BEHXHET SH.SHALA BAJGORA: KONTRABANDIMI I DEMOKRACISË DHE DHUNIMI I SHTETIT PËRMES ZAPTIMIT TË PUSHTETIT!

Prishtinë, 15. 07. 2014 – Veja apo pula, pozita apo opozita – Kryesia e Kuvendit të Kosovës mbajti mbledhjen pregatitore për seancën konstituive të datës 17 korrik 2014 me ç’rast do të duhej të zgjedheshin kryetari i Kuvendit si dhe pesë nënkryetarët. Shtizat ishte paraparë se do të thyhen rreth përcaktimit se cili është grupi parlamentar më i madh i cili e ka të drejtën ta propozojë kandidatin për kryetar. Koalicioni parazgjedhor i udhëhequr nga PDK, si fitues i zgjedhjeve siguroi 37 mandate e që, sipas KQZ-së llogaritet se e ka edhe grupin më të madh parlamentar ndërkaq koalicioni paszgjedhor, i cili nuk njihet si i tillë nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, arriti t’i grumbullojë rrethe vetes 47 deputetë prandaj pretendonte se ka të drejtë të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit. Nga gjashtë (6) anëtarë të kryesisë së Kuvendit në ikje, vetëm njëri ishte i PDK-së, tre ishin të koalicionit paszgjedhor (LVV – FERR, AAK dhe LDK), ndërkaq mbledhjen e kryesonte Jakup Krasniqi i cili u bë kryetar i Kuvendit si anëtar i PDK-së, ndërsa edhe tash, në cilësinë e kryetarit votoi si kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, anëtare e koalicionit paszgjedhor që nuk njihet nga Gjykata Kushtetuese. Kështu, në bazë të numrit të votave nuk ishte vështirë të parashihej se cili do të ishte rezultati i votimit. Se si votuan LVV-FERR, AAK dhe LDK nuk më bëri fare përshtypje por më bëri përshtypje si votoi dhe pse votoi ashtu Jakup Krasniqi.


Koalicioni i cubave të Bali Katravellës!

Jakup Krasniqi i ka disa veti që e dallojnë në aspektin pozitiv (njerëzor, kombëtar, moral dhe demokratik) nga ata të tjerët që votuan prandaj kam pritur se, së paku do të abstenojë gjatë votimit që do të ishte krejt në rregull dhe parimore. Votimi i Jakupit ashtu si votoi paraqet konflikt interesi aq më parë që ky koalicioni i cubave të Bali Katravellës po bënin përpjekje që në mënyrë tipike cubqe, përmes dhunimit të shtetit ta marrin pushtetin. E bënë shpejtë e shpejtë duke krijuar përshtypje se janë duke punuar shumë dhe se krejt Kosova qëndron prapa tyre. I gjeje thuaja në të gjitha restorantet e Prishtinës kur ishte nevoja të legjitimoheshin para opinionit ndërsa krijuan grupe të “ekspertëve“ për të bërë programe dhe projekte qeveritare dhe ndanë poste midis tyre si të ishin kumbulla të blera në treg. Nuk më ka rënë të dëgjoj këso ndodhira madje as në mesin e rebelëve të Alepos në Siri. Kosovën e shndërruan në kalifat të intereseve personale i mbështetur në mosdurim, urrejtje dhe dëshirën për hakmarrje, në radhë të parë ndaj një personi që aktualisht është kryeministër në detyrë e pastaj kanë bërë listën e atyre që duhet të diferencohen, qoftë nga largimi nga vendi i punës e deri te arrestimi. Pa ardhur fare në pushtet! Qeverisja e kaluar si dhe ato para saj i kanë 100 mijë të meta dhe të zeza që nga procesi i privatizimit, krimi i organizuar, korrupcioni, nepotizmi, bisedimet me Serbinë etj., dhe ishte rasti ideal që në zgjedhjet e fundit të ndëshkohet me votën e qytetarit. Jo që nuk u ndëshkua por doli para partisë së dytë (LDK) thuaja 6% më shumë vota. Pikërisht këto parti, tash anëtare të koalicionit Bali Katravella gabuan rëndë në vlerësim sepse menduan se lehtë do ta mundin PDK prandaj nuk donin të bënin koalicion parazgjedhor sepse lakmonin që tërë kulaçin (pushtetin) ta mbanin për vete. Kur mbetën aty ku mbetën (me dëshirën e sovranit) sipas parimit të dhelprës se:” m’u kall bishti, u kall dynjaja“ e bënë koalicionin e zorit duke ia kumtuar popullit të Kosovës se: “nuk ka Thaçi 3” pa ua ofruar alternativë fare. Këtu ishte defekti kryesor që i bëri joserioz aq më parë që ata, përjashtuar koalicionin LVV – FERR i kishin marrë të gjitha vendimet bashkë, qoftë duke bashkëqeverisur apo duke i mbështetur në marrjen e vendimeve. Korrupcioni sot është shenjë identifikuese dhe mbase referencë për karrierë të suksesshme në Kosovë. Edhe te pozita por edhe te opozita! Edhe te këta që po qeverisin sikur edhe ata që duan të qeverisin. Prandaj, më duket shumë dyfytyrëshe që në emër të një korrupcioni që qenka në pushtet të vjen në pushtet një qeverisje e re me një potencial atomik dhe të dëshmuar për korrupcion! Ju kujtohet që disa gazeta apo pjesëtarë të shoqërisë civile, në kohën kur Johanes van Vrejsvik deklaronte se filan politikani dyshohet për korrupcion 80 milionë eurosh, si mbështetje ndaj këtij prokurori që thjesht na doli se ishte një mashtrues ordiner, rrugën ku banonte filan politikani e emëruan: “Johanes van Vrejsvik“. Ndërkaq sot, këta pjesëtarë të shoqërisë civile dhe mediet e shkruara dhe elektronike janë mbështetësit më të mëdhenj të këtij koalicioni paszgjedhor sepse përmes tyre duan të rikthehen nëpër dyer të mëdha në politikën kosovare, pasi votuesi i nxori nga loja. Votimi në kuvend ishte ilegal në kuptimin se kjo përbërje e kryesisë së Kuvendit në ikje nuk ka mandat të caktojë se cili grup parlamentar është më i madhi duke e shpallur si grup më të madh pikërisht koalicionin paszgjedhor vetëm me vota të anëtarëve të këtij koalicioni. Ky grup mund të formohet por nuk prodhon efekte juridike ndryshe, nëse mbetet kështu, presidentja Jahjaga duhet ta hudhë poshtë mendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila nuk njeh koalicione paszgjedhore por vetëm ato parazgjedhore dhe për manadatar për formimin e qeverisë mos ta caktojë Hashim Thaçin, si fitues të zgjedhjeve por z. Isa Mustafa, kryetar të partisë së dytë apo zotin Ramush Haradinaj si kandidat të koalicionit paszgjedhor! Në këtë rast, edhe mandati për formimin e qeverisë si dhe të drejtën për propozimin e kryekuvendarit duhet t’i takojë ose koalicionit parazgjedhor siç interpreton Gjykata Kushtetuese ose koalicionit paszgjedhor të cilin nuk e njeh kjo gjykatë! Mundësi tjetër nuk ka dhe nuk duhet të ketë! Ose, zgjidhja më e mirë do të ishte të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme ku do të përballeshin dy blloqe politike, ai që udhëhiqet nga PDK dhe ai tjetri që udhëhiqet nga LVV – FERR. Dhe le të fitojë ai që ka më shumë vota dhe nuk do të kontestohej nga askush. Nëse deri atëherë mbijeton ky koalicioni paszgjedhor i cili ka hapur zyrë të përbashkët në Kuvendin e Kosovës si “grupi më i madh parlamentar“ pa u zgjedhur kryetari dhe kryesia e re e Kuvendit e cila ka të drejtë ta legjitimojë dhe legalizojë këtë grup vetëm pasi të zgjidhen organet e Kuvendit me përbërje të re!
Jo kryeministër të zorit por kryeministër që fiton besimin e votuesit
Ramush Hardinaj tha se nuk jemi koalicion që duhemi shumë por se na ka bashkuar interesi të mos lejojmë Thaçi 3. Dardan Molliqaj tha gjithashtu se kjo qeveri është qeveri e zorit por se jemi bashkuar të mos lejojmë Thaçi 3. Besa Gaxheri ishte e fundit e cila tha se Ramush Haradinaj është kryeministër i zorit sepse nuk duan që të fitojë Thaçi 3. Neve, qytetarëve të Kosovës nuk na duhen këta të zorit por ata që e fitojnë votën pavarësisht si e kanë emrin dhe mbiemrin. Koalicioni i partive që nuk janë në dashni të madhe mund dhe duhet të jetë dëshirë e Ramushit por jo edhe e imja. Qeverinë e zorit le ta mbajnë ata që e duan si të tillë ndërkaq kryeministrin e zorit zonja Gaxheri mund ta mbajë si diçka personale e jo si imponim që ne domosdoshmërisht duhet ta pranojmë! Prandaj edhe jam për zgjedhje të reja që të mos detyrohemi që çdo zgjidhje ta bëjmë zgjidhje të zorit por ta bëjmë një zgjidhje ku do të ndihen mirë edhe ata që votojnë sikur që padyshim do të ndiheshin mirë edhe ata që do të zgjidheshin (kryeministri, kryekuvendari etj.).
Askush nuk i do zgjedhjet e reja e të gjithë kërcënohen me to
“Ekspertët“ e koalicionit paszgjedhor duket se janë shumë më të angazhuar se ekspertët e BE-së që hartojnë politika zhvillimore për të gjitha shtetet e BE-së apo edhe ekspertët e Kombeve të Bashkuar që brengosen për të gjitha shtetet e botës. Këta të koalicionit paszgjedhor takimet i kanë deri në pambarim. Nga dita në ditë, deri te shpërbërja e koalicionit. Duket se të gjithë janë duke kërkuar strategji dalëse me të cilin do ta ruanin nderin, dinjitetin dhe eventualisht do të përfitonin politikisht! Duket qartazi se nuk kanë jetëgjatësi politike sepse nuk kanë besim reciprok dhe se nuk mund të funksionojë gjatë me kushtëzime. Nuk ka partneritet me kushtëzime. Ka qenë e paralajmëruar se sot do të nënshkruhet marrëveshja midis partnerëve të koalicionit dhe LVV pasi i kanë përafruar qëndrimet dhe pastaj kjo marrëveshje e nënshkruar do të vërtetohej te noteri në rast të kontestit eventual. Dje nuk u takuan sepse kishin arsye familjare (shkuarja në një syneti) po shkaku ishte krejt dikund tjetër. Pas takimit me zonjën nga Amerika të gjithë dolën me buzëqeshje të ngrirë, si stalaktitët e shpellës së Gadimes. Duket se e vetmja që buzëqeshi si para, ashtu edhe pas takimit ishte presidentja e Kosovës znj. Jahjaga. Duket se asaj iu dorëzua “Formula e Pagëzimit“ për koalicionin e ri. Mbase të zgjeruar. Disi si në vitin 2002.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura