DR.ATHANAS GEGAJ: MISIONI I GËNJESHTRAVE

Pashtriku.org, 15. 10. 2015: Kur arrijti në Amerikë delegacioni komunist i Shqipërisë, po atë ditë filloi koha e gënjeshtrave në gjirin e komunitetit tonë. Shtypi i kohës këtu në Amerikë, pa dijtur se çka ishte duke bërë dhe pa i njohur, filloi të lavdërojë këta “çlironjës”, që u paraqitën me arrogancë dhe përulën komunitetin tonë. Ishte koha kur qeni nuk e njihte të zonë dhe bota po dilte nga një katastrofë, ku u çdukën dy tirani dhe vendin e tyre në Europë lindore e mori tirania ruse, shumë më e keqe e anti-njerzore se ato të dy të tjerat. Bijët e kësaj tiranie janë ata, që sot kanë në dorë fatet e popullit shqiptar. Po qe se këtë të vërtetë nuk e kuptojnë shqiptarët e komunitetit tonë këtu në Amerikë, atëherë këta s’kuptojnë gjësend në situatën e sotme në Shqipëri dhe në vende tjera ku dominon komunizmi. Fashizmi dhe nazizmi ishin me karakter kombëtar, por nuk njihnin të drejtat e ca popujve të tjerë dhe shkelnin ligjet ndërkombëtare. Shkurt donin të themelonin perandori dhe të krijojnë një hegjemoni mbi popuj të tjerë.

Komunizmi është ndërkombëtar në politikë, po ku vë këmbë, aty krijon skllavë dhe shtetet bëhen vegla të politikës së shtetit-komunist no.1, të Rusisë. Komunistët e Nacional-Ҫlirimtares ndoqën po këtë udhë: Gënjyen, mashtruan popullin, i ndanë nacionalistët e më në fund i vranë dhe e robënuen një popull. Kjo qe e kjo është situata sot në Shqipëri. Por misioni i komunistave të Shqipërisë nuk mbaron këtu. Këta krijuan qëndra në Amerikë, në ca vende të Amerikës së jugut, në Francë e në Itali. Në Romë, pasi një nga të Legatës zgjodhë lirinë, dorëzoi listat e emrave të spiunëve dhe ngjanë ca skandale; në Paris ngjanë skandale, u dëbuan ca zyrtarë të Legatës së Tiranës dhe shumë nga agjentët ikën në vended të tjera. Në Amerikë agjentët po punojnë tash më se 20 vjetë dhe kurrkush nuk u thotë gjësend! Këta deklaruan botërisht se vetëm ata që ishin të mirë për qeverinë e Tiranës, ata ishin të mirë dhe për komunitetin tonë! E nuk kishin faj! Komunizmi ku vë këmbë, aty ai komandon dhe themelon organizime qëndrore (brigada) me celule e qëndra të tjera të spiunllëkut. Këto bëjnë rekrutime, bëjnë anëtarë, dhe preferojnë ata që kanë far’ e fis në Shqipëri. Këta i komprometojnë e më në fund i bëjnë skllav, sa që nuk është e mundur të dalin më nga rrjeti i komunizmit. Këso kallëpesh e tipesh kemi edhe në Amerikë. Kur “brigada” e Organizatës Qëndrore është formuar mirë dhe janë të zgjedhur ata që do të veprojnë, jo kurrë të gjithë së bashku, po tak-tuk, aherë fillon lufta, në fillim e mësheftë, pastaj më e qartë. Kjo luftë ka për qëllim qëndrat kombëtare, si p.sh. Vatrën dhe Kishën, faltoret e organizatat politike. Në çdo degë të tyre e ke agjentin e Tiranës. Luftën më të madhe ia bëjnë Kishës e Vatrës, sepse Kisha dhe Vatra janë dy shtylla të patronditura të popullit shqiptar dhe të komunitetit tonë në Amerikë. Por, mos harroni, se çdo organizatë fetare ose edhe politike i ka agjentat mbrenda. E më të shumtën e herës këta diftohen më patriot se patriotët e vërtetë, më atdhetarë e më Amerikanë se Amerikanët e vërtetë.
Agjentat e Tiranës në Amerikë nuk lozin një lojë por një qind lojëra. Ke për të parë në botimet e tyre gjëra patriotike Amerikane, ke për të konstatuar se këta janë liridashës, por mos harroni kurrë se këta nuk e ndërrojnë lëkurën e tyre të kuqe. Në fillim këta agjenta jepshin leje për pasaporta, i këshillonin anëtarët e komunitetit tonë të shkojnë në Shqipëri, dhe si shpërblim ju merrnin paratë! Më vonë ia nisën me telefon e vizita. E qe se pse organi i brigadës qanë sot Behar Shtyllën, e nesër do të qajë edhe Halim Budon, sepse këta kanë ngrënë së bashku dhe janë përqafuar me Hysni Kapon, i cili përdoronte edhe shputat për hajvanë e agjenta!
Përpara kësaj situate ca veta që mejtojnë se janë ata dhe asnjë tjetër, që jetojnë me spekulime dhe kurrkush nuk ua ka parë hajrin tallen. Anëtarët e komunitetit tone cudhëzohen. Dhe sot këtu e nesër atje del ndonjë kendez i Tiranës dhe këndon fitore. Për agjentat e Tiranës të ckëputesh nga Vatra është një fitore e madhe! Nuk kanë faj! Është urdhëri! Tirana sulmon Amerikën, agjentët e Tiranës sulmojnë Kishën dhe Vatrën dhe fusin përçarje në çdo organizatë që nuk i përulet Tiranës së kuqe, d.m.th, qeverisë së Hoxha-Shehu & Co.
Vatra sot e një mot është duke luftuar agjentat dhe po mbron Kishën nga ndërhyrjet e jashtëme. E shqiptarët e komunitetit tonë çka bejnë. Bejnë sehir e karavan’mileti shkon përpara! Lumturisht në gjirin e komunitetit tonë kemi shumë burra, që nuk çajnë kokën për Tiranën dhe janë të vendosur të pastrojnë këta agjenta dhe të respektohen ligjet e Kishës dhe të Amerikës. Është luftë e ashpër,por do t’a fitojmë.
(Editor: Dr. Athanas Gegaj, gazeta “Dielli”, 27. 04. 1966)
__________
SHËNIM: Ky editorial i Dr. Athanas Gegaj ishte botuar në gazetën “Dielli” më 27 prill të vitit 1966. Zoti Gegaj ishte një antikomunist i vërtetë, siç kishin qenë edhe editorët: Qerim Panariti, Xhevat Kallajxhi dhe Arshi Pipa. (Gjekë Gjonlekaj)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura