DR,ABDULLA MEHMETI: BETEJA PËRMES NUMRAVE DHE PËRQINDJEVE PËR DOMINIM ETNIK NË MAQEDONINË VERIORE

Tetovë, 7 shkurt 2021: Beteja për numra dhe dominim mbi baza etnike, Maqedoninë Veriore e kanë shndërruar në shtet letrash e dokumentesh, pa një të tretën e banorëve të saj.

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, në vitin 2002, Republika e Maqedonisë Veriore ka pasur gjithsej 2.022.547 banorë.

Në 20 vitet e fundit nuk është kryer regjistrim i ri, ndërsa institucionet ndërkombëtare, si Banka Botërore dhe të tjera, disa herë kanë publikuar të dhëna shqetësuese për numrin e banorëve të shpërngulur nga Maqedonia Veriore në botën e jashtme. Sipas tyre, nga pavarësimi i këtij shteti në vitin 1991 deri në vitin 2010, në botën e jashtme janë shpërngulur afër 440.000 banorë, apo mbi 20% nga numri i përgjithshëm i banorëve.

Askush nuk ka dhënë përgjigje deri më sot, sa është numri i banorëve të shpërngulur nga ky shtet në botën e jashtme nga viti 2010 deri më sot. Por, sipas dinamikës së mëhershme, ky numër nuk mund të jetë më i vogël se 200-300 mijë banorë të tjerë që janë larguar nga ky vend në botën e jashtme.

Sipas ligjit të ri për regjistrimin e popullsisë, të miratuar para pak ditësh nga Parlamenti, në janar 2021, në bazë të së cilit do të realizohet ky operacion statistikor gjatë muajit prill të këtij viti, qytetarët e larguar nga vendi më herët se para një viti nuk do të regjistrohen si banorë rezidentë të këtij shteti. Nga kjo qasje ligjore sigurisht se do të pësojnë me mijëra qytetarë dhe familje shqiptare të larguar nga halli në botën e jashtme, sidomos gjatë 20 viteve të fundit.

Përveç meje dhe ndonjë eksperti të kësaj çështje, që kemi apeluar me vite të tëra për këtë mortajë të bardhë që po ia sjell fundin këtij shteti, ngadalë dhe sigurt, nuk kanë munguar edhe deklaratat e zyrtarëve të institucioneve kompetente të shtetit, të deklarojnë hapur gjatë dy viteve të fundit, se ka gjasa reale numri i banorëve në Maqedoninë Veriore të ketë rënë afërsisht në një milion e gjysmë banorë.

Nga këto të dhëna, operacioni statistikor për regjistrimin e popullsisë në muajin prill të këtij viti, nëse realizohet sipas metodologjisë siç e planifikon pushteti aktual, është mase e sigurt që do të shndërrohet në temë të nxehtë politike. Edhe kështu, para fillimit të këtij procesi, partitë opozitare, ato maqedonase edhe ato shqiptare, secila ka dalë me qëndrimet e veta, kuptohet në mbrojtje të interesave të qytetarëve të cilët i përfaqësojnë.

Nga blloku i partive parlamentare të opozitës shqiptare nuk kërkohet më tepër se, një numri të madh të qytetarëve shqiptarë t’u garantohet marrja e shtetësisë, si një e drejtë elementare, qytetare dhe njerëzore, mbështetur edhe në konventat ndërkombëtare, të cilat secilit banor të lindur në shtetin përkatës, i garantojnë të drejtën e fitimit të shtetësisë, pa pushte. Në Maqedoninë Veriore, ky problem me shtetësinë e mijëra qytetarëve, sidomos të qytetarëve me përkatësi etnike shqiptare, nuk është zgjidhur as për tri dekada me radhë, nga pavarësimi i këtij shteti e deri më sot.

Nga ana tjetër, qarqe të ndryshme politike dhe intelektuale në këtë vend e kanë shpeshtuar retorikën e tyre gjatë viteve të fundit, përmes propagandës siç e ka praktikuar dikur edhe ish-regjimi komunist jugosllav, kinse me dhënien e shtetësisë këtyre qytetarëve, Maqedonia Veriore do të “kosovarizohej” apo “albanizohej”, me mbi 70 mijë shqiptarë, me këtë duke e mbuluar politikën demografike diskriminuese të pushtetit ndaj shqiptarëve vendës, për dekada me radhë. Shifrën prej 70 mijë qytetarëve shqiptarë pa shtetësi në Maqedoninë Veriore nuk e kanë sajuar shqiptarët, por e kanë bërë të ditur vetë autoritetet zyrtare, politikanë, analistë dhe ekspertë të demografisë të këtij shteti, me qëllime propagande, jo për ta bërë publike një të vërtetë.

Nga ana tjetër, partitë maqedonase të bllokut opozitar, të kryesuar nga partia më e madhe e tyre, OBRM-PDUKM, edhe pse ka qenë në pushtet më tepër se një dekadë pas regjistrimit të fundit të popullsisë, në vitin 2002, në periudhën prej 2006 – 2017, që mban përgjegjësi edhe për dështimin e regjistrimit të popullsisë gjatë qeverisjes së saj, i cili është dashur të realizohet në vitin 2011, por është ndërprerë në gjysmë të tij, kryesisht për shkaqe politike.

Kjo parti politike, e cila aktualisht përbën opozitën më të madhe në vend, vazhdimisht e ka kundërshtuar dhe vazhdon ta kundërshtojë me të gjitha mjetet realizimin e këtij operacioni statistikor, sidomos nëse ai zbatohet sipas standardeve ndërkombëtare.

Arsyet pse është krijuar kjo situatë politike e tensionuar në vend, për një operacion i cili në vendet tjera të botës shërben për interesa të shtetit dhe qytetarëve të tyre, për planifikimin më të mirë shoqëror, ekonomik dhe zhvillimor të vendit, në një periudhë së paku dhjetëvjeçare, siç do të duhej të ishte edhe në vendin tonë.

Qëndrimet e kësaj partie, si dhe të disa qarqeve të tjera politike dhe intelektuale në Maqedoninë Veriore dhe jashtë saj, mbështeten në idenë për një shtet fiktiv, që e kanë krijuar në mendjet e tyre, por të hedhur edhe në letër (dokumente) sa kanë qenë në pushtet, bashkë me partnerët nga radhët e partive politike të shqiptarëve, pjesëmarrëse në qeverisjen e shtetit, që mund të shihet qartë nga të dhënat në vazhdim (të ilustruara edhe me fakte të publikuara në mediet e vendit), të cilat janë shpallur gjatë viteve të fundit nga zyrtarë të lartë të kësaj partie dhe janë përsëritur pa ndalur edhe në medie dhe ekranet televizive në Shkup.

Një nga deklaratat e publikuar dhe përsëritur disa herë, sipas partisë OBRM-PDUKM, si dëshiron ajo ta sheh Maqedoninë Veriore, ka këtë përmbajtje:

“Në pajtim me të dhënat e azhurnuara për numrin e shtetësive të dhëna, në Maqedoni ka diçka më tepër se 2.400.000 shtetësi të dhëna qytetarëve, nga të cilat 1.883.612 (72,66%) janë deklaruar si Maqedonas, 375.601 (16,7%) – Shqiptarë, 2,66% – Rom, 3,85% – Turq, 1,78% -Serbë, 0,84% -Boshnjakë, 0,48% -Vllahë dhe 1,03% – Të tjerë.”

Nga ana tjetër, duhet të përmendim edhe faktin se, nga hulumtimet dhe analizat përmes gazetarisë hulumtuese, agjenci të specializuara ndërkombëtare kanë konstatuar devijime të mëdha në të dhënat statistikore që dalin nga institucionet shtetërore në Maqedoninë Veriore.

“Misteri demografik i Maqedonisë Veriore: numra shumë të gabuar. Statistikat zyrtare mbi popullsinë e Maqedonisë Veriore jo vetëm që janë devijuar pak, por në mënyrë dramatike janë të pasakta. Dhe, kjo ka pasoja.” (Analizë e Qendrës për gazetari hulumtuese PRIZMA – BIRN, Maqedoni, autor: Tim Xhuda, ekspert ndërkombëtar, 14 maj 2020.)

Nga e gjithë kjo që u tha më lartë, siç duket do të ketë shumë punë pushteti aktual për t’i tejkaluar gjithë këto barriera, që të mos futet vendi pa nevojë në ndonjë krizë politike, nga e cila mezi arriti të del pak vite më parë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura