LUCË GJON MATI GJONAJ …

Lucë Gjon Mati Gjonaj nuk është dëshmor, por një burrë shumë i nderuar me të cilin krenohet Malësia  

Nga Gjekë Gjonaj

Para  disa ditësh  në rrjete sociale lexova  se Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë ka shpallur   kushëririn tim, Lucë Gjon Matin  “Dëshmor i atdheut”. Në “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe” (1980) botuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë   për fjalën “dëshmor” ka  këtë  përkufizim: “Ai që vritet në luftën për liri e për drejtësi shoqërore, ai që fal jetën për të mirën e popullit e të atdheut”. Mirëpo,  për fat të keq  realiteti shqiptar ka prodhuar një tjetër kuptim të fjalës “dëshmor”. Ajo është kthyer në një fjalë që jepet me qira për të mbuluar histori që nuk kanë shpesh lidhje me kuptimin e kësaj fjale. Dëshmi për këtë është edhe kjo  certifikatë dhënë  personazhit të këtij shkrimi. Pse? Sepse kushëriri ynë Lucë Gjon Mati, për të cilin jemi shumë krenar, nuk është dëshmor, mbase  nuk flijoi jetën për lirinë e atdheut siç  kam lexuar në disa libra të miqve të mi se  ai ka vdekur në luftën e Koplikut. Trieshjanët pohojnë se Lucë Gjon Mati ka marrë pjesë në këtë luftë, sikurse  edhe në luftën e Lemajës (1907), për ç’gjë ne nuk posedojmë ndonjë dokument zyrtar. Edhe nëse ka luftuar me pushkë në dorë në të dy këto beteja kundër ushtrisë osmane në Luginën e Cemit në Triesh dhe kundër ndërhyrjes ushtarake jugosllave në krahinën e Shkodrës, shtrohet pyetja a thua duhet shpallur dëshmor i atdheut. Sipas kësaj logjike, apo këtij kriteri do të ishte e drejtë që të gjithë trieshjanët e tjerë bashkëluftëtarë të shumtë të tij  që kanë marrë pjesë në këto  e beteja të tjera të  shpallen dëshmorë të atdheut.  

Për ata që nuk kanë njohuri të mjaftueshme për Lucë Gjon Matin po japim disa të dhëna që i konsiderojmë të rëndësishme. U lind në vitin 1862 në fshatin Rudinë (Nikmarash) në malin e Trieshit  dhe vdiq në moshën 95-vjeçare në vitin 1957. Nuk la trashëgimtar.  Hyri në historinë dhe kujtesën shqiptare që në kohën e hershme të rinisë, kur së bashku  me bashkëfshatarin dhe shokun e tij trim e fisnik, Mal Vuksanin Gjurashaj paguan çobaneshën  trieshjane, Tole Smajlen Cacaj  të cilën e kishin grabitur  një çetë  cubash nga qyteti i Pejës (Kosovë), udhëhequr nga Bajram Begu.  

Lucë Gjon Mati Gjonaj në popull gëzon një autoritet të madh. Atëherë dhe sot. Nga bashkëkohësit e tij dhe të tjerët që e kanë njohur për së afërmi, ai  vlerësohet ndër burrat më të ndershëm, më fisnik, më mikpritës dhe më trima e guximtarë të Trieshit dhe të Malësisë të shekullit të kaluar. Ai gëzoi respekt dhe besim të madh edhe tek kapedani i Trieshit, Marash Marku i cili në kohën e Kral Nikollës në shtëpinë e tij kishte edhe burgun. Për këtë arsye princi i Trieshit e angazhoi Lucë Gjon Matin si roje të armatosur të tij  për afro 20 vite, për çka edhe ai mori pensionin, vlera e të cilit asokohe, siç pohojnë pasardhësit e kapedanit të Trieshit, ishte përafërsisht sa shuma e 30 deleve. Me veprën e, Lucë Gjonaj nderoi në radhë të parë familjen, pastaj farefisin,  malin  e Trieshit dhe Malësinë.  

Në një rast feste para Kishës së Trieshit, burra të njohur trieshjanë  kishin biseduar njëri me tjetrin se cili trieshjanë është më  miri i asaj kohë. Shumica e tyre ishin pajtuar se ky epitet me meritë i takon pikërisht Lucë Gjon Matit. Si i tillë ka gëzuar respekt nga të gjitha grupmoshat. Nga ai, thonë trieshjanët, ke pasur çka të mësosh nga tradita jonë e lavdishme. Ka ditë shumë për traditën, doket dhe zakonet  mijëvjeçare shqiptare. Jo vetëm se ka ditë për vlerat shpirtërore të popullit të vet,  siç janë: besa, nderi, mikpritja, fisnikëria, bujaria, mirësia, bamirësia etj., por  ka qenë ithtar dhe zbatues i tyre i denjë. Në kujtesën kolektive të popullit të vet janë memorizuar shumë vepra të mira njerëzore të këtij njeriu zemërmirë  dhe gojëmbël, të cilat  mund t’u shërbejnë  si shembull brezave të ardhshëm shqiptarë në këtë kohë tranzicioni e globalizmi shoqëror, ku në të shumtën e rasteve  mbizotërojnë kundërvlerat, e jo vlerat.

Ky burrë i posaçëm e i rradhë për vlera të mira njerëzore  është dalluar, ndër të tjera, edhe për mikpritje. A ishte gjithmonë gati për të pritur mikun. Ishte e pamundur të hyje në shtëpinë e tij e të mos gjeje shumëçka për ta pritur mysafirin, sepse sipas ligjit tradicional, njerëzor e të krishterë: “Gjithkush e gjithherë, si ditën, ashtu edhe natën, duhej të  kishte gati  për mikun bukën,  kripën e zemrën e mirë, zjarrin në vatër, trungun për të mbështetur kokën e kashtën për shtroje”.  Ndjehej i lumtur , kur priste një mik në shtëpi e mund të ndante me të bukën.

Me gjithë respektin që kemi ndaj institucioneve të Republikës së Shqipërisë dhe  firmëtares së kësaj certifikate  mendojmë se ky  nuk është vlerësim i qëlluar, sepse  me këtë stil dëshmorizimi ndoshta përdhosen dëshmorët e vërtetë, ata që kanë dhënë jetën për lirinë dhe për mbrojtjen e jetës dhe të pasurisë së përbashkët.

Më këtë  sqarim qëllim mirë  nuk duam të  absolutizojmë, që në kohë moderne dekoratat e mirënjohjet   nuk kanë sens për të gjallët, pasi ka çaste heroike dhe sot që meritojnë të çmohen, por jo që të ketë një shpërthim lëvdatash  mbarëpopullore. Jemi të mendimit që  autoritetet më të larta të Republikës së Shqipërisë mos të jenë kaq bujare si deri më tani, veçmas pas viteve 90’ kur është   fjala për  dhënien e dekoratave e mirënjohjeve të ndryshme, por të ashpërsojnë kriteret  dhe procedurat e përzgjedhjes. 

Nga ky  inflacion (lum)  dekoratash e mirënjohjesh nga shteti shqiptar gjatë 30 viteve të fundit, deshëm apo s’deshëm ta pranojmë ka ndikuar që edhe  disa shqiptarë në Mal të Zi, kryesisht malësorë të etur për lavdi vetjake dhe fisi të ngritën në këmbë për të kërkuar sa më  shumë tituj nderi në disa raste edhe pa merita me lobime, pazare e forma të tjera.  Nëse vazhdohet kështu ec e thuaj pastaj se çdo familje  malësore (shqiptare) nuk meriton të ketë  nga një hero si Dedë Gjo’ Lulin, ngjashëm me atë vargun e famshëm  “Të gjithë  shqiptarët janë Mic  Sokola”.  

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura