DR. MATHIEU AREF (ARIF MATI): PELLAZGËT JANË PARAARDHËSIT E ILIRO-SHQIPTARËVE

Paris, 26. 08. 2015: @Zamir Mati – të thuash se pellazgët dhe ilirët nuk kanë asgjë të përbashkët ose nuk kanë lidhje etno-gjuhësore është një gabim i rëndë dhe një mospërfillje e dukshme, jo vetëm kundrejt teksteve të Antikitetit por edhe ndaj çështjes pellazgo-iliro-shqiptare. Ky lloj reflektimi (ose pohimi pa bazë) do të bëjë të kënaqen ata që vënë në pikëpyetje origjinën e pellazgo-iliro-shqiptarëve dhe sjellin ujë në mullirin e tyre! Kjo është një mënyrë për të devijuar vëmendjen nga pellazgët dhe për t’i dhënë një origjinë tjetër iliro-shqiptarëve. Pellazgët janë paraardhësit e tyre më të ngushtë të njohur “historikisht”. Pellazgët nuk kanë dalë nga «hiçi» por kanë pasur, sipas studimeve dhe kërkimeve të mia, si paraardhës të tyre nxitësit e Neolitit dhe për djep rajonin Ballkano-danubian. Ata u përhapën më pas në zona të tjera, si në: Egje, Azi Minore ose edhe më larg dhe gjatë shtegtimit të tyre ata lënë gjurmë etnogjuhësore.
Për shembull “Udhëheqësit” (dhe jo popujt që kanë nënshtruar) sumerian dhe Hitit kishin për zanafill rajonin ballkano-danubian. Pra, çfarë ne e dimë prej Pellazgëve është faza e fundit e civilizimit pellazg, zbuluar në shkrimet e para të lashta të shekullit VI dhe me pas para erës sonë (Homeri dhe autorët arkaik dhe klasik).
Në dy librat e mi, dhe veçanërisht në tezën time, unë kam sjellur elemente të mjaftueshme të besueshme dhe argumente të ngurtë, analiza të thella të teksteve të lashta dhe moderne që bëjnë pakundërshtueshëm një lidhje të ngushtë midis Pellazgëve, Trojanëve, Frigianëve, Trakëve, Ilirëve dhe Shqiptarëve. Është “qytetërimi i të shkruarit”, që na informon për etërit tanë, sepse përtej saj nuk kishte tekste të shkruar. Tani provohët se tekstet e para të shkruara që shfaqen me Iliadën dhe Odisenë, të cilat janë shkruar në mesin e shekullit të VI para erës sonë nën tiraninë e Pisistratit dhe djalit të tij Hiparkut. Këto dy poezi ishin epope që i përkasnin traditës gojore pellazge. Të gjithë autorët e lashtë ndër të cilët Hekateu i Miletit, Helanikosi i Lesbosit, Herodoti, Tukididi, Eskili, Sofokliu ose Euripidi dhe të tjerë jo me pak të njohur, pohuan që Pellazgët ishin vetëm «paraardhësit» e Helenëve dhe «jo stërgjyshërit» e tyre.

Homeri në Iliada thotë se, Zeusi është Pellazg dhe dodonas (dmth jo Helen) dhe që pellazgët janë “hyjnorë” dhe që ekziston një gjuhë e Zotave (dmth pellazge) dhe një gjuhë e Njerëzve (dmth Helene). Herodoti thotë se shefat apo mbretërit Dorian ishin egjiptian dhe se Ionianët ishin pellazg, para se të bëheshin grek. Për më tepër shumica e emrave të mitologjisë (antroponime, teonime, eponime, ose oronime) shpjegohen në mënyrë të përkryer nga gegërishtja (që i përngjan ionishtës) e Shqipërisë së Veriut, e cila ka ruajtur në masë të madhe të paprekur fondin gjuhësor e të pasur të pellazgishtës së lashtë. Gjithë kjo a nuk është e mjaftueshme për të provuar që jo vetëm Pellazgët kanë ekzistuar por edhe ekzistojnë lidhje etnogjuhësore mes Shqiptarëve dhe paraardhësit të tyre të drejtpërdrejtë trako-ilirët?! Gjithçka është thënë nga shumica e autorëve të lashtë dhe teza ime bazohet në shkrimet e tyre. Unë nuk kam krijuar asgjë por kam sjellë në studimet dhe kërkimet e mia prova të nevojshme mbështetur në argumente të ndryshme dhe analiza të thella, për të konfirmuar çfarë ata pohuan shkurtimisht dhe lakonikisht pa një zhvillim të saktë.
Tani ne duhet të themi se pellazgët ishin pasadhësit nga të cilët ne nuk dimë asgjë, por që mund të prekim vetëm anëtarësinë e tyre të një qytetërimi më të vjetër që unë kam vendosur (në dy librat e mi, dhe sidomos në tezën time) në rajonin ballkano-danubian apo Egje. Në të vërtetë qytetërimet e Vinca, Dimini, Seklo (7000-3500), cikladik (3200-1950), Aunietitz / Unetice (1950-1450), Lausitz (1450-1250), Hallstatt (1250-450), Tena (450-25) kishin sigurisht një lidhje etno-linguistike me Pellazgët, emër i cili është zbuluar vetëm nga autorët e lashtë, ashtu si emëri i Ilirëve që është përhapur me vonë pikërisht nga fillimi i përhapjes së shkrimeve nga mesi i shekullit të VI para erës sonë, por kjo nuk do të thotë se nuk kanë ekzistuar më parë.
Njerëzit e Neolitit të periudhës së parë (rreth 7000 vjet para erës sonë), të cilët jetonin në rajonin ballkano-danubian janë quajtur nga disa parahistorian «Pellazg vincian ose Pellazg diminian apo Pellazg të hipogjës». Këta parahistorianë që nuk i njohin me saktësi Pellazgët pse i kanë quajtur ashtu? Vetëm për shkak se tekstet e lashta thonë se Pellazgët ishin të vetmit paraardhës të grekëve. Sa për të gjitha këto qytetërime parahistorike të heshtur ka vetëm hipoteza, spekulime dhe argumente hipotetike që ne nuk kemi asnjë konfirmim me shkrim për historikun e origjinës së tyre ose të qytetërimeve të tyre. Si shkencëtar nuk mund të themë diçka pa ofruar prova të prekshme dhe të besueshme. Në këtë subjekt ne mbesim vetëm në pritje (ekspektativ) dhe në një mjegull të dukshëm.
Më në fund kur flasim për alfabetin dhe shkrimin është fjala për «tekste» të kuptueshme qartësisht dhe koherente. Nuk ka asnjë aluzion tek Homeri për çdo lloj «shkrimi alfabetik» ose vepra të shkruar. Sa për Linearin B (i frymëzuar nga lineari A i Kretës) fjalët, dhe emrat të përdorur në këtë shkrim nuk janë tekste letrare dhe nuk na japin informacione në lidhje me historinë ose qytetërimin e asaj kohe. Pra, nuk duhet ngatërruar «alfabetin» me disa simbole, glife, petroglife, piktograme e të tjerë në të cilët glife të sekuencuar duket që këta përmbajnë një simbolikë përfaqësuese të një shkrimi, por që mund të përfshijë sisteme që janë gjerësisht artistik dhe nuk janë shkrime të vërtetë. Pra, në qoftë se këta mbeten të palexueshëm nuk mund të flasin për një të shkruar. Dëshmitë e para të përdorimit të shkrimit të vërtetë (në kuptimin e ngushtë të fjalës) janë alfabeti kuneiform i Urukut në Sumeri (rreth 3200 p.e.s) dhe hieroglifët egjiptiane (rreth 3100 p.e.s).

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura