BESNIK IMERI: NDËRTIMET PELLAZGJIKE, DËSHMITARËT E HESHTUR TË ORIGJINËS TONË TË MOHUAR (I)

Vlorë, 31 mars 2021: Kur duam të flasim për qytetërime nuk mund t’i shmangemi asaj që përbën thelbin, bërthamën e një qytetërimi, e cila pasqyrohet në kulturën materiale dhe shpirtërore të një etnie të caktuar; dhe duke mos ndarë më një anë (veçuar) nga kjo e fundit, atë që përbën esencën e esencave të këtij qytetërimi: Gjuha përkatëse e asaj etnie.
Kjo kulturë materiale dhe shpirtërore detyrimisht krijon të mira materiale dhe shpirtërore, të cilat nga ana e tyre pasqyrojnë objektivisht vlerat, cilësitë dhe standartet e arritura, për kohën kur janë realizuar, por edhe në kohët e mëvonshme, për mijëra e mijëra vjet. Një pjesë e qënësishme e kësaj kulture është edhe ndërtimi i vendbanimeve, duke përfshirë këtu edhe fortifikimet, pa të cilat në prehistori dhe antikitet nuk mund të flitet për një jetë të qetë dhe të civilizuar të një popullsie të caktuar.
Ndërtimet që realizuan pellazgët kanë qënë të jashtëzakonshme, të cilat habitën jo vetëm botën e qytetëruar antike, por në vazhdimësi, deri në ditët e sotme kanë çuditur gjithë njerëzimin. Për këto ndërtime pellazgjike do të përpiqemi të flasim në këtë pjesë të studimit duke u përqëndruar tek ajo që na intereson më shumë, ndërtimet pellazgjike në trojet shqipfolëse.
Pellazgët, historia pa kundërshtim, i ka pranuar si murbërësit më të mëdhenj, qysh nga agu i historisë njerëzore. Këtë na e tregojnë legjendat, të njohura dhe të pranuar botërisht. Një nga ato na rrëfen se Aiaku, paraardhësi i pellazgëve të Epirit, me porosi nga Zeusi, sëbashku me Apollonin dhe Poseidonin, shkuan dhe ndërtuan muret e Trojës: “…Pjesa rrëzë kodrës e qytetit u ngrit në kohën kur mbret i Trojës ishte Laomedonti. Muret e saj i ngritën Poseidoni me Apollonin. Ato ishin të patundura. Vetëm në një vend mund të rrëzohej ky mur, atje ku kishte punuar heroi Eak, që u kishte ardhur në ndihmë dy perëndive….” (1) Kur ka ndodhur kjo; 1500, 2000, 3000 para erës sonë, nuk mund ta themi. Por as historianët nuk thonë gjë. Prandaj ne me siguri mund të themi, se kjo ka ndodhur në agun e historisë njerëzore në pellgjet mesdhetare dhe pasqyron kohën që lidhet me zanafillën e qytetërimit botëror.
Ka mendime se mitet dhe legjendat pasqyrojnë në mënyrë artistike dhe verbale historinë njerëzore në parahistori me një vërtetësi për t’u admiruar. Mungesa e shkrimit, ose humbja e tij, ose njerëz të pashkolluar, bëri që njerzit t’ua trasmetojnë brezave pasardhës historinë, ngjarjet, faktet në mënyrë verbale si krijime të mirëfillta artistike. Në këtë kuptim, unë i jap të drejtë vetes që të mendoj, se edhe legjenda e Aiakut është e vërtetë. Por këtu, ne na lind e drejta të bëjmë edhe një pyetje shumë të thjeshtë: Kur Aiaku shkoi dhe ndërtoi muret e Trojës, a kishte ndërtuar mure në vendin e tij? Logjika elementare tregon se ai nuk mësoi të ndërtojë mure në Trojë?! Pra ai kishte ndërtuar mure të tillë edhe në vendin e vet, prandaj edhe u thirr në Trojë në cilësinë e një “ustai”. Pra qytetërimi i ngritjes së mureve qikllopike në Epir mund të jetë shumë më i hershëm, nga sa mendohet. Rrjedhimisht dhe detyrimisht, këtu fillon edhe zanafilla e qytetërimit epirot, e cila shfaqet në ndërtimet parahistorike të Epirit, si një provë e pashkatërueshme e këtij qytetërimi të mbetur dhe ardhur deri në ditët e sotme, si një dëshmitar i heshtur, por i parrëzueshëm, nga askush.
Homeri tek “Odisea” flet për muret ciklopikë. Ta ndjekim: “Ndërkaq kishim kthyer sytë drejt tokës së ciklopëve atje afër; nga streh’t e tyre ngrihej tymi fjollë, dëgjonim zëra njerzish, blegërima…menjëherë…në bregun tjetër pamë një shpellë t’hapur në një shkëmb të lartë e të mbuluar prej dafinash krejt. Atje kishin zakon të kalojnë natën kopetë e dhive dhe t’deleve; përreth një mur i madh lartohej i ndërtuar më gurë të mëdhenj… Mu n’atë vend një alamet përbindëshi kish’ banesën, që jetonte i vetmuar, kulloste grigjët, as nuk donte njeri të shikonte me sy…s’gjasonte aspak me ne, që na mban buka…” (2)
Këtu, në mënyrën më të natyrshme, Homeri na tregon për jetën baritore dhe blegtorale të një fshati ciklopësh, dhe, në mënyrë të veçantë për banesën e ciklopit Polifem, birit të Poseidonit. Sipas të gjitha gjasave ndodhemi në Siçili, por nuk përjashtohet mundësia, që të jemi edhe në Epir. Odisea, me një rresht, tregon se ciklopët nuk e njihnin bujqësinë, dhe se ata ishin mish dhe bulmetngrënës. Gjithashtu, nga i gjithë përshkrimi, të krijohet bindja se nuk ndodhemi më para një miti, apo legjende për ciklopët, pasi natyrshëm shikojmë një fshat blegtorësh dhe barinjsh, ashtu siç përshkruhet edhe Polifemi, si një bari i thjeshtë në një stan, por beqar.
Por, ajo që na intereson më shumë për momentin, është fakti se Polifemi, përreth banesës së tij, kishtë ngritur një mur të madh me gurë të mëdhenj. Gjë që tregon, se ngritja e mureve ciklopikë ishte vepër e ciklopëve, njerzëve gjigandë, ose përbindsha, siç i quan Pashko Gjeçi. Kjo vërteton edhe legjendën se muret e Tirintit; të cilët shumë autorë antikë i quajnë si muret e kalasë së parë të ndërtuar nga njeriu; janë ndërtuar nga ciklopët e Likisë. Pra, nisur nga legjendat dhe shkrimet e lashta, ciklopë kemi pasur në Siçili, Peloponez, Epir dhe Liki (Anatoli); vende, ku çuditërisht kanë banuar edhe pellazgët. Mjaft interesante. Prandaj, kur më poshtë do të flasim për mure ciklopikë, apo pellazgjikë, do të nënkuptojmë të njëjtën gjë, siç kuptojnë edhe mjaft autorë; njëjtësinë e këtyre ndërtimeve megalitike të ndërtuara nga pellazgët, por këta të fundit, në shumë prej tyre kanë “punësuar” ciklopët.
Këto ndërtime, këta dëshmitar të rrallë në “gjyqin” e historisë, u zbuluan, veçanërisht, nga arkeologët e shquar shqiptarë dhe të huaj këto 100 vitet e fundit dhe i treguan botës; se edhe në këtë Shqipëri Cung, e lindur më 29 korrik 1913, si një pjellë dështake nga mbarsja e sforcuar e historisë së re europiane nga zyrtarë, profan dhe fanatik, të veshur me fraqe politikanësh dhe diplomatësh; ato ekzistojnë si prova të pakundërshtueshme të këtij qytetërimi të mohuar padrejtësisht deri në ditët e sotme.
Orakull parathënës i këtyre zbulimeve të jashtëzakonshme arkeologjike ka qënë një mik i madh i shqiptarëve, Xhorxh Fred Uilljams. Ja se çfarë ka thënë ai në vitin 1914: “Ç’pasuri e madhe dijesh e pret arkeologun kur toka shqiptare të hapë thesaret e historisë së Pellazgëve!” (3)
Arkeologët e parë që kanë vizituar shqipërinë kanë qënë të huajt. Fillimisht, I.Izambert në fund të shekullit të XIX, dhe më pas, fillim shekullin e XX, kanë qënë ata që kanë ardhur me ushtritë pushtuese gjatë Luftës së Madhe, Kamilo Prashniker dhe Arnold Shober. Pas krijimit të shtetit shqiptar kanë filluar gërmimet arkeologjike me dy përfaqësues të shquar, italianin Ugolini dhe francezin Rei. Por gërmimet e vërteta arkeologjike, në mënyrë sistematike dhe në front të gjërë janë kryer pas Luftës së Dytë Botërore nga arkeologët e shquar shqiptarë: Hasan Ceka, Selim Islami, Frano Prendi, Skënder Anamali, Burhan Dautaj, Aleksandra Mano; të pasuar më vonë nga Neritan Ceka, Gjerak Karaiskaj, Namik Bodinaku, Dh.Budina, Vangjel Toçe, Myzafer Korkuti, Skënder Muça, etj.
Fortifikimet prehistorike në Shqipëri (Epir+Iliri) me blloqe gurësh të mëdhenj dhe të paskalitur, sipas S.Islamit dhe Gj. Karaiskaj datohen nga fundi i periudhës së bronzit dhe fillimi i periudhës së hekurit (1200-800 p.e.s), dhe përfaqësohen nga Gajtani, Bellovoda, Treni, Podgoria dhe Gjonomadhi, Karosi. Por, pas tyre në kohë, këtu ata fusin edhe Kalivon, muret prehistorik të Buthrotit, Zgërdheshit, AkroLisit, Dorzës, Drishtit, Xibrit etj.
Gjithashtu trakte muri prehistorike, të kësaj natyre, sipas tyre, evidentohen edhe në muret rrethuese në Foinike, Nikaie, Olympe, Matohasanaj, Skutari, Dimali, Persqopi, Antipatrea (Partha antike sipas N.Cekës), Shenlli (Elbasan), Mbolan (Berat), Amantia, AkroLis etj.
Duke qënëse këta autorë i vendosin këto ndërtime të lashta në kohën e bronzit, por edhe arkeologë të tjerë shqiptarë i referojnë fortifikimet në të njëjtën periudhë; atëhere i kthejmë sytë nga Homeri, i cili edhe ai, çuditërisht ngjarjet e Luftës së Trojës i vendos në kohën e bronzit. Të jetë rastësi kjo përputhje kohore e ndërtimeve të mureve të veçanta të Buthrotit me shekullin e XIII p.e.s, kur ka ndodhur Lufta e Trojës?!!!
Në vazhdim të idesë tonë, këtë periudhë po e quajmë pellazgjike, pasi edhe vetë Homeri na flet për pellazgët hyjnorë pjesëmarrës në këtë luftë. Ndjekim Homerin:
– “Nën mburojë Pisandri rroku sëpatën me dy teha – tunxhi (bronzi) hijshëm punuar me një bisht të gjatë e të lëmuar prej ulliri s’egër…Për ar e tunxh (bronz) që pati kalaja e Priamit dikur të gjitha kombet pa mend mbeteshin.” (4)
– “…Dhe rroku (Atena) patërshanën me majë bronzi të mprehtë, të rëndë dhe mjaft të fortë, me t’cilën përmbys rradhët e heronjve trima, kur ndizet nga inati ajo, bijë e një ati të fuqishëm… do t’vuajë deri sa të arrijë tek e pjellshmja Skerje, te toka e feakasve hyjnorë. Këta si ta kenë pritur me nderime, me duar plot ar, bronz dhe stofra të shtrenjta…Ajo (Kalipsoja) zë e mendohet të bëjë Uliksin gati për t’u nisur. S’pari sëpatën me dyteha i solli, një vegël të madhe bronzi me bisht t’bukur prej ulliri…”. (5)
Por Homeri në Iliadë përmend pellazgët si një trupë e armatosur më vete duke i quajtur “pellazgët hyjnorë”, pra Lufta e trojës në shekullin e XII p.e.s. ka ndodhur jo vetëm kur bronzi ishte në përdorim, pra në periudhën e fundit të bronzit, por edhe në një kohë pellazgjike. Rrjedhimisht, edhe këto fortifikime që përmendin arkeologët në kohën e bronzit, detyrimisht janë pellazgjike.
Fortifikimet prehistorike në Shqipëri (Epir+Iliri) me blloqe gurësh të mëdhenj dhe të paskalitur, sipas S.Islamit dhe Gj. Karaiskaj datohen nga fundi i periudhës së bronxit dhe fillimi i periudhës së hekurit (1200-800 p.e.s), dhe përfaqësohen nga Gajtani, Bellovoda, Treni, Podgoria dhe Gjonomadhi, Karosi. Por, pas tyre në kohë, këtu ata fusin edhe Kalivon, muret prehistorik të Buthrotit, Zgërdheshit, Akropolit të Lisit, Dorzës, Drishtit, Xibrit etj.
Gjithashtu trakte muri prehistorike, të kësaj natyre, sipas tyre, evidentohen edhe në muret rrethuese në Foinike, Nikaie, Olympe, Matohasanaj, Skutari, Dimali, Persqopi, Antipatrea (Partha antike sipas N.Cekës), Shenlli (Elbasan), Mbolan (Berat), Amantia, AkroLis etj.
Për mendimin tim kalatë (vendbanimet e fortifikuara) më të vjetra shqiptare të ndërtuara me mure ciklopikë, të cilat duhet t’i përkasin periudhës neolitike, janë: Foinikja, Gajtani, Zgërdheshi (Akropoli), Dorëzi Çuka e Aetoit, Kalivo, Xibri në Mat, Peca në Kukës, Lisi (Akropoli), Meteoni (Meduni) në Mal të Zi, etj. Ndërsa kala të kësaj periudhe, por ndoshta edhe asaj eneolitike, nga të cilat janë ruajtur trakte muresh pellazgjikë, mund të jenë: Akrolisi, Buthroti (Akropoli), Marsheji në Shkodër, Grazhdani në Dibër, Trajani dhe Ponçari në Korçë, Nikaie-Klos, Gurzeza dhe Rabija në Mallkastar, Amantia dhe Olimpe në Vlorë, etj. Këtë periodizim e mbështes thjesht në faktin se simotrat, apo sivllezërit, e këtyre tip apo stil ndërtimesh i hasim në fortifikimet përkatëse në Greqi dhe Itali, siç do ta përmend dhe në trajtimet në vazhdim, të cilët pa asnjë lloj kompleksi inferioriteti, i emërtojnë këto ndërtime, apo mure, pellazgjikë, madje, italianët shkojnë më tej, duke i quajtur ciklopikë.
VIJON
________________
Referencat:
1. N.A.Kun, “Mitologjia Greke”, Bot.TOENA-2005, Përkth.Shpëtim Çuçka, f, 247-248
2. Homeri, Odiseja, Bot.Onufri-2006, Përkth.Gr.v.Pashko Gjeçi, K.IX,v.214-217, 236-246, 249, f.153-154
3. George Fred Uiliams,“Shqiptarët”,Bot.Argeta-LMG,Tir-2003,Përkth.Angl.Akil Bubësi f. 14
4. Homeri, Iliada, Bot.Naim Frashëri-1979, Përkth.Gr.v.Gjon Shllakut , K.XIII, v.754-756, f.235; K.XVIII, v.363-364, f.333
5. Homeri, Odiseja, Bot.Onufri-2006, Përkth.Gr.v.Pashko Gjeçi, K.I, v.130-134, f.10-11; K.V, v.33-42, f.86; K.V, v.252-256, f.92

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura