Prishtinë, 05. 11. 2015: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, e cila normalisht do të duhej të ishte maja e inteligjencies së Kosovës, a thua ka komoditetin sa të heshtë me kaq papërgjegjësi, siç po ndodh me rastin e demarkacionit me Malin e Zi dhe Marrëveshjeve të 25/26 gushtit të nënshkruara në Bruksel e sidomos me krijimin e Bashkësisësë së Komunave Serbe të Kosovës? A do të duhej të thoshte diçka, të paktën, ky institucion më i lartë shkencor shtetëror e kombëtar për gjuhën e përdorur të anëtarit të saj, akademikut, hë për hë edhe kryeministër? Kjo natyrisht mund të thuhet edhe për institutet tjera shkencore dhe qarqe të ndryshme intelektuale të universiteteve të shumta publike e private.
Nga fundi i viteve të ’80-ta, shkrimtarët e Kosovës (të ish-autonomisë socialiste), ndonëse me vonesë, patën marrë guximin që t’i kundërshtonin në Novi-Sad shkrimtarët e intelektualët serbë, që mbronin politikën zyrtare të Serbisë dhe më pas rrumbullak 215 intelektualë të Kosovës guxuan të prononcoheshin hapur kundër politikës shoviniste të Serbisë e të Federatës Jugosllave. Ndonëse edhe në atë kohë kishte intelektualë që “guxuan” të thoshin kur ajo pak autonomi po rrëmbehej nga ndryshimet kushtetuese, se me ato ndryshime “Kosova nuk humb asgjë”?! Shumëkush nga qarqet e përmendura e di se çka ndodhi më pas! Siç po thuhet me plot gojën e me paturpësi sot e gjithë ditën: “Nuk po preket Kushtetuta e as Dokumenti i Presidenti i Ahtisarit”, edhe pse qe katër-pesë vjet bisedohet në kundërshtim të plotë me të dy dokumentet e përmendura. Nëse i besojmë kësaj që po na thonë qeveritarët, atëherë si ndodhi që politika serbe, nuk i paska parë deri tani këto të drejta që i paskan pasur në Kushtetutë dhe në Dokumentin e Presidentit Ahtisarit?! Duhet të jesh më shumë se miop që të mos shihet kjo gjë! Nëse nuk është në pyetje diçka tjetër… Një gjë është e sigurt, me këto marrëveshje Serbia është bërë hisedare në punët e brendshme të Kosovës, mbase edhe më shumë se kaq!
Këtu natyrshëm shtrohet pyetja: a do të ishin kaq heshtakë akademikët tanë po të prekeshin interesat e tyre vetjake, siç ndodhi me rastin e anëtarit të tyre, i cili u tregua shumë energjik kur iu prek prona private, por jo kur u prek interesi i Kosovës dhe i qytetarëve të saj? Madje jo pak herë i kemi parë reagimet e ashpra të akademikëve në polemikat e tyre (të brendshme) aspak “akademike” dhe tejet të turpshme me fjalorin e përdorur, por nuk po i shohim asnjëherë të gatshëm t’i mbrojnë interesat shkencore e politike të vendit!
– Pse në rastet e vlimeve politike heshtin intelektualet dhe akademikët tanë?
– Ose pse së paku nuk vihen në mbrojtje të veprimeve të Kryeministrit, i cili, siç dihet dhe u tha më lart,është anëtar i ASHAK-ut?
Thuhet se heshtja është miratim. Madje, sa ironike kjo, kohë më parë Akademia e Shkencave e Shqipërisë e shpalli Kryeministrin e Kosovës “Nderi i Akademisë”!
– Përse as ky institucion më i lartë i Shqipërisë nuk ka një reagim të dinjitetshëm?
– Apo as ASHSH-ja nuk ndjen ndonjë përgjegjësi për këtë çështje?
Kjo heshtje e akademive tona, e të dy akademive pra, është vërtet për t’u shqetësuar! Madje akademikët po heshtin edhe kur Kryeministri po e përdorë fb-në për akuza, për hetime dhe nesër fare lehtë mund ta marrë edhe rolin e gjykatësit!!! Pra, të gjitha pushtetet! Nuk e di nëse atëherë a thua do të ketë kush të reagojë?
Na kujtohet fare mirë reagimi i Prof. Rexhep Qosjes kur kohë më parë bëri ndaj ASHAK-ut, apo kreut të saj, merreni si të doni, me ç’rast u shpalos një gjuhë e “pa kompromis”, aspak “akademike”e akademikëve tanë! Përse gjithë ky mllef i pa fre brenda llojit e jo ndaj të tjerëve kur na përçmojnë e mohojnë gjithçka? Edhe ky “fenomen”, mbase kërkon përgjigje. Po, nga kush duhet kërkuar përgjigje? Çfarë tjetër duhet të ndodhë për të reaguar akademikët dhe intelektualët tanë? Thuhet që kur: “Kur vringëllojnë armët, heshtin muzat”. Prandaj është koha e reagimit intelektual dhe akademik, që as mos të vringëllojnë armët e as mos të heshtin muzat!
Së këndejmi, kam frikë se na është bërë heshtja disi rregull, apo ves i shëmtuar, madje shprehi e kulturë “mirësjelljeje” sa herë që na preket interesi kombëtar, duke mos kundërshtuar pa kompromise me tërë egërsinë sikur rastet kur dikujt, qoftë edhe akademik ai, t’ipreket prona private apo ndonjë interes tepër meskin…
A thua po e prezanton Kryeministri i Kosovës kulturën e shtresuar në ASHAK, apo ai është një sui generis i ASHAK-ut?
Kemi nevojë imediate që ta kultivojmë një kulturë e përgjegjësi tjetër në të gjitha komunitetet e organizuara intelektuale, për ta lëvizur “komunitetin” politik, sepse e kanë përgjegjësinë. Iu është dhënë vota! Sepse nëse nuk reagojnë akademitë tona, që absorbojnë kulmet e përvojës intelektuale, profesionale e shkencore, kush tjetër do ta zhvillojë kulturën e reagimit në kohën e duhur me edukatë e përgjegjësi intelektuale, politike e kombëtare?
Apo, duhet ndërruar ajo thënia e famshme, natyrisht duke u përditësuar, një shprehje e informatikës kjo, se fshati digjet e akademikët tanë krihen!