Prishtinë, 24. 09. 2016: “Meqenëse qeniet njerëzore nuk janë thjesht kafshë politike, por në të njëjtën kohë edhe kafshë që e përdorin gjuhën (flasin), sjellja e tyre formësohet nga idetë e tyre. Se çka bëjnë dhe si e bëjnë këtë varet nga ajo se si e shohin ata vetveten dhe botën e tyre, dhe kjo pastaj varet nga konceptet përmes të cilave ata shohin”. – Hanna Fenichel Pitkin “Koncepti i përfaqësimit” (Berkeley, University of California Press, 1967), p.1.
Ku janë intelektualët që i kishim dhe pse nuk po vijnë të rinjtë që i prisnim?
INTELLIGENTSIA, rrjedh nga fjala latine me kuptim inteligjencë dhe ka ardhur në fjalorin global modern nga Rusia. Që nga viti 1870 kjo fjalë identifikonte një lloj të veçantë të intelektualëve aktiv në jetën publike në Rusi.
Inteligjencia (intelligentsia) – sipas Fjalorit të mirënjohur Merriam Webster ka kuptimin: “Një grup i njerëzve inteligjent dhe të shkolluar mirë të cilët i orientojnë ( drejtojnë, udhëheqin) apo tentojnë ti drejtojnë zhvillimet politike, artistike dhe shoqërore në shoqërinë e tyre”.
Edhe pse nuk kemi një histori të shkruar të intelengjencisë shqiptare mund të thuhet se ajo ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në jetën shoqërore dhe emancipimin kulturor e kombëtar.
Por a është ky edhe roli i tanishëm i intelektualit dhe inteligjencia shqiptare?
Apo inteligjencia shqiptare sot është në gjendje të amullisë, së paku pjesa dërmuese e sajë, duke përjashtuar një numër shumë të vogël të atyre që vazhdojnë ti rezistojnë të keqes, të preokupohen dhe paraqesin opinionet e tyre lidhur me gjendjen e shoqërisë sonë.
Nga komunikimi im, me shtresën intelektuale kam vërejtur në radhë të parë një zhgënjim të thellë dhe një lloj “dorëzimi”, a “kapitullimi” të tyre, një lloj arsyetimi pastaj se artikulimi publik do të ju kushtonte atyre dhe të afërme të tyre në shumë aspekte si në punësim, shkollim, gradim etj.
Por nëse e analizojmë këtë sjellje në rrafshin e argumenteve, a thua cila frikë duhet të jetë më e madhe, ajo nga pasiviteti dhe rrëshqitja tatëpjetë e shoqërisë, rrëshqitje kah humnera së cilës nuk i shihet fundi apo pasojat nga reagimi i pushtetit?
Kam hasur edhe një sjellje tjetër ‘intelektuale”, atë të vetëmjaftueshmërisë, pritjes se të tjerët duhet të kujtohen për mua, për “ekspertizën” time, …le të më thërrasin sepse nuk bëhet kjo punë pa mua…dhe pastaj ky narcisoizëm ka për pasojë atë që ka e thënë Sami Frashëri: “Ai që pëlqen veten e tij nuk pëlqehet nga askush”, ndërsa e kundërta e tij po ashtu sipas Samiut është; “Njeriu i përsosur është ai i cili çka bën në sy të botës mund të bëjë në vetmi dhe çka bën në vetmi mund të bëjë në sy të botës”.
Këtu për mua nuk ka asnjë dilemë, e shpresoj se e ndaj këtë mendim edhe me shumë të tjerë se zgjidhja dhe shpresa është solidariteti në mes intelektualëve, tani ende të vetmuar, pra bashkimi i zërave, përkatësisht bashkimi në “orkestër” duke ruajtur individualitetin dhe origjinalitetin, mëvetësinë dhe ngjyrën e zërit, sepse këtu “solo këndimi” sado i bukur që mund të jetë nuk do të ketë “publik”, nuk do të ndihmoj shumë…ndërsa nesër, druaj do të pajtohemi lehtë e shpejt se gabuam, u vonuam, por koha nuk do të kthehet prapa, jemi vonuar edhe herëve tjera dhe kemi paguar shtrenjtë heshtjen…
Ne ende nuk e kemi një inteligjenci të fuqishme, të lirë, të konsoliduar ekonomikisht dhe të pa varur dhe politikisht të emancipuar, por kjo që është dhe si është sot besoj se mundet dhe duhet të shoh gjendjen e vet ku gjendet, të mbroj lirinë dhe dinjitetin e saj për të mundur pastaj të mbroj e luftoj për lirinë, emancipimin dhe zhvillimin e shoqërisë dhe kombit që i takon.
Për fatin e mirë tonin, kishim në të kaluarën dhe kemi edhe sot shembuj të shumtë të intelektualëve që na mësuan se si punohet, jetohet e qëndrohet në ballë të furtunave dhe kërkesave të kohës e madje edhe si të vdiset, kur kjo është e vetmja përgjigje e mbetur… sepse “Është e domosdoshme që pema e lirisë sërish dhe kohë pas kohe të ujitet me gjakun e dëshmorëve dhe të tiranëve” – Thomas Jefferson.
Duke u frymëzuar me të kaluarën, me veprën e Rilindësve, biografinë e Hasan Prishtinës dhe qëndresën e Ukshin Hotit, intelektuali sot do të duhej ti qaset kolegut të tij të profesionit, e atij të moshës, kolegut të profesionit tjetër dhe moshës me të re e me të vjetër me qëllim që së bashku të arsyetohet ekzistenca dhe pritjet që ka shoqëria, nevojat që ka ajo në këto kohëra jo aq të qeta.
Duhet besuar në misionin individual të intelektualit e aq më shumë duhet besuar në fuqinë e bashkimit të tyre-inteligjencien tonë kombëtare, prandaj secili prej nesh ka për detyrë ti qaset tjetrit sepse në një shoqëri dhe komb të lirë ky mision i përbashkët nuk përfundon, por përkundrazi, pikërisht atëherë duhet të ndriçoj me gjithë energjinë e tij, dy dhe më shumë mendje gjithmonë bëjnë më shumë se sa një zë i vetmuar, apo trimi i mirë është me shokë shumë.
Shteti, shoqëria dhe populli presin një përgjigje të qartë të intelektualit dhe inteligjencies, ndërsa kjo përgjigje besoj me së miri do të vinte në formën e një Lëvizjeje të guximshme intelektuale, një Forumi të intelektualëve shqiptarë që do ti përveshej punës për të ndriçuar rrugën tonë përpara në këtë fillim Shekulli të Ri.