DILAVER GOXHAJ: TURPI AKTUAL POLITIK NË KOSOVË DHE RRJEDHOJAT E MUNDSHME

Tiranë, 28. 10. 2014 – Situata politike e krijuar në Kosovë pas zgjedhjeve parlamentare të 8 Qershorit 2014, përveç që “Vendi tani ka hyrë në një fazë kritike, kur qëndrueshmëria e tij po lëkundet, kur gjithashtu po rrezikojmë futjen në një krizë të thellë jo më politike, por buxhetore dhe financiare dhe kur po rrezikohet mirëqenia e qytetarëve”, sikundër theksonte këto ditë edhe presidentja Jahjaga, ajo është bërë edhe një turp kombëtar para syve të të gjithë botës demokratike, duke i ardhur në takim politikës serbe, e cila jo më kot u shpreh me gojën e Presidentit të Serbisë, më 15 Tetor 2014, pas ngjarjeve në stadiumin “Partizani” të Beogradit, me slloganin shekullor të tyre: “Shqiptarët nuk dinë dhe nuk mund të bëjnë shtet”. Si rrjedhojë e kësaj veprimtarie të papërgjegjëshme politike prej politikanëve kryesues të forcave kryesore politike shqiptare të Kosovës, Kosova ka për të shkuar 15 vite prapa.
Dhe ja se si mund të ndodhë:
Në Nenin 12 të Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, të datës 26 mars 2007, mbi të cilin është hartuar Kushtetuta e Kosovës, theksohet qartë se Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar (PCN) i caktuar nga Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ai është njëkohësisht edhe Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian (PSBE), (i emëruar nga Këshilli i Bashkimit Evropian), gjë që do të thotë se Rezoluta 1244 as që diskutohet të zëvendësohet me ndonjë rezolutë tjetër, sikundër flasin politikanët në Kosovë.


(Lexoni: Propozimi gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës – 26 mars 2007: http://www.unosek.org/docref/Comprehensive_proposal_-_Propozimi_gjith%EBp%EBrfshir%EBs_-_albanian_final.pdf )
Ndërsa në Kushtetutën e Kosovës, në Nenin 146 theksohet se Përfaqësuesi Ndërkombëtarë Civil ka mandate, privilegje dhe imunitet absolute; kurse në Nenin147 përcaktohet se PNC është autoriteti përfundimtarë në Kosovë lidhur me interpretimin e aspekteve civile; dhe, përsa i përket Nenit 153 të saj, [Prania Ndërkombëtare Ushtarake], theksohet se:
“Pavarësisht dispozitave tjera të kësaj Kushtetute, Prania Ndërkombëtare Ushtarake ka mandatin dhe kompetencat e përcaktuara nga instrumentet relevante ndërkombëtare, përfshirë Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, datë 26 mars 2007.

Neni 146 & 147 dhe 153 i Kushtetutës së Kosovës.

LEXONI TË PLOTË – KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

http://www.kryeministri-ks.net/repository/docs/Kushtetuta.e.Republikes.se.Kosoves.pdf

*  *  *

Kryesuesi i Pranisë Ndërkombëtare Ushtarake, në pajtim me Propozimin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, datë 26 mars 2007, është autoriteti final në zonën operative për sa i përket interpretimit të atyre aspekteve të marrëveshjes së përmendur që i referohen Pranisë Ndërkombëtare Ushtarake. Asnjë autoritet i Republikës së Kosovës nuk ka juridiksion të rishikojë, të pakësoj ose përndryshe të kufizoi mandatin, kompetencat dhe detyrimet e referuara në këtë nen”, (korsivi është i imi). Sikundër shihet, është vetë ky nen i Kushtetutës që e bën më se të qartë se zgjidhjen përfundimtare të kësaj tollovie politike të turpshme allashqiptarçe, që ka 5 (pesë) muaj që po ngjet në Kosovë, ka për ta dhënë Kryesuesi i Pranisë Ndërkombëtare Ushtarake në Kosovë, Komandanti i KFOR-it. Dhe këtë të drejtë, ky autoritet ushtarak ndërkombëtar e gëzon në bazë të Rezolutës 1244, të cilën e njeh edhe Kushtetuta e Kosovës, Neni 153, sikundër dhe e cituam.
Duke qenë se autoriteti final vendim-marrës në Kosovë është komandanti i KFOR-it, ndaj dhe ndërkombëtarët e tjerë diplomatikë e politikë në Kosovë rrinë e bëjnë sehir dhe nuk japin asnjë mendim për këtë koklavitje politike që po zhvillojnë politikanët e dalë nga radhët e formacioneve luftarake dhe institucionet politike të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Dhe ndërkombëtarët kanë për ta lënë në këtë gjendje politikën në Kosovë, derisa të ndodhë ndonjë rrethanë e papritur prej faktorësh të favorshëm, ose derisa të afroi afati i zgjedhjes së Presidentit të Kosovës. Mirëpo zgjedhja e Presidentit të Kosovës bëhet nga Parlamenti i Kosovës. Parlamenti, sikundër shihet, nuk do të mund të mblidhet. Atëherë Kosova do të kthehet në situatën e Janarit të vitit 2000, kur u shkri Qeveria e Përkohëshme e Kosovës. Si rjedhojë, gjithçka do ta marri në dorë KFOR-i dhe Përfaqësuesi Special Ndërkombëtar dhe gjithçka do filloi nga e para, duke u suprimuar të gjitha institucionet shtetformuese që janë krijuar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Këtë kërkon edhe Serbia, prandaj në çdo rast thërret me të madhe, duke thënë: Ne njohim vetëm Rezolutën 1244 të OKB-së. Lusim Zotin të mos ndodhë kështu!

………………………………………………

(Ilustrimet i përgatiti editori i pashtriku.org, Sh.Berisha)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura