CHARLES HECQURAD: MATERIALE ARKIVORE PËR LIDHJEN SHQIPTARE TË PRIZRENIT

Pashtriku.org, 13. 06. 2013 – Zoti Charles Hecquard, djali i ish konsullit të Francës në Shkodër të Shqipërisë, botoi pak kohë më parë në Bruksel një libër shumë të dokumentuar mbi çështjen e Lindjes. Ja disa pjesë që kanë të bëjnë me shqiptarët.
I
“Që atëhere, formohet “Lidhja shqiptare” e famshme, midis shqiptare del në pah solidarësia, prej saj lind idea kombëtare që ndiqet më pas nga idea autonomiste. Pas pak kohësh, në nëntor 1880, Abdyl-Hamidi II, duke mos e kundërshtuar dot, e pranoi reklamën e Dulcignos, u detyrua të luftonte avazet që ai vetë i kishte nxjerrë vetes në Shqipëri. Ai dërgoi atje marshallin Dervish pasha dhe, në krye të disa javëve, mbaroi gjithçka.Për fat të keq të Turqisë, individualiteti politik i shqiptarëve në kontakt me këto ngjarje, u forcua në mënyrë të tillë që ata duke e vënë vendin e tyre mbi çdo gjë tjetër, shikonin me qetësi madje me vetëkënaqësi ndarjen e tyre të plotë me Turqinë” (Faqe 155)
II
Në të vërtetë, shqiptarët myslimanë nuk e lidhin fare fatin e tyre me atë të Perandorisë otomane në Evropë. Duke mos shpresuar asgjë nga kjo e fundit, ata e vlerësojnë Shqipërinë si pronë të tyre, domethënë si një vend ku ata mund të bëjnë ç’të duan se janë të detyruar ta mbrojnë vetë dhe që vendi i tyre mund të rronte edhe pa Turqinë. Që këtej idea separatiste nuk është larg” (Faqe 157).
III
Po kthehemi edhe një herë tek Shqipëria, biri i guximshëm i së cilës ishte edhe Ganiu. Për shkak të politikës së Abdyl Hamitit të II-të, kjo provincë po shkëputet gjithnjë e më shumë nga Perandoria otomane. Ky fakt nuk mund të mohohet, atë e pranojnë shumë turq, funksionarë dhe të tjerë. Në përgjithësi shqiptarët i përbuzin administratorët otomanë të emëruar në rrethana të vajtueshme që i kemi paraqitur në një kapitull tjetër. Nga kjo përbuzje erdhi edhe dëshira për të shpëtuar nga qeverisja e tyre aq sa të mundnin, dhe vërtet siç e provojnë shifrat e taksave dhe marrëdhëniet e njohura midis popullsisë shqiptare dhe mutesarifëve, kajmekamëve mydirëve dhe përfaqësuesve otomanë, ata po shpëtojnë prej saj. Për të luftuar këtë shkëputje shumë reale, megjithë përpjekjet e Mulla Zekës dhe shefave të tjerë të ledhatuar nga Jildizi, Abdyl Hamiti i II-të duke i u drejtuar shqiptarëve myslimanë luan me një kartë tjetër, kartën e kalifatit. Por edhe kjo mënyrë sjelljeje nuk i shlyen dot kurrë fajet që ka bërë, sepse tani që ndërgjegja e Shqipërisë është zgjuar, asgjë nuk mund ta bëjë atë që të kthehet përsëri te ideali otoman, që me sa duket është i dënuar qysh tani nga ngjarjet e rënda që priten të ndodhin së shpejti.

CHARLES HECQUARD
E 79-80, 1900, nr 12 (dhjetor)
(Vazhdim dhe fund)

Në mars të vitit 1867 qeveria turke u detyrua të dërgonte përsëri Mahmud Pashën në Prizren; megjithatë ai mblodhi një forcë ushtarake të vogël dhe për këtë arsye – dhe këtë e kishte mësuar nga përvojat e hidhura të së kaluarës – nuk ndërmori asnjë veprim. Prania e tij në Prizren prapëseprapë mjaftoi për të paralizuar lëvizjen. Pas kryengritjes që organizuan në atë kohë të krishterët e Kretës kundër qeverisë turke, qarqet qeveritare nuk ishin të gatshme për t’u bërë një nder të krishterëve, por nuk ishin të gatshme as të silleshin ashpër me shtetasit muhamedanë për dashurinë ndaj të krishterëve. Kështu që Mahmud Pasha, pas dy muajsh u thërrit në Konstandinopojë dhe u ngarkua të kryesonte një komision në Prizren, që duhej të paqësonte me të mirë Shqipërinë verilindore që s’po shtrohej.
Aqif beu dhe Mulla Sejfudin Efendiu, të dërguarit e portës, deri në verën e vitit 1868, vepruan në Prizren, Gjakovë dhe Pejë. Megjithatë veprimtaria e tyre nuk la asnjë gjurmë jetëgjatë në këto krahina, në të cilat mbeti një përçarje e fshehtë midis administratës dhe popullsisë, përçarje që dukej edhe më shpesh gjatë kryengritjeve të vogla.
Në krahinat jugore të Shqipërisë, domethënë në vilajetet e Janinës dhe Manastirit, sistemi i ri kishte arritur të zinte vend më mirë. Shumë nga ata që i përkisnin kastës së bejlerëve dhe agallarëve hynë në shërbim në sektorin civil dhe ushtarak, gjë që çoi në forcimin e interesave të përbashkëta midis qeverisë dhe kësaj klase që kishte ndikim në radhët e popullsisë dhe kjo i krijoi mundësinë administratës së re të ngulitej më mirë në Shqipërinë e jugut se sa në pjesët e tjera të vendit. Në këtë rast, qeveria qëndrore i u përmbajt parimit që pjesa më e madhe e nëpunësve me kombësi shqiptare të punonte në provincat anatoliane dhe jo në atdheun e tyre.
Megjithatë edhe në jug të Shqipërisë për disa zona të largëta malore mbeti mundësia për t’iu shmangur mbikqyrjes së administratës.
Disa kryengritje që plasën në Shqipërinë e jugut, si për shembull, ajo e vitit 1867, ishin të kufizuara në popullsinë e krishterë dhe e kishin bazën e tyre jo aq shumë në situatën e brendshme se sa në faktin se toskët e krishterë, duke qënë nën ndikimin e klerit që anonte nga Greqia, aq sa, shpesh, ngjarjet që ishin në dobi të veprimeve politike të Greqisë, ishin të lidhura me lëvizjen kundër qeverisë turke.
Në vitet 1878-1881, për tre vjet me radhë, Shqipëria u gjend nën pushtetin e Lidhjes Shqiptare.
Lidhja Shqiptare ishte një qeveri popullore. Kur kërkojmë në histori shembuj të ngjashëm me të, gjejmë që ajo ka në vetvete diçka nga konfederata që krijuan kantonet zviceriane të Uri dhe Unterwald më 1307, dhe më shumë, diçka nga Komiteti i Shpëtimit Publik që qeverisi Republikën franceze gjatë viteve 1793-1795.
Me konfederatën Lidhja Shqiptare ka edhe atë të përbashkët, që interesat që i përkisnin kantonit të ndarë dëmtonin bashkësinë, dhe shembëllimi me Komitetin e Shpëtimit Publik është në karakterin terrorizues që kishin shpesh masat që merrte ajo.
Qeveria popullore e Lidhjes Shqiptare nuk kishte një qendër që të bënte një organizim unitar, madje, në disa pjesë të Shqipërisë, u paraqit e përfshirë brenda komiteteve lokale, dhe gjendeshin midis tyre në marrëdhënie të papërcaktuara mirë për sa i përket qeverisjes. Lidhja Shqiptare u shfaq veçanërisht në Prizren, Janinë, Prevezë, Shkodër dhe Dibër.
Qarqet qeveritare turke të Konstandinopojës patën një ndikim të madh në krijimin e kësaj lëvizjeje popullore; idea për formimin e Lidhjes, lëvizja për ta formuar atë sigurisht burimin e kishte tek ata. Elementët që hynë në veprim, dhe mendjet e hartuara u çliruan më vonë dhe kështu që veprimtaria e Lidhjes, madje edhe projektet dhe planet e saj të mëdha që kishin të bënin me organizimin politik të brendshëm të Shqipërisë ishin shfaqje të vetvetishme të rrymave dhe të aspiratave kombëtare.
Pika e parë në programin e Lidhjes Shqiptare ishte tërësia tokësore shqiptare, mbrojtjen e të cilës, në vend të qeverisë turke, që u tregua e pazonja ta bënte, e mori përsipër populli shqiptar. Pasoja e drejtpërdrejtë e kësaj ishte që taksat dhe ndihmat nuk iu dhanë qeverisë turke, por u ruajtën për Lidhjen.
Më 1878, në Prizren, nën kryesinë e Iliaz Pashës nga Dibra u krijua një komitet i Lidhjes Shqiptare, në të cilin ishte përfaqësuar pjesa veriore e Shqipërisë, domethënë rrethet e Shkodrës, Prizrenit, Gjakovës, Pejës, Gucisë, Mitrovicës, Vuçiternit, Prishtinës, Gjilanit, Shkupit, Tetovës, Gostivarit, Kërçovës, Manastirit dhe Dibrës.
Një kuvend i tillë u mblodh edhe në Gjirokastër në të cilin ishin përfaqësuar rrethet e Janinës, Gjirokastrës, Delvinës, Përmetit, Beratit, Vlorës, Filatit, Margaritit, Ajdonatit, Pargës, Prevezës, Artës, Tepelenës, Kolonjës dhe Korçës. Në krye të kësaj lëvizjeje ishte Abdyl bej Frashëri nga Përmeti. Të dy komitetet mbanin lidhje midis tyre me anë të njerzve të besuar që takoheshin në Elbasan.
Qeveria turke kishte emëruar si të dërguar të saj për të përcaktuar kufirin me Malin e Zi dhe atë me Greqinë, marshallët Mehmet Ali Pashën për kufirin malazez dhe Ahmed Myshtar Pashën për kufirin grek. Marshalli Mehmet Ali Pasha u vra më 6 shtator 1878, në Gjakovë nga kryengritësit që nuk deshën t’i jepnin asnjë pëllëmbë tokë Malit të Zi. Detyra e Ahmed Myshtar Pashës nuk pati një fund kaq tragjik. Ai drejtoi në shkurt dhe në mars 1879, bisedimet me përfaqësuesit grekë, të cilat nuk arritën asnjë përfundim dhe atëherë e dërguan si komandant të ushtrisë në Manastir.
Gjatë këtyre bisedimeve, Lidhja kishte një komitet në Prevezë, i cili bënte një propagandë aktive kundër lënies së Janinës, Prevezës dhe Artës që kërkoheshin me forcë nga Greqia. Abdyl bej Frashëri dhe Mehmet Ali bej Vrioni shkuan në Romë, Berlin dhe Vjenë si përfaqësues të Lidhjes për të ndikuar pranë qeverive të këtyre vendeve në dobi të ruajtjes së tërësisë tokësore të Shqipërisë.
Me Malin e Zi dhe Greqinë, përballë të cilëve qëndronte me vendosmëri Lidhja, u bashkuan si armik i ri bullgarët, duke kërcënuar edhe ata integritetin e territorit shqiptar. Në nëntor 1878 bandat bullgare hynë befas në sanxhakun e Seresë, pranë Selanikut dhe dhanë sinjalin për formimin e bandave të tjera të kryengritësve bullgarë në rajonet e Kenprulës, Prilipit, Vodenës, Kastorias dhe Manastirit që ndodheshin në kufirin lindor të Shqipërisë. Shqiptarët e këtyre rajoneve, dhe veçanërisht ata të Dibrës e panë se kryengritja bullgare synonte të sendërtonte Bullgarinë e madhe të Traktatit të Shën Stefanit, që përfshinte shumë pjesë të territorit shqiptar, dhe si pasojë u kthyen me vendosmëri kundër kësaj lëvizjeje, e cila shumë shpejt u braktis edhe nga vetë ata që e nxitën. Krerët e Lidhjes së Shqipërisë jugore e shtrinë programin e saj edhe mbi çështjen politike të brendshme, në atë të organizimit të ardhshëm të Shqipërisë. Ata donin të bashkonin të gjitha viset shqiptare në një provincë të vetme dhe si kryeqytet i saj ishte caktuar Ohri. Punonjësit administrativë të kësaj province duhej të ishin të gjithë shqiptarë dhe administrata të përdorte gjuhën shqipe; për këtë duhej të hapeshin shkolla shqipe dhe një pjesë e taksave të mos dërgohej në konstandinopojë, por të mbeteshin në provincë dhe të përdoreshin në interes të saj; një komision i zgjedhur nga populli duhej të kontrollonte zbatimin urdhëresave të ndryshme; të gjitha besimeve fetare u premtohej liria e kultit. Në kuvendin që u mblodh në fillim të tetorit 1879 në Prizren, edhe përfaqësuesit e Shqipërisë së veriut diskutuan mbi këtë program dhe e pranuan atë. Megjithatë këto përpjekje nuk gjetën kuptimin dhe interesimin e duhur nga ana e përfaqësuesve shqiptaro-veriorë, për arsye se këta të fundit ishin dhënë krejt pas ngjarjeve që po zhvilloheshin në kufirin malazez.
Në fillim të muajit gusht 1879, Lidhja i dërgoi Komisionit ndërkombëtar, që ishte mbledhur për të caktuar kufijtë midis Malit të Zi dhe Turqisë, një protestë kundër copëtimit të tokave shqiptare. Kur qeveria malazeze e pa se marrja në zotërim e territorit të Gucisë nuk do të bëhej pa qëndresë nga ana e shqiptarëve, mblodhi trupa në kufirin e këtij rajoni, të cilat morrën për detyrë ta pushtonin ushtarakisht atë. Komandant i këtyre trupave u caktua vojvoda Bajo Petroviç. Edhe Lidhja mblodhi trupat e saj në Guci, të cilat ndodheshin nën komandën e Ali Pashës.
Në fillim të nëntorit, trupat malazeze, që kishin përparuar deri në Velika dhe Pepiç – rreth tri orë larg Gucisë – u takuan me trupat e Lidhjes. Më 4 nëntor 1879, në vijën Novsiç-Velika u zhvillua një betejë në të cilën morrën pjesë katër batalione malazeze dhe rreth gjashtë mijë shqiptarë. Të dy palët përvetësuan fitoren. Atëherë Porta i dha urdhër marshallit Myshtar Pasha të nisej me trupat e tij nga Manastiri në drejtim të Gucisë dhe t’ua dorëzonte rajonin malazezëve. Marshalli shkoi në Prizren dhe që aty hyri në bisedime me krerët e Lidhjes në Guci. Megjithatë më 8 janar 1880, palët u ndeshën përsëri. Malazeztë ishin vënë në lëvizje nga Pepitçi drejt Metejit, pranë Plavës, por aty u sulmuan nga trupat e Lidhjes; tetë batalione malazeze dhe rreth dhjetë mijë shqiptarë morrën pjesë në luftim. Edhe kësaj here secila nga palët kërkoi ta merrte për vete nderin e fitores. Megjithatë trupat malazeze u tërhoqën në grykën e Gutjeskës pranë Andievicës dhe shqiptarët dogjën fshatrat e Velikës, Raznicës dhe Pepitshit. Qeveria malazeze hoqi dorë nga plani i pushtimit ushtarak të rajonit të Gucisë dhe i u drejtua fuqive nënshkruese të Traktatit të Berlinit për të zbatuar fitimin territorial që ky traktat i kishte njohur Malit të Zi.
Qeveria italiane mori nismën e ndërmjetësit midis Turqisë dhe Malit të Zi, dhe rekomandoi kompromisin e mëposhtëm: Mali i Zi në vend të rajonit të Gucisë duhet të merrte rrypinën territoriale që përfshinte luginën e Vermoshit mbi Guci, anën e djathtë të luginës së Cemit deri në dalje të këtij përroi nga malet në fushë, pranë Dinoshit, dhe gjithë fushën e Tuzit deri në gjirin e vogël të Kastratit dhe Hotit në liqenin e Shkodrës. Me këtë vijë kufiri, dy të tretat e Grudës, një pjesë e tokës së Hotit dhe një pjesë e madhe e fushave, livadheve dhe kullotave të Kelmendit i shtoheshin Malit të Zi. Më 12 prill 1880 ky rregullim u pranua nga të dy palët.
Kjo marrëveshje shkaktoi që në fillim tek fiset shqiptare që prekeshin drejtpërdrejt prej saj, mandej në të gjithë Lidhjen Shqiptare kundërshtimin më të fortë, dhe Lidhja ishte e vendosur ta mbronte me armë integritetin e Shqipërisë edhe në këtë vend. Territori që do të merrte Mali i Zi duhej të pushtohej më 22 prill 1880 prej tij. 4000 shqiptarë zunë vijën e kufirit për të mos lejuar pushtimin e tokave të tyre. Malazeztë nuk hynë në luftë, por i u drejtuan përsëri diplomacisë. Forcat ushtarake të Lidhjes me gjithë përforcimet arrinin në 8.000 vetë. Ato komandoheshin nga Hodo beu nga Shkodra dhe kapidani i Mirditës, Preng Bib Doda. Qendra e vijës së mbrojtjes ishte qyteti i vogël i Tuzit.
Në prag të këtyre ngjarjeve, në fillim të qershorit, Anglia bëri një propozim të ri, sipas të cilit Mali i Zi nuk duhej të merrte as rajonin e Gucisë, as luginën e Cemit, as fushën e Tuzit por rajonin e Ulqinit, në bregdetin e Adriatikut. Elementët e arsyeshëm të Lidhjes e kuptuan se çdo kundërshtim i mëtejshëm i vullnetit të fuqive të nënshkruese të Traktatit të Berlinit nuk kishte asnjë perspektivë për sukses, dhe vendosën ta dorëzonin këtë rajon. Por pjesa ekstremiste mendonte se edhe Ulqini duhej mbrojtur me luftë. Përveç kësaj kjo pjesë ishte e kufizuar në disa koka fanatike në radhët e myslimanëve të Shkodrës. Nën komandën e Jusuf Aga Sokolit, disa qindra njerzish, në fillim të qershorit zunë menjëherë pozicionet pranë fshatit kufitar Mrkoviç dhe maleve të Majorës si dhe vetë qytetin e Ulqinit Qeveria turke, në gusht 1880, dërgoi në Shkodër gjeneral Riza Pashën, me qëllim që t’u dorëzonte malazezëve rajonin e Ulqinit. Në fillim të shtatorit, fuqitë nënshkruese të Traktatit të Berlinit, për t’i bërë presion qeverisë turke organizuan përballë Ulqinit manovra ushtarako-detare me pjesëmarrjen e katër luftanijeve austro-hungareze, katër angleze, tri franceze, tri italiane, dy ruse dhe një gjermane.
Qeveria turke u detyrua të mbante zotimin. Gjeneral Riza Pasha u largua nga Shkodra dhe për të dorëzuar rajonin e Ulqinit, në fund të tetorit, mbërriti në Shkodër marshalli Dervish Pasha. Një forcë shumë e madhe ushtarake ishte përqëndruar pranë fshatit të Shëngjinit, në bregun e djathtë të Bunës, në gjysmë të udhës midis Shkodrës dhe Ulqinit, dhe më 21 nëntor, nën komandën e Dervish Pashës u nis për të pushtuar Ulqinin. Kolona e krahut të djathtë u sulmua nga trupat e Jusuf Aga Sokolit, pranë vendit të quajtur Shkalla e Mrishkës, në Majura, përballë Kodrës Kuke afër fshatit të Kleznës. Pas një luftimi që zgjati rreth dy orë, shqiptarët u thyen dhe, më 23 nëntor Dervish Pasha hyri në Ulqin. Më 26 nëntor rajoni i Ulqinit u muarr në zotërim nga malazeztë, ndërsa më 6 dhjetor flota aleate përfundoi stërvitjen dhe u tërhoq.
Gjatë kohës që në kufirin verior të Shqipërisë po zhvilloheshin këto ngjarje, Lidhja ishte e zënë me punë edhe në kufirin jugor. Në qershor 1880, në Berlin, u organizua një konferencë për të rregulluar çështjen e kufirit greko-turk. Konferenca mori nga Berati, Vlora, Gjirokastra, Margariti, Janina dhe Preveza informata që kërkonin që vija e kufirit të kalonte në atë mënyrë që asnjë pjesë e territorit shqiptar të mos i jepej Greqisë. Vija kufitare e miratuar nga Konferenca i hiqte Shqipërisë gjysmën e Çamërisë, domethënë rajonet e Janinës, Ajdonatit, Margaritit, Lusos dhe Prevezës. Këtë vijë e kishte propozuar dhe këshilluar me ngulm qeveria franceze. Vullneti popullor i Shqipërisë së jugut u ngre kundër këtyre coptimeve të mëdha të territorit të vendit. Për të organizuar qëndresën e armatosur kundër grekëve që priteshin të vinin në Berat, u formua një komitet nën drejtimin e Mehmed Aliut dhe Omer bej Vrionit. Pas bisedimeve diplomatike shumë tw gjata, fuqitë e mëdha u mblodhën për të rishqyrtuar vijën kufitare të miratuar nga Konferenca e Berlinit dhe nga ambasadorët në Konstandinopojë. Përfundimi i këtyre bisedimeve, të zhvilluara në mars 1881, ishte një vijë e re kufitare që i jepte Greqisë Tesalinë dhe, kufiri shqiptar ndante nga Shqipëra vetëm rajonin e Artës, e cila iu dha grekëve me 6 korrik 1881.
Me dorëzimin e Ulqinit dhe Artës përfunduan edhe copëtimet territoriale që Turqia duhej t’i bënte Shqipërisë. Në të vërtetë Lidhja Shqiptare nuk arriti të zbatonte plotësisht pikën e parë të programit të saj: sigurinë e integritetit të territorit shqiptar, por megjithatë pjesërisht e realizoi me sukses.
Siç e thamë edhe më lart, programi i Lidhjes shtrihej gjithashtu në vënien në jetë, për viset shqiptare, të një organizimi që do t’i përgjigjej më mirë karakterit dhe dëshirave kombëtare. Në Shqipërinë e jugut, që më 1878, ishte përpunuar një program, për të cilin kemi folur gjetkë. Komiteti i Lidhjes në Shqipërinë verilindore u muarr me këtë çështje në qershor dhe në korrik të vitit 1880. Komiteti kishte ndërmarrë një reformë, në drejtimin që anëtarët e vjetër të cilët, para së gjithash kërkonin të kishin marrëdhënie të mira me qeverinë e Konstandinopojës duhej të jepnin dorëheqjen dhe, në vend të tyre, erdhën përkrahës të një veprimi më energjik që kishin si pikësynim, në radhë të parë, aspiratat kombëtare, pa u shqetësuar fare nëse ato i pëlqenin apo jo qeverisë së Konstandinopojës.
Përfaqësuesit e Shqipërisë verilindore i formuluan kërkesat e tyre kështu: formimin e një province që të përfshinte të gjitha viset shqiptare me Manastirin ose Ohrin si kryeqytet; valiu i provincës të emërohej nga sulltani, ndërsa të gjithë funksionarët e tjerë të ishin vendas; vetëm një pjesë e të ardhurave të provincës t’i dërgohej qeverisë në Konstandinopojë. Komiteti i Lidhjes, i mbledhur në Prizren, ai ia paraqiti këtë program sulltanit.
Në tetor 1880, në Dibër u mblodh një kuvend, ku morrën pjesë përfaqësues nga e gjithë Shqipëria. Rezoluta, që u votua nga të gjithë pjesëmarrësit në atë kuvend, përsëriti kërkesën që synonte formimin e provincës autonome të Shqipërisë, që duhej të përfshinte të gjitha krahinat shqiptare.
Kërkesat e këtij kuvendi u shprehën në një letër që Xhemal beu, nga Dibra, e çoi në Konstandinopojë. Për të popullarizuar bashkimin e Shqipërisë dhe për të vendosur marrëdhënie më të ngushta midis veriut dhe jugut, përfaqësuesit e Shqipërisë jugore Abdyl bej Frashëri dhe Mustafa Aga udhëtuan nëpër qytetet e veriut ndërsa përfaqësuesit e veriut Dervish Mustafa Efendiu, Shehu Ismail Efendiu dhe Muderis Abdulla Efendiu në qytetet e jugut. Këto ngjarje tërhoqën vëmendjen e qeverisë së Konstandinopojës. Ajo i shqyrtoi kërkesat e shqiptarëve dhe e pati parasysh bashkimin e të gjitha trojeve të banuara nga shqiptarët në një vilajet të vetëm. Shumica e funksionarëve të lartë të Portës dhe këshilltarët e tjerë që u shkonte shumë fjala pranë saj qëndronin të vendosur në idenë e vënies në jetë të centralizimit dhe e kishin vdekje çdo lëshim ndaj çdo prirjeje për autonomi në politikën e brendshme. Kishin frikë se mos autonomia dëmtonte rëndë kastën e funksionarëve, sepse privilegjet e elementit turk, dhe në veçanti të elementit konstandinopojas, që formonin sidomos këtë kastë, do të dëmtoheshin nga një ndryshim i tillë.
Qëndrimi jo i mirë i qeverisë ndaj dëshirave të shqiptarëve, u muarr vesh në Shqipëri dhe shkaktoi zemërim të madh në vend. Lidhja vendosi të mos pajtohej kurrë me këtë qëndrim të qeverisë, të mos pranonte të jepte rekrutë dhe të mos i njihte kompetencat e punonjësve të saj.
Prizreni ishte qyteti i parë ku filluan të zbatoheshin vendimet e Lidhjes; guvernatorit i u ndalua çdo veprim administrativ, dhe një anëtar i komitetit të Lidhjes së këtij qyteti u ngarkua me funksionet e guvernatorit; komiteti i Lidhjes së Prizrenit ngriti në këmbë një kontigjent njerzish të armatosur që duhej të zbatonin të njëjtat masa edhe në qytetet fqinjë.
Megjithatë Dervish Pasha, në Prizren, filloi të vepronte me forcë kundër prirjeve të Lidhjes, duke syrgjynosur në Shkodër shumë personalitete që ishin në krye të këtyre përpjekjeve. Presidenti i komitetit të Lidhjes të Shkodrës Muderis Dand Efendiu, dhe komandanti i xhandarmërisë, Fetah Aga u detyruan të shkonin në Konstandinopojë dhe, më 12 dhjetor 1880, Dervish Pasha arrestoi Hodo Pashën dhe Preng Bib Dodën, kapidanin e Mirditës dhe që të dy i shoqëroi me shpurë në Konstandinopojë. Hodo Pasha u internua në Erzixhan të Armenisë.
Sulejman Aga Vokshi, nga Gjakova e çoi kontigjentin e armatosur që kishte formuar Lidhja në Prizren në fillim në Shkup (4 janar 1881) dhe në krye të administratës vuri Jashar beun, të komitetit të Lidhjes së këtij qyteti. Nga Shkupi, kontigjenti i Lidhjes iu drejtua Prishtinës, ku kishte selinë valiu i vilajetit të Kosovës. Më 18 janar 1881 Lidhja pushtoi Prishtinën dhe valiun e thirrën në Konstandinopojë. Në këtë mënyrë, të gjithë rajonet e krahinës së Prishtinës dhe Shkupit u vunë nën pushtetin e Lidhjes.
Nën ndikimin e Abdyl bej Frashërit, në shkurt të vitit 1881 edhe Dibra ndoqi shembullin e Prizrenit. Në fillim qeveria perandorake qe e detyruar dhe Lidhja u bë e njohur si e plotpushtetshmja e vetme.
Megjithëse marshalli Dervish Pasha ishte shpërngulur nga Shkodra në Konstandinopojë, ai mbetej një përkrahës i vendosur i burokratizmit centralizues dhe e nxiste qeverinë turke jo vetëm që të mos bënte asnjë lëshim ndaj kërkesave të shqiptarëve, por që lëvizja në Shqipëri duhej shtypur me armë. Këtë mendim të Dervish Pashës qeveria e diskutoi gjerësisht, dhe vetë ai mori për detyrë nënshtrimin e Shqipërisë.
Pranë Shkupit ishte përqëndruar një forcë shumë e madhe ushtarake me rreth 20.000 trupa. Më 23 mars, komandanti i përgjithshëm në Shkup, Ibrahim Pasha arrestoi anëtarët e komitetit të Lidhjes të këtij qyteti, Jashar beun, Haxhi Mustafa beun, Haxhi Abduraman beun, Xhavid beun, Ismail Efendi Mohaxhirin, Haxhi Baki Efendiun, Sheh Ali Efendiun, Mehmed Efendi Lolon, Abdyl Aganë, Matkali Ibrahim Qahajanë dhe Sheh Abedinin, dhe i mbylli në kalanë e Rodit. Pas disa ditësh u shfaq në Shkup Dervish Pasha. Ai futi në veprim forca të shumta dhe zuri rrugën Shkup-Mitrovicë. Në të njëjtën kohë mblodhi në ndalesën e Ferizoviçit rreth 10.000 ushtarë bashkë me dy bateri artilerie dhe u nis në drejtim të Prizrenit.
Nga ana e tij, komiteti i Lidhjes së Prizrenit mobilizoi një kontigjent të fortë me një efektiv 4000-5000 vetë dhe zuri grykën e lumit të vogël Ernolieva, që rrjedh në drejtim të fushës së Kosovës, pranë Stimilias. Pararojat e të dy ushtrive kishin arritur deri në fshatin Slivovo. Më prill, trupat turke sulmuan pozicionet e shqiptarëve pranë Slivovos. Dervish Pasha futi në luftim edhe dy bateritë e artilerisë që mbuluan me zjarr të dendur vijën e mbajtjes së kundërshtarit. Meqë shqiptarët nuk kishin artileri për t’iu përgjigjur zjarrit të marshallit, malësorët që përbënin pjesën më të madhe të kontigjentit të Lidhjes, dhe që nuk e njihnin efektin e zjarrit të artilerisë u demoralizuan shumë. Megjithatë, ata u mbajtën tërë ditën dhe vetëm kur ra nata, filluan të tërhiqen. Trupat turke vazhduan të përparonin dhe po atë ditë më 22 prill 1881, pa ndeshur në ndonjë qëndresë serioze, pushtuan Prizrenin.
Më 5 maj, gjenerali i Dervish Pashës, Haxhi Osman Pasha, që kishte me vete 4000 njerëz dhe artilerinë pushtoi qytetin e Gjakovës dhe më pas, gati pa luftë, pushtoi edhe Pejën. Abdyl bej Frashëri, frymëzuesi kryesor i idesë për bashkimin e Shqipërisë, u largua, mu përpara hundës së Dervish Pashës, në drejtim të bregdetit, në afërsi të Durrësit. Marshalli kishte vënë për kokën e tij një çmim prej 50 lirash turke, dhe, në fakt, Abdyl beun e arrestuan afër Elbasanit dhe e çuan në Prizren, ku Dervish Pasha e izoloi nën një regjim të rreptë burgimi. Por Dervish Pasha nuk ndëshkoi udhëheqës të tjerë të Lidhjes. Ai i thirri të gjithë, dhe veçanërisht parinë e Pejës, Gjakovës, Tetovës, Dibrës dhe Shkodrës, në Prizren, i qortoi për gabimet që kishin bërë i këshilloi që të hiqnin dorë nga idetë e tyre për autonomi dhe të lidheshin fort me sulltanin dhe me qeverinë e Konstandinopojës, madje u dha leje të ktheheshin në vatrat e tyre. Vetëm Haxhi Omer Efendiu, kryetar i komitetit të Lidhjes së Prizrenit, nuk u zuri besë fjalëve të Dervish Pashës dhe u largua për në Ulqin ku vendosi vendbanimin e tij të përhershëm.
Në jug të Shqipërisë qeveria turke arrestoi krerët e lëvizjes së Lidhjes. Në maj të vitit 1881, guvernatori i përgjithshëm i Janinës, Mustafa Asim Pashai, ftoi Mustafa Nuri Pashanë nga Vlora, Omer bej Vrionin nga Berati, Sulejman bej Dinon nga Margariti, Mustafa Efendinë Ahmet Pashën dhe Mustafa beun nga Janina si dhe Qazim beun nga Preveza, në sarajet e tij, në Prevezë, i arrestoi dhe i dërgoi në Çanak Kala në Dardanele, ku ata qëndruan deri në nëntor 1883.
Në shtator 1881, Dervish Pasha u largua nga Prizreni në Dibër dhe u kthye në Konstandinopojë pasi përfundoi misionin e tij për të qetësuar Shqipërinë dhe, qysh atëherë, atij i kërkonin vazhdimisht si një njeri autoritar për të gjitha çështjet që kishin të bënin me Shqipërinë.
Nga njëra anë është vënë në dyshim se në fakt, nuk ka ekzistuar kurrë një lidhje shqiptare. Ky opinion bazohet mbi pohimin se nuk ka absolutisht asnjë komb dhe as kombësi shqiptare, por vetëm një numër i vogël fisesh pa asnjë lidhje midis tyre. Përfaqësuesit e këtij mendimi e mohojnë se mund të flitet për një lidhje shqiptare. Ka ekzistuar veçse një “lidhje myslimane” dhe kjo e fundit e sajuar dhe e organizuar nga autoritetet turke me qëllim që Turqia t’i shpëtonte kështu vendimeve të Traktatit të Berlinit.
Të tjerë, sidomos persona që kanë vëzhguar aktivitetin e komitetit të Lidhjes Shqiptare për Prizrenin mbajnë mendimin se Lidhja Shqiptare ka qënë një lëvizje armiqësore ndaj të krishterëve dhe më tej se ajo përshkohej nga një frymë fanatizmi fetar, më saktë frymë e një sektarizmi të madh mysliman. Kjo lëvizje kërkonte të shkatërronte të gjitha arritjet që kishte realizuar në Turqi ndikimi perëndimor qysh prej vitit 1839, që në përgjithësi ishin përfshirë nën emërtimin e “Tanzimatit” ose të reformave, dhe të ndërtonte në vend të tyre një organizim që duhej të bazohej vetëm në të drejtën fetare myslimane, “Sheriatin”. Sipas këtyre të fundit, Lidhja Shqiptare do të ishte një lëvizje reaksionare, për më tepër, sepse krerët e lëvizjes nuk kishin aq shumë për qëllim të ndalonin shpërdorimet e administratës turke, por sepse ishin shumë ziliqarë ndaj funksionarëve të huaj që vinin nga Konstandinopoja dhe pasuroheshin nëpërmjet shpërdorimit të pushtetit, kur shumë mirë mund të ishin vetë në vend të të ardhurve nga larg. E thamë edhe më sipër se, thirrja që i u drejtua vullnetit kombëtar në Shqipëri, për të mos lejuar copëtimin e trojeve shqiptare sipas Traktatit të Berlinit, mund të ketë ardhur nga qarqe të qeverisë turke, dhe se këto qarqe dhe funksionarët turq bashkëpunonin brenda radhëve të Lidhjes dhe të komiteteve të ndryshme lokale të saj. Megjithatë, duhet theksuar se, gjatë zhvillimit të mëtejshëm të ngjarjeve drejtimi i lëvizjes shqiptare u shpëtoi nga duart funksionarëve turq, se Lidhja Shqiptare eci në rrugën e saj, rrugë që e çoi atë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me qeverinë turke. Ndërsa në fillim të lëvizjes, anëtarët e komiteteve të Lidhjes ishin futur në këto qarqe, për të cilët qeveria dëshironte që të ishin sovranë të përkohshëm gjatë ecurisë së lëvizjes drejtimi i tyre përfundoi në një parti që nuk përfaqësonte më programin e qeverisë, por një program kombëtar dhe autonomi të mirëfilltë.
Fakti që lëvizja nuk arriti asnjë objektiv nuk mund të merret si argument për të thënë se ajo nuk kishte asnjë objektiv që t’i përgjigjej vullnetit kombëtar. Përveç veprimtarisë së Lidhjes, që synonte të mos lejonte aq sa ishte e mundur copëtimin e trojeve shqiptare, nuk duhet të mos shikojmë anën tjetër të veprimtarisë së saj, që synonte formimin e një province që do të bashkonte të gjitha viset shqiptare me një status të mirëfilltë krahinar, të frymëzuar nga parimet e autonomisë. Është e vërtetë që gazetaria u mor shumë me njerën anë të veprimtarisë, ndërsa për anën tjetër ajo kishte shumë pak njohuri, dhe njohuri të pasakta. Qortimi i rëndë për urrejtjen ndaj kristianizmit i është bërë Lidhjes kryesisht për arsye se komitetet e Lidhjes në Prizren dhe në Dibër kërkonin fort heqjen e procedurave gjyqësore të futura më 1864 dhe vënien në fuqi vetëm të Sheriatit. Ky kusht ka nevojë për një shpjegim.
Tërësia ligjore si procedurë në çështjet penale dhe civile në vitin 1864 ishte përshtatur sipas legjislacionit francez. Ato kërkonin aq shumë formalitete dhe shkresurina, sa nuk mund t’i përgjigjeshin nevojave të një popullsie që gjendej në një shkallë zhvillimi dhe kulture ekonomike shumë më poshtë se popullsia franceze dhe sillnin vetëm përgjegjësi dhe mundime, që nuk i çmonte kush. Këtu duhet shtuar se, për vënien në punë të këtij aparati gjyqësor të ndërlikuar, ishte e domosdoshme një trupë nëpunësish të formuar, të aftë dhe me vlera të mëdha morale, ashtu siç e kishte një vend i vjetër i qytetëruar si Franca. Nëpunësit turq që u emëruan për të zbatuar ligjet e reja në fushën e drejtësisë nuk kishin as formimin, as aftësitë e nevojshme dhe as cilësitë e duhura të karakterit. Pra në sytë e popullsisë, të ashtuquajturat ligje nuk ishin gjë tjetër veçse një mjet që u shërbente nëpunësve turq për t’u pasuruar, dhe për të dëmtuar drejtësinë pa u hyrë gjemb në këmbë. U krijua mendimi se gjendja ishte më e keqe se sa kur përdoreshin ligjet e vjetra, dhe u kërkua të ktheheshin përsëri tek këto të fundit. Kërkesa kishte për qëllim rimëkëmbjen e Adetit dhe të Sheriatit; fjala e parë është e papërkthyeshme; shqiptarët kërkonin me ngulm adetin, domethënë të drejtën e tyre të vjetër zakonore. Është pak e njohur që një pjesë shumë e madhe e popullit shqiptar, në veri të vendit, jeton sipas një të drejte të veçantë që nuk është Sheriati, por Kanuni i Xhibalit ose Kanuni i Lek Dukagjinit.
Madje të gjithë malësorët katolikë që i zgjidhin problemet e tyre sipas të drejtës së tyre zakonore, e kundërshtojnë me forcë futjen e ligjeve të reja reformatore në administratën e drejtësisë. Edhe e drejta e Sheriatit, që plotëson të drejtën zakonore, me dispozitat e saj ligjore (për aq sa ato nuk vinë nga një frymë fanatizmi fetar) është më e përshtatshme me nevojat e një populli primitiv, siç është ende shumica e popullsisë shqiptare, se sa të gjitha ligjet moderne të periudhës reformatore turke. Kështu që kundërshtimi i hapur ndaj këtyre ligjeve dhe dëshira për t’i zëvendësuar ato me ligje më të thjeshta nuk mund të vlerësohet si një fakt për të luftuar përparimin dhe qytetërimin. Një kundërshtim i tillë dhe protesta kundër përdorimit të padrejtë dhe shtypës të këtyre ligjeve, është britma e një popullsie të shtypur pasi i është mohuar një institucion më i mirë dhe më praktik, dhe meqë në Prizren dhe në Dibër nuk njihej asgjë tjetër veç të drejtës së Adetit dhe Sheriatit, kryefjala e saj ishte rifutja e kësaj të drejte. Kur Dervish Pasha marshonte kundër Prizrenit, në pranverë të vitit 1881, komiteti i Lidhjes së Prizrenit i dërgoi një notë proteste ambasadorëve të Fuqive të Mëdha në Konsandinopojë, madje edhe u jepte siguri se ai nuk kishte patur kurrë për qëllim të fuste në Shqipëri një gjendje të denjë për një kohë barbare dhe në kundërshtim me frymën e kohës së sotme dhe të qytetërimit europian.
Qortimi i rëndë për urrejtje ndaj të krishterëve nuk mund t’i bëhet të gjithë Lidhjes Shqiptare, por ai i takon komitetit lokal të Prizrenit. Njerëzit që ishin në krye të lëvizjes së Lidhjes në Prizren, Gjakovë dhe Pejë i quanin shqiptarët e krishterë si sasi e papërfillshme, të cilët duhej t’u nënshtroheshin për gjithçka bashkatdhetarëve të tyre myslimanë, të kishin të njëjtat detyrime dhe përgjegjësi ose, po të qe e mundshme edhe më të mëdha, pa gëzuar të drejta të barabarta. Komiteti i Lidhjes së Shkodrës paraqiste një tjetër pamje; shumë anëtarë të komitetit ishin të krishterë; katolikët e krahinës së Shkodrës kishin pranuar pa asnjë rezervë programin e Lidhjes; lëvizja mbështetej pjesërisht tek ata dhe kështu ata morrën një pozicion tërësisht të barabartë në krah të shqiptarëve myslimanë. Në Shqipërinë e jugut, të krishterët ishin në pjesën më të madhe kundërshtarë të lëvizjes së Lidhjes, për shkak se propaganda greke kishte një ndikim shumë të madh mbi ta. Kështu që këtu përkrahësit e Lidhjes dhe të krishterët ishin armiq politikë.
Përveç kësaj, komiteti i Lidhjes së Prizrenit e dëmtoi shumë emrin e mirë të Lidhjes Shqiptare. Kur qeverisja politike e kësaj krahine ishte në duart e këtij komiteti, ajo nuk kishte drejtuar në atë mënyrë që të ishte në gjendje të fitonte besimin e regjimit të ri dhe simpatinë e të qeverisurve si dhe ato të vëzhguesve që s’kishin ndonjë interes.
Përkrahësit e Lidhjes të krahinave të tjera e pranojnë se Prizreni, Gjakova dhe Peja, përsa i përket qytetërimit, kanë mbetur shumë më prapa se të gjitha rrethet e tjera shqiptare dhe se popullsia e tyre është e një karakteri veçanërisht të dhunshëm, dhe këto cilësi të dëmshme do të shfaqeshin, kuptohet vetvetiu, tek personalitetet që formonin komitetin e Lidhjes. Megjithatë, nëse Lidhja do të shtrihej lirisht, domethënë në se ajo do të fitonte një pushtet qendror nga i cili do të vareshin komitetet lokale, ky pushtet qëndror, që sigurisht do të ishte në duart e elementëve më përparimtarë, do të kishte ushtruar një ndikim qytetërues dhe moderues mbi komitetet lokale. Pastaj duhet patur parasysh edhe fakti që çdo herë që vullneti popullor ngrihet kundër një fuqie që e shtyp atë, vjen koha e tharmëtimit e përplasjeve dhe tepërimeve.
Në Shqipëri, Lidhja ishte përkufizuar me fjalën Milet që është e huazuar nga turqishtja, në të vërtetë nga arabishtja, dhe ka kuptimin Komb. Pra, nëse shqiptarët e quanin shkurt kombi atë bashkim që i huaji e quante lidhje, kjo tregon shumë qartë se në sytë e shqiptarëve bëhej fjalë jo vetëm për një parti politike dhe për mënyrën se si vepronte, por për ta kjo ishte lëvizje e të gjithë popullit shqiptar.
Në këtë kuptim, kujtimi i Lidhjes vazhdon të jetojë në Shqipëri si kujtimi i një tërësie idesh themelore dhe aspiratash të mbështetura në ato ide dhe të përbashkëta për të gjithë popullin.

(Oesterreichisch-Ungarische Revue)
G 246-258, 1902, nr. 11) dhjetor)
(Përkthyer nga Gjermanishtja)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura