BESIM CENGU: IKU BILBILI… POR NË SHEKUJ DO TË VAZHDOJË TË JEHOJË ZËRI I SAJ

Tiranë, 7 shkurt 2020: Iku Bilbili i këngës tonë.
Iku po përjetë na ka lënë zërin e vet si jehonë të përjetshme, por edhe si mesazh të madh se si duhet të ruajmë identitetin tonë dhe konstitucionin shpirtëror shqiptar.

Zëri magjik i Pagarushës ka sunduar autoritetshëm gjysmën e shekullit që iku dhe përtej.
Kjo artiste e madhe, bashkë me Marie Krajën, Luçie Milotin, Gonxhe Manakun, Naile Hoxhën, Liljana Cavollin, Vaçe Zelën, Nazmije Hoxhën, Fitnete Rexhën, Hanife Sejfulla Reçanin…etj, nuk ishin thjesht zëra artistikë femërorë, që bënë epokën e ndritur. Ata ishim zërat emancipues të një kombi të tërë. Pas jehonës së zërit të tyre, ne si popull menduam e gjykuam ndryshe, e konceptuam tjetërlloj jetën tonë, e ndërtuam ashtu sikurse na frymëzuan dhe udhëzuan ata ndërtesën e artit shqiptar. Thjesht u shndërruan në mësuese morale dhe artistike që nuk arriti t’i zëvendësojë askush.
Për këtë ata mbetën idhulli ynë, por edhe idhull i të gjithë brezave prej viteve 40’ (prej vitit 1948 kur këmba e Nexhit preku për herë të parë skenën) e deri më sot kur zemra e saj pushoi së rrahuri në moshë të respektuar 86 vjeçare.
“Bilbili i Kosovës”, “Mbretëresha e muzikës shqiptare”, “Këngëtarja e Shekullit”, “Artiste e Merituar” , “Nderi i Kombit”, janë vetëm disa prej titujve meritorë të kësaj këngëtareje ndër më të mëdhatë e të gjitha kohërave.
Nexhmije Pagarusha qe siç duket investim më shumë se shekullor i energjive kombëtare që i ka rrënjët që përtej shekullit të XX. Nexhi nuk ishte thjesht një artiste e madhe, por edhe një femër e bukur gjithë sharm e hijeshi. Ajo u bë kultivuese e pashoqe e zërit femëror në një shoqëri maskiliste gati-gati orjentale.
Hafize Leskoviku, që prej fundit të shekullit të XIX, Tefta Tashko, Luçia, Nexhi, Marija Vaçja, Liliana… grisën perden e terrtë të orjentalizmit dhe për më tepër ndërtuan konstruktin e dinjitetit femëror në shoqërinë shqiptare.

Ata tronditën zemrat e ndjeshme dhe psikologjinë e grave dhe vajzave shqiptare, dhe jo vetëm atyre. Me artin e ri, ndërtuan një trok e ritëm tjetër social që “detyruan” artistikisht dhe konceptualisht edhe botën e burrave t’i hedhin një vështrim të ri qenies së vet dhe pozites ne shoqeri.
Këngët e përjetshme të kësaj plejade të artë dhe në kontekst, këngët e Nexhit janë maja everestiane pothuajse të paarritshme. “Baresha”, ”Ani mori nuse”, ”Mora testin”, “Kur më shkon si zog n’hava”, “Kur më del në derë”, ”Ke selvitë”, “Ç’u ngrit lulja në mëngjes”, “Çil njat zemër plot kujtime”, “Dallëndyshe”, “Një lule”, “Zambaku i Prizrenit” e plot e plot të tjera, janë guri i qoshes së kalasë së këngës shqiptare që nuk guxon t’i cenojë kush.
Nuk guxon se po hoqe gurin e qoshes së një kalaje apo kulle të zë poshtë si ndëshkim i pamëshirshëm, se me dinjitetin dhe identitetin e një populli nuk mund të luaj askush.
Veprimtaria e saj muzikore dhe aktoriale më shumë se 40-vjeçare është aq e gjerë dhe e larmishme, sa që është vështirë të thuhet se cilit zhanër i takon. Është e njohur për interpretimet e saj të shkëlqyera në muzikën popullore dhe opera, por pati karrierë të suksesshme edhe si aktore, si në film ashtu edhe dramaturgji.
Loja në filma dhe shfaqje të tjera teatrore është mbresëlënëse. Kujtojmë filmat dhe dramat ku ka luajtur “Dasma e përgjakur”, (1967), “Jugovizioni” (1973), “Gëzuar viti i ri” (1976), “E kafshoja terrin” (1977), “I ikuri”. (1980), “Tre vetë kapërcejnë malin” (1981), “Lepuri me pesë këmbë”, “Fluturimi i Micakut”, “Daullet e të çmendurve”, “Rexha i nënës në grazhd të kalit”, “Vrasësit bëjnë dasmë natën” (1997) etj.
“Unë gjithë jetën time kam punuar për popullin tim, jam munduar që këngën e bukur shqipe ta çoj sa më lart. Në kohëra shumë të vështira për një artiste shqiptare dhe për popullin tim, unë me shumë kompetencë e kam prezantuar këngën shqipe pothuajse në tërë botën”, – ka thënë në një interviste Pagarusha.
Më 2018 Pagarusha u vlerësua me “Medaljen e Mirënjohjes” nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Tani bilbili nuk është më, po zërin na e la përjetë. Ah!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura