PASHTRIKU: KOLONJA E VITEVE 1900 – 1945 NË NJË UDHËTIM FOTOGRAFIK

Pashtriku.org, 19. 05. 2013 – Më 14 Maj, Ekspozita “Identitete Kolonjare” ka sjellë në Galerinë “Fap” në kryeqytet një copëz të historisë së Kolonjës në fillim të shekullit te 20-të, të përjetësuar në mbi 100 fotografi, shumica prej të cilave të Dhimitër Vangjelit dhe disa të përzgjedhura në muzeun e Rilindjes në Itali.
Të veshur me kostume popullore, mbi shtatë burra qëndrojnë të ulur në shkallët e gurta të një shtëpie. Vështrimi i tyre duket i fokusuar nga fotografi, ndërsa fotoja duhet të jetë bërë rreth viteve 1910-1915. Pak më tej një grua e veshur me fustan të gjatë të zi mban në dorë një tufë me lule, teksa pozon bri murit në oborrin e shtëpisë, ku ka varur një mbulesë të qëndisur me dorë. Imazhe fëmijësh, burrash në momente pune apo gëzimi, foto familjare në stilin e njohur të Marubit, apo foto nga rituale vdekjesh… – janë pjesë e një kolazhi fotografik realizuar nga fotografi Dhimitër Vangjeli Prodani, të cilat na rikthejnë në Kolonjën e viteve 1910-1917.
Më 14 maj pasdite në galerinë FAB u hap ekspozita “Identitete kolonjare” e fotografit të njohur, Dhimitër Vangjeli Prodani, dhe misionit italian. Ekspozita është kuruar nga fotografi Roland Tasho dhe është mbështetur nga një grup kolonjarësh si Enkelejd Joti, deputeti i zonës, Alfred Dalipi, Edi Poda dhe Ylli Rakipi. Fotot janë marrë nga arkivi i Bashkisë së qytetit të Ersekës, të cilat i ishin sekuestruar Vangjelit me hyrjen e regjimit komunist në vend. Në arkiv, fotot kanë qenë të ruajtura si “sekret”. Teksa vështron këto fotografi, joshesh nga stili dhe mënyra e jetesës e qytetit e më shumë se gjysmëshekulli më parë.

Fotot tregojnë një kulturë në nivelin e jetesës dhe një admirim për shkollën dhe një lidhje më të ngushtë mes njerëzve dhe qytetit. Interesante është të shohësh një foto të realizuar në godinën e cila ka shërbyer si shkollë dhe konvikt për nxënësit, ku kanë pozuar para aparatit fotografik nxënës të shkollës dhe mësues, një godinë e ndërtuar në vitin 1927, nga një pronë e dhuruar nga familjet e Prodanëve dhe Malukës. “Në këto foto shihet një profesionalizëm, çka tregon një nivel të lartë të fotografit”, thotë Tasho. Vangjeli me aparatin e tij ka prekur realitete ekstreme të Kolonjës. Njerëz të ndryshëm, të varfër, të pasur, fshatarë, qytetarë në studio, jashtë në natyrë, komitë, luftëtarë, patriotë në mbrojtje të territoreve shqiptare. “Njësoj me trashëgiminë fotografike që kanë qytete si Shkodra dhe Korça, është dhe qyteti i vogël i Kolonjës. Dhimitër Vangjeli është një bashkëkohës i fotografëve të njohur shqiptarë e po aq i rëndësishëm në historinë e fotografisë shqiptare. Kolonja si një vend me iluministë e shumë tradita patriotike e me njerëz të shquar, patjetër që do të kishte dhe fotografinë në plan të parë. Këtë gjë e tregojnë fotot e rralla që shohim sot nga Vangjeli”, thotë Tasho. Në fotot e Vangjelit sipas tij, njihemi për herë të parë me atë çfarë është quajtur fotografia e ritit të vdekjes. Në disa foto të kësaj ekspozite, shohim rite të tilla. Këto foto nuk janë thjesht një shkrepje fotografike, por foto të menduara mirë, ku ndihet dora e fotografit. I lindur në vitin 1872, emri i Dhimitër Vangjelit ka qenë pothuajse i panjohur në fotografinë shqiptare dhe pse gjithë jetën e tij ia kushtoi këtij arti. I tërhequr kryesisht nga qyteti i tij i lindjes, Kolonja, Vangjeli ka lënë pas një mori fotosh të jashtëzakonshme me vlera historike. Pas mbarimit të luftës, pjesa më e madhe e fotografive e realizuar prej tij u bënë pjesë e arkivit të Bashkisë së qytetit. Nikolla Perdhiku, i cili ka qenë i martuar me mbesën e Vangjelit, tregon mbi presionin që autoritetet e kohës i bënë për t’i marrë punët fotografike. Për vite me radhë, familjarët e dinin se fotot e realizuara nga i afërmi i tyre mbartnin vlera të rralla për kohën. Prezantimi i kësaj ekspozite, në ambientet e galerisë Fab ku mblodhi shumë kolonjarë, është vetëm një hap drejt njohjes me punët e realizuara nga Dhimitër Vangjeli, ky artist i përmasave të larta, puna e të cilit ka qëndruar në vite në hije. Kjo ekspozitë tregon se Shqipëria ka një trashëgimi fotografike të pashembullt në Ballkan, e cila ka mbetur deri më sot e panjohur jo vetëm përtej kufirit, por edhe brenda vendit. Këto foto të realizuara nga Vangjeli janë dëshmi e një kulture, dhe pohim i një identiteti të thellë kombëtar.

=======================

KOLONJA PËRMES FOTOGRAFIVE

…………………………………………………………
KU SHTRIHET KOLONJA

Rrethi i Kolonjës është njëri nga 36-të rrethet e Shqipërisë. Rrethi bën pjesë në Qarkun të Korçës. Rrethi i Kolonjës ka rreth 17.000 banorë (sipas 2004), një sipërfaqe prej 805 km² dhe kryeqendër Ersekën. Kolonja shtrihet në pjesen Juglindore të Shqipërisë, bën pjesë si njësi fiziko – gjeografike në krahinën malore qëndrore pjesa Jugore. Erseka është kryeqëndra e rrethit të Kolonjës. Gropa e Kolonjës shtrihet në këto koordinata gjeografike lindje 20 47′ 3″ perëndim 20 27′ 30″ veri 40 29′ 30″ jugor 40 5′ 0″. Ajo ësht pozicionuar në brëndësi te Gropës së Kolonjës. Një gropë kjo me lartësi rreth 1100 m mbi nivelin e detit. Në lindje të saj ndodhet mali i Gramozit me një lartesi prej 2523 m mbi nivelin e detit. Në perëndim të saj ndodhet Mali i Radomit. Pragu i Qarrit e ndan këtë Gropë nga Fushgropa e Korçës. Dhe në Jug të saj shtrihet Malësia e Gërmenjit. Kjo Gropë përshkohet nga një sërë përenjsh të cilat përmblidhen në pellgun ujëmbledhes të Osumit, kemi përroin e Starjes, Taçit dhe një sër të tjerë të vegjël me karaktere stinore të aktivitetit të tyre. Gropa e Kolonjës është njësia fiziko – gjeografike më e rëndësishme për këtë zonë. Në këtë zonë jeton pjesa më e madhe e popullsisë së këtij rrethi. Lumi i Osumit i kalon tërthor Gropës, në pjesën perëndimore të saj. Në këtë Gropë është vendosur dhe vendbanimi parahistorik i Ollmit të Qinamit i cili ndodhet në majë e një kodre në afërsi të fshatit Qinam si dhe shpella e Kamnikut. Mali Gramoz Shërben si kufi ndarës i kësaj zone nga teritori i Greqisë. Rrëzë këtij mali shtrihen një sërë fshatrash si Bezhanj, Borova, Gjonçi, Kreshovë, Milec, Rehova, Skorovot, Starje, Taçi. Në pjesën Perëndimore të Rrugës Nacionale janë të vendosura Fshatrat Mesicka, Gostivishti, Lengezi, Qinami, Selenica, Psari, Bekova Kodrasi etj.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura