ABDULLA MEHMETI: SI ËSHTË DEFINUAR ҪËSHTJA E GJUHËVE ZYRTARE NË REPUBLIKËN E MAQEDONISË DHE NË REPUBLIKËN E KOSOVËS?

Tetovë, 29. 04. 2015 – (Për ata që duhet të dinë më tepër për të drejtat e veta kombëtare) – Sipas Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, në këtë shtet gjuhë zyrtare është vetëm gjuha maqedonase dhe shkrimi i saj cirilik. Gjuha shqipe nuk përmendet fare, edhe pse këtë gjuhë e flasin afër gjysma e popullsisë së këtij shteti, shumë më tepër se përqindja e paraparë me kushtetutë, si kusht për njohjen e statusit të gjuhës së dytë zyrtare, prej 20%. Gjuhët e bashkësive të tjera etnike, si: gjuha turke, gjuha bullgare, gjuha vllahe, gjuha boshnjake, gjuha rome dhe gjuha serbe as që përmenden në kushtetutën e këtij shteti. Me cilat kritere disa politikanë mendojnë se gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë?! Edhe pse popullata që e flet këtë gjuhë përbën afër gjysmën e popullsisë së këtij shteti.
Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në këtë shtet gjuhë zyrtare janë gjuha shqipe dhe gjuha serbe, ndërsa edhe gjuhët tjera, si gjuha turke, gjuha boshnjake dhe gjuha rome janë në përdorim zyrtar në nivel të pushtetit lokal, me premisa të avancimit të statusit të tyre në pajtim me ligjin.
Në Republikën e Kosovës, popullsia serbe përbën vetëm afërsisht 5-6 % të popullsisë së përgjithshme të këtij shteti, ndërsa gjuha serbe është e garantuar me kushtetutë si gjuhë zyrtare, kurse përqindja e popullatës me përkatësi tjetër kombëtare është pakicë e vogël dhe megjithatë edhe gjuhëve të tyre u njihet statusi i gjuhëve zyrtare në nivel të pushtetit lokal, me premisa të avancimit të mëtejmë sipas ligjit.

Për më tepër, lexoni në vazhdim përmbajtjen autentike të neneve me të cilët definohet çështja e gjuhëve zyrtare sipas kushtetutave të këtyre dy shteteve.
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS:
“Neni 5
1. Gjuhë zyrtare në Republikën e Kosovës janë Gjuha Shqipe dhe Gjuha Serbe.
2. Gjuha Turke, Boshnjake dhe ajo Rome kanë statusin e gjuhëve zyrtare në nivel komune ose do të jenë në përdorim zyrtar në cilindo nivel në pajtim me ligj.”
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË MAQEDONISË:
“Neni 7
Në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe shkrimi i saj cirilik.”

Gjuhë tjetër të cilën e flasin së paku 20% e shtetasve, gjithashtu, është gjuhë zyrtare dhe shkrimi i saj, siç është përcaktuar me këtë nen.
Dokumentet personale të shtetasve të cilët flasin gjuhë zyrtare të ndryshme nga gjuha maqedonase, lëshohen në gjuhën maqedonase dhe shkrimin e saj, si dhe në atë gjuhë dhe shkrimin e saj në pajtim me ligjin.
Cilido shtetas i cili jeton në njësinë e vetadministrimit lokal në të cilën së paku 20% e shtetasve flasin gjuhë zyrtare tjetër nga gjuha maqedonase, në komunikim me njësitë rajonale të ministrive, mund të përdor cilëndo nga gjuhët zyrtare dhe shkrimin e saj. Njësitë rajonale kompetente për ato njësi të vetadministrimit lokal përgjigjen në gjuhën maqedonase dhe shkrimin e saj cirilik, si dhe në gjuhën zyrtare dhe shkrimin të cilin e përdor shtetasi. Çdo shtetas në komunikim me ministritë mund të përdor një nga gjuhët zyrtare dhe shkrimin e saj, ndërsa ministritë përgjigjen në gjuhën maqedonase dhe shkrimin e saj cirilik, si dhe në gjuhën zyrtare dhe shkrimin të cilin e përdor shtetasi.
Në organet e pushtetit shtetëror në Republikën e Maqedonisë, gjuha zyrtare e ndryshme nga gjuha maqedonase, mund të përdoret në pajtim me ligjin.
Në njësitë e vetadministrimit lokal gjuha dhe shkrimi që e përdorin së paku 20% e shtetasve është gjuhë zyrtare, krahas gjuhës maqedonase dhe shkrimit të saj cirilik. Për përdorimin e gjuhëve dhe shkrimeve të cilën e flasin së paku 20% e shtetasve në njësitë e vetadministrimit lokal, vendosin organet e njësive të vetadministrimit lokal.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura