BEJTUSH ISUFI: VOTË PËR INTERES TË ATDHEUT, APO TË KLIENTELËS?!

Prishtinë, 24 maj 2017: Në Qershor shqiptarët shkojnë në zgjedhje, pra së paku me këtë rast duhet dhe pritet të flas e të dëgjohet sovrani. Në këtë kohë të mobilizimit qytetar e politik votuesi do të duhej të jetë në radhë të parë me interesin e atdheut, sepse vetëm ndaj tij qytetari ka obligimin e besnikërisë kushtetuese (patriotizmi kushtetues). Këtij interesi do të duhej ti nënshtrohen të gjitha interesat tjera duke përfshirë këtu edhe partitë politike të cilat nuk janë qëllim në vete, por vetëm mjete të shpenzueshme për realizimin e interesit madhor.
Mos dallimi dhe ngatërrimi i këtyre dy kategorive do të thoshte të mos dallohen lisat nga fshisat.
Në anën tjetër, po ashtu është e rëndësishme të konstatohet se qytetari do të duhej të mos e harronte as dallimin esencial ndërmjet qytetarëve anëtarë të partive politike dhe atyre që nuk janë anëtarë të asnjë partie politike. Anëtarët e partive politike detyrimet e tyre qytetare duhet ti ushtrojnë brenda partive duke i përgatitur ato për pjesëmarrje në procese të rëndësishme politike dhe planifikime strategjike në njërën anë dhe në anën tjetër duke i reformuar dhe demokratizuar ato dhe afruar me zgjedhësit dhe interesat e tyre konkrete.

 

Avokati Bejtush Isufi 

Me rastin e zgjedhjeve, anëtarët mobilizohen për të marrë pjesë në “ndeshjet” me kolegët e tyre të partive tjera, duke u përpjekur që me këto ballafaqime të bindin sa më shumë qytetar se pikërisht oferta e tyre është më e mira për të marrë përgjegjësitë e qeverisjes. Anëtarët e partive janë të obliguar të konkurrojnë, kritikojnë dhe arsyetojnë konceptet dhe propozimet e tyre brenda partisë së tyre politike deri në masën që të kërkojnë që dallimet ndërmjet grupeve të konsoliduara brenda partisë të legjitimohen edhe si fraksione, por përfundimisht nuk mund të mohojnë partinë e tyre duke favorizuar partinë tjetër sepse me këtë ata dëshmojnë se nuk mund ti takojnë partisë ku kanë vepruar deri në këtë moment.
Duke aspiruar pushtetin politik partitë do të dëshironin që të kishin sa më shumë anëtarë, sepse ndaj tyre kanë më shumë pushtet se sa ndaj qytetarëve tjerë jo anëtarë, mirëpo partitë bashkëkohore gjithmonë kanë një numër të kufizuar të anëtarësisë, ndërsa pjesa dërmuese e qytetarëve duhet të mos kenë asnjë shtërngesë tjetër në raport me partitë e më së paku nostalgjitë dhe “besën” për të vlerësuar drejtë punën dhe besimin e ushtruar në legjislaturat e mëhershme.
Përkundrazi, qytetarët që nuk i takojnë asnjë partie politike janë të lirë, kanë të drejtë dhe obligime që të marrin pjesë në qeverisjen e vendit, pra të ushtrojnë detyrat e sovranit duke u bazuar në interesat e mëdha dhe strategjike të vendit. Vendimi më i rëndësishëm që e marrin qytetarët brenda një dite të vetme në çdo 4 vite është zgjedhja e përfaqësuesve politik, andaj edhe ky vendim përcillet me procedura dhe transparencë maksimale dhe po ashtu këto vendime janë shumë të rëndësishme për jetën e një shoqërie për një periudhë jo aq të shkurtër.
Duke e pasur një mundësi dhe përgjegjësi të tillë qytetari do të duhej të ishte shumë i kujdesshëm dhe kritik ndaj partive politike duke u dhënë atyre përgjigje të qarta në formën e miratimit apo refuzimit qoftë të praktikave të mëhershme qeverisëse qoftë të programeve qeverisëse. Nëse reagimi i qytetarëve ndaj partive politike nuk është i qartë, pra nuk kuptohet mirë se çka ata miratojnë e çka refuzojnë, pra nëse partitë nuk marrin porositë e qarta nga qytetarët e as qytetarët nuk e kuptojnë se si do te qeveriset vendi në emër të tyre në të ardhmen, kjo do te çorientoj plotësisht demokracinë, dobësojë legjitimitetin dhe pamundësoj qeverisjen e mirë.
– Autori është avokat.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura
Read More

SNOBIZMI

SNOBIZMI Nga Xhelal Zejneli, Shkup – gusht 2023  Rrjedhat e kulturës gjithmonë e kanë mbartur me vete snobizmin…