MONOLOGU POLITIK DHE JO VETËM

Nga Rexhep Kasumaj, Berlin – fundqershori 2023

MONOLOGU POLITIK DHE JO VETËM

Ahlbeck, verë, 2023

Monologu politik

(Mbi vetëthënjën e pamjaftueshme)

Këta prijësit e Kosovës, tash e kaherë, kur flasim me të huajt (telefon ose takim) shpjegojnë vetëm njërën anë: çka u thanë atyre! E çfarë dëgjuan e mbajnë për vete si një sakrilegj!

Kështu do t’i ndodhte dhe Premierit Kurti, pas telefonatës me Sekretarin e Shteteve të bashkuara, Anthony Blinken.

Dhe, disi vetishën, kujtova një rr’fenjë nga lufta bullgaro-serbe, e humbur nga shkijet deri në poshtërim.

Lajmëtari ose daulltari serb çirrej e informonte për humbjet e palës tjetër: të vrarë, robëruar, mjete të shkatërruara luftarake…

Pastaj në pyetjen mbi humbjet e veta, përgjigjet në mënyrë lapidare: kjo është detyrë e daulltarit bullgar!

E ne, ndaj, duam t’a dimë jo vetëm kuvendimin tonë, por aq më tepër, saherë kjo është e mundur, ç’thonë aleatët.

Fjalë e tyre, amerikane jetikisht, është e rëndë sa qielli vetë!

***

Fokus fundqershori, 2023

Turku Erdoan – përse?

Nga Lukashenko i Bellarusit mësuam se pjesë e Ujdisë me Prigozhinin paskësh qenë dhe turku Erdoan!

Mbase nuk i kapim fijet e politikës së madhe, por mendova: përse ky merak kaq i ndjeshëm për Putinin, tiran e gjakatar?

Sipas qiellit në ag, na quan herë vëllezër e herë kushërinjë, ndërkohë që në planin gjeopolitik, i jep krahun armiqëve shqiptarë.

Ankaraja sikur ndryshoj strategjinë. Spartanët e hershëm u larguan nga fronti i hapur me perëndimin. Sepse ishte ekonomia e rënë përtokë dhe frustrimi popullor që diktonin këtë lëvizje busolle në furtunë. Ndaj, politika e Atllasit islamik rezulton e ftohtë nëse tryeza e bukës është e zbrazët.

Përse pra akoma ky nyjëtim i fortë me Kremlinin?  

E kam të njohur, se turku ka interesat e tij: sundimorë e shtetërorë.

Dhe mund të jenë: masa e turistëve që derdhin ende lekë, inxhinierët bërthamorë rusë apo, thjeshtë,

solidaritet despotësh?

Mbase të gjitha bashkë, veçse hipokrizia duhet të lexohet deri në fund!

***

Një arenë e dytë “shpëtuese”…

(Hënalehësit serbë në pritje)

Një skenë e neveritshme ruse mbaroi. Por mjegulla ende errëson vështrimin në horizont.

Monilitizmi i autokracisë ka plasur dhe armiqësia e klaneve është thëlluar. Prigozhin, ashtu si Napoleoni dikur, mund të dalë fuqishëm nga thurima ekzilore.

Ndaj dhe, në midiskohë, Putini, i gjysmëthyer e trembur keq, mund të provojë një arenë të re fushëlufte për të shpërqendruar vëmendjen e botës dhe rusëve vetë nga plagosja e rëndë politike e tij.

E ku?

Front më të kollajtë dhe hënalehës më kujdestarë se serbët në Ballkan nuk mund të gjejë.

Por, natyrisht, llogaritë nuk bëhen dot asnjëherë pa hanxhiun!

***

undjavë qershori, 2023

Në gjurmët e mashtrimit

Viktimë e mundshme e Ujdisë Putin-Progozhin, do jenë, me gjasë, Shojgu dhe eprorë të tjerë ushtarakë rusë!

Ndaj, a do të ndërkalojë tani rebelimi nga forma e rreme në përmasën e vërtetë?

Edhe po t’mos ndodhë, pas kësaj loje të ndyrë, Putini ka humbur besimin, aq sa e kishte, në popullin rus.

Dhe, rithem, gjithçka do t’jetë ndryshe në kohën që vjen!

***

Qershor, 2023

Dështim apo teatër?

Luftëshpallja civile në Rusi ndaloi papritur. Prigozhin ktheu mbrapsht grupin e mercenarëve. Tha t’i dhimbset gjaku rus.

E dija se nuk hapej një fletë demokracie në Rusinë e kulturës tradicionale të diktaturave. Fundja, si mund të ndodhte kur kriminelin Putin do t’a pasrendte krimineli Prigozhin!

Mirëpo doja dobësimin e Kremlinit, n’mos shpartallimin e perandorisë së tij.

Ndaj, shumë publicistë, ushtarakë e diplomat Europe e morën tepër seriozisht turrin e wagnerëve. Po si u bë që Zelenski të tregohej besimlehtë? E prisja, tha dhe erdhi kjo ditë!

Tani prapaskena është gjithnjë e errët: e fillimit dhe, më shumë akoma, e mbarimit të saj.

Nëse Putin e mbyll “kryepuçistin” pas grilash, aherë do t’i besonim vendosmërisë fillestare të tij. Në të kundërtën, falja e bën sprovë-puçin një teatër të bashkërenduar.

Në fakt, qysh tani koloneli gjerman, tashmë jashtë shërbimit, Ralph Thiele, pohon se mund të mendohet të ishte një mashtrim.

Por, përse?

Për të parë reagimin e perëndimit?  Për të shërbyer si pretekst i largimit të kreut ushtarak (i Shojgut me shpurë) rus? Apo, ndoshta, për zhbërjen e Wagnerit vetë!

Sidoqoftë, Putin nuk do jetë më ai që ishte më parë!

***

24 qershor, 2023

Kryengritje në Rusi…

Kremlini dridhet. Puçi ushtarak kundër Vladimir Groznit humbaman ka plasur. Madje, lufta civile shpallet tashmë e nisur. Uashingtoni ndjekë vëmendshëm zhvillimet dramatike. Europa

poashtu. Parisi, si përherë, veçanërisht.

Ndërkaq, Putini i vogël serb mbledh me ngut këshillin e sigurisë. Flet butë e paqësisht. Serbia, thotë me ankth, nuk do luftë.

Kurse shqiptarët e të dy anëve dhe, kudo janë në territoret etnike, duhet të jenë unikë, të koordinuar dhe gati për çdo epilog lufte brenda Rusisë, a rrjedhën e saj në Ballkan!

***

Qershor, 2023

“Arsyeja e lartë e shtetit”

Ditë simbolikisht  e bukur në Uashington.

Indusi Modi, president, qëndroi në Shtëpinë e bardhë.

Në zyrën ovale që kishte një ton solemnisht të ngrohtë, Joe Biden nuk i bëri temë të drejtat e shkelura të njeriut në Indi.

Pritej ndryshe. Është kauzë e filozofisë së shéjtnuar amerikane të demokracisë.

Por, Kina, Rusia, Irani, Saudët e distancuar…një shkak i hijes, mbase?!

Eh, arsyeja e lartë e shtetit, thoshin qysh herët frëngjët e hollë të Europës.

E pra, gjeopolitika mbi gjithëçka!

***

Fillimverë, 2023

E drejta dhe morali…

(…opozitar kësoherë)

“Bella gerant alii, tu felix Austria nube.” – Derisa të tjerët luftojnë, martohu ti, Austri e lumtur!

Kujtova sot këtë thënje latine, ndërsa ndjek votrat e vogla politike që, në këto mote të vështira, lumnojnë statusin komod të opozitës.

Natyrisht, konteksti është tjetër. 

Atëherë, Maria Terezia, nga Dera e madhe e Habsburgëve, me politikën e martesave arriti të ruaj paqen me fqinjët e saj.

Tani këmbana e historisë tingëllon ndryshe. Është e rëndë e lajmëtare…

E drejta dhe morali, nuk përkojnë përherë. Ka të drejta, disi, të ftohta ligjore. Por që, njëkohësisht, dalin matanë moralit civil apo, madje, kombëtar.

Opozita, në fakt, per definitio, gëzon privilegjin prehës të gabimit apo pasivitetit. Por ky privilegj është i pak thartë. Sepse, më pas, merr revansh në provën zgjedhore.

Ndonjëherë qielli i kohës së  popujve mbushet me korba që presin plojën. Dhe ky i tashmi është mnerisht i tillë.

Pa prekur të drejtën e gëzimit të jetës, megjithatë, jashtë arithmetikës shkollore të pushtetmarrjes, kjo kohë i merr opozitës së Prishtinës komocionin, të drejtën imorale të pasivitetit dhe gabimit.

Aq më shumë galdimin e fshehtë përbetues për shteghumbjen e qeverisë, anipse, bashkë me të, mund të rrëzohet dhe Republika që lëkundet në arenë stuhish…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura