, në veçanti! Nderime dhe respekt!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura