DR.BAHTIE GËRBESHI ZYLFIU: KONTRIBUTI I SHQIPTARËVE NË RUMANI PËR ÇËSHTJEN KOMBËTARE

(Prishtinë, 20. 10. 2012) – Historiografia e deritashme shqiptare jep mjaft të dhëna që flasin për shqiptarët që jetonin e vepronin jashtë trojeve etnike dhe kontributin që ata e kanë dhënë për Pavarësinë e Shqipërisë. Përpjekjet tona për ndriçimin a rikujtimin e kontributit të diasporës për zgjidhjen e çështjes shqiptare, janë veprime jo vetëm të natyrshme por edhe të arsyeshme. Është e njohur se Shqiptarët e Rumanisë përbënin njërën nga kolonitë më aktive të diasporës sonë. Në bazë të dokumenteve ekzistente rezulton qartë se ndihmesa e kolonisë shqiptare të Rumanisë është shumë e madhe. Për një ndihmë të tillë rol të rëndësishëm ka luajtur edhe populli rumun i cili gjithmonë ka qenë popull mik i shqiptarëve. Për shumë shqiptarë të larguar nga atdheu i tyre, qoftë për arsye politike apo ekonomike, Rumania u bë atdheu i tyre i dytë.

Disa provincat rumune ku  jetojnë shqiptarët e shpërngulur nga etnikumi shqiptar.

…………………………………………

Për vendosjen e shqiptarëve në territorin e Rumanisë së sotme, në provincat e Vllahisë, të Moldavisë, Transilvanisë, Dobruxhës, Besarabisë e gjetkë, ku gjendej një numër i konsiderueshëm i tyre, të shpërngulur nga krahina të ndryshme shqiptare, gjatë periudhave të ndryshme historike, kemi mjaft të dhëna nga veprat e autorëve shqiptarë dhe të huaj. Për këtë çështje kanë shkruar Dora d’Istria (Elena Gjika), Lasgush Poradeci, Vehbi Bala, Petro Janura, Ismet Dërmaku, Gelcu Maksutovici, Cristia Maksutovici, etj. Ndërsa, autorë tjerë që kanë shkruar për shqiptarët e Rumanisë janë edhe shkenctarët rumun Dimiter Cantimiri, Yan Eliade Radulescu, Bogdan Petrushescu Hashdeu, Nicola Iorga, Victor Papacostea, Theodor Capidan, Nicolae Ciachir etj. Kështu, krahas dokumenteve arkivore, edhe veprat e këtyre autorëve janë dëshmi e kontributit të shqiptarëve jo vetëm për mbrojtjen e pavarësisë së Rumanisë por edhe për angazhimin e tyre në lëvizjen e Rilindjes Kombëtare Shqiptare deri në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, në 28 nëntor 1912.

Elena Gjika, Dora d’Istria ( 1828 – 1888)

……………………………………………….

Shqiptarët u vendosën në veri të Danubit gjatë gjithë Mesjetës, qoftë si fshatarë që merren me punët e fushës e të cilët përmenden në dokumentin e sundimtarit Simion Movilë, qoftë si roje, tregtarë a sundimtarë, si Vasile Lupu e dhjetë sundimtarët Gjika që përmenden në shumë punime e dokumente historike. Në të shumtën e rasteve ata punonin si barinj a si ndërtimtarë por dalloheshin edhe si luftëtarë. Nga të mërguarit ekonomik apo politik kishte shumë shqiptarë nga Toskëria, Dibra dhe Kosova, të cilët edhe pse jashtë atdheut të tyre, ruajtën traditën shqiptare, doke dhe zakone, derisa u lidhën pazgjidhshmërisht me tokën dhe popullin strehues. Tokat rumune, për shkak të pozitës së tyre gjeografike si dhe të kushteve të tjera, tërë kohën e sundimit Osman, patën një tretman më të volitshëm se provincat tjera të Perandorisë, prandaj, me kohë tërhoqi popullsi të ndryshme të Gadishullit Ballkanik që ishin nën sundimin Osman. Pozita gjeografike, raportet me Perandorinë, afërsia e përhershme rumuno – shqiptare në pikëpamje të jetesës, gjuhës, letërsisë, dokeve dhe zakoneve, në njërën anë, si dhe lirimi nga të gjitha tatimet, në anën tjetër, ishin shkaqet kryesore që tërhoqën mërgimin e shqiptarëve në trojet rumune. 
Këto privilegje që gëzonin shqiptarët në Moldavi dhe Vllahi, me kohë tërhoqën një numër të madh të shqiptarëve, sidomos gjatë viteve 40 – 50 të shekullit XVII. Fillimisht shqiptarët në trevat rumune punonin si zejtarë e tregëtarë, për të jetuar me nder, kurse më vonë ata arritën edhe në pozita sunduesish të trevave ku jetonin e vepronin.
Prej shqiptarëve të parë që përmenden në dokumentet arkivore është Vasil Lupu. Ky shqiptar shkoi në Montenie në fillim të shek. XVII. Patriarku Dosoftei i Jeruzalemit në parathënien e librit kundër Kalvinëve të autorit Meletie Serigos, të botuar në Bukuresht në vitin 1680, shkroi se “Vasile Lupu rridhte nga fshati Misia i arnautëve që ndodhej në Tërnovë, duke mbajtur fillesat e fisit të tij nga Maqedonia”. Vasil Lupu për herë të parë shfaqet si sundimtar i Moldavisë, me qendër në Jash, nga viti 1634- 1653. Ky ishte adhurues i madh i kulturës, ndërtues i shumë objekteve sakrale, themelues i Akademisë Vasiliane. Është quajtur Vasil Shqiptari.

Shqiptari Vasile Lupu ( 1595 – 1661) sundimtar i Moldavisë,

me qendër në Jash, nga viti 1634- 1653.

……………………………………………….

Faksimili i “Ligjeve Mbretërore” – “Pravilele Imparatesti” të Vasil Lupu’s (1646)

…………………………………………..

Elena Gjika bën fjalë gjërësisht për Vasil Lupun, prandaj, e shohim të arsyeshme që të japim disa të dhëna, për këtë person të njohur në historiografinë shqiptare. Familja e tij u vendos në Montenje në fillim të shekullit XVII, ku prindërit e tij e ndihmuan që të shkollohej. Falë një edukate aq të lartë që e arriti gjatë shkollimit si dhe mundësisë që të fitoj disa rangje, u emërua sundimtar i Moldavisë. Periudha e sundimit të tij njihet si periudhë lulëzimi në fushën e kulturës. “Vasil Llupi ka zënë një nga vendet më të ndershme në historinë e Vllahisë jo vetëm si zotëronjës zëmërdhëmbshur për popullin Moldovas por edhe si themelonjës institutesh për t’u përlëruar gjuha e vëndit. Në këtë pikë jeta e Vasil Llupit mund të quhet paralele me ate të shqiptarit Goskovar, Mehmet Ali-Misirit, i cili në mos e rroku dot fronin e Sulltanëve të Stambollit, – siç ia rrokte mëndja – por prap mundi t`iu sigurote stërnipërve të tij fronin e Misirit gjerë në ditët tona”. Përveç librave shkollore dhe kishtare, Vasili pat përpiluar dhe shtypur në gjuhën e vëndit edhe një volum të madh ligjesh të kohës, me titullin “Pravilele Imparatesti”, domethënë: “Ligjet Mbretërore”, në vitin 1646. Përmbi të gjitha i kishte dhënë përkrahje të madhe bujqësisë, mjeshtërive dhe tregtisë, të cilat ishin në lulëzim të plotë në kohën e tij. Pas vdekjes, trupi i tij u varros në manastirin “Tre hjerarkët” të Jashit, të ndërtuar prej tij. Pas tij në fronin e Moldavisë sundoi i biri i tij Shtefanic Lupu, i cili u tregua i afërt me vegjëlinë. 

Në gjysmën e dytë të shekullit XVII si sundimtar i Vllahisë dhe Moldavisë paraqitet Gjergj Duka. Ai erdhi në pushtet me ndihmën e Kantakuzenëve dhe sundoi prej vitit 1673-1678. I biri Konstandin Duka, e mbajti fronin prej vitit 1693-1695 dhe prej vitit 1700-1703. Ky sundimtar u shqua si mbrojtës i interesave të fshatarëve. Ai u angazhua për lirimin e tyre nga skllavëria për çka nxiti urrejtjen e feudalëve që për pasojë, u dëbua nga pushteti.

Sundimtar i Vllahisë dhe Moldavisë, Gjergj Duka – në gjysmën e dytë të shekullit XVII.

…………………………………

Një familje tjetër shqiptare e shquar në Rumani është edhe familja Gjika. Të dhënat më të hollësishme për këtë familje i kemi prej shkrimtares rumune me origjinë shqiptare Elena Gjika (Dora d`Istria) të paraqitura në veprën e saj Gli albanesi in Rumenia (Shqiptarët në Rumani), botuar në gjuhën italiane në Firencë, në vitin 1873. 
Në këtë vepër të bazuar në dokumente të shumta nga arkivat e Venecias, Parisit, Konstandinopojës, paraqitet historia treshekullore e Gjikëve në Rumani. Aty gjejmë argumente lidhur me prejardhjen shqiptare të familjes Gjika si dhe për rolin dhe rëndësinë historike të kësaj familjeje. Sipas mendimit të Elena Gjikës, princat shqiptarë që udhëhoqën Moldavinë dhe trevat Rumune, “dëshmuan, deri në ditët e sotme, se kanë ruajtur karakteristikat kryesore të origjinës së tyre dhe ishin të denjë t’i takonin një race që sfidon rrezikun dhe vdekjen”. Qysh prej shekullit të XVII, kur u lind Gjorgji i I-rë, i cili hipi në fronin e Moldovës pikërisht në vitin kur u shua dinastia e njohur e Besarabëve, kur Mihnea i III-të qe rrëzuar nga froni, Gjorgji Gjika e zuri vendin e tij në Rumani. Që nga ajo kohë, mjaftë anëtarë të familjes Gjika kanë hipur në fronet e të dyja principatave.
Studiuesi Maksutoviqi për këtë familje shkroi: “Familja Gjika është njëra nga familjet më të njohura sundimtarësh të Rumanisë. Të shkruash për gjenealogjinë e familjes Gjika, nënkupton përpjekje të renditjes së një sërë momentesh duke filluar nga fenomeni i emigrimit, vendosjes në trevat rumune dhe deri te arritja e tyre në pushtet. Gjithçka që mund të bëjmë është afrimi ndaj së vërtetës nëpërmjet një bashkërendimi të të gjithë faktorëve që kanë diktuar evenimentet”. Për gjenealogjinë e familjes Gjika gjindet një literaturë shumë e pasur dhe e nduarndurshme e cila dëshmon për rolin dhe rëndësinë e kësaj familjeje në jetën politike dhe kulturore të Vllahisë dhe Moldavisë gjatë shekujve XVII – XX.
Shumë historian evropian, rumun, shqiptarë e madje edhe vet Elena Gjika, e çmojnë lartë kontributin e Gjikajve në shumë sfera të jetës politike e shoqërore. Për të konfirmuar këtë mendim, do të japim disa nga shkrimet më të argumentuara të penave më autoritative të cilat flasin për rolin e tyre në jetën social-politike e kulturore, të trevave rumune.
Për familjen Gjikaj, gjejmë të dhëna me ineteres në një enciklopedi italiane ku shkruan se, familja Gjika qysh nga shekulli XVII, ka pasur një rëndësi të jashtëzakonshme në historinë rumune.
Familja Gjika ishte krah i fortë për shoqërinë rumune, për lindjen dhe formimin e shtetit të pavarur kombëtar, si dhe për përparimin e kulturës dhe të shkencës gjatë kohës kur ata sundonin në Moldavi dhe Vllahi.
Edhe studiuesit shqipëtar Sami Frashëri, Lumo Skendo, Ilo Mitkë Qafëzezi, Vehbi Bala, Jup Kastrati, Ahmet Kondo e të tjerë, kanë shkruar lidhur me gjeneologjinë dhe rolin e rëndësinë e familjes Gjika gjatë shekujve XVII, XVIII dhe XIX. Sami Frashëri ka shkruar se, familja Gjika është me prejardhje shqiptare, pjestarët e së cilës kanë qenë disa herë princër të Vllahisë dhe Moldavisë. Së fundi ata kanë qenë edhë në pozita ministrore.
Lumo Skendo, lidhur me këtë çështje ka konstatuar se familjet shqiptare Gjika, Lupu, Duka, kanë dhënë, të trija bashkë, 16 princër. Edhe sot shumë familje në Bukuresht dhe gjetkë kujtojnë origjinën e tyre shqiptare, mbetur si një traditë në shtëpitë e tyre.
Është me interes të përmendim edhe Jon Gjikën (1816-1897), figurë e shquar në historinë politike dhe në kulturën e letërsinë rumune. Ai njihet si përkrahës i lëvizjeve atdhetare-kulturore të shqiptarëve të Rumanisë së bashku me rumunët Vasile Aleksandri, B. P. Hashdeu, V. Ureqja, L. Grëdeshteanu etj. Ai ishte mjaft i sukseshëm në lëminë e ekonomisë dhe në letërsi. Jon Gjika ishte i njohur si prozator realist. Në vitin 1887 nxori në dritë veprën “Letra Vasile Aleksandriut”, ku pasqyron me mjeshtri të rrallë artistike dhe realitet të plotë jetën e shoqërisë rumune të gjysmës së parë të shekullit XIX. Ishte profesor i ingjinierisë në Akademinë Miheilianë të Jashit, ku nxori revistën e famshme Propasirea (Përparimi) më 1844. Ai u bë një nga drejtuesit e revolucionit demokratik borgjez të vitit 1848 në Trevën Rumune, bashkë me Nikollaj Bëllçeskun, Vasile Aleksandriun etj. Elena Gjika e çmonte shumë kushëririn e saj Jon Gjikën, me të cilin ka pasur korrespondencë dhe shpeshherë janë konsultuar për çështje të ndryshme, të artit, shkencës e kulturës si dhe për procese shoqërore të kohës e sidomos, për shkencë e kulturë.
Rol të rëndësishëm në historinë rumune kishte edhe i ati i Elena Gjikës, Mihail Gjika (1792-1850). Ai ishte qeveritar, ministër i punëve të brendshme i Vllahisë në Bukuresht, që nga viti 1835 deri në vitin 1842. Mihajl Gjika u detyrua të largohet jo vetëm nga detyra por dhe nga vendi, më 1842, për shkaqe politike, për tu kthyer më vonë si anëtar i Këshillit të Lartë të Arsimit. Në këtë post ai qëndroi deri sa vdiq, më 1850, në moshën pesëdhjetëtetëvjeçare. Njihet edhe si mbledhës i pasionuar antikitetesh që u bë i njohur për trashëgiminë e lënë në muzeun e Bukureshtit.
Mihajl Gjikën e karakterizonte dëshira për mbledhjen dhe ruajtjen e veprave artistike. Në shtëpinë e tij kishte koleksione pikturash e skulpturash, por edhe aso të shkencave të natyrës. Prandaj, babait të Elena Gjikës, i takon të konsiderohet, me të drejt, themelues i muzeologjisë rumune.
Në fund, mund të themi se familja Gjika jo vetëm që gjeti strehim në tokat rumune dhe përkrahjen e popullit rumun, por kjo familje për afër tre shekuj me radhë dha një kontribut të çmueshëm në lëvizjet përparimtare rumune për krijimin e shtetit të pavarur kombëtar.
Kontributi i kësaj familjeje, u referohet të gjitha sferave të jetës, si në politikë, ekonomi, shkencë, art etj. Kontributin e tyre e pranojnë studiuesit vendës dhe të huaj. Sa më tepër që studiohet historia e kësaj familje të njohur, aq më tepër ndriçohet edhe roli dhe rëndësia e saj për Rumaninë. Princërit Gjika ndihmuan krijimin e shtetit të pavarur rumun. Ata ndihmuan edhe çështjen e arsimit e të shkencës. Duke hapur shkolla krijonin mundësi që të rinjët të shkolloheshin në vendin e tyre. Në këtë mënyrë Mihajl Gjika, Jon Gjika, Elena Gjika, etj., kontribuan në zhvillimin e kulturës rumune por me rëndësi të veçantë është të përmendim rolin e Elena Gjikës e cila bëri përpjekje të madhe për sensibilizimin e çështjes kombëtare shqiptare në arenën ndërkombëtare. Veprat e saj dhe letërkëmbimi i madh me shumë personalitete të kohës janë dëshmi që tregojnë për një angazhim serioz të kësaj intelektualeje të rrallë shqiptare për çështjet madhore të atdheut. Ajo u bë forcë shtytëse dhe inspirim për shumë intelektualë të cilët luftonin me seriozitet për bashkim kombëtar dhe pavarësi të Shqipërisë.

Diturija është një revistë periodike që botohej një herë në muaj. Revista u çel në vitin 1909 dhe u mbyll në vitin 1929. Gjatë gjithë periudhës u botua në Selanik, Bukuresht dhe Tiranë. Drejtor i revistës qe Lumo Skëndo (pseudonim i Mit’hat Frashërit).

…………………………….

Kontribut i veçantë i shqiptarëve të Rumanisë në afirmimin e kulturës dhe historisë shqiptare është edhe ndihmesa që ata iu ofruan studiuesve të huaj për studimet e tyre për shqiptarët. Studiuesi Jakov Milaj, duke folur për shpërnguljen e shqiptarëve në vende të ndryshme, konstaton se ata “kanë vajtur atje për të fituar jetën. Janë përfaqësonjës të pastër të gjakut t’onë që i ruajnë me fanatizëm gjuhën e doket e të parve të tyre. ” Shqiptarët e Rumanisë, shkruan ky studiues, kanë kontribuar më së shumti për studimet mbi racën shqiptare. Rast konkret është Pittardi, i cili shumë vjet më parë për të bërë të famshmin studim antropologjik mbi racën shqiptare është bazuar në shqiptarët e mërguar në Rumani, konstaton Jakov Milaj. 
Duhet cekur se Lidhja Shqiptare e Prizrenit pati jehonë të madhe edhe te shqiptarët e Rumanisë. Pas dështimit ushtarak të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, lëvizja kulturore e shqiptarëve të Rumanisë u fuqizua shumë më tepër. Ajo u manifestua me hapjen e shoqërive kulturore dhe ngritjen e vetëdijes kombëtare. Objektiv qendror i veprimtarëve shqiptarë ishte hapja e shkollave në gjuhën shqipe.
Shqiptarët e mërguar në Rumani duke pasur mundësi për organizim, filluan të angazhoheshin për zgjidhjen e çështjes që ata e quanin të shenjtë – çështja kombëtare. Në veprimtarinë e tyre të shenjtë u ndihmonin edhe bashkatdhetarë shqiptarë nga vende të ndryshme ku ata kishin migruar. Në fillim u dolën në ndihmë Naim e Sami Frashëri, të cilët bashkë me shqiptarë të tjerë , në atë kohë, vepronin në Stamboll. Në Stamboll veprimtaria e shoqërisë shqiptare të cilës ata i takonin, pengohej nga qeveritarë turq, kurse në Rumani mundësitë për veprim ishin më të mëdha.
Pasi që në Bukuresht situata ishte më ndryshe, intelektualët shqiptarë të tjerë që jetonin në Rumani, thërrasin një mbledhje në shtëpinë e Vasil Terpos, ku themeluan një shoqëri për të shtypur libra në gjuhën shqipe, të cilën e quajtën “Deg’ e shoqërisë së Stambollit për vivlla shqipe”, në vitin 1881. Roli dhe rëndësia e kësaj shoqërie për forcimin e ndërgjegjes kombëtare është i njohur në historiografinë shqiptare. Prej themelimit të shoqërisë, numri i anëtarëve, vazhdimisht shkonte duke u rritur. Pasi që shoqëria u forcua mjaft, anëtarët e saj vendosën që të mbanin një mbledhje dhe shoqërinë e formuar e quajtën “Drita” (1884). Kjo shoqëri kishte rol kyç në organizimin e jetës kulturore dhe politike të shqiptarëve.
Pas ndarjes së shoqërisë “Drita” u formuan shoqëritë “Drita” dhe “Dituria” në Bukuresht. Aty u botuan tekstet e para për edukimin e shqiptarëve nëpër shkolla shqipe. Librat e para të botuara këtu janë: Abetare e gjuhës shqipe. “E këndimit” çunave [Këndonjëtorja] “Dëshira e vërtetë e shqipëtarëve”, “Historia e përgjithëshme”, “Vjersha për mësonjëtorët e para”, “Bagëti e bujqësi”, “Numër mësonja”, “Mirëvetia”, “Abetarja e shkronjëtorja e gjihës shqipe”.

Flamuri i shoqërisë “Drita” – (1884).

……………………………………..

Në vitin 1892 në Bukuresht themelohet shkolla e parë normale shqipe. Në vitin 1898, në Bukuresht, intelektualët shqiptarë Visar Dodani, Faik Konica, Pandeli Evangjeli etj. mbajtën një kuvend ku u trajtuan probleme të ndryshme të arsimimit dhe edukimit të shqiptarëve. Këta intelektualë shqiptarë kërkonin nga sulltani që të urdhërojë që të mësohet gjuha shqipe në të gjitha shkollat shqipe në Shqipëri.
Kur shtypi evropian lajmëronte se shqiptarët ishin ngritur kundër perandorisë osmane dhe revista“La nazione Albanese” shkruante për situatën e vështirë të popullit shqiptar nën sundimin e huaj, shqiptarët e Rumanisë nuk mund të rrinin indiferent ndaj situates së tendosur në atdheun e tyre. Intelektualët shqiptarë Visar Dodani, Dr. Ibrahim Temo, Dervish Hima, Nikolla Naço etj. me ndihmën e bashkatdhetarëve tjerë shqiptarë dhanë një kontribut të jashtzakonshëm në organizimin e popullit shqiptar në luftë për pavarësi. Kështu, ata në njërën anë dërgonin libra nga Rumania të cilat i shpërndanin nëpër tërë Shqipërinë, dhe në anën tjetër, shoqëria “Dituria” të cilën e udhëhiqnin atdhetarë të shquar si Kostaq Duro, Kristaq Naumi e shumë të tjerë, kujdeseshin për botimin e librave. Në Bukuresht botoheshin tekstet shkollore që i hartonin intelektualë shqiptarë që jetonin e vepronin në Stamboll.
Gjatë kësaj periudhe Shqipëria karakterizohej me një prapambetje të madhe, mirëpo, vetëdija kombëtare shkonte duke u rritur. Intelektualët shqiptarë ishin mjaft të ndieshëm ndaj veprimeve tendencioze të të huajve të cilët duke shfrytëzuar përkatësinë fetare të shqiptarëve, përpiqeshin të thellonin ndasinë kombëtare. Mirëpo, ata vazhdonin luftën e tyre për bashkim kombëtar pa dallim përkatësie fetare. Intelektualët shqiptarë të vetëdijshëm për rëndësinë e shtypit jashtë trojeve të tyre, u angazhuan për themelimin e revistave të ndryshme. Njëra prej tyre ishte revista “Shqipëria”, redaktor i së cilës ishte Visar Dodani. Kjo revistë bashkë me revistat “La nazione Albanese” që botohej në Itali, dhe “Albania” në Bruksel përkrahnin dhe mbronin të drejtat e shqiptarëve për liri. Vlen të përmendim se krahas aktiviteteve kulturore, Dodani ishte i angazhuar edhe në veprimtari politike. Ai, në vitin 1915 shkoi në Gjenevë ku ishin mbledhur atdhetarë shqiptarë, refuxhatë. Atje filloi veprimtarinë komiteti i refuxhatëve nga parësia shqiptare që jetonin atje, për të punuar për rilindjen e kombit të tyre. Në mesin e tyre përveç Dodanit ishin edhe Doktor Gjorgji Adamidhi, Turhan Pasha, Syrja Vlora, Neshet Pasha, Ymer Vrioni, Ekrem Libohova, Ahmet Dino, Naum Sotiri Pogradeci etj.
Prej themelimit të “Komitetit Kombëtar Shqiptar në Gjenevë”, Visar Dodani u zgjodh sekretar. Një veprimtari tjetër e rëndësishme ku reflektohet preokupimi permanent i shqiptarëve për kauzën kombëtare paraqet letërkëmbimi i shumë veprimtarëve të shquar shqiptarë. Këtu vlen të përmendet letërkëmbimi i vëllezërve Naim e Sami Frashërit, Jorgo Meksit, Fan Nolit, Jashar Erebarës, Luigj Gurakuqit, Faik Konicës, Gjuzepe Shqiro, Anselmo Lorechio dhe të tjerëve me veprimtarët e kolonisë shqiptare të Rumanisë. Pikëpamjet e tyre të shprehura në letra të shumta, tregojnë se këta veprimtarë ishin shumë largpamës edhe pse konceptet e tyre politike nganjëherë binin ndesh me mendimet e të tjerëve dhe shquheshin me ton të theksuar kritik.

Luigj Gurakuqi në mesin e shqiptarëve të Bukureshtit…

……………………………

Kritikat e rrepta dhe të drejta ata i shprehnin haptazi, pa marrë parasysh se kujt i adresoheshin ato. Lidhur me padrejtësitë që po i bëheshin popullit shqiptar, në një artikull të botuar në revistën Shqipëria, Visar Dodani shkroi: “…do te kerkojme esap nga gjith’ ata qe na mvodhe e na e benine vathe. Europa nuk do te kete qëtim gher mos na ndreqnje dhe neve shortene tene. Jemi lindur nga ay dhee! E duam Shqipërinë. E ndrituare Europe! Shtiere syte dhe nder ne! Eshte zeri i Shqiperise plakë, që të lutet. Shikoni pa drejtësine qe na bëhet…”.
Shqiptarët shkruanin për historinë, doket dhe zakonet e tyre, evokimi i të kaluarës së lavdishme historike ndikonte në zgjimin e vetëdijes kombëtare. Lidhur me këtë Visar Dodani në veprën e tij “Memoriet e mija” shkruante: “Mijëra vjetë janë që kur mbajmë gjuhën dhe vendin tone me dëshirë dhe me trimëri. Kemi patur Mbretërira, Mbretërira të mëdha me fame, që kërrëkush nga shkrimtarët e huaj nuk i mohon, përveç atyre që duan të na vjedhin lavdinë dhe trimëritë tona. Po koha erdhi të kuptojmë se sot nuk arrikërka vetëm trimëria. ”Trimëria, virtyt i shqiptarit, sipas mendimit të Visar Dodanit, nuk mjaftonte më për të ecur krahas vendeve tjera evropiane. Për zhvillim të gjithmbarshëm kërkohej edhe dituri. Arsimin dhe kulturën në gjuhën amtare, Dodani e konsideronte si mjetin më të sigurtë për çlirim dhe përparim të kombit që i takonte. Është me interes të rikujtojmë se po në Bukuresht, në vitin 1907, Asdreni (1872-1947) shkroi vjershën “Betimi mbi flamur”, e cila u bë Himn Kombëtar. Pastaj, po në këtë vit u formua Dega e Shoqërisë Kulturore Shqiptare “Bashkimi”, në Konstancë. Kryetar u zgjodh Eftimi Radu, kurse shkronjës Joan Mihal Lehova, nënkryetar Dr. Ibrahim Themo.
Një ngjarje tjetër e shënuar në historinë e popullit shqiptar si datë me rëndësi të jashtëzakonshme është 5 nëntori i vitit 1912. Në këtë ditë, në hotelin “Kontinental” në Bukuresht, me procesverbal u vendos që të shpallet Pavarësia e Shqipërisë. Aty u zgjodh delegacioni nga radhët e kolonive shqiptare, i cili së bashku me Ismail Qemalin shkoi në Vlorë. Ky delegacion mori pjesë në ngritjen e flamurit kombëtar dhe shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.

Hotel Continental në Bukuresht, ku u mbajt mbledhja historike e komunitetit shqiptar me Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin… në nëntor 1912.

………………………………………..

Do të përfundojmë këtë kumtesë me mendimin e Sami Frashërit, ideologut më të shquar të Rilindjes Kombëtare Shqiptare i cili shkroi: “ndër kombet fqinjë vetëm njëri na është mik. Ky është kombi i vllehëve që jetojnë në Shqipëri dhe pranë saj”. Ai vazhdon: “Edhe Rumania, që është nëna e këtyre vllehëve…Është sjellë gjithmonë si mike e Shqipërisë. Shqipëria nuk do të harrojë këtë gjë dhe do të shpërblejë duke i dashur dhe duke u ofruar arumunëve një trajtim të mirë”. (Punimi “Shqipëria ç`ka qenë, ç`është dhe ç`do të bëhet”, botuar në Bukuresht më 1899).

………………………………………………

(ILUSTRIMET I PËRGATITI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura