DR.ABDULLA MEHMETI: KOHA PËR POPULLIN SHQIPTAR NË MAQEDONI ËSHTË SOT

Tetovë, 8 dhjetor 2019: E kaluara e hidhur, dështimet dhe vitet e humbura, bashkë me zhgënjimin e shqiptarëve në këtë shtet nga politika, le t’i mbeten historisë së turbullt e të turpshme të partive politike të tyre që i kanë mashtruar deri më sot. Mashtrimi i derisotëm nga politika dhe rizgjimi politik e kombëtar i shqiptarëve në Maqedoni nuk mund të ulen bashkë në një sofër.
Përderisa përfaqësuesit e partive politike të shqiptarëve në Maqedoni, tri herë e kanë pranuar Kushtetutën e këtij shteti (1991) dhe ndryshimet e saj, më 2001 dhe 2019, me të cilën shqiptarët në këtë shtet trajtohen si pakicë kombëtare dhe gjuha shqipe si gjuhë e pakicës, madje dhe përtej kësaj logjike, si gjuhë pa emër e qytetarëve prej 20% që e flasin një gjuhë ndryshe nga gjuha zyrtare maqedonase, jo gjuhën shqipe si gjuhë amtare e popullit shqiptar autokton në këtë shtet, ndërsa me ndryshimet e fundit kushtetuese (2019) në frymën e Marrëveshjes së Prespës, po nga faktori politik shqiptar në Maqedoni u kërkua (ndërsa nga pushteti u pranua me të dyja duart) edhe përfshirja e Marrëveshjes kornizë të Ohrit në preambulën e kësaj Kushtetute, shqiptarët duhet ta dinë të vërtetën se me këtë është betonuar për një kohë statusi i shqiptarëve si pakicë kombëtare, kurse të gjitha të drejtat tjera kolektive të shqiptarëve do të varen po nga ky status, sipas të drejtës ndërkombëtare. Me këtë, shqiptarëve në Maqedoni u mbeten dy rrugë të vetme: ose ta mbështesin këtë politikë të derisotme të pushtetit dhe të partive politike të tyre, ose të reflektojnë dhe ndryshojnë këtë logjikë shoviniste të pushtetit dhe veprimet destruktive të partive të veta politike që e kanë përçuar në këtë shtet, nga viti 1990 deri më sot.

Pse duhet të mashtrohen e vetëmashtrohen edhe më tej shqiptarët, të shpresojnë se mund të ndryshojë gjendja e tyre me këto parti politike, kur me qëndrimin e tyre sa më gjatë në pushtet gjendja e shqiptarëve sigurisht do të përkeqësohet edhe më tepër. Këtë tendencë e dëshmojnë edhe dhjetëra mijë votues shqiptarë në zgjedhjet e fundit për partitë maqedonase dhe deklaratat e fundit të disa drejtuesve të partive politike të shqiptarëve, për mundësinë e koalicioneve parazgjedhor të tyre me partitë maqedonase në pushtet.
Nëse nuk reflektojnë partitë politike të opozitës dhe faktorët tjerë jopolitik të shqiptarëve para zgjedhjeve të ardhme parlamentare të 12 prillit 2020, duke e vendosur interesin e përgjithshëm mbi interesat e ngushta partiake, së paku për çështjen madhore të statusit juridik-kushtetues e politik të shqiptarëve në këtë shtet, nuk i shpëtojnë as integrimet evropiane dhe euroatlantike, as ndryshimi i pushtetit, meqë vala e pakënaqësisë, pasigurisë dhe mungesa e perspektivës në këtë shtet, pjesën më vitale të shqiptarëve i kanë detyruar ta braktisin vendin, në kërkim të mbijetesës rrugëve të botës.
Shqiptarët në Maqedoni nuk kanë shumë kohë për të menduar dhe shumë rrugë për të zgjedhur, mes bashkimit të forcave progresive dhe atdhetare për faktorizimin politik dhe vendimmarrës në këtë shtet, duke i thënë ndal kësaj politike të derisotme, amatore, joprofesionale, jodemokratike dhe jokombëtare. Koha është tani!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura