DR.MOIKOM ZEQO: ARSIMI KOMBËTAR, I STERILIZUAR NGA DISIPLINAT HUMANISTIKE

Tiranë, 05. 05. 2016: Arsimi kombëtar shqiptar është gati i sterilizuar nga disiplinat humanistike dhe kjo përbën një marrëzi konceptuale të pashembullt… dhe paradoksale në këto 25 vitet e fundit. Disiplinat humanistike janë rrudhur, janë bërë anemike për nga funksionaliteti formim-krijues dhe edukativ dhe nga sindroma mediokre e mungesës së kulturës universale. Kjo tregon edhe mediokritetin e politikanëve tanë këto 25 vitet e fundit me delirin e superkompetencave, por në fakt në dije krejt mediokre dhe sipërfaqësore, që kanë modeluar dhe politikëbërje adekuate. Kam shkruar shpesh për këtë subjekt, por gjithmonë me njëfarë dëshpërimi. Dhe ja, më bie në duar një libër, që artikulon këtë konceptualitet problemor. Vlerësimi mbi një libër përcaktohet nga substanca e tij. Kjo është gati aksiomatike.
Nuk është vetëm parashtrimi i thjeshtë i ligjërimit artikulues të librit, por edhe koncepti i optikës analizuese. Një libër për disiplinat humanistike është njëkohësisht edhe teori, edhe praktikë e shkencës sociale me kufij të hapur, që pasqyron një tendencë gjithëpërfshirëse. Por ajo që është më e thukëta, më zotëruesja është problematika e re, ose riformulimi i problematikës për disiplinat humanistike në kohën e sotme dhe për të projektuar një ardhmëri të një çmimi jetik dhe shpirtëror të “humanistikës së shekujve” dhe të aktualizimit progresiv dhe cilësor.
Ne dimë një histori kronologjike të disiplinave humanistike në antikitet, në epokën e Rilindjes Europiane, të Iluminizmit dhe të Romantizmit, të shekullit XX dhe në epokën post-teknologjike dhe post-moderniste. Por, sistemi informues dhe sintetizues për disiplinat humanistike në kushtet e zhvillimit globalist dhe kibernetik është detyrimisht struktura universitare, ose mjeti botëror universitar, me përparësi mbi diversitetet e kulturave dhe mjeteve komunikuese linguistike dhe grafike.

– Fatos Tarifa dhe Enila Cenko –

Libri “Shkenca sociale si teori dhe praktikë”, i shkruar në bashkëpunim nga Enila Cenko dhe Fatos Tarifa është libri i parë dhe deri më sot i vetmi në literaturën profesionale sociologjike në Shqipëri për rëndësinë e kredencialeve të pashmangshme të disiplinave humanistike në vendin tonë dhe sistemin tonë universitar. Të dy autorët, përveç profileve vetjake, dallohen për faktin që këta studiues shqiptarë kanë marrë arsimin amerikan në dy nga universitetet më të mira të SHBA-ve (Enila Cenko ka fituar një PhD në Psikologji nga Clark University në Massachussetts dhe Tarifa në Sociologji.) Fatos Tarifa është personalitet i shquar i studimeve sociologjike, autor i shumë librave mbresëlënës, që janë bërë paradigma referuese në sociologji brenda dhe jashtë Shqipërisë, por edhe Enila Cenko ka spikatur si një nga studiueset më të talentuara dhe më të përgatitura të gjeneratës së saj.
Studimi i mirëfilltë është një prerjeje kirurgjikale mendore e koncepteve dhe instrumentalizim për të bërë sinteza. Shoqërisë shqiptare i mungojnë sintezat shkencore, që të jenë dhe strategjikisht udhërrëfyese. Ka afro 25 vite që sistemi i arsimit të lartë, universitar dhe post-universitar është në një krizë apo në një katastrofë konceptuale. Këto 25 vite roli i disiplinave humanistike është zbehur ose është një kujtesë në boshllëk. Në epokën globale Shqipëria paraqitet në një formë sipërfaqësore si element i globalizmit, ndërkohë që përmbajtja e saj e brendshme është krejt ambikuide dhe me pengesa të mëdha, retrograde në procesin e pandalshëm integrues. Prapambetja paradoksale në formimin botëkuptimor në disiplinat humanistike në Shqipëri është e rëndë dhe e frikshme.
Kjo e bën librin në fjalë gati një manifest për një ndryshim konceptual, të shpejtë dhe të gjithëmbarshëm. Kjo shpreh faktin se çdo reformë e arsimit të lartë përtej elementeve teknike dhe formale strukturohet në thelbin e vet konceptual dhe në këtë thelb disiplinat humanistike janë të bërthamës së dijeve. Është gjithashtu të ribëhen pyetjet se ç’janë disiplinat humanistike, pse ka një “divorc” të madh akademik mes tyre dhe shkencave matematikore, ekzakte, si është roli i disiplinave humanistike dhe arteve liberale në globalizmin teknologjik, ose në teknologjinë globale, ç’është funksioni i analizës në politikëbërje, a janë analizat (më shumë) profesionale, apo (më shumë) politike, pse kompleksiteti i realitetit shoqëror përplaset me kufizimet epistemologjike të analizave mbi politikat, ç’është konflikti i vlerave, partishmëria dhe interesi publik, ç’dimë për teorinë e C.Wright Mills, për sociologjinë e tij inovative dhe problemet sociale etj.
Studimi i filozofisë, i historisë, i arkeologjisë, i letërsisë dhe arteve është, në fakt studimi i vetë njerëzimit, por nga një metodikë mendore e specifikueshme dhe që dallon nga ato të shkencave natyrore. Por, dija njerëzore është një ndërthurje universale dhe ndërveprim midis shkencës, teknologjisë, disiplinave humanistike, artit dhe estetikës, pra kemi një martesë të shkencës me artin.
Ndërkomunikimi njerëzor është esencialisht simbolik, realizohet ndërmjet instrumentit linguistikë (ose shumë instrumenteve të tillë) duke pasur parasysh një marrëveshje të qëndrueshme konceptesh dhe termash midis njerëzve dhe popujve dhe se, patologjitë gjuhësore e bëjnë mirëkuptimin dhe marrëveshjen njerëzore të vështirë, ose gati të pamundur, ndërsa njohja e saktë e të kuptuarit të gjuhës, të kulturës dhe historisë së tjetrit e bëjnë bashkëpunimin midis njerëzve dhe popujve më të lehtë dhe më harmonik. Disiplinat humanistike duhen ringjallur patjetër. Flitet për një “vdekje të bardhë” të filozofisë dhe të mendimit, madje dhe të letërsisë dhe arteve.
Jetojmë në shekullin XXI të postmodernizmit. Ky postmodernizëm pretendon se “moderniteti” i prejardhur nga antikiteti, Iluminizmi, Revolucioni Industrial dhe marksizmi ka marrë fund. Ne jetojmë në një sub-kulturë “bashkëkohore” të pafund, mbushur me kuptime kundërshtuese dhe përjashtuese, plot paradokse, kopjime, ndërthurje të Kitsch-kulturë dhe Kitsch-art. Kjo është edhe bota virtuale e “hiper-realitetit”, që përmban dukuri kaq të çuditshme si “amnezinë post-holokaust”, Disneyland-in, hapësirat kibernetike si dhe të ashtuquajturin “fundin e historisë” të shpallur nga Fukuyama.
Ndryshimet në konceptimin e disiplinave humanistike janë sot në labirintet e strukturalizmit, semiotikës, të dekonstruksionit analitik të ikonave të postmodernizmit si Foucault, C. Levy Strauss, Barthes, Lacan e Lyotard etj. Fjala vjen Lyotard mendon se tani i ka humbur “rrëfimet e mëdha të historisë”, pra rëndësia e disiplinave humanistike ka mbaruar, ka vdekur përgjithmonë. Ndërkohë, Foucault pak para se të vdiste bëri një thirrje për një rikthim, apo një rimendim të iluminizmit. “Fundi i historisë” i Fukuajamës është teleologjik, kurse po përcaktimi i Fukuajamës për “njeriun e fundit” përfshin eskatologjinë, por ka parasysh njeriun si një qenie trans-historike dhe natyrore, por më tepër një njeri metafizik të mbyllur brenda një perspektive sterile, për të arritur te “zampping-u”, ose “ndërgjegjja zero”.
Nga parashtrimi i mësipërm del se edhe aspekti teorik i disiplinave humanistike ka diçka konvencionale dhe kaotizëm. Shto këtu edhe kritikën e mendimtarit të madh George Steiner, për krizën botërore të sistemit universitar të komercializuar për të kuptuar pse problematika e disiplinave humanistike është një problematikë e mbijetesës dhe humanizmit të vetë njerëzimit planetar. Mogtaigne ka shkruar: “Mon mètier et mon art, c’est vivre” dmth “Mjeshtëria dhe arti im është të jetoj”. Disiplinat humanistike burojnë nga Njeriu dhe vërtetojnë si dhe përsosin Njeriun.
Viti 2016 është 400-vjetori i vdekjes së Shekspirit dhe Servantesit, dy titanë të patjetërsueshëm e të papërsëritshëm të humanizmit dhe letërsisë botërore. Për këto dy emra Harold Bloom ka thënë se janë dy demiurget, që modeluan botën e Njeriut modern. Libri i Enila Cenkos dhe Fatos Tarifës botohet edhe kuptimësohet edhe në kuadrin e këtij jubileu triumfues të disiplinave humanistike. Ky libër është i dobishëm. Ky libër është i domosdoshëm. Ky libër është një grishje. Ky libër është një ndikim për të ndryshuar diçka në konceptualitet, për të ecur përpara në një zhvillim të ri.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura