HAMDI HYSUKA: KËNGËTAR I DASHUR NË MBARË HAPËSIRËN SHQIPTARE

Tiranë, 17 gusht 2020: Nuk e njihja nga afër, as në skenë s’më kishte ndodhur ta duartrokisja drejtpërdrejt. Madje as kafe nuk na kishte rastisur të pinim bashkë. Ndërsa me vëllain e tij, kantautorin e mirënjohur Esat Ruka, kam njohje të hershme, që në shkollën e mesme pedagogjike dhe ndër veprimtaritë e shumta të Pallatit të Kulturës në Burrel. Në të vërtetë, Hamdi Rukën artist, udha e bukur e këngës folklorike, me zërin e ëmbël dhe interpretimin në instrumentin e çiftelisë, e bëri të njohur dhe shumë të njohur në Mat e më gjërë, në të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarë. Nuk e teproj kur them se, me forcat e veta, jetën artistike e ka identifikuar me folklorin.
* * *
Hamdi Ruka u lind në fshatin Rukaj, Njësi Administrative e Bashkisë Mat. Aty kreu shkollën fillore e 8-vjeçare, ndërsa arsimin e mesëm bujqësor e mbaroi në Bruç. Si shumë të tjerë, gjatë viteve të tranzicionit, u largua nga vendlindja për të vazhduar jetën në qytetin e Burrelit.
Që në moshë të vogël i pëlqente çiftelia. Ishin vitet ’70, kur Hamdi Ruka, me grupet artistike të shkollës së fshatit, dallohej për zërin e ëmbël dhe cilësinë e interpretimit në çifteli. Nga klasa e pestë deri në të tetën ka marrë pjesë në festivalet e këngës së fëmijëve që zhvilloheshin në Burrel. Në bazë zone, si përfaqësues i shkollës 8-vjeçare, arriti të marrë çmime të para.

Pas mbarimit të shkollës së mesme Hamdiu këngëtar u bashkua me mjeshtrat e Pallatit të Kulturës, siç i quan ai me krenari, me artistët dhe instrumentistët Ymer e Behar Neli, Xhavit Dishani, Kujtim Kola, Hysni Beshku, Eduart Sefgjini, Bajram Doda, Isuf Gjoka, Enver Kurti, vëllezërit Shaban dhe Asllan Cibaj… Me nostalgji kujton këngëtaret e mirënjohura Feride Kurti, Flora Sula, Drita Suçi, Fatmira Likmeta, Mejreme Kurti, me të cilat ka marrë pjesë në shumë festivale folklorike kombëtare në Gjirokastër, Dibër, Lezhë, Librazhd, Berat, Butrint të Sarandës etj. Siç shprehet i emocionuar, që të luaje me instrumentistët e lartpërmendur, ishte avantazh i madh. Për drejtueset e ish-Shtëpisë së Pionierëve (sot Qendra Kulturore e Fëmijëve) Liri Cami e Pina Gurabardhi ruan konsiderata. Shokët e grupit të instrumentistëve: Et’hem Merra, Afrim Kryekurti, Hysni Vata, Arben Pasha, Qemal Alia, Nikolin Marku, Arben Marku, Behar Neli, Artan Stana, Edmond Zhgjuni etj, i kujton me respekt. Mirënjohje e dashamirësi tregon për z. Shefqet Merra, instrumentist, këngëtar e kompozitor, nga i cili mësoi shumë.
* * *
Që nga viti 2004 pasaportizimi Hamdi Rukës është Bashkia Kamëz, Tiranë. Aty iu krijuan mundësitë që të vazhdojë dhe studimet e larta pranë UBT, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, dega Agromjedis-Ekologji, ku u diplomua inxhinier i Agromjedisit dhe Ekologjisë.
Në librezën e punës ka të shënuara vite sherbimi në sektorë të ndryshëm të subjekteve private, kryesisht menaxher në Bar-Restorante, Hotele dhe Resorte Turistike, në të cilat, për vlera të larta njerzore e kuturore, është cilësuar model i shoqërisë.
Pa humbur kohë Hamdiu iu bashkua vëlla Esatit, i cili fillimisht qe organizator i Grupit Folklorik “Shqipet Folk”, ku bënin pjesë instrumentistë dhe këngëtarë nga më të mirët: Esat Ruka, Fatmira Breçani, Sherif Dervishi, Tonin Haxhia, Mark Luli, Sokol Mulaj, Arif Dushaj etj. Tek ai grup Hamdiu u përfaqësua si këngëtar dhe instrumentist në festivale folklorike të zhvilluara në Shqipëri dhe jashtë kufinjve, në Ballkan dhe Europë. Sipas tij, më befasuese dhe interesante kanë qënë shfaqjet që kanë dhënë në diasporë. Në kujtesën e tij gjatë gjithë jetës ngelen Franca, Zvicra dhe Italia.
* * *
Vendlindja pa dyshim është burim i pashtershëm frymzimi, sidomos për artistët. Kur unë u njoha më nga afër me këtë këngëtar, m’u shtua bindja se çmimin dhe vlerësimin më të madh ajo ia ka dhënë, duke e duartrokitur sa herë është ngjitur në skenë. Dhe prandaj është i lidhur shumë me vendlindjen. Shumica e këngëve të tij aty e kanë burimin. Ngaqë dëshmon talent, Hamdi Ruka premton se do të japë kontribut artistik për ruajtjen dhe interpretimin e folklorit të traditës. Refreni i njerës prej këngëve të tij nuk kërkon koment:
Sa herë kthehem në vendlindje, / i them vetes, vallë ku jam
se fort malli po më merr / ty vendlindje për jetë t’kam
që i vogël, kur isha fëmijë / bukurinë te ty e gjeta
t’thura kangë me çifteli / s’të harroj kurrë sa t’jetë jeta!

Jam këtu që prej neolitit, / jam ilir e jam arbnor
nëpër shekuj fis pas fisit, / përkrenare dhe kurorë
që nga Bato e gjer te Gjoni, / ruaj e flas veç një emër
Mat, matjan mua më thoni, / Gjergjin tim e mbaj në zemë
r…
* * *
Për të folur rreth karrierës muzikore gati 40-vjeçare, këngëtari i dashur në mbarë hapësirën shqiptare, s’e ka të lehtë. Ndër krijimet e tij, si instrumentist, këngëtar rapsod, por dhe krijues, janë: “Mbeta kthjellun Mat matjan”, “Heroit Ukshin Hoti”, “Vendlindjes sime”, “Kolazh këngësh matjane” etj. Me studiot “Muza Akademi” e kompozitorit Edi Balili, “Studio Tomçini” dhe “Studio Anvi”, ka bashkpunime të vazhdueshme muzikore.
Herë pas here në repertorin e Hamdi Rukës shtohen këngë të ndryshme, interpretuar në koncerte, skena festivalesh dhe studio televizive. Shpesh sjell dhe projekte të reja muzikore. Kënga “Heroit Ukshin Hoti” është pritur mjaft mirë nga artdashësit. Vargjet, melodia dhe interpretimi i saj të mahnisin:
Si dhuratë nga Zoti, / si mali mbi male
u lind Ukshin Hoti, / bir i Krushës së Madhe
lindi Kruja kastriotët, / kryet ua preu sulltanëve
lindi Krusha Ukshin Hotin, / tmerr i madh i karpatianëve*.
…Për ty gurin e tret loti, / tretet shkami e treten male
jo, nuk tretet Ukshin Hoti, / legjendar i Shqipnisë madhe…
*
* *
Këngëtari Hamdi Ruka është i ftuar në disa emisione muzikore, si në Tv “Topestrada” të Tetovës; në RTK Kosovë, te emisioni folklorik “Rrënjët tona”, drejtuar nga Shkurte Fejza; në emisionin “Visare folklorike” të Radio Tiranës etj. Jo vetëm nëpër koncerte të organizuara jashtë trojeve shqiptare nga vetë emigrantët, por dhe në dasma e gëzime familjare djaloshi matjan ka hyrë dhe mbetet në zemrat e artdashësve.
* paraardhësit e Serbisë

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura