DR.ARBEN HOXHA: VLIMET POLITIKE NË EVROPËN E FUNDVITEVE ’60 DHE DEMONSTRATAT NË KOSOVË (1968)

Prishtinë, 10 dhjetor 2018: (Me rastin e shënimit të 50-vjetorit të Demonstratave të ‘68-s) – Bota e pas LDB-së, e ndarë në dy blloqe antagoniste ideologjike, në vitin 1968 do të shpërfaqë gjithë karakterin e vet kontradiktor. Një botë që nuk i kishte zgjidhur pasojat e LDB-së; që nuk e kishte përmbyllur procesin e dekolonizimit, një botë me kriza të mëdha ekonomike e politike, do të nxisë protesta sociale, shoqërore e politike gjithandej Evropës, Amerikës, Amerikës Latine, Lindjes së Afërme dhe Azisë.
Ideologjia, e parë nga këndvështrimi althuserian, si konstruksion i superstrukturës që e përcakton vijimësinë e bazës materiale të shoqërisë, do të përbëjë fuqinë që do ta vë në lëvizje, do ta jetësojë dhe legjitimojë praktikën bipolare në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Viti 1968 shënon pikën kulmore të përplasjeve ndërmjet dy ideologjive në luftën e tyre për monopol politik, ekonomik, kulturor e social në kontekstin e botës bipolare: të ideologjisë komuniste me qendër-bërthamë BRSS-në dhe ideologjisë kapitaliste me qendër-bërthamë SHBA-të. Varësisht prej natyrës së ideologjive, do të përcaktohet edhe natyra e kontrollit dhe shtypjes që ato do të ushtrojnë në rrafshe të ndryshme të qenies dhe ekzistencës njerëzore. Nga të njëjtat rrafshe të ekzistencës dhe qenies njerëzore, ku do të ushtrohet lufta e ideologjive për monopol, do të vijë edhe rezistenca. Kështu, për shembull, meqenëse ideologjia komuniste (si ideologji që koncept operacional do ta ketë kolektivitetin), për objekt nënshtrimi do ta ketë “bashkësinë”, rezistenca kundrejt saj do t’i vijë prej interesave të shtypura të bashkësive (sociale, politike apo kombëtare). Ndërkaq, meqenëse brenda zonës së vet ideologjia liberale (si ideologji që koncept operacional do ta ketë individin) për objekt zotërimi do ta ketë individin, rezistenca kundrejt saj do t’i vijë prej “nevojave të shtypura individuale” të individëve të bashkuar në masë. Kështu, bie fjala në SHBA, në njërën anë, do të kemi luftën kundër raciste (domethënë reagimin kundër shtypjes së “grupit” si thelb i shoqërisë), nga ana tjetër, reagimin e hipikëve, revolta e të cilëve do drejtohet kundrejt të gjitha normave morale shoqërore amerikane që do të ushtrojnë presion në energjitë spontane të jetës individuale të individit.

Thelbi i kontradiktave
Shpërfillja dhe shtypja e të drejtave kolektive të zezakëve – sjellje kjo e trashëguar që nga koha e skllavërisë dhe përdorimit të tyre si mjet pune iplantacioneve të Karaibeve – do të ndikojë që zezakët e Amerikës revoltën e tyre ta drejtojnë në përmbushje të lirisë pozitive (lirisë “nga”), ndërsa lëvizja e hipikëve revoltën e vet ta drejtojë në përmbushje e lirisë negative (lirisë “për”).
E njëjta frymë antagoniste midis lirisë pozitive dhe lirisë negative (Isaiah Berlin), që do të rezultojë nga lufta e pakompromis ndërmjet ideologjisë komuniste dhe ideologjisë liberale, në Evropë do të manifestohet me revolta, që do të kenë motive, orientime dhe qëllime të kundërta për lirinë: në rastin e parë, për lirinë pozitive (Çekosllovakia, Hungaria, Polonia, Kosova) dhe, në rastin e dytë, për lirinë negative, revoltë kjo e manifestuar përmes bohemizmit (në Francë), si filozofi e kontrakulturës, që bazohet në individualizmin, në hedonizmin individual dhe filozofinë e ekzistencializmit.
Në Evropë – Gjermania, Italia, Çekosllovakia, Hungaria dhe Polonia, do të jenë vendet ku pakënaqësia ndaj forcave monopolizuese e kontrolluese që prodhonte rendi bipolar botëror, do të manifestohet fuqishëm në rrafshe të ndryshme të ekzistencës kolektive të popujve të këtyre vendeve. Megjithatë, mund të thuhet se simbol i vërtetë i manifestimit të pakënaqësisë dhe revoltës së përgjithshme, që prodhonte realiteti antagonist i botës bipolare në gjysmën e dytë të shekullit XX, do të bëhet Franca.
68-ta e protestave të studentëve dhe të punëtorëve francezë do të jetë dukja e përmasës së thelbit të kontradiktave të së majtës dhe të së djathtës, të ideologjisë liberale dhe të ideologjisë komuniste, që do ta përshkojë katërcipërisht botën bipolare. 68-ta franceze do të jetë sintezë e frymës së gueriles së Che Guevara-s në Kolumbi; të zërit dhe shpirtit kundërshtues në mbrojte të çështjes palestineze; të çështjes së dekolonizimit të popujve të Botës së Tretë; të zërit dhe shpirtit protestues kundër luftës në Vietnam; të zërit dhe shpirtit protestues kundër diktaturës në Spanjë dhe Greqi, në Çekosllovaki dhe Poloni; të zërit dhe shpirtit protestues të Martin Luther King-ut kundër racizmit në Amerikë, por edhe i shpirtit rebelues për një rend botëror ku njeriu do të jetë i lirë të dashurojë, të pijë dhe të bëjë seks pa kufizime klase, race dhe kombi (hipikët në Amerikë, bohemët në Francë) etj.
Ashtu siç do të jetë Franca e 68-tës, në njërën anë, mishërim i frymës entuziaste revolucionare për mundësitë subjektive të subjektit individual apo kolektiv për ndryshimin e botës, ajo do të bëhet edhe mishërim i zhgënjimit moral dhe tërheqjes intelektuale të atij subjekti, i cili do ta humbë besimin në forcat e veta, në mundësitë e tij subjektive për të bërë ndryshime globale, nga ana tjetër.
Franca e rrugëve të protestave, që do ta synojë shkatërrimin e strukturave të pushtetit kapitalist, e mposhtur dhe “kokulur” do t’i kthehet shkatërrimit postrukturalist të strukturave të të menduarit për botën, duke e kthyer ashtu vetë botën në strukturë gjuhësore. Franca e formulës së Jean Paul Sartre-it, sipas të cilit “grupi është fillesa e mbarë njerëzimit”, do të zëvendësohet nga Franca e formulës së Roland Barthes-it,, sipas të cilit “strukturat nuk dalin në rrugë”.
Ashtu sikur që sheshet e Parisit do të nxjerrin në pah përmasën e fuqive antagoniste ndërmjet ideologjisë komuniste dhe kapitaliste, të luftës për monopol politik dhe ekonomik në botën bipolare, ashtu Franca në planin e vlimeve mendore do të bëhet mishërim i përplasjeve ndërmjet subjektit dhe strukturës, ndërmjet fjalës dhe kuptimit, ndërmjet mjetit dhe qëllimit.
Shprehje e vetëdijes kombëtare
Rrathët e vlimeve politike e ideologjike evropiane nuk do t’i lënë të paprekura shtyllat e sistemit të Jugosllavisë avnojane. Më 1966, Plenumi i Brioneve do të shënojë kufirin ndarës ndërmjet doktrinës së forcës, si praktikë e kolonializmit jugosllav e zbatuar ndaj shqiptarëve që prej vitit 1913, dhe zëvendësimit të saj me liberalizmin, si një nga tipat doktrinarë të kolonializmit. Kërkesa për Kosovën Republikë në vitin 1968 do të jetë shprehje e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve për nevojën e të pajisurit me fuqinë e të drejtës së ushtrimit të sovranitetit shtetëror, si dhe shprehje e vetëdijes së tyre për raportin që ata do të formojnë me rezultatin historik të zhvillimit të tyre historik si komb i njësishëm.
Në fillimvitet ‘70, promovimi i konceptit të së drejtës qytetare – me gjithë përfitimet që do të sjellë në planin e ngritjes së cilësisë së mirëqenies së shqiptarëve, përqasur këtë me terrorin e ushtruar nga regjimi serb dhe jugosllav menjëherë pas LDB-së e deri në vitin 1966 – në perspektivën historike do të vihet në funksion të amortizimit të fuqisë së lidhjes ndërmjet nacionalizmit dhe sovranitetit të shqiptarëve të mbetur jashtë shtetit amë.
Për raportin e qytetarisë, nacionalizmit dhe sovranitetit Anthony Giddens në veprën e tij The Nation-Stateand Violence thotë se “aty ku është themeluar e drejta qytetare ose aty ku aktualizohet, ajo synon të ushtrojë ndikimin e vet në mes të nacionalizmit dhe sovranitetit në drejtim të kundërt, duke i stimuluar formën poliarkike të ndjenjave nacionaliste”. Në kontekstin e sistemit qeverisës autokratik jugosllav koncepti poliarkik do të vihet në funksion të harmonizimit të shumësisë së interesave të papajtueshme (mbi të gjitha, ato nacionale) dhe legjitimimit të një rendi hierarkik dominues ndërmjet popujve të ndryshëm në Jugosllavinë avnojane. Në këtë kontekst mund të themi se karakteri universal i të drejtave qytetare, i proklamuar si liri për shqiptarët dhe grupet e tjera etnike në ish-jugosllavi, do të jetë medium për maskimin e pabarazisë dhe të dominimit të “kombeve shtetformuese”, që do të ushtrohet ndaj “kombësive”.
Me “të drejtën qytetare”, “grupet e vogla”, në raport me “grupet më të mëdha” do të bëjnë luftë për zgjerimin e të drejtave të tyre civile, por këtë luftë nuk do të mund ta zhvillojnë edhe kundër hegjemonisë politike që do ta ushtrojë “shumica” ndaj tyre. Një gjë e tillë do të provohet me rastin e abrogimit të Kushtetutës së Kosovës të vitit 1974 nga Serbia (me aprovimin edhe të njësive të tjera federale te ish-Jugosllavisë) pikërisht në kohën e rënies së Murit të Berlinit – më 1989.
Fuqizimi i të drejtave qytetare pa të drejtën e shfrytëzimit të burimeve të sovranitetit shtetëror, do të përbëjë thelbin e përmbajtjes së konceptit të liberalizmit, si doktrinë e kolonializmit jugosllav. Hans Kohn thotë: “Pabarazia në nivelin e civilizimit dhe të energjisë civile është thelbi i imperializmit”. Koncepti “konfederalist” dhe koncepti i “decentralizimit” të pushtetit, i materializuar në Kushtetutën e vitit 1974, do të jetë rrjedhojë e nevojës për shuarjen e kërkesës së shqiptarëve për “Kosovën Republikë”, si dhe për shuarjen e kontradiktave ekonomike e juridiko-kushtetutare që, gjatë vitit 1971, kishin shpërthyer në mes të Serbisë dhe Kroacisë. Si e tillë, ajo duke qenë në funksion të shuarjes së përmbajtjeve kontradiktore të realiteteve politiko-juridike, në raport me popullin shqiptar, do të vihet në funksion të ruajtjes së kohezionit dhe vazhdimësisë së ideologjisë së kolonializmit jugosllav.
______________
(Kumtesë e lexuar në Konferencën Shkencore “Demonstratat e vitit 1968”, organizuar nga Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës, Institutit Albanologjik-Prishtinë dhe Instituti i Historisë-Prishtinë)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura