(Würzburg, 17. 02. 2012) – Është ditë e shtunë. Fundjavë. I ftohti i acartë i fillimshkurtit po tregohet i pa mëshirshëm! Jam zgjuar herët për ta blerë gazetën time të preferuar “Zëri”, pa të cilën s´bëj dot. Leximi i gazetës këtu në kurbet nuk ka vetëm kuptimin e të lexuarit dhe marrjes së informacionit, por ka edhe kuptimin dhe simbolikën që në ato faqe gazete e prek dhe ndjen atdheun dhe njerëzit e gjakut tënd. Të paktën të shtunave kur gazeta brenda saj ka edhe shtojcën për kulturë, e ushqej shpirtin duke medituar për rrënjët e mija, ia mbylli derën mërzisë që është e pashmangshme në kurbet. Lajmet e mira nga atdheu të gëzojnë, të bëjnë për të fluturuar! Por, lajmet e këqija të hidhërojnë, të bëjnë të ndjehesh shumë keq! Fatkeqësisht lajmet për varfërinë janë të pandara, janë gjithmonë brenda faqeve të gazetës dhe kronikave televizive. Kjo dramë njerëzore po vazhdon t´i trondit shpirtrat e shumë familjeve shqiptare anembanë atdheut, duke ua bërë jetën të papërballueshme, duke i përballur me dilemën se a ka fund kjo gjendje ndonjëherë.
Në faqen tetë të gazetës, te rubrika “Rajoni”, lexoj shkrimin me titull: “Të varfër dhe të sëmurë”. Prekem shumë kur përfundoj së lexuari! Jam i bindur se dhembja, ndonëse në këtë rast, është individuale dhe familjare, ka përmasa universale dhe si e tillë me ose pa dashje hynë brenda teje dhe depërton deri në asht. “Varfëria ma ka pru shpirtin në fyt”, thotë personazhi i rrëfimit të gazetarit Kajtaz Gecaj.
Sikur të mos i mjaftonte vetëm kjo e keqe, ai thotë se e ka të sëmurë edhe vajzën e tij trevjeçare, për të cilën mjekët i kanë thënë se duhet operuar, por atij i mungojnë paratë për një gjë të tillë. Nuk e di se sa e tmerrshme është për prindin që të mos ketë mundësi që ta mjekojë fëmijën e vet, por edhe ta ushqejë dhe ta rrisë shëndetshëm! Këtu dhe me këtë rast mund të flasim për çdo gjë, por assesi për një jetë të dinjitetshme dhe fëmijëri të garantuar me të drejtat njerëzore.
Përveç prekjes shpirtërore nga ky rast, më lindën edhe disa pyetje për solidaritetin tonë si shoqëri dhe si popull që e kemi pasur dhe dëshmuar me shekuj. Kam përshtypjen se po i mbyllim sytë dhe veshët para këtyre rasteve, duke mos e treguar humanizmin e dëshmuar më herët.
Mbaj mend në vitet e 90-ta kur babai im ndante nga rroga e vet për një familje në Prishtinë, në kuadër të aksionit “familja ndihmon familjen”. Po tani pse nuk mundemi të jemi solidar me këta njerëz që ushqehen me mjerim, dhe mjerimi i ha ata? Sepse jemi fokusuar vetëm në botën tonë dhe assesi nuk duam ta prishim rehatinë dhe kënaqësinë.
Pa dashur të futëm fare në analiza socio – politike por edhe psikologjike, sikurse nuk më bën aspak përshtypje edhe pse mund të ketë të drejt Xhozef Marfi kur ka thënë se “varfëria është sëmundje psikike”. Dua ta zgjoj ndërgjegjen time dhe të gjithë lexuesve se nuk duhet të na mjaftoj vetëm vetja jonë, por se shoqëria ka detyrë dhe duhet të ketë përkujdesje për këta njerëz që kërkojnë ndihmën tonë.
Mundësia është gjithmonë kur njeriu ka vullnetin dhe dëshirën.
Të gjithë ne që jetojmë në shtetet perëndimore, dikush më shumë e dikush më pak, mundemi të ndajmë diçka nga vetja për këta njerëz. Mjafton vetëm të shikojmë se sa luks dhe gjëra të panevojshme bëhen në mesin tonë, ndërkohë që njerëzit e gjakut tonë nuk kanë kushte për të mbijetuar, iu mungon buka, iu mungojnë paratë për mjekim…Të gjithë ne po të ndanim nga një euro në ditë, në mbarim të vitit do t’i kishim 365 euro, të cilat do të ja ndanim këtyre njerëzve dhe më së shumti këtyre fëmijëve që nuk kanë as edhe një fije faji.
Vetëm një ditë të rinjtë dhe të rejat tona në kurbet sikur t’i “bojkotonin” diskotekat, mund të mblidheshin me qindra-mijëra euro! Vetëm një ditë të hiqnim dorë nga kafeja e mëngjesit, do të bënim shumë për këta njerëz.
Privimi ynë nga “luksi” qoftë edhe për një ditë, për shumë nga këta njerëz do të thotë jetë dhe buzëqeshje në fytyrën e tyre, por edhe neve do të na kthente dinjitetin si individë, si shoqëri dhe si popull.
Postime të Lidhura
AGIM SYLEJMANI: NDËRGJEGJJA E VRARË E HASHIM THAҪIT!
Zvicër, 27. 07. 2016: Jam i prirur që gjithmonë të mendoj pak më ndryshe se të tjerët. Për…
ELIFE LUZHA: PËR SHTETIN
Sekretarja amerikane e shtetit Hillari Klinton në ditarin e saj kujton: “Dardanët kosovar, që janë vetëm shqiptar në…
GËZIM MEKULI: TEATRI YNË POLITIK DHE GAZETARIA E LOTËVE
(Oslo, 14. 10. 2011) – Mediat janë duke prodhuar një klimë e një skenografi melodramatike; ku aktorët politik…
SHERADIN BERISHA: LIGJI I AHTISARIT DHE VOTA E QYTETARIT!
Pashtriku, 12 shkurt 20201: Para disa ditësh në rrjetin tim Fb., kam shkruar: “Zgjedhjet e 14 shkurtit do…