BEQIR ELSHANI: ARKITEKTURA SIPAS KOHËS DHE VENDIT

(Pashtriku.org, 19. 07. 2012) – Në kulturën e hershme të njerëzimit shtëpia ka qenë qendër kristalizuese për përparimin e njerëzimit dhe vendtakim i festave e tubimeve të ndryshme rituale. Qysh prej fillimit njerëzit kanë ndërtuar shtëpi për kushtet dhe nevojat e jetesës së tyre, por edhe për t’u mbrojtur nga klima e ftohtë dhe kafshët e egra. Pavarësisht në cilën kohë, shtëpitë janë ndërtuar sipas rrethanave shoqërore dhe ekonomike sa për të siguruar kulmin mbi kokë. Siç dihet, në kulturën e hershme, dielli ka qenë burim i dritës, ngrohtësisë dhe i të gjitha të mirave, prandaj shtëpitë janë ndërtuar me fytyrë kah jugu. Sipas besimeve mitologjike shtëpitë janë ndërtuar në formën e katërkëndëshit që paraqesin katër anët e botës dhe kulmi oval që paraqet kupën e qiellit. Krahas ngritjes së objekteve është zbatuar edhe arkitektura tradicionale dhe bashkëkohore e vendit dhe popullit, prandaj kur një ndërtesë merr formë artistike quhet arkitekturë.
Edhe pse piramidat (rreth viteve 2680-2150 para erës sonë) në Giza të Egjiptit janë ndërtuar sipas kultit të vdekjes së faraonëve, megjithatë ato janë përdorur për shënimin e orëve të ditës dhe stinët e vitit. Duhet pasur parasysh se gjatë balsamimit të trupit të faraonëve në faltore priftërinjtë arritën të njohin ndërtimin e trupit të njeriut dhe organet e brendshme në trupin e njeriut. Kështu egjiptianët, për herë të parë zbuluan zemrën si organ qendror i njeriut, sistemin e qarkullimit të gjakut dhe sistemin nervor, të cilët e përshkruan që zemra është qendër e arsyes, dëshirës dhe emocioneve. Me kalimin e kohës, priftërinjtë duke u marrë me balsamimin e trupit të faraonëve, arritën të bëhen mjekë të parë në historinë e njerëzimit, të cilët u morën me shërimin e të sëmurëve. Pastaj falë kultit të varrimit në piramidë janë ruajtur të gjitha shkrimet e hieroglifit dhe vizatimet e shumta sipas besimit të kultit, duke përfshirë botën bimore dhe shtazore: të maces, lejlekut, luanit, qenit, krokodilit, luleve, pemëve, diellit dhe shumë e shumë krijesave në tokë e në galaktikë. Egjiptasit e vjetër ishin inteligjentë dhe kurreshtarë pas diturive, ndaj duke numëruar rrathët e disa pemëve të vjetra, arritën të zbulojnë moshën e pemës, kurse me ndihmën e hijes së piramidës së lartë matën kohën, me anën e së cilës dinin sa është ora.

…………………………………..

PIRAMIDAT NË GIZA TË EGJIPTIT

………………………………….

Kështu egjiptasit e vjetër arritën të zbulojnë perosnalitetin e tyre, shkrimin e ngatërruar që quhet hieroglif, kurse me anën e gdhendjes në gur e në papirus arritën të masin kohën, shkencën e mjekësisë, matematikës dhe astronomisë. Egjiptasit e vjetër ishin të parët që bënë zhdorimin e vitit në 365 ditë, pastaj ditët në 24 orë, kështu që: 10 ditë bënin një javë, kurse 3 javë bënin një muaj, pastaj 4 muaj bënte një stinëviti, kurse tre stinëviti me 5 ditë të shenjta bënin një vit. Ora e ujit që është përdorur në Egjiptin e lashtë, ishte bërë e zakonshme. Një enë me vija të shkallëzuara e mbushur me ujë, rridhte në fund të enës. Koha shikohej me anën e nivelit të ujit në vijën e enës. Prandaj edhe sot fjala përdoret fjala e urët sa më shumë ujë që rrjedhë, aq kohë kalon.
Piramida e faraonit Keops është e lartë 148,20 metra, masë që lidhet me largësinë e shumëzuar Tokë – Diell prej 148 208 000 km, dhe është e orientuar në katër pika të horizontit. Sipas besimit mitologjik, shkallët e piramidës ishin për ngjitje në drejtim të qiellit për t’iu afruar zotit të diellit – Ra. Siç dihet, deri në fillim të vitit 1900 piramida e Keopsit ka qenë ndërtesa më e lartë në botë, që është baras me një ndërtesë 56 katesh. Prandaj me të drejtë mund të thuhet se arkitektët në Egjiptin e vjetër me përkushtim kanë punuar për ngritjen e ndërtesës së lartë, që në vitin 2500 p.e.s. ka qenë fitore më e madhe se ndërtimi i kullës së Ajfelit në vitin 1889.
Synimi i faraonëve ka qenë që me anën e shkallëve të ngjitet drejt zotdiellit Ra dhe kishte kokën e skifterit, meqë skifteri fluturonte më lartë në qiell, do të thotë më “afër” diellit, prandaj zotit Ra i dhanë kokën e skifterit dhe ishte sundues i qiellit, tokës dhe botës pas vdekjes. Ashtu siç kishin zbuluar egjiptianët e vjetër papirusin për gdhendjen e hieroglifit, lëvizjen e yjeve në qiell, moshën e druve të vjetër, lulen e bukur – lotusin, sipas së cilës u dekoruan shtyllat e mëdha të faltores në Luksor dhe shumë shpejt u përhap në mbarë botën, arritën të mësojnë për shkathtësinë e skifterit që fluturonte më lartë se të gjithë zogjtë tjerë dhe qëndron pezull në mes të ozonit, gjithashtu më të fortë, për të cilën shkenca ka vërtetuar që skifteri vështron në largësi prej tetë kilometrash.
Për t’i nxjerrë gurët prej shkëmb granitit, mjeshtrit futnin pyka të drurit, pastaj i lagnin me ujë, kështu arrinin të çanin gurin në forma të ndryshme. Piramidat në Egjiptin e vjetër kanë një rëndësi vendimtare për formën e tyre të ndërtuar me gurë të mëdhenj natyrorë që peshonin afër 3 tonë dhe janë ndërtuar me metoda primitive, që për ne është një histori e tërë e shkruar në gurë, në të cilën kanë punuar me mijëra zdrukthëtarë, muratorë, gdhendës guri, skulptorë, arkitektë dhe piktorë tjerë për të ndërtuar pallatin madhështor të faraonit. Në hyrjen kryesore të faltores në Luksor gjendet obelisku i lartë katërkëndësh monolit (është ndërtuar rreth vitit 2500 p.e.s.) që po ashtu në kohën e faraonëve simbolizonte zotin e diellit Ra, me anën e të cilit tregohej ora e saktë dhe tre stinët e vitit: vërshimi, bimësia, dhe korrja. Në vazhdim, obelisku nuk ishte vetëm një shtyllë e thjeshtë monolit, sepse në të katër faqet e tij prej themelit deri në maje ishin gdhendur hieroglifet. Si përmendore e lavdishme, obelisku shumë shpejt është përhapur në mbarë botën, si në fushën e artit ashtu edhe të letërisisë. Mitologjia greke kishte krijuar Pegasin që simbolizon muzën e krijimtarinë, po kështu edhe obelisku që i paraprin pegasit, simbolizon ngjitjen e krijimtarisë letrare, gjuhësore, muzikore, kulturore dhe shkencore drejt diellit në qiell, prandaj është përhapur edhe në Europë e në ShBA.

……………………………………

The Stonehenge Conspiracy

……………………………..

Në të njëjtën kohë, rreth viteve 3100 dhe 1200 p.e. sonë, është ndërtuar kompleksi Stonehenge në jug të Anglisë. Emri Stonehenge vjen nga anglishtja stanhengist që do të thotë “gurët e varur”. Konstrukti është një rreth me gurë pingul, që shërbente për të shënuar lindjen e diellit midis verës dhe perëndimin e hënës midis dimrit. Konstrukti me gurë të mëdhenj në formë unaze mund të shihet prej së largu. Gjithashtu dijetarët mendojnë se monumenti është përdorur si vend kulti megalit dhe si observator astronomik për vrojtimin e diellit, hënës dhe yjeve. Më vonë keltët e përdorën si vend rituali për sakrifikimin e njerëzve për zotat e tyre. Prandaj ndërtimi i tempujve në kohën e vjetër ka qenë i rëndësishëm jo vetëm për motive religjioze, por edhe për motive ekonomike – për mirëqenien e njerëzve.
Më vonë në Lindje nis ndërtimi karakteristik i kubesë në trajtë gjysmërruzulli, i cili porsi unazë lidhte muret e ndërtesës. Teknika e ndërtimit në formë të kubesë qiellore përhapet edhe tek romakët, të cilët në shekullin e dytë të erës sonë ndërtuan Panteonin në Romë me një vëllim prej 43 metrash. Kjo harmoni e ndërtimit arkitektonik të kubesë arrin edhe në kulmin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës në Prishtinë, e cila mban 99 kupola simbolike që si e tillë paraqet identitetin e vendit dhe të popullit shqiptar. Me fjalë të tjera, arti dhe arkitektura gjithmonë kanë qenë pararojë për identitetin kulturor të njerëzimit, që me të drejtë populli u ka dhënë emra sipas stilit dhe kohës së ndërtimit të tyre, siç thotë populli se shtëpia ndërtohet njëherë.
Të kemi parasysh se ardhja e topave në shekullin e 15-të i detyroi mjeshtërit e mëdhenj të artit, Leonardo da Vinçin dhe Mikelangjelon, të cilët projektuan idenë për mbrojtjen e kështjellës nga sulmi i topave me gjyle. Në fillim muret e kështjellës ishin ndërtuar drejt (me sharapolle dhe me bedena), sa për të penguar hyrjen e këmbësorisë armike, më vonë, për shkak të sulmit të fuqishëm me topa, mjeshtërit e mëdhenj u detyruan të ndërtonin kështjella me mure të trasha dhe me qoshe, në mënyrë që të përballonin sulmin e topave në të gjitha anët. Kjo do të thotë se nevoja i kishte shtyrë mjeshtërit e mëdhenj që të ndryshojnë formën e ndërtimit.
Prandaj të mbrosh dhe të zbatosh me këmbëngulje një mendim a një ide atdhetare; të ruash dhe të mbrosh me zell traditën, gjuhën dhe kulturën kombëtare është veti e mrekullueshme. Gjithashtu të ruash dhe të mbrosh me besnikëri thesarin e artit dhe arkitekturës kombëtare të vendit, siç janë përmendoret historike dhe kulturore, pastaj bukuritë natyrore siç janë pyjet dhe lumenjtë, është një zell i pashembullt. Si përmendore historike janë edhe kullat me frëngji në Kosovë, me dritare të vogla, që shërbenin për të vëzhguar dhe për të qëlluar armikun me armë, të cilat gjenden kryesisht në Junik e në Drenicë. Shkencërisht dihet se shtëpia më e bukur është me dritare të mëdha për ndriçimin e mjaftueshëm të dhomave, mirëpo pushtuesit e huaj ua impononte nevojën që banorët të ndërtonin kulla me frëngji për mbrojtje nga sulmi i armiqësor. Ndërtimi i shtëpive në zonat kodrinore kishte edhe pozitën strategjike, me anën e së cilës banorët nuk e zënin tokën e bukës, por edhe mund të vështronin rrethin në rast sulmi nga armiku. Një shembull i tillë është Prizreni ynë i vjetër, i cili nuk është ndërtuar në ultësirën e lumit Dri, por rrëzë bjeshkëve të Sharrit dhe Pashtrikut. Po sikur të ndërtohej Prizreni në ultësirën e Drinit, atëherë do të zihej një sipërfaqe bukur e madhe e tokës së bukës. Kjo do të thotë se banorët e këtij vendi me kohë kanë kuptuar rëndësinë dhe strategjinë e ndërtimit të qytetit, njëkohësisht edhe tokën e bukës. Pushtuesi serb ua impononte nevojën që fshatarët të rrethonin oborret me mure, në mënyrë që të pengonin përgjimin dhe sulmin nga ana e agjenturës serbe. Siç dihet muret e ndërtuara me qerpiç, edhe pse primitive e të mundimshme, megjithatë janë të qëndrueshëm ndaj plumbave të armikut. Gjatë demonstratave të zjarrta të popullit shqiptar për liri dhe pavarësi të Kosovës, muret e oborreve me qerpiçë kanë pasur rëndësi shumë të madhe për strehimin e demonstruesve nga forcat e shumta policore-ushtarake serbe. Prandaj oborret e rrethuara me mure ishin një formë e kështjellës vendore për mbrojtjen e familjes nga sulmet barbare.

………………….

Vushtrria dhe monumentet e Trashëgimisë Kulturore

…………………………..

Ndërtimi më i lavdishëm dhe emocionues në të kaluarën tonë ka qenë ndërtimi i urës mbi lumë, i cili me të drejtë ka zënë vend në folklorin shqiptar. Thuhet se ideja e ndërtimit të urës me një dru së pari ka filluar të zbatohet në lumenjtë e vegjël duke vendosur një trap. Ashtu siç kanë qenë perënditë kundër Prometheut gjigant, i cili njerëzve ua dhuroi zjarrin, në mënyrë që të jetojnë të vetëdijshëm dhe të lumtur; ngjashëm kanë qenë edhe pushtuesit e huaj kundër ndërtimit të urës mbi lumë. Pushtuesit e huaj nuk donin që populli shqiptar të jetë zot i fateve të veta. Një nga urat legjendare ishte edhe Ura e Fshejt mbi Drinin e Bardhë. Më vonë ndërtohet ura që lidhë trevën e Hasit me magjistralen Prizren-Gjakovë. Ura mbi lumë shërben jo vetëm për të kaluar njerëzit dhe kafshët, mjetet transportuese, por edhe për të lidhur dy anët e një vendi për bashkëpunim shoqëror e ekonomik të popullit. Përveç kësaj, ndërtimi i urës dhe rrugës në drejtim të qytetit hap shtegun për emancipimin kulturor të popullit, njëkohësisht hap shtegun për lidhje martesash në mbarë vendin. Sipas kulturës islame ura simbolizon mençurinë dhe zgjuarsinë, e cila mundëson kalim të shpejtë dhe të sigurt. Sot kalimi në urën mbi lumin Drini Bardhë të kujton mbytjen e shkrimtarit Pjetër Budi nga ana e qarqeve reaksionare serbe, por të emocionon për mrekullinë e saj që i lidhë fshatrat shqiptare, si në fushën kulturore, ashtu edhe në fushën ekonomike.
Konkretisht, aq sa është ndërtuar Prizreni bashkëkohor, po aq edhe është dëmtuar Prizreni karakteristik i vjetër me origjinalitetin e tij arkitektonik: me rrugica të ngushta dhe me çezme të shumta; me shtëpi të shpeshta dhe me ura harkore mbi lumë. Këtë qytet sa të vjetër po aq edhe të bukur e ndan lumi i kthjellët Bistra që zbret prej bjeshkëve të Sharrit dhe me vrull derdhet në Drinin e Bardhë. Të shkatërrohen objektet e vjetra tradicionale të gërshetuara me thesare të kulturës tradicionale ilire-shqiptare dhe në vend të tyre të ndërtohet një objekt i dhunshëm është sikur të detyrosh lumin të ngjitet në drejtim të bjeshkës, kur dihet se burimin e ka në bjeshkë, kurse shtratin në det. Aktualisht kulla e mirënjohur e Pizës në Itali 55,2 metra e lartë është e shtrembër 4 metra dhe ende vazhdon të shtrembërohet, prandaj të gjithë arkitektët bashkëkohorë investojnë mjete për kohëzgjatjen e ndërtesës së shtrembër, e cila është bërë kureshtare dhe sinonim që tërheq vëmendjen e dijetarëve dhe vizitorëve të ndryshëm nga të gjitha anët e botës. Falë kullës së shtrembër, qyteti shumë pak i njohur ka marrë lavdinë krahas Venecias, Romës, Athinës, Vjenës, Parisit, etj. Shembja e kullës së Pizës për qytetin, njëkohësisht do të thotë humbja e numrit të madh të turistëve që vijnë për ta vizituar qytetin, ngjashëm siç zhduken zogjtë pas prerjes së pyllit të madh dhe peshqit pas tharjes së lumit.
Ndryshe me botën e qytetëruar në vendet e Europës perëndimore, ku objektet e vjetra mbrohen me ligj, në Kosovë janë bërë ndërtime të skajshme, shumë të çoroditura, vetëm për inat të mjedisit kulturor dhe natyror shqiptar. Ndërtim i skajshëm do të thotë kur për inat të popullit autokton shqiptar ndërtohet një objekt pa trajtë në formë të kiçit, sa për të penguar qarkullimin kulturor dhe ekonomik të banorëve në qytet, për të shtrembëruar historinë e popullit shqiptar, njëkohësisht për të shkatërruar konstruksionin e arkitekturës tradicionale kombëtare. Pikërisht sot, për inat të popullit plis-bardhë në oborrin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, si dhe në gjirin e Qendrës Universitare të Prishtinës, është ndërtuar një kishë ortodokse serbe. Prandaj ndërtimi i objektit të përçudnuar i projektuar nga qarqet e reaksionit serbomadh të Beogradit është kundër emancipimit dhe arsimit të popullit shqiptar, që do të thotë se mesjeta e skëterrës së tmerrshme serbe po zbatohet me dhunë. Dihet se çdo pushtues ka llogaritë e veta, ndërton kështjella dhe kisha apo xhami sipas kulturës së tyre pushtuese, siç ishte stili romak, bizantin dhe ai lindor. Në dallim prej tyre, serbët me rastin e vendosjes në trojet shqiptare, bënë rivendosjen e kishave katolike, të cilat i kthyen në kisha sllavo-ortodokse. Këtu fillon zanafilla e dhunimit të arkitekturës shqiptare me anën e ndërtimit të kishave për inat të shqiptarëve krishterë, edhe pse nuk ishin të domosdoshme, e tërë kjo bëhej për qëllim të ekspansionit të tyre serb. Dukuri e ngjashme ka ndodhur edhe me ndërtimin e qendrës tregtare “Liria”, pranë Urës së Gurit në Prizren, duke shkatërruar rrënjësisht Çarshinë e Vjetër dhe Shatërvanin, sheshin më të bukur të qytetit. Këto pamje karakteristike të qytetit të vjetër mund të shihen vetëm në fotografitë e vjetra në Muzeun Historik në Prizren.

……………………………………

Prizreni i lashtë iliro shqiptar shtepia e Musa Shehzades

………………………………………

Ndërtesat e tilla e dëmtonin planimetrinë e qytetit, por edhe brendësia e ndërtesës nuk i përshtatej strukturës së shërbimit afarist. “Arkitektët” e invadimit politik jo vetëm që nuk duhej shkatërruar qytetin e vjetër, por edhe ndërtimi i objekteve të reja duhej përshtatur sipas natyrës dhe pozitës arkitektonike të qytetit. Vetëm prania e Prizrenit në mes të bjeshkëve të larta të Sharrit dhe Pashtrikut kërkon që qyteti të ketë një arkitekturë karakteristike që për nga veçoritë e saj dallohet në tërë Ballkanin dhe Evropën. Me fjalë të tjera, më lehtë është të ndërtohet Prishtina bashkëkohore si kryeqendër e Kosovës, se Prizreni i lashtë tradicional shqiptar, që është ndërtuar nga duart e mjeshtërve të mëdhenj shqiptarë. Vlen të theksohet se pushtuesi turk përveç ndërtimit të xhamive me kupola dhe me minare të larta, hamameve dhe kështjellave, nuk solli ndonjë stil të veçantë në vendbanimet shqiptare. Përkundrazi ata përdorën teknikën, stilin dhe elementet arkitektonike të vendit tonë, të cilat i përvetësuan me anën e mjeshtërve tanë. Zaptuesit e ndryshëm të huaj kishin hyrë dhe kishin dalë, mirëpo mjeshtërinë e tyre të ndërtimtarisë kurrë nuk arritën ta zbatonin, meqë mjeshtërit dhe materiali ndërtimor ishin të vendit. Kjo të përkujton kryqëzimin e fisit bullgar (një fis turk), të cilët pushtuan Bullgarinë e sotme, por vetë u sllavizuan. Derisa piktorë të njohur shqiptarë të fesë katolike kishin pikturuar në katedrale të ndryshme të Italisë, arkitektët shqiptarë të fesë myslimane kishin ndërtuar xhami të bukura në Stamboll dhe qytetet tjera të Azisë së Vogël. Me të drejtë mund të thuhet se mjeshtërit më në zë shqiptarë, dikur në të kaluarën tonë historike, në rrethana pushtuese, kanë ndërtuar kështjella, ura, kisha, xhamia, në vendet e ndryshme të Gadishullit Ballkanik, si dhe në Itali, në Austri dhe në vende të ndryshme të Azisë. Prandaj çlirimi dhe bashkimi i trojeve shqiptare në trungun e Shqiperisë etnike do të angazhonte të gjitha mendjet e ndritura kombëtare shqiptare që atdheun e tyre ta ndërtojnë, dhe ta bëjnë sa më të fortë dhe sa me të bukur. Sipas fjalës së urtë: bashkimi bën fuqinë, kuptohet se ky bashkim kombëtar do të largonte kompleksin e robërisë shekullore nën pushtuesin e egër serb, që pastaj do të merrej me zhvillimin dhe ndërtimin e vendit krahas shteteve evropiane.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura