BESNIK KRYEZIU: AKUZAT E SHIK-ut DHE BISEDIMET POLITIKE ME SERBINË!

(Würzburg, 04. 02. 2012) – Opinioni publik dhe ai qytetar është shokuar dhe tronditur me akuzat dhe shpifjet e llojllojshme të javëve të fundit, që për cak ishin disa figura të rëndësishme politike të vendit. Kjo luftë speciale dhe tepër antinjerëzore e antikombëtare do të thosha, filloi me akuzat që agjenti i SHIK-ut (tani deputet në Kuvendin e Kosovës), Bekim Haxhiu, bëri për Albin Kurtin. Kjo luftë po vazhdon të ashpërsohet dhe të marrë dimensione tepër të rrezikshme për mjedisin tonë politik, dhe fare lehtë mund të na shpije atje ku nuk do të dëshironim kurrsesi! Në dukje të parë dhe sipërfaqësore, mund të mendohet se kjo shpreh krizën e ideve që ka klasa politike në vend dhe vetë shoqëria në përgjithësi. Kjo, edhe mund të jetë njëra nga arsyet, por jo e vetmja dhe kryesorja!
Duke analizuar dhe parë zhvillimet politike për dhe rreth Kosovës, lehtas mund të vijmë te përfundimi se Qeveria e Kosovës, nëpërmjet deputetit Haxhiu, por edhe vetë Grupit parlamentar të PDK-së, kryetari i të cilit Adem Grabovci deklaroi publikisht se deputeti Haxhiu ka edhe mbështetjen e plotë të Grupit Parlamentar të PDK-së, ka pasur për qëllim të manipuloj dhe të hutoj njëherësh qytetarin e vendit duke larguar vëmendjen e tij nga zhvillimet politike që po ndodhin. Këtu do të përmendim sidomos largimin e vëmendjes nga problemi i Mitrovicës dhe bisedimeve që po mbahen në Bruksel, ku delegacioni i udhëhequr nga Edita Tahiri po vazhdon të bëj lëshime substanciale, duke e rrezikuar shumë seriozisht funksionimin dhe zhvillimin e shtetit tonë.
Pas tronditjes që pësoi opinioni publik dhe qytetar nga këto akuza dhe shpifje të ulëta, kemi fillimin e deklaratave serike nga faktori ndërkombëtar për një zgjidhje “kreative” të problemit të Mitrovicës, si dhe hovin diplomatik të planit të presidentit serb Boris Tadiq.
Siç edhe është pritur dhe thënë nga shumë analistë dhe politikanë, shtetet që e kanë njohur dhe po vazhdojnë ta mbështesin pavarësinë e Kosovës, tani po e presin planin konkret të kryeministrit Thaçi.
Duke dashur që kryeministri Thaçi të dal para faktorit ndërkombëtar si i vetmi faktor që do të mund të arrinte dhe zbatonte marrëveshje me Serbinë, lehtas mund të ketë premtuar edhe gjëra që qytetarët dhe opinioni publik në Kosovë, jo që nuk do t’i pranonte, por edhe do t’i kundërshtonte fuqishëm.
Në këtë logjikë të të menduarit më shpije vet retorika e Qeverisë dhe kryeministrit Thaçi, i cili, në një intervistë në Radion Evropa e Lirë, paragjykoi spektrin politik, duke thënë se sikur edhe gjithë spektri politik të pranonte heqjen e Republikës, ai s’do ta bënte këtë kurrë. Në fakt kjo tregon retorikën e njohur se më mirë është të sulmosh se sa të mbrohesh. Thaçi me deklarata të tilla bombastike ende po shpreson që para opinionit të dal si atdhetar dhe njeri që nuk bën kompromise, por në bisedimet e fshehura dhe larg vëmendjes së opinionit, ai mund të jetë krejt i ndryshëm
Ka dy fakte që janë tepër shqetësues për proceset që do të zhvillohen dhe po na presin në javët vijuese.
E para është se Kuvendi i Kosovës është shndërruar në një makinë votuese dhe tërësisht i kontrolluar nga Qeveria. Në gjithë këtë mjegull të qëllimshme, Qeveria po luan shumë mirë edhe me kartën e të ashtuquajturit unitet i klasës politike në vend, ku edhe partitë opozitare, përjashtuar Vetëvendosjen!, po i bën përgjegjëse për atë që pritet të ndodh në ditët dhe javët vijuese.
Ai në mënyrë krejt klandestine, bën një takim në një restorant të Prishtinës, ku merr “pëlqimin” dhe nënshkrimet e përfaqësuesve të partive parlamentare për një deklaratë politike për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës. Vetëm më pastaj kjo u hodh në votim dhe u aprovua në Kuvendin e Kosovës, në mënyrën që jemi mësuar ta shohim në këtë Kuvend: lexim dhe votim. Kaq!
E dyta, ka të bej me luftën speciale dhe akuzat denigrues që i përmendëm edhe në hyrje të këtij shkrimi për të gjithë ata që guxojnë ta thënë të vërtetën. Kjo luftë me gjasë do të vije duke u rritur, konform lëshimeve që do të bëj Qeveria për Veriun dhe bisedimet në Bruksel.
Sa më shumë që agjenda politike bëhet dhe zhvillohet jashtë Kuvendit të Republikës së Kosovë, aq më shumë do të rritet mundësia dhe rreziku i lëshimeve dhe kompromiseve ndaj trysnisë së Brukselit dhe këmbënguljes serbe.
Opozita politike në Kuvend do të duhej t’i vejë kushte Qeverisë dhe partive në pozitë, duke thënë haptazi dhe shumë qartazi, se nëse çdo marrëveshje e arritur me Serbinë në Bruksel nuk miratohet dhe ratifikohet në Kuvend, ata nuk do ta njohin dhe respektojnë këtë marrëveshje.
Nëse Qeveria vazhdon me këtë avaz dhe nuk e përfill Kuvendin dhe opozitën fare, atëherë opozita duhet ta braktis pjesëmarrjen në Kuvend dhe të kërkoj zgjedhje të reja demokratike. Kjo është e domosdoshme nga ana e opozitës në mënyrë që të respektohet organi më i lartë legjislativ në vend dhe të ruhet rendi kushtetues i Republikës së Kosovës.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura