BESIM ZYMBERI: BURGU I DUBRAVËS TË DEKLAROHET ME LIGJ SI KAMP I INSTALUAR I PËRQËNDRIMIT…

Ferizaj, 23. 05. 2014 – Kampe të instaluara apo provizore të përqendrimit, duhet të deklarohen me ligj edhe burgjet tjera në Kosovë gjatë kohës së luftës, si dhe të gjitha hapësirat, të cilat, nga pushtuesi-shteti serb, janë përdorur për ndalimin, torturimin, përdhunimin dhe vrasjen mizore të shqiptarëve të pafajshëm. E kam thënë edhe herëve të tjera: “…Për sa kohë që Masakra e Dubravës nuk do ta thyejë heshtjen politike dhe për sa kohë që kjo Masakër nuk do të institucionalizohet juridikisht në përmasat dhe përmbajtjen reale të saj, bota nuk do ta marrë vesh kurrë në plotni se çfarë loje përbindëshi ka luajtur shteti serb në Ballkan, veçanërisht në tokat shqiptare, në pesëmbëdhjetë vjetët e fundit të ‘Jugosllavisë’ “.
Një kallëzim penal kundër bartëve të ekzekutimit të Masakrës së Dubravës, i ngritur në Beograd nga Fondi për të Drejtë Humanitare, një deklarim i para disa vjetshëm i EULEX-it se është duke e hetuar Masakrën e Dubravës dhe një pikë e aktakuzës kundër Millosheviqit rreth Masakrës së Dubravës, janë e tëra që është bërë deri më sot për cilësimin juridik të këtij krimi të tmerrshëm të shtetit serb mbi pengjet shqiptare në Burgun e Dubravës, në periudhën 19-24 maj të vitit 1999.
Por, në vitin 2006, në procesin e Tribunalit të Hagës, kundër ish-zyrtarëve të lartë shtetërorë serbë, Milutinoviç e Shainoviç me kompani, Masakra e Dubravës dhe Masakra e Reçakut, u hoqën fare nga objekti i aktakuzës, me motivin banal të deklaruar të trupit të atëhershëm gjykues, për, gjoja, thjeshtim të procesit….?!

Në të vërtetë, fare lakuriqësisht, drejtësia politike ndërkombëtare, kishte ndërmarrë këtë hap për ta shpëtuar shtetin serb nga cilësimi juridik i projektimit dhe ekzekutimit të gjenocidit kundër shqiptarëve, gjithnjë në funksion të zhvendosjes së përgjegjësisë së palës serbe vetëm në nivel individual apo regjimor.
Masakrat tjera në Kosovë, mund të kenë qenë shumë më të rënda në planin e ndjesisë humane, pasi që viktima ishin fëmijët, gratë, pleqtë e civilët e pambrojtur. Por, në planin juridik-penal, Masakra e Dubravës dhe masakra e Reçakut, ishin veprat kriminale më së lehti të provueshme në kategorinë e gjenocidit, jo vetëm për gjyqtarë profesionistë, por edhe për juristë të zakonshëm. Pikërisht kjo duhet të jetë arsyeja fshehjes së deritanishme të përmasës reale të krimit serb në Burgun e Dubravës. Sepse, burgu ishte nën menaxhimin e vetë shtetit serb, nisur nga kryetari i shtetit, ministri i drejtësisë e i punëve të brendshme, makineria ushtarake institucionale serbe e deri të drejtuesit dhe operatorët serbë të burgjeve.
Nëse pengjet shqiptare në Burgun e Dubravës në veçanti, por edhe në burgjet tjera të Kosovës si dhe në të gjitha hapësirat e shfrytëzuara për mbajtjen e arrestimin e shqiptarëve gjatë kohës së luftës, u janë nënshtruar persekutimeve nga ushtria e policia serbe me uniformë shtetërore, që nga lënia pa bukë e ujë, tortura mizore, përdhunimi e deri te vrasja masovike me zhdukjen e të dhënave identitare e para-projektuar nga maja e vetë shtetit serb, juridikisht janë lehtë të verifikueshme të gjitha faktet materiale e juridike të ekzistimit të veprës penale të gjenocidit kundër shqiptarëve.
Referojuni dispozitave të konventave ndërkombëtare të cilësimit të veprës së gjenocidit, krimet e torturat kundër të burgosurve, keqtrajtimit të pengjeve të luftës etj.
15 vjet pas Masakrës së Dubravës, është koha e fundit për nisjen e procesit penal serioz kundër shtetit serb, për ushtrim të gjenocidit kundër shqiptarëve në Burgun e Dubravës. Përfitimet të veçanta do të ishin në aspektin e vendosjes në vend të drejtësisë dhe të përcaktimit të origjinës së autorësisë së krimit në Kosovë në luftën e fundit.
Fatmirësisht shumica e dëshmitarëve viktima – shqiptarë, të mbijetuar në Masakrën e Dubravës, janë ende gjallë dhe lehtë të arritshëm për dëshmitë. Po ashtu, fatmirësisht, edhe ekzekutorët e drejtpërdrejtë, janë gjallë, së paku shumica prej tyre dhe lehtë të arritshëm për drejtësinë ndërkombëtare së paku, në cilësinë e të akuzuarve për gjenocid. Lista e të akuzuarve nis nga kreu i atëhershëm i shteti serb e deri te gardiani i fundit në Burgun e Dubravës që kreu gjenocid apo ishte dëshmitar i ndodhjes së tij. Natyrisht, nuk harrohen edhe civilët serbë -ish të dënuar të cilët të joshur me favore nga shteti i tyre, u armatosën dhe qëlluan mbi pengjet shqiptare të pambrojtura.
Por, institucionet e Kosovës, patjetër duhet me shpejtësi të nisin procedurën për ndëshkimin e fajtorëve për Masakrën ndaj pengjeve shqiptare në Dubravë e kudo tjetër në hapësira të ngjashme, duke mundësuar kështu edhe cilësimin e përgjegjësisë shtetërore serbe në pasojat e luftës së fundit në Kosovë.
Burgu i Dubravës, Kamp i Instaluar Përqendrimi…
Thirrje të njëjtë, autori i këtij shkrimi ka drejtuar edhe më herët në adresë të institucioneve të Kosovës. Por, pengesat e tipit të servilizmit politik, por edhe barrikadimi i skajshëm i faktorit ndërkombëtar të vendosur në Kosovë, nuk kanë lejuar që kjo thirrje së paku të diskutohet!
Në rrethana tjera sot, institucionet e Kosovës kanë fuqi të rritur të pavarur të vendosjes. Prandaj, legjislatura dhe ekzekutivi i ri, duhet patjetër që në shërbim të vlerësimit të historisë sonë dhe në shërbim të emërtimit të saktë të ngjarjeve e proceseve, të nisin procedurat si në vijim:
-Të niset procedura e ndëshkimit juridik të fajtorëve të Masakrës së Dubravës;
-Të niset nga Ministria e Drejtësisë, hartimi i projektligjit për shpalljen e Burgut të Dubravës ligjshmërisht si Kamp i Instaluar i Përqendrimit, i formuar nga institucionet shtetërore më të larta serbe, me qëllim të torturimit dhe likuidimit masovik e pa gjyq të pengjeve të pambrojtura shqiptare;
-Brenda këtij projektligji, duhet të shpallen si kampe të instaluara apo kalimtare të përqendrimit, të gjitha burgjet e administruara nga forcat serbe në Kosovë si dhe të gjitha hapësirat tjera të improvizuara nga forcat serbe si qendra ndalimi, torture, përdhunimi, mbytjeje e vrasjeje të shqiptarëve të pafajshëm;
-Burgu i Dubravës, në statusin me statusin ligjor të Kampit të Përqendrimit, do të shpallej Muze i Gjenocidit Shtetëror Serb Kundër Shqiptarëve. Brenda ambienteve të tij, duhet të ndërtohet Memoriali i përshtatshëm;
Jehona e Masakrës së Dubravës
Masakra e Dubravës, edhe sot tentohet të mbahet e heshtur, për motivet e lart’thëna. Pengjet martire dhe ato që mbijetuan, por edhe shoqëria shqiptare, meritojnë një sqarim edhe nga pakti NATO për bombardimin e Burgut në datat e 19 e 21 majit të vitit 1999. Por, autori – projektuesi i Masakrës ishte vetë shteti serb, i cli nuk guxon assesi të amnistohet nga përgjegjësia, siç është tentuar deri sot së paku. Masakra e Dubravës, meriton të ketë edhe trajtim medial më meritor, brenda kombëtar dhe ndërkombëtar. Serbia, ka bërë hapa të ndjeshëm përfitues pas luftës, pikërisht për mungesë të trajtimit adekuat juridik e publik të krimeve të kryera nga ajo. Pengjet e mbijetuara, jo vetëm të Masakrës së Dubravës, duhet të drejtojnë dëshmitë tek Gjykatat përkatëse në Kosovë. Po ashtu, duhet dërgohen dëshmitë me qëllim të ndriçimit të krimeve edhe në adresa ndërkombëtare, siç japë gjykatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Komiteti i OKB-së kundër torturës, zyrat e burrështetasve të vendeve të fuqishme të botës, intelektualët eminentë botërorë etj.
Para disa vjetësh, në Kosovë, nga Qeveria e Kosovës është formuar një Institut për Hulumtimin e Krimeve të Luftës. Askush më duket nuk e di se çfarë ka bërë ky institucion deri më sot!? Por, duhet bërë presion atij që ta kryej punën në raport me thirrjen që ka.
Po ashtu, nuk duhet hequr asnjëherë nga mendja, shfrytëzimi i njerëzve tani të artit e kulturës, me ndikim botëror në fushën e letërsisë, medias e filmit. Masakra e Dubravës, meriton të jetë pjesë e një spektakli holivudian, vetëm se duhet të shpërthehet embargoja politike ndaj publikimit të ngjarjeve të tilla. Dhe, tmerrësisht për humanizmin, një embargo e tillë ekziston me qëllim të fshehjes së përmasës së krimeve shtetërore serbe kundër shqiptarëve, me qëllim të tentimit të barazimit të përgjegjësisë dhe me qëllim të improvizimit të drejtë dhe jo human të rehatisë së zgjidhjes së disa problemeve politike, metodë kjo e cila diskriminon pikërisht popujt e vegjël e të pafuqishëm, duke e shndërruar kështu drejtësinë në një argument të të fortëve, e jo të së vërtetës e të drejtës.
Por, të gjitha këto pengesa, në ndihmë të ndërgjegjësimit mbarënjerëzor për drejtësinë e të vërtetën, e ka për detyrë t’i tejkalojë pikërisht shoqëria shqiptare në përgjithësi dhe shteti i Kosovës në veçanti, duke hequr dorë një herë e përgjithmonë nga logjika defanzive e të krijuarit të historisë.
(Autori i këtij shkrimi ka përjetuar dhe mbijetuar Masakrën, në Burgun e Dubravës – Maj 1999)

___________________________

MASAKRA E DUBRAVËS – PERSONAZH BESIM ZYMBERI – 22 MAJ 2013

_________________________________

NJË FOTO FLET MË SHUMË SE 1000 FJALË!

=================================

(Ilustrimet i përgatiti pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura