BEHXHET SH.SHALA BAJGORA: THANK YOU UNCLE KERRY NGA ISA KRISHTI, HASHIMOTO KAGAWA DHE DRUG SLLOBA!

Prishtinë, 04,. 12. 2015: (Thank you uncle Kerry nga Isa Krishti, Hashimoto Kagawa dhe drug Slloba) – Në Kosovë përkatësisht në Kuvendin më demokratik në Prishtinë dhe rrethinë, punët janë bërë lesh që as Krsta Vllaqari, si leshpunues i njohur në Llap deri në kohën që edhe ate e bënë lesh, nuk do të mund ta përpunonte e ta bënte lëmsh normal të cilit i dihet, edhe fillimi edhe fund i leshit të lënurur tash në trajtë peri. Kuvendi i Kosovës u shndërrua në poligon ku testohej forca e gazit lotsjellës dhe qëndrueshmëria ndaj këtij gazi që na bëri gaz para tanëve dhe të huajve. Ne tanët nuk i vlerësojmë aspak sepse nuk kemi lënë vlerë kombëtare pa e nëpërkëmbur, fyer dhe margjinalizuar. Dikur Kosova ka qenë vend i morrave (fatmirësisht më nuk është) tash u bë vend i horrave (fatkeqësisht nuk mund të mohohet). Mendoj për ata që marrin vendime dhe e kanë statusin e sundimtarit të sulltanatit të quajtur Kosovë! Një grusht që sundojnë, së bashku me rrogëtarët e tyre e që janë eunuh (të tredhur në kokë dhe të mbetur pa bole), na shalojnë kur të duan dhe si të duan! Ndërkombëtarët që këta i quajnë miq, i bashkangjiten këtyre orgjive kur e vlerësojnë se janë në përputhje me standardet e tyre dhe në harmoni me ligjet e BE-së ! Që nga përfundimi i luftës e kemi një raport tejet nënshtrues të klasës sunduese vendore përballë ndërkombëtarëve.

Ndërkaq, me qytetarët e zakonshëm këta sundimtarë janë sjellur dhe sillen sikur padroni ndaj rrogëtarit që këtu e quajnë shërbyes civil. Si dëshmitar i shumë zhvillimeve në Kosovë dhe ish Jugosllavi dhe si konsumues i gazit lotsjellës që nga viti 1968 por edhe si banor i të gjitha burgjeve të atëhershme në Bosnje dhe Kroaci (1981-1990) kam pritur zhvillime të tjera në Kosovë. Për mua është i çuditshëm fakti se sot, më shumë tregojmë respekt për policët që na kanë rrahur vazhdimisht gjatë seancave hetuese dhe gjatë vuajtjes së dënimeve politike se që tregojmë sot ndaj policëve me moshë relativisht të re që të kaluarën , ose familjarët e tyre ose edhe ata vet e kanë ndarë me ne sikur që një numër jo i vogël i tyre ka luftuar me komandantët që po u hedhin gaz lotsjellës, po i fyejnë apo po i sulmojnë edhe fizikisht. E keni parë Tarzan Zafën në Kuvendin e Kosovës me Brahimin dhe Haradinin! E pabesueshme për një vend dhe për një kohë normale! Rrethanë lehtësuese për ta është se Kosova nuk është vend normal sikur që edhe koha, për shkak të ngrohjes globale nuk është normale. Opozita, e harrnuar jo në bazë të përputhjeve programore apo qëllimeve të përbashkëta politike por për shkak të synimit të pushtetit apo provokimit të zgjedhjeve të parakohshme, e zgjodhi mënyrën më të keqe të mundshme për të vepruar në kundërshtim tash, të marrëveshjeve të nënshkruara të Demarkacionit dhe Zajednicës,duke përdorur gazin lotsjellës në Kuvendin e Kosovës dhe duke ia trashur lëngun pozitës. Në këtë mënyrë i bënë kundërshtarë edhe ata që ndanin qëndrimin me opozitën e mos të flasim për miqtë e Isës dhe të Hashimit që nuk e kanë gjuhën shqipe si gjuhë amtare por janë degëdisur këtu nga shtetet e BE-së, ato që synojnë të bëhen BE , nga shteti i Uncle Sam-it, nga Orient ii Erdoganit, nga Azraili i Moshe Dajanit, nga Uganda e Idi Aminit dhe nga disa shokë të Amerikës Latine të Begjit, Petritit dhe Hashimit! Opozita harroi faktin se bumerangu rëndom i kthehet atij që qëllon të tjerët prandaj ndodhi edhe me rastin e tyre. Kundërshtimet e marrëveshjeve nga opozita do të gëzonin përkrahje të plotë nga të gjithë ata që ua duan të mirën Kosovës po të mos e bënin tymnajë aty ku nuk duhej .Marrëveshjet janë të dëmshme, pa asnjë dyshim dhe si të tilla dihet të kundërshtohen dhe nuk duhet të përkrahen pa rishqyrtimin e tyre deri në masë që nuk do të ishin të dëmshme për Kosovën!

Opozitarët po veprojnë si kamikazët japonezë gjatë luftës së dytë botërore. Ata hidheshin me aeroplanë në anijet luftarake dhe aeroplanëmbajtësit të aleatëve sikur edhe në baza ushtarake kurse kamikazeët e VAN-it po hedhin gazin lotsjellës edhe kur po mendohet se janë shterrur burimet. Ata po gjejnë mënyra dhe mundësi të fusin bombola të gazit lotsjellës edhe në bazën e Njësiva Speciale të Policisë së Kosovës aksidentalisht i quajtur si Kuvend i Kosovës! Kamikazët japonezë shkonin në vdekje për Carin me sloganin banzai kurse kamikazeët e VAN-it po shkojnë në birucë me sloganin Demarkacioni dhe Zajednica nuk kalojnë. Po të kishin një strategji veprimi këta të opozitës, kjo qeveri e lodhur deri në këputje do të binte 100% në afatin 3 deri në 5 muaj. Kështu sip o vepron, opozita po mbledhë vota për këtë koalicion hybrid edhe për një mandat tjetër! Opozitarët këshillat e miqve i morën si armiqësore ndërsa këshillat e “ miqëve “ ndërkombëtarë nuk i përfillën fare. Anipse , ambasadori i Anglisë u foli shqip. ambasadori i SHBA-së u foli anglisht, ajo e Gjermanisë , gjermanisht etj. Opozita , duke menduar se do të fitojnë me Blic – krig e krijojë një front refuzimi dhe mbeti e vetmuar për t’u plasaritur gjë që u vërejt më së shumti me datën e Manifestimit të 28 nëntorit 2015 . Presidenten Jahjaga e trajtuan si fallet e magjistares Vanga të Bullgarisë. Dhe , erdhi 2 dhjetori e së bashku me te erdhi edhe Kerry, jo në Prishtinë por në njësinë eksterritoriale të Erdoganit në Kosovë të quajtur aeroporti “ Adem Jashari “! Edhe ndërkombëtarët sikur që edhe Kerry që gjithashtu është ndërkombëtar, ishin dhe janë për dialog midis pozitës dhe opozitës mirëpo, gjithashtu këmbëngulin që të implementohen dhe të mos kontestohen marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel. Të njëjtën gjë po e kërkon edhe Serbia. E për çka atëherë u bënë të gjitha këto protesta?! E tëra kjo dhunë midis shqiptarëve. Kjo dhunë ndaj policëve të Kosovës dhe protestuesve, gjithashtu të Kosovës. Për çfarë dialogu po flisni zotërinj ndërkombëtarë dhe ku ka moral në propozimin tuaj këtu ? Edha Isa Krishti nuk hjek dorë nga marrëveshjet e nënshkruara me asnjë kusht. E çfarë dialogu do me opozitën në këto rrethana? Po veprojnë sikur të kërkohet nga një lojtar të shënojë gol në portë ndërsa t’i lidhin duar e këmbë ! Pozita është shkaktare e kësaj rrëmije sepse nuk ka qenë transparente apo se na ka njoftuar se e pamja për vdekjen e Hasanit bëhet pasi të jenë mbyllur dyert e shtëpisë në ndërkohë që as ide nuk kemi pasur se paska vdekur Hasani! Për këtë arsye pozita duhet të hapë rrugë ndërsa opozita mos të investojë më në gazin lotsjellës nëse dëshiron ta rikthejë përkrahjen. Nëse vazhdojnë kështu, le ta thyejnë qafën pozitë dhe opozitë! Të paditurit besojnë në simbole, frikacakët mbahen në bole të të fortëve dhe kështu vepruam edhe me Kerryn. Ata të cilët nuk kanë bërë gjë për Kosovën dhe shqiptarët përveç se kanë folur dhe punuar kundër duke vazhduar aktivitetin antikombëtarë të parëve të tyre , i miklonin topet e Kerryt me shpresë se do të përfitojnë diçka. Pozita kërkonte një litar shpëtimi nga Kerry kurse opozita lutej që gijotina e Kerryt mos të jetë aq e mprehtë sa t’ua këpusë kokat! Kerry që ishte udhëtar transit për Beograd dhe në aeroport u ndal për një lëng relaks ( për shkak të lojës shpërblyese) e këqyri Xha Ison nga një lartësi (për shkak të shtatit të lartë), bëri pak hajgare dhe u nis drejt Beligradit . Opozitës ia bëri me dije se SHBA nuk përkrahin asnjë marrëveshje që është kundër integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës e që përkthyer shqip do të thotë se as Demarkacioni e as Zajednica nuk e rrezikojnë Kosovën duke e ngazëllyer më këtë Isa Krishtin, Hashimoto Kagawën dhe çunin e Sllobës. Edhe ambasadori Dell si mik amerikan) pati garantuar marrëveshjen Mustafa – Thaçi dhe Pacolli për zgjedhjen e presidentes dhe pasi shkoi t’i gëzojë të ardhurat e Fondit 10% të Behtekl Enkes, në pyetjen e gazetarëve për pasardhësen, ambasadorem Xhakobson për garancat e Dellit ajo ishte përgjigjur se ka dëgjuar se ka qenë një marrëveshje. Dhe këtu përfundon tregimi! O shqiptarë, binduni dhe futeni në kokë se nuk ka miqësi të përjetshme sidomos në politikë! Ka vetëm interes të përjetshëm. Sikur që edhe nënshtrimi nuk mund të jetë dhe nuk është i përjetshëm! As në emër të miqësisë së përjetshme. Isa Mustafa ka shumë mundësi ta ketë përfundimin e Krishtit që do të gozhdohej ose nga filistejt (partia e vet) ose nga romakët (PDK). Kësaj radhe e shpëtoi Kerry. Deri në sfidën e radhës. Prandaj po e quaj Isa Krishti! Hashimoto Kagawa alijas Hashim Thaçi është kushëri i Hashimi (Shinji) Kagawa, driblues i Dortmundit. Edhe Hashimoto është driblues i talentuar dhe golashënues i papërsëritshëm. Deri më tani i ka dribluar të gjithë dhe ua ka futur (gol) të gjithëve. Pa përjashtim! Si çdo tregim që e ka fundin edhe ky driblim do ta ketë fundin. Me autogol !Stojanoviqi është çuni i Sllobës, jo biologjik por politik! Kerry u takua vetëm me tri kubëza të Kosovës multietnike, dy kosovarë dhe një serb prandaj mozaikut multietnik i munguan romët, ashkalinjt, egjiptasit, turqit, boshnjakët e Dudës, goranët, çerkezët, kazakët etj. Shqiptarët nuk janë pjesë e këtij moziku prandaj lehtësisht mund t’i gjeni në Dubravë, Dyz, Smrekonicë, Lipjan etj.
Hashimi, Rubikoni dhe Eskobari
Në mungesë të kapacitetit intelektual, deficitit të titujve shkencorë dhe akademikë , kohëve të fundit po vuaj shumë nga kompleksi i inferioritetit dhe kam një uri të madhe të rri me njerëz të mençur apo të përcjellë intervista të njerëzve e sidomos politikajve të mençur. Në këtë kontekst nuk e lëshoj asnjë intervistë të Hashim Thaçit apo postim të Zafir Berishës sepse i konsideroj si eruditë dhe vlerë intelektuale. Të martën ishte paralajmëruar një intervistë në Rubikon dhe me padurim e prisja paraqitjen e tij. I lashë anash të gjitha angazhimet ; nuk i nxorra purrinjt nga toka, nuk i mblodha gjethet e rëna në tokë, e refuzova Xhemën e Interaktivit dhe Fidanin e Rrokumit etj. Me fjalë të tjera bëra sakrifica që nuk do t’i bëja për një personalitet tjetër. E vlerësova se është shumë më mirë të marr dije nga një njeri i ditur e Hashimi është i padiskutueshëm sa i përket dijes se të shkoj në televizion për të mos thënë asgjë. Familjarëve u thashë që aq kohë sa zgjat Rubikoni nuk dua që të dëgjohet as miza në shtëpi ndërsa telefonat, jo që i çkyqa por ua nxora edhe bateritë! U shtriva sikur pacienti në pritje të mjekut dhe prit e prit e prit.. dhe asgjë. Nuk kishte Hashim e as Rubikon por në kohën e paraparë për intervistë u shfaq një dokumentar për jetën dhe veprën e Pablo Eskobarit, Zotit të Kartelit të Medelinit në Kolumbi i njohur si trafikanti më i fuqishëm i mjeteve narkotike në botë ! Zhgënjimi ishte tepër i madh, thuaja i papërballueshëm. Flitej se Hashimi ishte në Mal të Zi shkaku i pranimit të këtij shteti në NATO. Nuk e di nëse kjo ishte rastësi por si mund të shfaqet Eskobari në vend të Hashimit. Hashimi ka qenë kryeministër, deputet, e tash është zëvendëskryeministër dhe ministër për Punë të Jashtme. Ka mundësi të bëhet edhe president. Karrierë impozante politike! Po Eskobari, ç’arritje politike kishte? Ishte zëvendës i deputetit nëse ndonjë deputet mungon në seancë! Asgjë më tepër. Një gjë nuk po e kuptoj ; a ishte kjo hakmarrje ndaj Hashimit apo përpjekje për afirmim të Eskobarit , jo si qenie fizike sepse e kanë vrarë me kohë, por të ides së tij! Në mungesë të kapacitetit intelektual që e pranova më lart, nuk marr asnjë përgjegjësi për këtë që shkrova më lart. Sqarime kërkoni nga Adriatik Kelmendi, boss i Rubikonit !
Si të dilet nga kriza
Po flitet se ndërmjetësues për tejkalimin e krizës midis pozitës dhe opozitës do të jetë Ilir Meta apo Ilir Dukati nga Skrapari, aktualisht kryetar Kuvendi në Shqipëri. Kur bëhet lufta brenda llojit, vetëm lloji i zgjidhë problemet. Më tutje, në rast se Ilir Meta do të dështojë si alternativë do të jetë përfaqësues i familjes Gambino, Bonano, Gjenoveze apo Korleone. Problemi është serioz prandaj edhe ndërmjetësuesit duhet të jenë seriozë!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura