BEQIR ELSHANI: UDHËTIMI I OBELISKUT PREJ LUKSORIT NË PARIS

Suedi, 22. 04. 2015 – Nëse sipas fjalës së urtë latine thuhet që Roma nuk është ndërtuar për një ditë, atëherë edhe për Luksorin buzë Nilit duhet të thuhet se nuk është ndërtuar për një vit, kur të merren parasysh kushtet e punës shumë primitive në krahasim me Kohën e Romës së vjetër. Pikërisht sot Qendra Amerikane për Hulumtime Kozmike në Hjustoni ka kapacitet të madh shkencoro-teknik, mjete pune e financiare për fluturimin e anijes kozmike në gjithësi, prandaj në kushte të njëjta shkencoro-teknike dhe me mjete pune ishte arkitektura egjiptiane në epokën e gurit.
Fill pas pushtimit të Egjiptit, në vitin 1836 ushtria e Napoleon Bonapartës prej faltores së Luksorit e mori njërin obelisk të mbuluar me hieroglifë dhe fotoshkrime me peshë prej 250 tonelatash dhe me gjatësi prej 23 metrash duke ia kthyer shpinën Luksorit të lavdishëm, kaloi detin Mesdhe deri në Havar, qytet në veriperëndim të Francës, pastaj nëpërmjet lumit Sena lundroi drejt Parisit dhe u vendos në sheshin Konkorde. Sipas shkrimeve historike flitet se mbreti i Egjiptit, Mehmet Ali Pasha, në vitin 1929 Francës ia kishte dhuruar dy obeliskët e faltores së Luksorit, të cilët janë ngritur për nder të Ramzesit II-të rreth vitit 1250 para erës sonë, mirëpo njëri prej tyre në vitin 1836 shkoi mu në vendin “Place de la Concorde” të Parisit.

Obelisku i faltores së Luksorit, në “Place de la Concorde” të Parisit.

Lavdia e obeliskëve nuk është vetëm te skalitja e saj artistike, por edhe sepse kishte mbijetuar një kohë shumë të gjatë, duke ruajtur me besnikëri artin dhe kulturën e lashtë egjiptiane. Prandaj, derisa me një anë Parisi u pasurua dhe u zbukurua me obeliskun hyjnor, në anën tjetër Luksori u varfërua dhe u shëmtua pa thesarin e tij burimor. Sot turistët që vizitojnë Luksorin e lashtë, që në popull njihet si minierë e granitit, do të shohin obeliskun jetim, meqë lapidari i tij binjak është shpërngulur në Paris. Kështu veprojnë edhe gjurmuesit egjiptianë, obeliskun e tyre që ka lindur në Luksor, me nostalgji e vizitojnë në Paris. Flitet se organet e pushtetit të sotëm të Egjiptit kërkojnë që francezët t’ua kthejnë obeliskun e dhuruar, prej nga e kanë marrë para dy shekujsh. Sa thesare të mëdha janë vjelë nga vendet e lashta, në Egjipt e në Mesopotami, nga vendet anembanë botës, mirëpo kurrë nuk janë kthyer. Megjithatë, kur është fjala për bashkimin e dy obeliskëve, atëherë i takon obeliskut në Paris që të kthehet në vendlindjen e tij – në Luksor.
Për këmbimin e obeliskut të vjetër tre mijëvjeçar të faltores në Luksor, egjiptianët morën një orë të vjetër, për të cilin thonë se kurrë tik-taku i saj nuk kumboi, as kohën e saktë nuk e tregoi. Merreni mend, civilizimi egjiptian që botës i kishte dhënë bazat e diturisë në të gjitha fushat e shkencës dhe jetës: i dha papirusin që me të drejtë në mbarë botën quhet nëna e letrës; pastaj hieroglifët e shenjtë, piramidat e Gizës që janë e vetmja prej shtatë mrekullive në botën antike, që nuk janë zhdukur. Kështu egjiptianët në shekullin 18-të francezëve ua dhuruan obeliskun vendor që me mijëra vite kishte përballuar tërmetet, stuhitë dhe luftërat e ndryshme prej kohës së faraonëve deri te mbreti – Mehmet Aliu Pasha.
Piramidat kanë përjetuar luftën edhe me ushtrinë e madhe e të fuqishme të Lekës së Madh, megjithatë egjiptianët para diplomacisë franceze janë gjunjëzuar. Dikur, deri para dy shekujve, në hyrjen kryesore të faltores në Luksor gjendeshin dy shtylla monolite prej graniti, të skalitur me mjeshtri dhe të gdhendur me fotoshkrime të kulturës së lashtë egjiptiane, siç janë hieroglifët. Për të vendosur sot një obelisk monolit në mes të sheshit, ndonëse me mjete të teknikës bashkëkohore, duhen me dhjetëra punëtorë; po ashtu me dhjetëra ditë. Prandaj parashtrohet pyetja, sa punëtorë, sa kafshë dhe sa mjete të thjeshta pune u është dashur egjiptianëve të vjetër për të nxjerrë granitin në Tebe, pastaj me anën e trapit të kalojnë Nilin dhe ta vendosin në Luksor? Përveç kësaj, shkrimet e vjetra egjiptiane tregojnë, se po qe se konstrukti i obeliskut dëmtohej gjatë gdhendjes dhe bartjes, atëherë mjeshtërit detyroheshin të nxirrnin një tjetër shtyllë graniti prej vendit shkëmbor dhe ta latonin derisa të arrihej qëllimi përfundimtar.
Obeliskët në Egjiptin e lashtë ishin krijuar sipas besimeve të kultit ndaj diellit dhe faraonëve të vendit, prandaj nuk e kishin vendin nëpër vende të ndryshme të Europës. Derisa në kohën e faraonëve kishin rolin e kultit të besimit, në kohën e re në Europë nuk mund të kishin të njëjtin rëndësi, pos që mbetej si monument i blerë historik prej një vendi tjetër. Obeliskët janë të mirë, kur janë qift në hyrjen kryesore të tempullit, prej nga arkitektët nuk i kishin vendosur obeliskët formalisht, por me motive shumë të rëndësishme të kohës së tyre. Duhet marrë shembull sfinksin, trupore me kokë njeriu dhe me trup luani, në Giza, rreth 22 metra i lartë dhe 70 metra i gjatë që simbolizonte mbrojtjen e mistershme të piramidave, prandaj edhe ngritja e dy obeliskëve në hyrjen të Luksorit kishin të njëjtin simbol të truprojës në faltore. Pa dyshim që obeliskët ishin kult i kohës së lashtë i faraonëve egjiptianë, të cilët u krijuan në atë kohë, dhe nuk i krijoi asnjë popull tjetër. Me të drejtë Egjipti do të thoshte, unë ua dhashë idenë e ndërtimit të arkitekturës, kulturën dhe artin, ua dhashë mjekësinë, diturinë e botës bimore e shtazore, prandaj pse po më keqpërdorni për qëllime komerciale. O sa lutje dhe sa nderime janë bërë nga njerëzit e ndryshëm, gjatë vizitës së faltores në Luksor.
Për habi, derisa me një anë, me shekuj mbrohet kulla e pjerrët në Piza të Italisë (që të mos shkatërrohet nga rrëzimi natyral), së cilës njerëzit i dëshirojnë jetë të gjatë, në anën tjetër hiqet obelisku hyjnor prej Luksorit në Egjiptit, që konsiderohet një ndër thesaret më të mëdhenj në botë dhe për dy muaj kalon përgjatë Detin e Madh – prej Aleksandrisë në veriperëndim të Francës. Dallimi është se po t’i dhuronte Napoleon Bonaparta Mehmet Ali Pashës cilindo përmendore historike, siç bëhet këmbimi i mallit me mall, duket qartë që Ministria e Kulturës në Francë do ta kundërshtonte një veprim të tillë. Tani parashtrohet pyetja pse Ministria e Kulturës Egjiptiane nuk e kundërshtoi me kohë vendimin e mbretit të Egjiptit për të mos e larguar obeliskun madhështor të kultit diellor që kishte jetuar 3000 vjet. Këtu shihet dallimi mes Francës dhe Egjiptit, që fatkeqësisht Ministria e Kulturës Egjiptian ishte e paaftë për ruajtjen e eksponateve të vjetra që ishin thesar për Egjiptin. Shpeshherë ciceronët në qytete të lashta në Egjipt gjatë vizitës së turistëve të huaj me keqardhje u tregojnë për mungesën e disa monumenteve të vjetra, për shkak të shpërndarjes së tyre nëpër qytete të ndryshme të Europës. Prandaj egjiptianët nuk duhej dhuruar obeliskun e përjetshëm dhe autokton, me cilindo objekt të shtrenjtë, ta këmbenin francezët apo italianët. Sot obelisku në Paris është një nga përmendoret më të rëndësishme të kulturës së lashtë egjiptiane. Prandaj derisa ora me kalimin e kohës amortizohet, obelisku i kohës së faraonëve mbetet i përjetshëm.

……………………………

Obelisk of Luxor, Paris, France 9/14/2014

Paris (France) Travel – Luxor Obelisk

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura