DR. SAMI PIREVA: DEMONSTRATAT E 1981’ës FUQIZUAN LËVIZJEN KOMBËTARE PËR LIRI E PAVARËSI

(Pashtriku.org, 09. 03. 2013) – Pas 11 marsit, kur kishte shpërthyer protesta e parë publike në mensën e studentëve, me përplasjen përtokë të pjatave me gjellëra, në shenjë revolte për kushtet e këqija në mensë, sasinë e cilësinë e dobët të ushqimit dhe numrin e pamjaftueshëm të racioneve ushqimore, kisha bindjen se demonstratat do të vazhdonin edhe më tej, në ditët vijuese. Dhe vetëm prisja kur do të vazhdonin. Kjo ditë ndodhi, jo më larg se pas dy jave. Ishte mesdita e paharruar e 26 marsit. Një ditë e bukur me diell pranveror. Gjendesha te Fakulteti i Mjekësisë dhe sapo kishim mbaruar ligjëratat kur nga dalja e fakultetit vërejta te konviktet e studentëve, apo më saktësisht në hapësirën e gjerë mes tyre, një grumbull njerëzish në lëvizje si zgjua bletësh.
I thashë shokut tim, Murat Muratit, të shkonim menjëherë se atje diçka e pazakontë po ndodhte. Kisha bindje të plotë se diçka me rëndësi do të ndodhte, dhe doja të isha edhe unë dëshmitar por edhe protagonist i asaj ngjarjeje, që kishte filluar të zhvillohej si në një tablo filmike. Më dukej se jehona e fuqishme e zërave të moshatarëve të mi, më thërriste edhe mua. Ndaj, toka më çonte peshë dhe minutat më dukeshin të gjatë për t’iu bashkuar turmës studentore.
Isha rritur dhe edukuar në familje atdhedashëse. Gjyshi im, kishte qenë, si shumë llapjanë tjerë, vullnetar i lirisë në kushtrimin e parë të Isa Boletinit, në luftë për mbrojtjen e Shkodrës kundër serbo-malazezëve më 1913, ku kishte rënë dëshmor i lirisë, ndërsa vëllai im, ishte njëri prej organizatorëve kryesorë të demonstratave të para studentore më 1968. Andaj, në familjen tonë, biseda më e zjarrtë që bëhej, përherë ishte ajo për zhvillimet politike të kohës, për robërinë, shtypjen dhe shfrytëzimin, që i bëhej popullit tonë në Kosovë dhe vise të tjera shqiptare në Jugosllavi nga regjimi titisto-rankoviqist dhe serbo-jugosllav. Me padurim e kisha pritur këtë ditë për të cilën kisha ëndërruar e gjakuar që nga rinia e hershme.
POLEMIKAT E DEMONSTRUESVE ME PUSHTETARËT
Pa humbur kohë, nxituam me Muratin dhe iu bashkuam studentëve, numri i të cilëve sa vinte e shtohej, të thuash në mënyrë gjeometrike përkundër apelit të zyrtarëve të Qendrës së Studentëve që të mos dilej jashtë konvikteve. Dialogun e parë që dëgjova në mes të studentëve dhe pushtetarëve të asaj kohe ishte dialogu në mes të një studenti të Fakultetit Elektroteknik dhe politikanit të atëhershëm Azem Vllasi.

Azem Vllasi

“Ju nuk jeni asgjë më tepër se një tradhtar, sharlatan, që nuk mbroni interesat e popullit, sepse po të ishit udhëheqës i mirë e i drejtë populli do të vinte pas jush”, dëgjova t’i thoshte Vllasit student në fjalë.
Më bëri përshtypje sa përmbajtja aq edhe oratoria dhe fjalori i pastër shqip i atij studenti. Ishte nga Maqedonia. Vllasi diçka mërmëriti nëpër dhëmbë që nuk e dëgjova mirë, por ishte skuqur në fytyrë e dukej mjaft nervoz. Dëgjova se dikush i kishte rënë shuplakë si dhuratë për krekosjen e tij prej pushtetari të lartë.
Pas pak, për të qetësuar situatën dhe për të bind studentët tëshpërndahen e t’i kthehen mësimit, në mesin tonë erdhi rektori i Universitetit të Prishtinës, Prof.Gazmend Zajmi, i cili veç tjerash na premtoi se numri i studentëve shqiptarë të regjistruar në universitet do të rritet në proporcion 4 me 1 ndaj atyre joshqiptar. U dëgjuan brohoritje 8 me 1 dhe zëri i tij u tret në jehonën e brohoritjeve të qindra studentëve të revoltuar, që kërkonin kushte më të mira studimi, barazi nacionale, mos diskriminim dhe prosperitet.
Masa e studentëve, pastaj, u drejtua nga mensa dhe pikërisht në hapësirën në mes të saj dhe konviktit nr.1 u zhvillua debat i nxehtë, ku zëra të ndryshëm studentësh kërkonin të shkonin para Teatrit Popullor për të penguar ardhjen e stafetës së Titos.
Pas një hezitimi të shkurtër masa e studentëve u drejtua rrugës, që tash quhet ”Agim Ramadani’’, që shpinte te Teatri, ndërkohë që forca të mëdha policore na dolën përpara te semaforët, përskaj mensës dhe na ndalën.
Thënë të drejtën edhe unë si individ kisha mendimin e shumicës dhe mezi prisja të shkonim para Teatrit e të pengonim ardhjen e stafetës së njeriut që kishte vrarë, internuar dhe burgosur shumë shqiptarë, Titos, të cilit shumë vite më parë, më 1974, ia kisha thyer fotografinë e murit në gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë. Duke ja përplasur për tokë foton e tij, atëherë kisha ndier gëzim, emocione dhe shfryrje mllefi për të gjitha padrejtësitë e regjimit të tij në atë kohë, sikur ta kisha përmbysur Jugosllavinë e Versajit. Edhe kësaj radhe, së bashku me lumin e demonstruesve, dëshiroja të përsëdytja po ato ndjenja të asaj kohe.
Meqenëse ishim ndalur për një kohë, ne studentët e Universitetit të Prishtinës i kishim ngjeshë fort radhët tona, kapur për krahësh me njëri tjetrin, si vëllezër e motra pa dallim feje, duke brohoritur parulla të ndryshme, fillimisht sociale e më vonë edhe politike dhe duke kënduar këngë të ndryshme të heronjve kombëtarë shtyheshim ballë për ballë me policinë pa na u trembur syri fare.
Në ato momente të paharruara euforie që më kishte kapluar hodha në asfalt çantën me shënime nga ligjëratat dhe nuk doja t’ia dija për asgjë, por shoku im u përkul e mori, e shpuri në banesën e tij, që e kishte afër dhe me të nuk u pashë më edhe një kohë të gjatë pas demonstratave.
BROHORITJET PËR REPUBLIKË, VETËVENDOSJE, KUSHTETUTË
Nga pamundësia për të çarë kordonin policor, masa e studentëve u drejtua në aksin rrugor, Tre Soliterat, Udhëkryqi i Spitalit, Te Rrethi, për të dalë në rrugën tash e emërtuar ”Nënë Tereza”, gjithnjë me synim drejt qendrës së qytetit, me pankarta në dorë, duke brohoritur kërkesat politike për Republikë, Vetëvendosje, Kushtetutë, Unitet etj.
Kërkesat sociale për kushte më të mira në mensë, konvikte dhe studime ishin vetëm uverturë e kërkesave gjithnjë e më të zëshme politike, që do të pasojnë.
Edhe nga ana tjetër e rrugës, forcat e mëdha policore të rreshtuara në disa radhë kanë arritur të na bllokojnë, duke na sulmuar me të gjitha mjetet. Atëherë në vetëmbrojtje jemi kthye në drejtim të konvikteve, por në tërheqje nga sulmi brutal i policisë me shkopinj gome, gaz lotsjellës e të shtëna armësh, shumë studentë mbetën hendeqeve të alivanosur e të thyer duarsh apo këmbësh. Kishte edhe të plagosur me armë. Një student të plagosur nga policia e pashë kur u dërgua në spital me veturë të Urgjencës.
Një vajzë e re mbante flamurin kombëtar në dorë, të cilin mundoheshin policët me arrogancë t’ia merrnin nga dora, por ajo s’e lëshonte dot duke thirrur me zë të lartë “O Flamurin, flamurin vëllezër, ta mbroni e mos të na e rrëmbejnë bishat’’.
Në një rast asistova në reanimimin e një studenteje, e cila mezi merrte frymë. E kishte asfiksuar gazi toksik. Derisa një pjesë e madhe arritëm të hyjmë në konvikte, pjesa tjetër, që mbeti jashtë u godit pa mëshirë nga forcat speciale të policisë jugosllave, që kishte dërguar Beogradi për të shtypur me dhunë demonstratat në Prishtinë.
Si sot më kujtohen britmat e ofshamat therëse e disa të rinjve nga dhuna e paparë fizike, që ushtrohej ndaj atyre, që kishin mbetur jashtë konvikteve e që përziheshin me britmat çirreshe, shfryrjet dhe sharjet më banale të policisë serbo-sllave, dukesh edhe nënën shqiptare. E kishin goditur rëndë edhe shoqen time të studimeve e të veprimtarisë ilegale-Teuta Hadrin.
NXJERRJA DHUNSHME E STUDENTËVE NGA KONVIKTET
Edhe pse hymë në konvikte, policia në mjegullën e dendur të gazit lotsjellës, vazhdonte ende operacionin e vet të egër, duke hedhur gazra helmuese për dritare brenda konvikteve e duke hyrë edhe vet, me dhunë na detyruan të dalim jashtë, të gjithë me duar të ngritura lart pas koke. Por në çdo 4-5 shkallë, në korridore ishte pozicionuar nga një polic me shlem dhe ishte shumë vështirë apo gati e pamundur të shpëtohej pa ndonjë goditje deri në fund të shkallëve e të dilje jashtë i paprekur.

Prishtinë, Prill 1981: Pamje nga Demonstrata…

Unë kërceva nga krevati në prag të derës para këmbëve të një polici, i cili ishte aq shumë i veshur e i ngarkuar me gardërobë e jelek antiplumb sa nuk mundi të përkulej për të më goditur.
Në dalje të konviktit nr.4 në pra të derës na prisnin dy rreshta policësh nga të dy anët, duke formuar një pistë të gjatë, nëpër të cilën kalonim ne studentët.
Dëgjova një polic shqipfolës duke i sharë mustakët një studenti. Më shkoi pak buza në gaz, e thënë të vërtetën, pakëz u lehtësova, ngase e kuptova se forcave speciale federative u ishin bashkuar edhe ato krahinore, e ndoshta, mendoja në vete, dhuna e egër policore do të zbutej sadopak.
Na grumbulluan në lëndinë në mes konvikteve 2, 3 dhe 4, të rrethuar nga të katër anët me policë të armatosur gjer në dhëmbë.
Moment prekës, për mua, ishte pamja e një grupi studentësh, që ishin rrahur e sakatosur, të cilët policia i përplasi para nesh, duke i shqelmuar e ofenduar në mënyrën më të paskrupullt.
Njërit student i pashë dorën e thyer, e cila varej për trupi, si të ishte e amputuar. Por, në të njëjtën, kohë qëndrimi stoikdhe ballëlartë i tyre, na jepte kurajë e vendosmëri neve që ishim për rreth tyre.
Dikush nga zyrtarët e policisë na mbajti një ligjëratë policore që dihet se çfarë përmbajtjeje do të ketë pasur, që nga njëri vesh na hynte e nga tjetri na dilte. I kishte mbetur atij sahanlëpirësi të na lavdëronte vëllazërim-bashkimin e sistemin vetëqeverisës socialist jugosllav, se ne nuk e dënim, e duhej mbrojtur me çdo kusht atë sistem, që na kishte qitur në rrugë prej të mirave.
Në mesin e studentëve, vërejta nga larg shokun tim të fakultetit, Zenel Husaj, me të cilin me shenja u mora vesh se do të qëndroja atë natë te ai në konvikt, sepse ishte pothuaj e pamundur të shkoja në shtëpi nga rrethimi i hekurt policor.
Pas fjalimit të zyrtarit të policisë dhe përfundimit të tij plot kërcënime për të gjithë ata që e “rrezikojnë vëllazërim – bashkimin e vetëqeverisjen” dhe banalitete të tjera, ne sërish u kthyem në konvikte dhe ishte hera e parë dhe e fundit, që bëja një natë të dhunshme, por të paharruar në konviktin nr .4 në Prishtinë.
Vonë në darkë, shkuam me shokun tim në mensënstudentore më tepër nga kureshtja për të përcjellë situatën e nderë, që mbretëronte se sa që ndjenim nevojë për ushqim, sepse policia na kishte ushqyer mjaft me gazra toksike.
Atmosfera ishte tepër e zymtë e me heshtje mbytëse. Policët dhe spiunët e shumtë na përcillnin në çdo hap. Rryma qe ndalur për një kohë. Ajo natë e errët konviktore ishte tepër e gjatë dhe me ankth sepse çdo moment prisnim të na vinin sërish policët apo udbashët.
LËVIZJA ILEGALE NATËN KISHTE SHPËRNDARË TRAKTE
Të nesërmen mora vesh se kishte pasur arrestime dhe kishte pasur shpërndarje traktesh e parullash të shkruara brenda konvikteve. Sigurisht, i kishin shkruar militantët e Lëvizjes ilegale. Kësaj Lëvizjes do t’i bashkohesha më vonë edhe unë, më 4 dhjetor 1981, duke u betuar në flamurin kombëtar, pas një aksioni të parë sprovues me Teuta Bekteshin, në të cilin kishim shkruar parulla të ndryshme, ndër të cilat edhe, “Kosova Republikë”, “Populli shqiptar nuk mposhtet kurrë” etj. në Fakultetin Teknik, ekonomik, juridik dhe në atë të kimisë.
Në mëngjes u ktheva në familje me bindjen se zor të kishte më demonstrata për një kohë relativisht të gjatë pas asaj nate bartolemetiane. Por, kisha gabuar në parashikime, sepse shumë shpejt do të vinin 1, 2 e 3 prilli kur do të zhvilloheshin demonstratat shqiptare më të mëdha e më të fuqishme në Kosovë. Tani më rinisë studentore, e cila po përgjakej me policinë jugosllave, iu bashkuan, fillimisht punëtorët e KN, “Ramiz Sadiku”, pastaj punëtorët e Obiliqit, minatorët e Trepçës, Kishnicës e Goleshit, nxënësit e shkollave të mesme dhe fillore. Kishte madje edhe pleq, gra e fëmijë që i bashkoheshin turmës së demonstruesve. Një popull i tërë ishtengriturnë këmbë në mbrojtjetëkërkesavetë studentëve e kundër robërisë së gjatë serbo – sllave. Ky bashkim e solidaritet i popullit me kërkesat politike të rinisë ishte një garancë e mirë për efektin e demonstratave, qoftë në afat të shkurtë të mesëm apo edhe të gjatë.
Rrugët dhe sheshet e kryeqendrës sonë vërshonin nga vala demonstruesve me pankarta në duar e brohoritje të pandërprera të parullave: “Kosova Republikë”, që ishte parulla kryesore, pastaj “Vetëvendosje”, “Bashkim Kombëtar”, “Republikë Kushtetutë ja me hatër ja me luftë” “Trepça punon, Beogradi ndërton” “Rroftë Adem Demaçi” etj.
Prishtina dhe qytetet e tjera të Kosovës ishin shndërruar në arenë lufte e terrori, por njëkohësisht edhe në arenë guximi e trimërie, sepse e drejta legjitime ishte në anën tonë, që kërkonim me ngulm t’i këpusnim vargonjtë e robërisë, për Republikë të pavarur nga Serbia, sepse Kushtetuta e vitit 1974 i linte hapësirë të mjaftueshme të ndërhynte në Kushtetutën e Kosovës kurdo që ta shihte të arsyeshme nga ana e saj.
DEMONSTRATAT ZGJEROHEN EDHE MË FUQISHËM ME 1 PRILL
Më 1 prill, në mbrëmje, rreth orës 18, para Komitetit Krahinor, masës së demonstruesve iu drejtua me një fjalim të zjarrtë për lirinë e munguar, shtypjen dhe shfrytëzimin dhjetëra vjeçar nga ana e sistemit jugosllav, e në veçanti atij serb, ndaj popullit tonë, njëri prej liderëve të Lëvizjes ilegale, Hydajet Hyseni, i cili kishte kohë që jetonte në ilegalitet.

Lideri i Lëvizjes ilegale, Hydajet Hyseni…

Numri i demonstruesve vazhdimisht rritej nga dita në ditë. Organizator ishte i tërë populli liridashës. Atë e kishte bashkuar dhuna dhe padrejtësia sistematike, që ushtronte regjimi titist në vazhdimësi, që nga mbarimi i LDB’së e të mos flasim për kohën më të hershme. Ndaj, kishte mjaftuar vetëm një shkëndijë, të cilën sigurisht do ta ndiznin militantët e Lëvizjes ilegale, të cilët edhe mundoheshin t’i kanalizoninveprimet dhe kërkesat e demonstruesve.
Gjatë ditëve të para të prillit, jeta në Kosovë, e sidomos në Prishtinë, ishte paralizuar pothuajse tërësisht. Viti akademik kishte mbaruar dhunshëm e para kohe. Studentët tanimë nuk ishin në fakultete, por në rrugët e kryeqytetit dhe vala e tyre s’kishte të ndalur. Demonstratat vazhdonin me moton të gjithë për një e një për të gjithë. Në mbrëmje para se të shpërndaheshim, takimin e nesërm e linim në ora 8:00. Të gjithë e aprovonim sikur një orkestër. Unë zakonisht dilja me nipin tim të dashur Fahriun dhe ishim të pandarë gjatë tërë atyre ditëve të demonstratave.
NGA DYERT E SHTËPIVE, DEMONSTRUESVE U JEPESHIN USHQIME, BUKË, UJË, DJATHË E QEPË.
Qepa përdorej për neutralizimin e gazrave lotsjellës. Edhe nga furrat e shitoret e ndryshme silleshin me të madhe ushqime të ndryshme nga të gjitha anët e Kosovës. Të plagosurit barteshin me vetura të Urgjencës, por edhe me vetura private gjer në spital, ku ekipet mjekësore shqiptare ishin vënë në gatishmëri dhe prisnin jashtë dyerve të spitalit pa i organizuar kush nga pushteti i asaj kohe. Secili mundohej të bënte një shërbim sado të vogël për demonstruesit. Edhe dyert e shtëpive liheshin të hapura gjatë ditës për mbrojtje e strehim të demonstruesve nga ndjekja e policisë.
RËNIA E DËSHMORËVE TË PARË
Në këtë gjendje lufte dhe kaosi tanket e ushtrisë dhe policisë jugosllave kishin hyrë në kryeqendrën tonë. Ishte të thuash një gjendje e jashtëzakonshme ende e pa shpallur. Sekretari Federativ i Punëve të Brendshme, Stane Dollanc kishte lajmëruar opinionin botëror për 9 të vrarë. Thuhej në atë kohë se shifrat e të vrarëve duhej të ishin mbi 10 për të shpallur gjendje të jashtëzakonshme. Bëheshin spekulime të ndyta me jetët e njerëzve për hir të prestigjit të rrejshëm të shtetit jugosllav.
Por, përkundër sulmeve dhe vrasjeve me armë të kalibrit të ndryshëm, e plumba dum – dum ga ana e policisë, numri i demonstruesve shënonte vetëm rritje. Ata zbrisnin si rrëketë e ujit rrëmbyes nga periferia drejt qendrës së qytetit me jehonën e këngës për Kosovën Republikë duke i bërë me dije okupatorit serbo – sllav se bijtë e shqipes nuk dorëzohen lehtë. Emblematike ishte këndimi i këngës, në atë situatë dramatike, nga demonstruesit “O Kaçanik o shkëmb e gurë, vritesh e pritesh për flamur, për flamurin e Skënderit, luftojnë bijtë e Idriz Seferit”.
Me këtë këngë në gojë ranë edhe dëshmorët e parë të lirisë para tankeve të policisë e ushtrisë jugosllave, që kishin pushtuar Prishtinën, Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva, dy shokë të pandarë të jetës dhe idealit, që u vranë më 2 prill 1981, pas Shtëpisë së re të Mallrave.
Ishte kjo një përleshje e pabarabartë në mes të një populli të pa armatosur me rininë heroike në ballë, që armë të vetme kishte gurët kundër policisë e ushtrisë jugosllave, të armatosur me tanke e helikopterë që kishin futur Kosovën, e në veçanti kryeqendrën e saj Prishtinën, në një rrethim të hekurt e mizor, duke bërë blozë e hi gjithçka që u dilej përpara.

SHPIRTI LIRIDASHËS I DEMONSTRUESVE NUK U MPOSHT
Qielli i Prishtinës ishte nxirë nga gazrat toksike, tymrat e tankeve e helikopterëve. Me 2 prill edhe zyrtarisht shpallet gjendja e jashtëzakonshme. Kishin filluar edhe arrestimet e izolimet në burgje jo vetëm të demonstruesve e liderëve të demonstratave por edhe të veprimtarëve të mëhershëm politikë, veteranëve të Lëvizjes Kombëtare, të të gjithë brezave dhe intelektualëve të shquar.
Për gjithë këtë dramë, që zhvillohej në Kosovë e vise të tjera shqiptare në Jugosllavi para syve të botës, çdo ditë lajmëronin agjencitë e ndryshme telegrafike botërore, kush më shumë e kush më pak. Në ditët në vijim pati edhe demonstratapërkrahëse të bashkatdhetarëve tonë në diasporë si në Bruksel, Berlin, Cyrih etj. që ishte një ndihmë e madhe morale për demonstruesit dhe popullin e Kosovës.
Artikulli i parë televiziv nga Shqipëria në përkrahje të demonstratave studentore erdhi më 8 prill 1981.
Demonstratat popullore të Kosovës u shtypen me gjak, por shpirti liridashës i demonstruesve nuk u mposht. Rinia studentore e Kosovës nuk zmbrapsej dot. Ajo kishte vendosur që kërkesat e saj politike t’i shpinte deri në përmbushjen e tyre të plotë apo të paktën të shtronte rrugën e parë drejt pavarësimit të Kosovës nga kthetrat e Serbisë hegjemoniste.
Pas ngjarjeve historike të 1, 2, e 3 prillit 1981, edhe unë si i ri, student, pjesëmarrës i drejtpërdrejtë dhe aktiv i atyre ngjarjeve madhore, isha bindur thellë se populli shqiptar i Kosovës më kurrë nuk do të ndalte përpjekjet e tij për liri, pavarësi e dinjitet kombëtar deri në fitoren përfundimtare sepse siç thoshte simboli i qëndresës shqiptare, Adem Demaçi: “Ecjen drejt lirisë së një populli nuk mund ta ndalë askush, askush nuk e ka ndalur deri sot askund në botë”.
Koha e vërtetoi këtë katërçipërisht në përfundim të shekullit XX.
Demonstratat e ’81’ës e fuqizuan dhe e masivizuan Lëvizjen Kombëtare të Qëndresës dhe kështu e bënë të pakthyeshme rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë. Dhe kjo u dëshmua edhe me luftën e armatosur të popullit shqiptar nën emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura