NATA E KRISTALTË

NATA E KRISTALTË

Nga Xhelal Zejneli, Shkup 9 shtator 2021

Në vitet ’30 të shekullit XX shumë hebrenj të Polonisë jetonin në Gjermani. Më 28 tetor 1938, autoritetet gjermane, pa kurrfarë lajmërimi paraprak tubuan 17.000 hebrenj, të cilët prej Gjermanie i deportuan në Poloni. Sipas disa të dhënave të tjera, bëhet fjalë, jo për 17.000 hebrenj, por për 15.000. Shumë prej tyre pjesën më të madhe të jetës e kishin kaluar në Gjermani. Madje, disa prej tyre ishin dekoruar si veteranë të Luftës së Parë Botërore.

Qeveria djathtiste antisemitistee Polonisë, e cila fliste për “problemin hebre” në Poloni, hebrenjtë e dëbuar nga Gjermania, refuzoi t’i pranojë. Prej tyre, 5000  mbetën në kufi, d.m.th. në tokën e askujt. Me fjalë të tjera, gjatë ditëve dhe netëve të ftohta të vjeshtës së vonshme, ata u endën midis pikave kufitare të Gjermanisë dhe të Polonisë. Më në fund, autoritetet gjermane arritën ta bindin qeverinë polake që t’i lejojë hebrenjtë e deportuar të hyjnë në Poloni.

*   *   *

Hershel Grinspan(Herschel Grűnspan) ishte një hebre nga Gjermania. Kishtelindur në vitin 1921. Sipas disa të dhënave, në vitin 1943, përkatësisht 1944 ka qenë gjallë. Pas pushtimit të Francës nga Gjermania është zënë nga Gestapoja. Është shpallur i vdekur më 1960.

Ky 17-vjeçar, prej Gjermanie kishte ikur në Francë. Ndërkaq, prindërit e tij ishin deportuar në Poloni bashkë me grupin e sipërthënë të hebrenjve. Ata i dërgojnë Hershelit në Francë një letër në të cilën i kishin përshkruar vështirësitë e tmerrshme me të cilat ishin ballafaquar gjatë deportimit të tyre.

Në shenjë hakmarrjeje, më 7 nëntor 1938 (ditë e hënë) Hersheli kreu atentat ndaj sekretarit (konsullit) të ambasadës gjermane në Paris – Ernst fon Rat-it (1909-1938). Dy ditë më vonë, si pasojë e atentatit, Rati vdiq në spital. Atentati u krye me pistoletë.

Partia naziste këtë vrasje e shpalli vepër të komplotit botëror të çifutëve dhe në natën midis 9 dhe 10 nëntorit të vitit 1938 u organizuan trazira “spontane” kundër hebrenjve, që filluan me thyerjen e xhamave të dyqaneve në mbarë Gjermaninë, pronarë të të cilëve ishin kryesisht hebrenjtë.

Më vonë, këto trazira u quajtën natë e kristaltë.

*   *   *

Të dhënat lidhur me dëmet e shkaktuara, varësisht nga burimet nga vijnë, nuk përputhen gjithaq. Sipas disa të dhënave, në mesnatën e sipërthënë u shkatërruan dhe u plaçkitën të paktën 7.000 dyqaneu dëmtuan varrezat e hebrenjveiu vu zjarri177 sinagogave dhe u vranë 91 çifutë. Rreth 30.000 çifutë u arrestuan dhe u dërguan në kampet e përqendrimit. Nga fundi i vitit, shumicën prej tyre i liruan. Por, në rrethana dhe në kushte të rënda, rreth 1000 vetë nuk arritën të mbijetojnë.

Vrasja e fon Ratit shërbeu si pretekst për ndërmarrjen e një fushate të egër kundër popullsisë çifute në mbarë Gjermaninë. Ishte planifikuar që sulmi të dukej si një akt spontan, por në të vërtetë e kishte organizuar qeveria naziste gjermane. Me organizimin e këtij sulmi kishte rënë dakord edhe udhëheqja e Partisë nacional-socialiste.

Sipas disa burimeve të tjera, në këtë pogrom janë dëmtuar dhe në shumë raste edhe janë shkatërruar rreth 1574 sinagoga (pothuajse të gjitha sinagogat që kanë ekzistuar në Gjermani), shumë varreza hebraike, mbi 7000 dyqane të hebrenjve dhe 29 supermarkete. Mbi 20.000 hebrenj janë arrestuar dhe janë dërguar në kampet e përqendrimit. Disa prej tyre i kanë rrahur deri në vdekje, ndërsa të tjerët kanë qenë të detyruar t’i shikojnë se si i rrahin për vdekje. Numri i hebrenjve të vrarë nuk është konstatuar në mënyrë të sigurt, por, brenda trazirave që kanë zgajtur dy ditë, vlerësohet se janë vrarë prej 36 deri rreth 200 hebrenj. Më së shpeshti, flitet për 91 të vrarë.

Natyrën e kësaj dhune e pasqyron edhe fakti se disa gjermanë të cilët nuk kanë qenë hebrenj, janë vrarë vetëm për arsye se ndokujt “i janë dukur si hebrenj”.

Përveç kësaj, shteti nazist hebrenjve të Gjermanisë, si dënim për atentatin u ka caktuar një gjobë prej 1 miliardë markash gjermane. Njëherazi, është lëshuar urdhri që të gjitha dyqanet dhe ndërmarrjet e hebrenjve që i kishin shpëtuar shkatërrimit, të kalojnë në duart “e arianëve”.

Me fjalë të tjera, hebrenjtë që i shpëtuan deportimit dhe dhunës së natës së kristaltë, mbetën pa kapitalin e vet dhe praktikisht u përjashtuan nga jeta ekonomike gjermane.

Shpejt pas kësaj, do të pasojë zgjidhja përfundimtaree problemit të çifutëve”e njohur në histori si holokaust, që ka të bëjë me shfarosjen e 6 milionë hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. (Ka të tillë që thonë se holokausti është një mit dhe se numri prej 6 milionë hebrenjve të vrarë është i zmadhuar).

*   *   *

Nata e kristaltë(Kristalnacht)njihet edhe me emrin Reichskristalnacht(Nata e kristaltë perandorake).Dhuna mbi hebrenjtë në mesnatën e 9 dhe 10 nëntorit të vitit 1938 është quajtur edhe si Pogromnacht (Nata e pogromit). Bëhet fjalë për pogromin e madh që ndodhi në mbarë Gjermaninë në natën e 9 nëntorit të vitit 1938, duke përfshirë edhe orët e hershme të ditës së nesërme. Pogromi ka qenë i drejtuar kundër hebrenjve në mbarë Gjermaninë.

Kjo ndodhi atë mbrëmje, paraqet hyrje në holokaust.

*   *   *

Nata e kristaltë shkaktoi reagime të ashpra në mbarë botën. Të gjitha lëvizjet pro-naziste në Evropë dhe në Amerikën veriore u diskredituan dhe me kalimin e kohës, lëvizjet e tilla filluan të shënojnë rënie. Pogromin e dënuan një numër i madh gazetave, ndërsa disa prej tyre e krahasuan atë me pogromet vrasëse në Rusinë cariste gjatë viteve ’80 të shekullit XIX (1880). SHBA-ja e tërhoqi ambasadorin e vet nga Gjermania, por nuk i ndërpreu marrëdhëniet diplomatike. Shtete të caktuara, në shenjë proteste, i ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Gjermaninë.

Edhe pse dyqanet dhe marketet e hebrenjve tanimë ishin plaçkitur krejtësisht, ndjekja e tyre në Gjermani dhe dëmi ekonomik që iu shkaktua atyre, nuk përfundoi me pogromin.   Siç u tha dhe më lartë, ata u detyruan t’i paguajnë qeverisë naziste një gjobë kolektive në një shumë prej 1 miliardë markash gjermane.

Duke e paralajmëruar arkëtimin e detyrueshëm të gjobës, zyrtari i lartë nazist Herman Gering, i cili qysh më herët ishte angazhuar për të marrë masa ndaj hebrenjve, i përshkroi kushtet e rënda të cilave u ishin ekspozuar hebrenjtë pas natës së kristaltë“Hebrenjtë e Gjermanisë, si dënim për krimet e tyre të neveritshme, detyrohen të paguajnë një shumë prej një miliardë markash gjermane. Thiu nuk ka për të kryer vrasje tjetër. Sa për t’ua rikujtuar, po ju them se unë nuk do të kisha dashur të jem hebre në Gjermani”.

(Më vonë, ky dënim kolektiv, me konventat e Gjenevës – u ndalua).

*   *   *

Kjo natë shënon në një fazë të re të veprimeve antisemitiste të partisë naziste dhe të aparatit shtetëror. Më vonë pason deportimi dhe shfarosja përfundimtare e pjesës dërmuese të hebrenjve që jetonin në Gjermani. Ndonëse në atë kohë pak njerëz e paramendonin, pogromi i natës së kristaltë ishte hap i parë i ndjekjes sistematike dhe i vrasjeve masive të hebrenjve në mbarë Evropën.  

*   *   *

Duke qenë se data e pogromit në natën e kristaltë përputhet me datën e rënies së murit të Berlinit,autoritetetgjermanemorën vendim që 9 nëntori i vitit 1989 të mos caktohet si festë e re kombëtare e Gjermanisë.  

Si festë e ribashkimit të Gjermanisë është caktuar 3 tetori i vitit 1990.

*   *   *

Shprehja “natë e krsitaltë” sot shpesh përdoret për të përshkruar trazira të ngjashme etnike ose fetare në ndonjë vend të botës. 

Emri i kësaj ngjarjeje është mjaft kontravers. Shumë njerëz e kanë quajtur Kristalnacht (natë e kristaltë) për shkak të xhamave të thyera të dyqaneve, pronarë të të cilëve kanë qenë kryesisht hebrenjtë.

Në parim, për këtë term ka dy sqarime: Historiani i specializuar për Gjermaninë moderne  Dr. Valter H. Pele, thotë se termi i sipërthënë nuk duhet të përkthehet ad litteram. Sipas tij, qëllimi i autoriteteve naziste ka qenë që nëpërmjet një termi të tillë dhunën ta propagandojë në mënyrë metaforike si “dritë dhe shkëlqim” për Gjermaninë.

Pogromet e nëntorit nuk kanë qenë shpërthim “spontan i mllefit të popullit gjerman” siç ka tentuar ta paraqesë propaganda naziste, por terror i organizuar dhe i kryer nga shteti nazist.

Sot në Gjermani kryesisht përdoret shprehja Pogromnacht (nata e pogromit), që paraqet një konsensus se termi Kristalnacht është një shprehje tejet eufemike.

*   *   *

Nata e kristaltë të përkujton Natën e Bartolomeutpërkatësisht masakrën masive ndaj hugenotëve, të kryer në Paris nga katolikët, në natën para festës së Shën Bartolomeut më 24 gusht 1572. Atë natë kremtohej në Paris kurorëzimi i princeshës Margaretë, bijë e Katerina Mediçit, me princin e Navarrës, mbretin e mëvonshëm Henriku IV. Nën udhëheqjen e dukës së Gizesë (Guise)katolikët, me të rënë kambanat e kishave të Parisit iu vërsulën protestantëve duke vrarë atë natë rreth 2.000 protestantë. Nga Parisi masakra u shtri në pjesët e tjera të Francës, kështu që gjatë kësaj masakre të përgjakshme u vranë rreth 30.000 njerëz.

Figurativisht, shprehja “Natë e Bartolomeut” përdoret për çdo barbari dhe vrasje masive të njerëzve.

*   *   *

Më 30 qershor dhe më 1 korrik 1934 ndodhi në Gjermani ajo që njihet si Natë e thikave të gjataqë ka të bëjë me pastrimin vdekjeprurës dhe gjakderdhjen të urdhëruar nga Adolf Hitleri. Vrasësit fanatikë nga radhët SS i sulmuan krerët e eskadronëve të SA-së, politikanët dhe kundërshtarët e tjerë. Zyrtarisht thuhet se brenda këtyre dy ditëve u vranë 77 oficerë të lartë të SA-së famëkeqe të udhëhequr nga Ernst Rőhm, por supozohet se numri i të vrarëve ka qenë mbi 400. Fyreri i arsyetoi vrasjet para gjermanëve me pohime të rrejshme se kreu i SA-së paska përgatitur grusht shteti. Shprehja natë e thikave të gjata buron nga beteja për mitin mbi mbretin Artur.

*   *   *

Natë të kristaltë përjetuan edhe shqiptarët e qytetit të alfabetit – Manastirit. Me fjalë të tjera, më 2 maj 2001 një numër i madh sllavo-maqedonasish, në orën 8 të mbrëmjes, nëpër rrugët e qytetit i sulmuan shqiptarët, duke ua thyer dyqanet dhe duke ua vënë zjarrin shtëpive, përkatësisht ndërtesave të banimit dhe lokaleve afariste. Sulmet e tërbuara të sllavo-maqedonasve, me të njëjtin intensitet vazhduan edhe të nesërmen. Lidhur me këtë masakër reagoi nga Brukseli edhe Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së – Havier Solana. Për qetësimin e situatës apeloi edhe presidenti amerikan Xhorxh W. Bush.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura