DR.ABDULLA MEHMETI: SHQIPTARËT DHE BASHKIMI KOMBËTAR

Tetovë, 19 korrik 2017: (Shqiptarët kanë nevojë më shumë se kurrë për rizgjim dhe bashkim kombëtar, por jo sipas konceptit të derisotëm)
Shqiptarët, një nga popujt më të hershëm që njeh historia e njerëzimit, deri më sot janë lodhur dhe raskapitur tepër në lufta të përhershme dhe beteja të ashpra për ruajtjen e qenies së tij, nga pushtues dhe sundues të shumtë, sidomos nga fqinjët egoistë, shovinistë dhe grabitqarë. Prandaj, më shumë se kurrë ka nevojë për rishqyrtimin e së kaluarës, për këndellje, bashkim forcash dhe energjishë, për zgjim, përlindje, ripërtëritje dhe ringritje, për ta zënë vendin e merituar në rrjedhat e sotme të qytetërimit bashkëkohor.
Vetëm 30% e shqiptarëve sot jetojnë në trojet e veta etnike, në dy shtetet e krijuara me shumë sakrifica, si dhe në trojet e veta etnike nën shtetet fqinje, ku ende janë të shtypur dhe peng i politikave dhe gjeostrategjive të mëdha botërore.
Vetëm 20% të territoreve që kishin dikur të parët tanë, sot janë të lira dhe qeverisen (formalisht) nga vetë shqiptarët (meqë sovranitet absolut nuk ka asnjë shtet në botën e sotme).
Ne shqiptarët përfundimisht duhet ta ndryshojmë të sotmen tonë, që të mbijetojmë në të ardhmen, në konkurrencë të ashpër për mbijetesë të kombeve, gjuhëve dhe identiteve të veçanta.

Në të kaluarën kemi derdhur shumë energji të kotë, gjak dhe dije për botën, për çlirimin, krijimin, emancipimin dhe drejtimin e shteteve të huaja dhe perandorive të mëdha të përbashkëta me kombet tjera; për krijimin e shteteve të huaja nga të cilat gati asgjë nuk kemi përfituar si komb, përveç interesave të atyre udhëheqësve dhe familjeve të tyre në vendet tjera, si themelues dhe drejtues të atyre shteteve, të cilët sakrifikuan gjithçka për interesa të huaja, nën flamuj të huaj dhe në gjuhë të huaja.
Kujt i shërbeu e gjithë kjo lavdi, përveç kombeve dhe shteteve që u shëbyen me besnikëri këta strategë ushtarakë, dijetarë, politikanë, diplomatë dhe burrështetas shqiptarë?
Është koha kur kjo farrë dhe energji e shkapërderdhur gjithandej nëpër botë, t’i kthehet Atdheut të të parëve, me mendje dhe trup, duke mbledhur forcat sa të jetë e mundur më tepër, duke ofruan dijen dhe kapitalin, fokusuar energjitë dhe përkushtimin për t’ia kthyer nderin dhe dinjitenin Atdheut të përbashkët dhe Gadishullit tonë Ilirik!
Këtu gjithçka flet në gjuhën tonë, në gjuhën e të parëve tanë. Kudo që të gërmojmë, na flet shqip nëntoka, kultura materiale, varret dhe eshtrat e të parëve tanë, të rënë në mbrojtjen e qenies sonë dhe kësaj toke nga pushtuesit e ardhur këndejpari nga thellësitë e kontinenteve të tjera.
Sot, në botë jetojnë mbi 30 milionë shqiptarë, shumica e të cilëve edhe mendojnë dhe frymojnë ende shqip. Ju duket ëndërr dhe iluzion, vetëmashtrim dhe utopi?! Njëmijë herë ju garnatoj se jo! Shihni rrjedhën e lumejve, sado t’ua kenë ndryshuar kahen, kur ato fryhen e tërbohen në rrethana të caktuara, e gjejnë shtratin e vet të dikurshëm.
Shqiptarët sot, më shumë se kurrë kanë nevojë të trazohen, t’i zgjojnë ndjenjat e fjetura. Sinqerisht kanë nevojë për esullim dhe zgjim, bile dhe për tërbim!
Shqiptarëve sot, ua imponojnë rrethanat e reja të punojnë pandalur për bashkimin e tyre kombëtar dhe territorial, por jo sipas konceptit të derisotëm.
Nuk kanë nevojë shqiptarët për bashkim kombëtar me ide të vjetruara, me ide dhe strategji të huaj, të mirëpërgatitur nga qarqe politike të jashtme për komprometimin e kësaj ideje.
Nuk kanë nevojë shqiptarët për bashkimin e tyre kombëtar, të nxitur dhe kontrolluar nga të tjerët. Bashkimi i shqiptarëve duhet të jetë i natyrshëm, me njerëz dhe koncept të ri, me forca të reja përparimtare, duke dhënë prova konkrete, hap pas hapi.
Secili ka të drejtë ta kërkojë lirinë dhe të drejtat e tij të natyrshme, të mbrojtura me gjak dhe sakrifica ndër shekuj, sidomos ne shqiptarët.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura