BUSHMANËT E KALAHARIT PARASHIKOJNË EMRIMET DHE ZGJEDHJET DEMOKRATIKE NË KOSOVË!

Nga Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Çka dallon bushmanët e Kalaharit dhe “ bushmanët“ e Kosovës

Bushmanët e Kalaharit janë një popull i vogël, gjithsej 25, 000 që jetojnë në zemër të Kalaharit, shkretëtirë gjysmë e thatë, me një sipërfaqe prej 900.000 km. e vendosur midis Bocvanës, Namibisë dhe Afrikës së Jugut. Karakteristika e bushmanëve është se janë shtatshkurtër, me një lartësi prej maksimum 150 cm. dhe se jetojnë nga gjahu sikur që nuk e dinë çka është prona private , as për pasuri materiale e as për gra dhe fëmijë. Në këto kushte , pa asnjë ndryshim jetojnë që nga koha e gurit dhe kanë mbijetuar falë aftësive për gjueti dhe mbijetesë në kushte ekstreme . Nuk ka ndodhë dhe nuk ndodhë që dikush nga ta të vdesë për shkak të mungesës së ushqimit apo ujit për faktin se e kanë trashiguar aftësinë për të gjetur burime të ujit apo për ta ruajtur ujin e grumbulluar në enë prej vezëve të makushit që i fusin në zgavra të tokës për t’i përdorur kur kanë nevojë. Për shëndetin e tyre fizik dhe shpirtëror kujdeset shamani që , në gjuhën e sotme i bie të jetë si Rifat Latifi me dallim se janë shumë më profesionistë dhe më të përgjegjshëm . Shamanët merren edhe me egzorcizëm ( nxjerrjen e djallit nga trupi ) sikur që janë edhe parashikues të fatit. Ata e quajnë veten “ Bijtë e Diellit “ kurse anglezët i quanin “ Bijtë e Kaçubes “ për faktin se nga çdo rrezik futeshin në kaçuben e parë .

“Bushmanët“ e Kosovës që veten e quajnë kosovarë jetojnë në Kosovë dhe në diasporë, kohëve të fundit kanë depërtuar edhe në Shqipëri . Mund të jenë afërsisht 1.5 milionë . Mesatarisht janë 1.73 cm.të gjatë . E njohin shumë mirë pronën private dhe bëjnë çmos për të , si në aspektin material ashtu edhe emocional. Hapësira ku jetojnë është e ndryshueshme dhe varet nga Serbia se a do të jetë 11,000 km.  apo 8000 km. Disa prej tyre janë shamanë e disa politikanë, sharlatanë që janë përcaktues për pronën private personale , në dëm të pronës së të tjerëv.  Pronën e përbashkët e konsiderojnë si pronë personale . Janë gjuetarë shumë të mirë të pronave dhe të mirave të të tjerëve si dhe grave të kojshive. Kryeshamani i “ bushmanëve kosovarë “ është Rifat Latifi që kohën më të madhe e kalon në ekspedita turistike prandaj e zuri rruga edhe në Kalahari. E tash , kry – krye shamani , shaman edhe mbi kryeshamanin Rifat Latifi është Albin Kurti , me shpurën e shamanëve të vegjël që i quan ministra apo këshilltarë , deputetë apo rrogëtarë , është njëjtë. Për dallim nga shamanët e bushmanëve , kryeshamanët dhe kryebushpecët kosovarë , jo që merren me egzorcizëm  apo nxjerrje të djallit nga trupi i njeriut por ,  me inzorcizëm apo futje të djallit brenda trupit të njeriut dhe me maksorcizëm ose rritje e djallit ekzistues brenda trupit të njeriut . Bushpecët kosovarë  e quajnë veten “ Bijtë e Skenderbeut dhe Nëna Terezës “ në ndërkohë që Fadil Hoxha i pati quajtur “ Bijtë e Birës së Minit 330 grosh “

Diçka për dhe rreth titullit

Për të treguar kapacitetin parashikues të shamanëve të bushmanëve po e ilustroj me tre raste ;

I pari ; parashikim i saktë 100 % për zgjedhjen e të parit të Agjencionit Kundër Korrupsionit në Kosovë

I dyti  ; parashikimi i mundshëm se kush do të zgjidhet drejtor i Institutit për Krime Lufte në Kosovë dhe ,

I treti ; hezitimi apo pasiguria se kush do të zgjidhet kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Rasti i parë

Një bushpec kosovar , me të dëgjuar se shamanët e bushmanëve në Kalahari janë parashikues të saktë , pasi kishte shkuar në Kenia për të lobuar që Brazili ta njohë pavarësinë e Kosovës , e theu rrugën për në Kalahari sepse i duhej një parashikim pasi kishte konkuruar për drejtor të Agjensionit Kundër Korrupsionit në Kosovë. Me ta takuar shamanin e bushmanëve , bushpeci kosovar , nga një lartësi prej 195 cm. sa  ishte i gjatë , iu drejtua mjekut të bushmanëve , 132 cm. i gjatë duke i thënë , përmes përkthyesit zyrtar qeveritar se nuk ka nevojë për egzorcizëm sepse në të nuk ka djallë për faktin se djalli është vet i tëri por se i duhet një parashikim   për gjasat e tij për t’u zgjedhur në atë post. Para se të flasë shamani, kandidati potencial i tregoi se ka studiuar drejtësinë në Stamboll , se ka shitur salep , se ka takuar Ibrahim Tatlisesin , se ua ka rruar k…t dervishëve e pastaj edhe qeveritarëve në Kosovë dhe se ka referenca , si ekspert për kruarje të bishtit njerëzve në pushtet edhe nga ish –pushtetarët dhe nga një pjesë e këtyre të sotit. Se e  paska mbaruar masterin në UBT dhe doktoraturën në TBU . Shamani e dëgjoi me shumë kujdes dhe , pa asnjë pikë dyshimi e dha parashikimin ….. jo , jo , jo dhe një Jo të madhe . Qenke rrogëtar por jo edhe aq sa për të zgjedhur në atë pozitë . Në atë pozitë do të zgjedhet Yll Kurleshka sepse dëftesën e shkollës fillore e ka Albin , diplomën e shkollës së mesme e ka Albin , fakultetin e ka Albin, integritetin e ka Albin , servilitetin e ka Albin dhe makrorrogëtarllëkun e ka Albin. Të gjithë jemi dëshmitarë se drejtori i AKK të Kosovës nuk u zgjodhë personi që e përmendi shamani sepse zoti Kurleshka nuk quhet drejtori i këtij institucion përveç nëse nuk është në pyetje ndonjë gabim teknik në mbiemrin e zotëriut në fjalë . Emri është i njëjtë , nuk e luan topi !

Rasti i dytë

Në rezervatin Kalahari shkoi një delegacion i një ministrie të respektueshme në Kosovë për të marrë përvojën e jetëgjatësisë së bushmanëve në kushte ekstreme, që nga Epoka e Gurit e deri më sot . Këta donin që këtë përvojë ta përkthejnë në sigurimin e jetëgjatësisë së mbetjes në pushtet , me çdo çmim , madje edhe nëse kohën duhet ta kthejnë mbrapshtë , nga lulëzimi dhe zhvillim i paparë ekonomik që është sot në Kosovë e deri te Epoka e Gurit , në parailirinë e lashtë. Njëri prej tyre , i shquar se është më i thjellët nga mendja e turbulluar nga urrejtja e që e kanë shumica , pati një kërkesë eksplicite për shamanin se a do të zgjedhej ai si drejtor i Institutit për Krime Lufte në Kosovë . Si referencë e paraqiti moshën , ekspertizën në procesin e diferencimit të patriotëve shqiptarë, një krahë diploma dhe tituj , dëshmi për tredhje të trurit dhe të hurit , dhe një kryedëshmi , në gjuhët e kombeve dhe kombësive që jetojnë në Kosovë për lojalitet ndaj të gjitha regjimeve , që nga koha e Josip Broz Titos e deri te regjimi aktual. Si provë materiale e solli pjatën e lëpirë në të gjitha regjimet që ishte më e pastër se ta kishte kaluar procesin e larjes dhe tharjes elektronike të enalarseve BOSCH. Shamani , pas një pushimi të shkurtër , pasi u pëshurrë para kaçubes së parë , filloi elaborimin e parashikimit të tij duke i thënë se është për admirim lojaliteti ndaj të gjitha regjimeve që është themel i një integriteti moral dhe profesional por se , përkundër llaskucërisë së dëshmuar , gjasat për t’u zgjedhur në atë post janë zero , zero , zero dhe vetëm zero. Po kush mund të jetë në atë post , pra ,  ? Shamani , pasi mori një copë jashtëqitjeje të një elefanti dhe pasi e solli tre herë rreth kokës tullace të kandidatit fatkeq tha ; “ Në këtë post do të zgjidhet një femër me emrin Eleonora , Nora , Leonora dhe me mbiemrin Feller , Weller apo Muller , nuk jam shumë i sigurt cila por , jam i sigurt se njëra nga to do të jetë kryetare e ardhshme …”. Po , ty , si të quajnë , pyeti shamani i bushmanëve , kandidatin e bushpecëve kosovarë . Mahmut , Ismut , Mehmut , po çka ka tashmë rëndësi  pasi më gjuajtën për lesh! Mbetet të shihet nëse ky parashikim i shamnit do të jetësohet . Nuk është pa gjasa .

Rasti i tretë

Një mongoloid (për ta madhëruar i thonë se e ka prejardhjen prej mongolëve ) i kabinetit qeveritar , në përputhje me statusin intelektual që e ka dhe mandatit që i është dhënë , doli para shamanit me një raport që e lexoi duke kërkuar që shamani të parashikoi se kush do të zgjidhet kryetar i LV –së. Shoku shaman , në të gjitha pikat e partisë më demokratike  në Hajkobillë dhe rrethinë janë bërë pregatitjet për votim më demokratik që nuk njihet as në kohën e Neronit , Musolinit , Ciceronit , Biberonit dhe Shtrausit , Ban ki Munit dhe Sadat Hudumit  për ta zgjedhur kryetarin , kryeparin , Diellin dhe Hënën , Babën dhe Nënën , Natën dhe Diten , Terrin dhe Driten , Perëndimin e Hashimit dhe Lindjen e Albinit … Aha , thotë shamani , për Binin po thua a ?! Nuk kam koment, nuk guxoj të parashikoj, tuta – tuta, ha dardha të buta . Përfundoi filmi. Çështja e parashikimit  është si çështja e bashkimit .

Lajme të mira për shëndetësinë

Më në fund lajme të mira për shëndetësinë publike në Kosovë . Nuk do të ketë nevojë për spitale private në Kosovë , Maqedoni , Turqi , Serbi , Shqipëri , Evropë dhe Amerikë falë shamanit të bushlecëve kosovarë , Rifat Latifit . Me një të rame, shumë të vrame . Ate që nuk e arriten të gjithë shamanët e bushlecëve kosovarë në lëmin e shëndetit publik , që nga përfundimi i luftës e deri tani , e arriti badihavxhia profesionist , Rifat Latifi . U takua me prindët e Rita Orës !

27 shtator 2022 Prishtinë Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura