Tiranë, 1. 6. 2016: Togfjalëshi “reforma në drejtësi” është më i përdoruri, më i shumëfishuari, më i lakuari, në politikën shqiptare dhe në media. Nuk ka ndodhur asnjëherë gjatë këtyre 25 viteve që një togfjalësh i tillë të ketë ngjallur një debat kaq të zhurmshëm dhe të gjëmshëm. Nuk ka ndodhur dhe mbase nuk do të ndodhë në të ardhmen që togfjalëshi “reforma në drejtësi” të mbarti kaq shumë enigma, konotacione politike, përbaltjeje, fshehtësirash gati të pakonceptueshme saqë mund të konsiderohet në të gjitha kuptimet e mundshme dhe të pamundshme si një frazë apokaliptike që vërtitet në të katër anët, brenda dhe jashtë njerëzve, në politikë, në jetë, në intimitetet njerëzore, deri në skutat më të errëta të privatësisë, si një metaforë gjithashtu apokaliptike, torturuese dhe e frikshme.
Që në vitin e kaluar kryeministri Rama paralajmëroi tërmetin në drejtësi duke caktuar muajin shtator 2015. Gati ka kaluar një vit dhe metamorfozat e frazave dhe të situatave politike janë të hibridizuara dhe të skajëzuara në të gjithë spektrin politik shqiptar në format më të thekshme dhe në paraqitjet më luftarake, përjashtuese, por edhe pezhorative. Është një fakt i madh që stimuluesit e reformës në drejtësi janë jashtë parlamentit shqiptar: Ambasada e SHBA-së dhe BE. Asnjëherë më parë nuk ka ndodhur që ndërkombëtarët të kërkojnë një ndryshim kaq radikal, madje një emergjencë të reformës në drejtësi. Tre partitë kryesore që zotërojnë Kuvendin, janë shprehur me deklarata gati ceremoniale, shpesh edhe pompoze, se janë për reformën në drejtësi pa asnjë diskutim. Por në realitet po ndodh një ngecje në vend. Në të vërtetë po fermentohet vetëm një lëvizje frazash, por jo një lëvizje reale në politikë. Shumica qeverisëse dhe opozita akuzojnë njëra-tjetrën me një ngulm të një përjashtimi kanunor dhe gati antagonist. O marrëzi e marrëzive, do të klithte nga thellësia e shpirtit Erazmi i Roterdamit.
Si ka mundësi?
Pse ndodh kështu?
Pse nuk e përballon politika shqiptare diçka që është kaq logjike dhe domosdoshmërisht jetike për krejt shoqërinë, por në radhë të parë edhe për vetë politikën?
Para disa ditësh dëgjova në TV që zëvendës kryeministri Niko Peleshi, pra figura numër 2 e qeverisë, të shprehet se reforma në drejtësi nuk është kushtetuese. Elementë të tillë të kriticizmit të tillë formal juridik se gjoja reforma në drejtësi prek disa parime të të drejtave të njeriut, si parime universale kushtetuese i kam dëgjuar edhe nga protagonistë të tjerë të politikës, qoftë nga qeverisësit, qoftë nga opozitarët. Me një fjalë, artikulohet ideja se të gjitha palët (çuditërisht që duan t’i hanë kokën njëra-tjetrës) janë për reformën në drejtësi, por paska potencialisht shkelje kushtetuese.
Ç’është kjo teori juridike e pavërtetë?
Si ka mundësi që përfaqësues të lartë të thonë publikisht fraza të tilla për reformën juridike që ndonëse janë gati ta votojnë menjëherë, prapë së prapë kanë ngurrimin dhe mençurinë e një maturie të shpifur, mbase dhe “parimore” se gjoja prekin parimet kushtetuese.
Reforma juridike e paraqitur për aprovim, pra për votim të gjithëmbarshëm në Kuvendin e Shqipërisë, është në thelb kushtetuese.
Pse?
Ndëshkimi i krimit të organizuar, dekriminalizimi i politikës dhe i shoqërisë është një nga thelbit e thelbeve të Kushtetutës demokratike e cila ka ekuilibrin në ndarjen e pushteteve të legjislativit, të ekzekutivit dhe të gjyqësorit në një përmbajtje të thellë unitare dhe komplementare.
Nëse për jetësimin dhe aprovimin e reformës në drejtësi do të votojnë së bashku shumica dhe opozita, vetvetiu kemi një kusht normativ: do të kemi atë shumicë kushtetuese për të bërë disa ndryshime jo kundër Kushtetutës në Kushtetutë, por disa ndryshime të Kushtetutës në Kushtetutë për të lehtësuar dhe fuqizuar pikërisht substancën e pushtetit gjyqësor, ndëshkimin e krimit dhe dekriminalizimin e gjithçkaje në Shqipëri. Vetëm politikanë mediokër dhe pa kulturë të vërtetë juridike mund të shtrojnë lehtë e lehtë ose larg dhe larg ide të tilla të mbrapshta dhe pa asnjë kuptim qoftë për momentin, qoftë dhe për prespektivën se gjoja “jemi dakord për reformën në drejtësi”, por ja që “ka edhe disa kontradikta kushtetuese”.
Pyes përsëri:
kush e thotë këtë?
Pse thuhet kjo gjë?
Ç’kuptim ka kjo gjë?
Ndryshimi më i kobshëm i Kushtetutës të Shqipërisë është ai i vitit 2008 që shkatërroi substancën kushtetuese të votës së lirë. Kjo ndërhyrje brutale në Kushtetutë është vërtet cenim i dhunshëm dhe i rëndë i Të Drejtave të Njeriut: atakimi i lirisë për të zgjedhur lirisht dhe për të votuar lirisht. Votimi i lirë u zëvendësua me një votim ritual të listave të apromovuara nga kryetarët e partive. Pikërisht kjo ndërhyrje mediokre në Kushtetutë ka prodhuar katrahurën më të madhe në historinë e politikës shqiptare. Vetë zoti Meta është shprehur se parlamenti i sotëm është më i dobëti që ka patur ndonjëherë Shqipëria në këto 25 vjet.
Pra përfaqësimi politik i shoqërisë shqiptare është më mediokri dhe ka rezultuar më i kriminalizuari, si asnjëherë tjetër. Forca kimike e një metamorfoze të tillë kafkiane kanë qenë pikërisht listat paraprake të zgjedhjes së deputetëve nga kryetarët e partive. Kjo e vërtetë madhore nuk mund të fshihet. Nuk mund të mbulohet me mjegull. Ky po është një cenim i madh i vetë Kushtetutës, një sëmundje kanceroze e saj.
Prandaj mendoj se ka arsye të artikulohet ideja që reforma në drejtësi është legale dhe kushtetuese, se nuk përfaqëson një kundërvënie të të drejtave kushtetuese, por përkundrazi një zbatim dhe një respektim maksimal të tyre. Nuk e di saktësisht se kur do të votohet reforma në drejtësi. Por klasa politike shqiptare është e vonuar.
E ka fajin opozita?
Po, edhe opozita ka faj në alibitë dhe në vonesat apo edhe akrobacitë e pafundme të saj. Por faj kanë edhe përfaqësuesit e shumicës. Faj kanë ata partitë qeverisëse që kanë mazhorancën më të madhe që ekziston në raport me parlamentet e tjera të Europës. Faj kanë të gjithë, por kjo nuk do të thotë që faji nuk i përket askujt. Të thuash që e duam reformën në drejtësi dhe të shkaktosh një vonesë të tillë të pajustifikuar është vërtet diçka turpëruese, e padenjë dhe me një sens retrograd dhe mediokër.
***
Dua të sqaroj dhe një pikë tjetër. Është ngritur gjithashtu ideja se reforma në drejtësi duhet votuar edhe me konsensus. Ky parim është i drejtë. Ky parim do të ishte një mundësi e epërme. Por nuk duhet harruar ndërkaq se konsensusi është tjetër gjë nga institucioni parlamentar. Institucioni parlamentar funksionon me votim. Nuk funksionon me konsensus. Një nga mendimtarët e mëdhenj amerikan Thomas Payne, mik i ngushtë i Jefersson ka mbetur i famshëm për librin e tij “Common sense”. Për Payne konsensusi është për gjëra të mëdha dhe themelore. Për shembull dashuria për atdheun, shumica dërrmuese e një populli e do pa përjashtim atdheun e vet: ky është një konsensus madhor. Gjithashtu fryma e konsensusit është për gjërat që i bashkojnë qytetarët, për historinë e tyre, heronjtë, simbolet. Për sa i përket demokracisë votuese, pra institucionit të votimit të lirë, të krijimit institucional të përfaqësimit politik, i vetmi mekanizëm legal dhe i saktë, duam apo nuk duam, është votimi dhe koncepti normativ i numrave. Kështu që mendoj që klasës politike shqiptare duhet tërhequr vëmendja nga një konsensus popullor se nuk e meriton besimin e votuesve në qoftë se vonojnë dhe krijojnë gjithfarë marifetesh nga më të pabesueshmet për të mos votuar reformën në drejtësi.
Reforma në drejtësi ka lindur si një domosdoshmëri mbas 25 viteve të shpërdorimit politik, të manipulimit dhe të fuqizimit të krimit të organizuar dhe kriminalizimit në tërësi të shoqërisë, por edhe të përfaqësuesve publikë dhe politikë. Nëse kjo reformë në drejtësi nuk do të bëhet, ose do të shtyhet në klaendat greke, atëherë Shqipëria dhe shqiptarët do të mbeten pa një kauzë dhe do të vërtiten në një mjegull pa parë një dritë në fund të tunelit. Votimi i reformës në drejtësi bëhet kështu diçka shumë më e rëndësishme se vetë zgjedhjet politike të përgjithshme. Shqipëria mbas një viti do të shkojë në zgjedhjet e përgjitshme politike të cilat do të kenë një rëndësi themelore për të ardhmen e saj. Po si mund të shkohet në to pa bërë ndryshimet vërtetë kushtetuese kundër deformimit të ndodhur në vitin 2008 dhe mos votimit apo vonesës së votimit të reformës në drejtësi? Ja që subjektet pleksen me njëri-tjetrin duke formuar një nyje gordiane.
A do të jetë në gjendje politika shqiptare ta presë këtë nyje gordiane?
Është vetë historia e kombit shqiptar që e bën këtë pyetje. Është vetë e ardhmja e kombit shqiptar që këtë radhë me një vetëdije të epërme dhe me një vëzhgim të thellë shikon dhe rri në pritje për realizimin e reformës në drejtësi që demokracia në Shqipëri të mos jetë një shans i humbur përfundimisht.
==============================================