BESIM CENGU: ‘AS-I NËN MËNGË’ NË KËRKIM TË IDENTITETIT KRIJUES…

Tiranë, 30. 11. 2016: (Rreth vëllimeve të poetes Trëndafile Visha: “M’i kanë vjedhur sytë…” dhe “I njëjti fat në 100 udhëtime”) – Trëndafile Visha me dy vëllimet “M’i kanë vjedhur sytë…” dhe “I njëjti fat në 100 udhëtime” si në planin artistik, ashtu edhe filozofik e social, ka diskursin e saj të orjentuar qartë. Krijimet artistike janë një guide nëpër shpirtin njerëzor duke kërkuar identitetin dhe veten deri te hiri i Trojës… dmth, kërkon rrënjën që nga zanafilla e krijimit, sepse atë e tremb më shumë dyzimi në “shenjën” e vet që në fakt nuk është thjesht shenjë personale, por e të gjithëve, është shenjë identifikuese për të gjithë ne. Sipas saj “është zhdukur kufiri ekzistencës dhe mosekzistencës”, dhe, se “ka kohë që karriget e parlamentit janë shtrembëruar prej mbipeshës e më diturve se ne” përballë plakut të lagjes “që ka kohë që i dridhen duart kur i duhet të paguar një kafe”. Pikërisht për këtë substancialisht është interprete e kohës së absurdit tonë të përditshëm.
Janë ekstremizuar raportet njerëzore deri në këtë përmasë apokaliptike. Prandaj pothuajse në të gjithë krijimet ka një gjendje dilematike prej ku do të përplaset njeriu: te urbaniteti i rrëmujshëm e kaotik, apo atje ku fëshfërijnë gjethet e gurgullon uji i freskët, që vijnë në krijimet artistike të autores si palimpsest i fillesës së jetës.

Autorja dhe tipologjia e saj krijuese është (siç e përcakton Frojdi) “një përzierje në kohë” që nuk mund t’i shpjegojë ëndrrat e saj. As nuk mund të ndalë rrjedhën e jetës që ecën e ecën pa kuptuar si te “Shkretëtira e Tatareve” e neorealistit Dino Buxatit. Prandaj kolovitet jeta e krijueses (dhe jo vetëm e saj) përtej rrëshqitjes së rrjedhës së jetës. Herë arratiset në vendin e lindjes, herë vjen në grumbullin e mizave në jetën e përditshme herë boshe e herë e pistë, herë pa kuptim e herë e shpërlarë me ndonjë rreze dielli që përvidhet prej ndonjë të çare reje. Përmend diellin në shumë raste, me shpresë se do të dalë një ditë, por flet me “arrë në gojë” pastaj, se zhgënjehet nga vegimi zhgënjyes.
Kur mbaron së lexuari librat Trëndafilja vetë ngjan realisht me ”një mal që ecën ngarkuar herë me llavë e herë me akull” siç e thotë vetë ajo. (Udhëtimi i një të paudhe).
Në këtë kohë globaliste të gjithë jemi në kërkim të identitetit, por mbi të gjithë të tillë janë hulumtuesit shpirtërorë, artistët. Në fakt, sot jemi në kërkim të identitetit të njeriut si specie në ndryshim dinamik të vrullshëm thellësisht e gjerësisht në Epokën e Re të Rendit të Ri Botëror. Shekulli i ri ka sjellë në skenën e jetës njeriun e epokës së re bashkë me komplekset që ka. Në thelb, arti duhet t’i përkasë epokës së re që jetojmë, bashkë me specifikat që mbart. Trëndafile Visha e ka kuptuar mjaft mirë këtë domosdo të kohës. Prandaj ajo tingëllon ndryshe në opusin e saj krijues, ka tjetër staturë, tjetër ritëm e tjetër trok. Ajo e shikon jetën me numrin real të syzeve.
ARRATISJA PREJ NARRACIONIT…
Narracioni është sëmundja e artit tonë përgjatë gjithë shekullit që iku. Është sëmundje edhe sot për fat të keq. Prandaj në këtë drejtim jemi ende në kënetën e tradicionalitetit narrativ që nuk na thotë ndonjë gje kushedi se çfarë kur bëjmë fjalë për artin e njëmendët. Kjo ka bërë të kemi mbetur kryesisht vetëm brenda gardhit tonë, brenda konceptit dhe mentalitetit të krijimit pa ndonjë tentative serioze për ta shpërthyer atë e për të parë ndonjë gjë të re përtej tij. Kjo kiçkulturë e ky kiçart, i ka dhënë produktit bashkëkohor artistik kolektiv në vendin tonë një trahmë provincialiste që është karakteristikë e artit në krizë. Dhe arti në krizë është sigurisht produkt i një shoqërie në krizë tipikisht si e jona.
Hapat artistikë të Trëndafile Vishës për tu arratisur me krijimet e saj prej narracionit, konsiderohen së pari guxim intelektual. Së dyti, edhe si risi artistike që sjell elementin e ri e teknikën operuese tjetërlloj që ngjall këshërinë tonë dhe i imponohet vetëdijes kolektive krijuese me kërkimin dhe intelektualitetin e vet. Ajo përjeton, nuk rrëfen. Operon me detaje, nuk sqaron. E lë kohën të rrjedhë sipas drejtimit të saj, nuk tenton ta ndalë. Po kjo është në fakt kuntrapunt dhe oponencë krijuese me rrugën e hapur të krijimit të deritashëm. Krijime alla O’Henri por i ardhur në epokën tonë. Kjo mënyrë trajtimi artistik është edhe risi, edhe kontribut për të patur një paraqitje tjetër artistike nëpërmjet një udhe të re dhe origjinaliteti krijues që është eksluzivisht I vetë autores.
“Bota kaotike e vogël” e njeriut të sotëm duhet të përballojë agresionin që i shkërmoq personalitetin, i cili është në rrezik serioz. Në çaste harlisjeje artistike autorja thotë: “Hajde merre vesh çfarë njeriu jam? A erë e butë vjeshte, a flutur e hurruar? Adoleshente e droguar apo kolonë zanore e luajtur nga djajtë? A bisht pëllumbi nën kokën e një indiani apo skelet i pazbuluar…? Ndjej se më paskan dërmuar.” Kjo është gjendja e njeriut në kohë krize shpirtërore. Prandaj krijuesja në përkushtimin e fillimit në libër thotë: “Ky libër jam unë. Je ti. Jeni ju. Autorja tenton “një arrati fati që në lindje” për të gjetur veten, por nuk beson (Arrati nga terri).
Dmth, guxon të përcjellë mesazhin se duhet një rrugë e re, e cila duhet të kuptohet deomos nga kjo “botë e vogël kaotike” që ndodhet në udhëkryq dhe që është në misionin dhe ëndrrën e vet modeste, të ndërtojë e të ngjiz te të tjerët konstitucionin e ndërlikuar shpirtëror, social, filozofik dhe artistik. Te poezia “Mos ma fshijë rrugën” Trëndafile Visha shprehet: “…Mos ma fshi rrugën!/ Lëre me flokët, buzët, hapat e sytë e mi!/ E dua mpleksur me gjithçka timen,/ me veset dhe dashuritë…”
MIDIS HARRESËS DHE MOSHARRESËS…
Përveçse produkt artistik në kohë krize, njëherit krijimet e Trëndafile Vishës janë edhe produkt në buzë të gropës së harresës që çelë kjo kohë dhe që duhet shpëtuar pa tjetër. Kjo jetë e vrullshme e zhvillimesh të çmendura ve seriozisht në rrezik krijimtarinë e mirëfilltë, jo vetëm në vendin tonë, por në gjithë botën. Lumi i mediokritetit artistik është shumë më i madh, i rrëmbyeshëm dhe më i zhurmshëm se sa krijimet e mirëfillta të artit. Prandaj propabiliteti i harresës është shumë më i madh, veçmas humbja e memories kulturore dhe artistike.
Mirëpo, për t’i dalë përpara një dukurie të tillë, autorja ka një “AS nën mëngë” që në fillesë…Përpëlitja, apo përpjekja e njeriut krijues për të mos u harruar në këtë zallamahi krijuese është shkëndijë jete e shprese. I del këtij rreziku përpara me: kërkimin e brendshëm jetësor duke zhbiriluar çdo skutë drite dhe errësire te bota komplekse e njeriut. Ajo simbolikën tipizuese e gjen në çdo çast e frymëmarrje të jetës së vet dhe të tjerëve. Idetë dhe mesazhet i sistemon në tekste e nëntekste të shkurtra mbushur plot intensitet, ngjeshur me mendim e ide të reja. Për lëndë ndërtimi artistik përdorë fjalinë korrekte e fjalën e ngarkuar me kumt. Mbi të gjitha trajton variacione tematike me misione e qëllime universal me të cilat autorja beson se kapërcen mentalitetin e epokës së vet. Kjo e bën autoren të veçantë e specifike, të ndryshme prej krijuesve të tjerë me të cilët jeton e komunikon. Nuk kërkon të imitojë askënd, se do të jetë vetvetja. Unë mendoj se ia ka arritur këtij qëllimi me sukses.
SHKRIRJA E KUFINJËVE TË TEKSTIT PROZOPOETIK
Trëndafile Visha na ka sjellë një tekst të ri letrar, një teknikë të re e stil të ri. Të dy vëllimet, edhe “M’i kanë vjedhur sytë…” edhe “I njëjti fat në 100 udhëtime” janë tekste poetike në fakt. Në këndvështrimin tim pak rëndësi ka se ato janë poezi apo prozë poetike. E rëndësishme është se nga autorja është rrekur të shkruaj siç e kërkon koha e ritmi i jetës sociale dhe artistike, siç është trendi konceptual për artin në kohën e duhur e në çastin e volitshëm.
Është në praktikën e sotme të shkruhet shkurt. Globalizimi i jetës aktuale po eleminon pronvincialitetin në mentalitet e prakticitet. Është afërmendsh se përgjithësisht njerëzit nuk kanë kohë të lexojnë romane shumëvëllimëshe si në shekullin e XIX e fillimin e shekullit të XX. Jetojmë epokë tjetër ku është krijuar e po konsolidohet një perceptim tjetër për jetën, për filozofinë, për artin… Jetojmë kohë përbysjesh të mëdha në të cilën vdesin psikologjitë e vjetra e lindin të rejat. Një proverb latin thotë: I zgjuar është ai që ndryshon. Prandaj duhet të shkruajmë për këtë epokë të re.
Esenciale është se autorja e dy librave, Trëndafile Visha, ka çfarë të thotë në krijimet e saj poetike. Veçse kjo ka ardhur përmes një hulumtimi të thukët të dukurive të jetës së përditshme. Kësisoj ajo është shndërruar në puls e ritëm i jetës që e jetojmë ne të gjithë bashkë me të. Secili prej nesh është aty.
Autoren përpos talentit artistik e ka ndihmuar shumë profesioni i gazetares. Krijimet e saj janë edhe poetike, edhe dokumentare duke arritur të shkatërrojë disa kufinj e barriera që janë të vendosura me kohë në art: për të nuk dihet ku mbaron proza e ku fillon poezia, e rëndësishme për të është të shkruajë me art e intelektualitet, të përcjellë tek të tjerët idetë e mesazhet që ajo i konsideron të reja.
TROKITJE NË DERËN E NJË LETËRSIE TË URBANE
Te “Gongu i zgjimit” kemi një panorama zemërdridhëse të urbanitetit ku vetë jeton krijuesja. Një përshkrim dostojevskian apo kafkian ku “mastrubohemi me gjysmëvdekjen tonë”, – thotë autorja, ku “mëngjeseve shtohen hajdutët e urbanëve” dhe mbrëmjeve “lëvrijnë minjtë gangsterë të salloneve”. Në këto rrethana gri, Trëndafile Visha herë-herë kërkon ikjen “në një shtëpi të vogël” në kërkim të unit të vet. Por në fakt kjo është vetëm “një lojë e çmendur”.
Krijimtarinë artistike të Trëndafile Vishës, pa frikë mund ta përcaktojmë si një kryengritje vetmohuese ndaj vërshimit të mediokritetit artistik që polli epoka kibernetike këto 20 vitet e fundit dhe që mjerisht sundon në jetën tonë edhe aktualisht. Sot boton kushdo, shkruan kushdo, jep ide kushdo në rrjete sociale. Gjithkush kujton se është një institucion, dhe në fakt kështu është, pasi secili ka kondicionin të bëhet publik. Trëndafile Visha e ka ndjerë këtë si krijuese e përgjegjshme dhe kërkon shtigje që nuk i kanë shkelur të tjerët. I është dashur teknikë e re, organizim i ri tekstual, gjetje të reja, përkundër “analfabetizmit artistik” si dukuri e si pjellë e epokës digjitale. Letërsia urbane nuk është rrafshim vlerash. E kundërta është e vërteta. Siç e pat vënë në dukje Umberto Ecco në esenë e tij në pragvdekje se epoka e internetit u ka krijuar vërtet kushte secilit, por magjia e artit dhe e perceptimit artistik është tjetërgjë.
Trëndafile Visha me dy librat e saj ka kapërcyer përtej vërshimit të mediokritetit artistik, duke mundur me artin e saj këtë rrezik në panoramën e sotme krijuese.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura