DR.NUSRET PLLANA: INTERVENIMI I NATO’s PATI KARAKTER HUMANITAR

Prishtinë, 23. 02. 2017: Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, kishte karakter humanitar – NATO Intervention in Kosova had humanitarian character
Abstract: The war of Kosova Liberation Army was the right war on protection of elementary right of Albanians. But, in period March-June 1999, in Kosova is exercised un-seen genocide ever from the side of military and police Serbian forces to civil population. This rightful war and this genocide on everything Albanian set into motion all the sluggish mechanisms of international diplomacy.
The preparatory activities of the North Atlantic Alliance, NATO, regarding the military intervention in Kosova, were the first signs of international community who from words and resolutions of diplomacy would soon switch to military actions, which was the only language that the fascist regime of Belgarde would understand. This period comes more intense with diplomatic actions, but it was also dramatic to the developments on battles on the ground. Prominent names as: Holbrooke, Solana, Clark and Albright, were at the center of attention of media worldwide. However, the Serb regime leaded with Milosevic, did not give up on the colonial occupation of Kosova.
Key words: NATO, military intervention, liberation war, genocide, Rambouillet conference, diplomacy.
Abstrakt: Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte një luftë e drejtë në mbrojtje të të drejtave elementare të shqiptarëve. Mirëpo, në periudhën mars-qershor të vitit 1999, në Kosovë po ushtrohej gjenocid i paparë ndonjëherë mbi popullatën civile nga ana e forcave ushtarake dhe policore serbe. Kjo luftë e drejtë dhe ky gjenocid mbi çdo gjë shqiptare, kishte vënë në lëvizje gjithë mekanizmat e fjetur të diplomacisë ndërkombëtare.
Veprimtaritë përgatitore të Aleancës Ushtarake Veriatlantike, pra të NATO-s, për ndërhyrjen ushtarake në Kosovë, janë shenjat e para të faktorit ndërkombëtar, i cili nga fjalët dhe rezolutat po kalonte në veprime ushtarake, që ishte e vetmja gjuhë, të cilën e kuptonte regjimi fashist i Beogradit. Kjo periudhë del më e ngjeshur me veprimtari diplomatike, por edhe më dramatike, sa u përket zhvillimeve të luftimeve në terren. Emrat shpresdhënës: Holbrooke, Solana, Clark dhe Albright, ishin në qendër të mjeteve të informimi botëror. Në anën tjetër, pushteti okupues serb, me në krye Millosheviqin, nuk hiqte dorë nga pushtimi kolonial i Kosovës.
Fjalët kyçe: NATO, ndërhyrje ushtarake, luftë çlirimtare, gjenocid, Konferenca e Rambujesë, diplomaci.

Falë diplomacisë perëndimore të prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe të vendeve kryesore të Evropës, palët ndërluftuese ishin takuar në Rambuje të Francës, më 6 shkurt të vitit 1999, për t’i përpunuar hollësitë e një marrëveshjeje që do ta rivendoste autonominë, do t’i mbronte shqiptarët e Kosovës nga shtypja dhe gjenocidi, nëpërmjet një operacioni të drejtuar nga NATO-ja. Këto ishin çështjet për të cilat mendohej të bisedohej në Kështjellën e Rambujesë.
Medlin Ollbrajt dhe homologu i saj britanik, Robin Kuk, ndiqnin një politikë të këtillë me vendosmëri.
Pas një javë bisedimesh, të cilat i bashkërendonte ambasadori amerikan Kris Hill, si dhe homologët e tij të Bashkimit Evropian dhe të Rusisë, Sekretarja amerikane e shtetit kishte konstatuar se këto qëndrime kundërshtoheshin nga të dyja palët. Serbët nuk donin ta jepnin miratimin për një forcë paqeruajtëse të NATO-s, kurse shqiptarët e Kosovës nuk donin ta jepnin miratimin pa u garantuar referendumi për pavarësi. Diplomatët perëndimor që udhëhiqnin bisedimet, kishin vendosur ta shkruanin marrëveshjen në atë mënyrë, që të bënte të mundur të shtyhej për një kohë referendumi, por nuk do ta mohonin atë përgjithmonë.
Marrë në përgjithësi, kjo ishte rrjedha e ngjarjeve jashtë opinionit të shqiptarëve të Kosovës, të cilët kishin shumë pak informata se çka ndodhte në Kështjellën e Rambujesë. Mirëpo, pas përfundimit të Luftës së UÇK-së, rrjedha e këtyre ngjarjeve do të shpalohet në gjithë përmasën, edhe nga një kënd tjetër, nga këndi i peshës dhe i përgjegjësisë që mund të merrnin individë të caktuar, në rrethana të caktuara për jetën e një populli. Sekretarja amerikane e Shtetit ka shpaluar një anë tjetër të rrjedhës së këtyre bisedimeve, anën e gjendjes psikologjike të pjesëmarrësve në ato bisedime, përmes së cilës shpalohet për mrekulli e gjithë barra që kishin marrë përsipër pjesëmarrësit e Konferencës së Rambujesë.
Po afrohej dita e ndërhyrjes së NATO-s mbi caqet ushtarake dhe policore serbe në Kosovë dhe në Serbi. Një ditë para se të merrej vendimi, ndërmjetësi amerikan për Ballkanin, Hollbruku, më 23 mars të vitit 1999, tashmë ishte larguar nga Beogradi. Kishte mbetur të jepej urdhri nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, që në atë kohë ishte diplomati spanjoll Havier Solana. Kreu i NATO-s, doemos e kishte mbështetjen e drejtpërdrejtë edhe të administratës amerikane, të cilën e përfaqësonte Sekretarja e Shtetit, Medlin Ollbrajt, por për gjithë rrjedhën e procesit ishte i informuar edhe Presidenti amerikan, Bill Klinton. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Havier Solana, ia kishte dhënë udhëzimet paraprake dhe shumë të qarta gjeneralit Uesli Klark, i cili duhej t‟i fillonte sulmet ajrore. Për të qenë çdo gjë në rregull me procedurat ligjore amerikane, po atë ditë, edhe Senati amerikan kishte dhënë pëlqimin e tij për ndërhyrjen e NATO-s mbi caqet serbe në Kosovë, por edhe ishte miratuar vendimi për dërgimin e trupave amerikane në Kosovë, nëse do të kishte një marrëveshje paqësore.
Mirëpo, si përherë gjatë dy shekujve të fundit, edhe kësaj radhe, Rusia ishte kundër. Përkundër pëlqimit që ishte dhënë nga shumica e vendeve anëtare të NATO-s, si dhe nga Senati amerikan, kundërshtimi i Rusisë nuk dukej shumë problemor. Në qarqet diplomatike evropiane dhe në ato të NATO-s, mund të thuhet se ky shqetësim nuk ishte marrë shumë seriozisht. Përpjekjet e Rusisë mbase ishin të vonuara, ngase kur kryeministri rus, Jevgeni Primakov, ishte nisur për në Shtetet e Bashkuara për ta takuar nënpresidentin Al Gor, para se të zbriste në tokë, nënpresidenti amerikan e kishte informuar se një sulm i NATO-s kundër Jugosllavisë, pritej të niste së shpejti. Kryeministri rus i asaj kohe, Primakovi, edhe sipas kujtimeve të Presidentit amerikan, Bill Klinton, e kishte urdhëruar pilotin e avionit të tij ta ndërronte drejtimin e udhëtimit dhe të kthehej në Moskë.
Janë interesante fjalët e Presidenti amerikan, Bill Klinton, kur kishte informuar opinionin amerikan lidhur me fillimin e fushatës së ndërhyrjes së NATO-s mbi caqet ushtarake dhe policore serbe në Kosovë dhe në Serbi. Ai ia kishte rikujtuar popullit amerikan, ditën kur kishte filluar ndërhyrja e NATO-s, më 24 mars të vitit 1999, se Milosheviqi dhe shteti serb ua kishin marrë shqiptarëve të Kosovës autonominë e tyre, ua kishin hequr të drejtat që i kishin pasur me Kushtetutë, ua kishin ndaluar për ta folur gjuhën e tyre, për t‟i pasur dhe qeverisur shkollat e tyre, por edhe për të pasur një qeveri të tyre ose, siç ishte shprehur Presidenti amerikan, për t‟u vetëqeverisur.
Përveç këtyre theksimeve, Presidenti amerikan kishte paraqitur para popullit të tij një përshkrim të hollësishëm të krimeve të shëmtuara, që kishin bërë forcat ushtarake dhe policore serbe, siç ishin: vrasjet e civilëve, djegiet dhe rrënimet e fshatrave, nxjerrjet me forcë të njerëzve nga shtëpitë e tyre. Kishte dhënë shifra alarmuese, që nuk e kishin lënë indiferent opinionin amerikan. Kur u thoshte amerikanëve se serbët kishin përzënë nga shtëpitë e tyre, ua kishin rrënuar dhe ua kishin djegur ato, afro 60 000 njerëzve, vetëm gjatë pesë javëve të fundit, kurse kishte më shumë se 250 mijë njerëz që kishin qenë të detyruar të iknin nga shtëpitë dhe vendlindjet e tyre, ishte shumë e qartë se aprovimi i opinionit për ndërhyrjen e NATO-s ishte vendimtar për ato rrethana. Mirëpo, duke qenë i vetëdijshëm se po bëhej një hap shumë i rëndësishëm edhe në historinë e forcave të NATO-s, në përcaktimin e Presidentit amerikan ishte e pamundur të shmangej konteksti i luftërave të përgjakshme që regjimi serb kishte bërë në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kroaci, duke i dhënë përmasë evropiane gjithë asaj tragjedie njerëzore, e cila mbi shqiptarët po merrte format e gjenocidit etnik. Sipas analistëve, por edhe sipas burrave të shteteve që ishin marrë me luftën e Kosovës, fushata e ndërhyrjes së NATO-s kishte tri qëllime themelore:
– Një, t’i tregonte Milosheviqit dhe pushtetit serb se forcat demokratike evropiane ishin plotësisht të vendosura për ta ndalur, qoftë edhe një mundësi tjetër të spastrimit etnik.
– Dy, për ta shmangur një ofensivë edhe më të përgjakshme kundër civilëve të pafajshëm në Kosovë.
– Tre, në qoftë se Milosheviqi nuk do të hiqte dorë nga qëllimet e tij, do të dëmtohej seriozisht aftësia ushtarake e ushtrisë dhe policisë serbe.
Sulmet ajrore të ndërhyrjes së NATO-s, që kishin filluar më 24 mars 1999, do të vazhdonin për njëmbëdhjetë javë. Në anën tjetër, makineria ushtarake dhe policore serbe e Milosheviqit do të vazhdonte t‟i vriste shqiptarët e Kosovës, t‟i nxirrte me forcë nga shtëpitë e tyre, t‟i shndërronte në refugjatë afro një milion shqiptarë të Kosovës.
Bombat e forcave të NATO-s do të shkaktonin dëme të mëdha në infrastrukturën ushtarake dhe ekonomike të Serbisë. Por, ishte për të ardhur keq, se në disa raste ato bomba nuk do t‟i qëllonin objektivat e paracaktuara ushtarake dhe policore, andaj do të vriteshin njerëz të pafajshëm, për të cilët ndërhyrja e NATO-s ishte bërë që t‟i mbronte.
Kishte ardhur një moment në zhvillimet e ndërhyrjes së NATO-s mbi caqet serbe në Kosovë dhe në Serbi, kur duhej të merrej një vendim për të kaluar në një fazë tjetër të ndërhyrjeve. Pra, duhej shtuar arsenali luftarak, si dhe duhej zgjeruar, në momente të caktuara, pjesëmarrja e ndërhyrjes. Atëherë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Havier Solana, nga selia e tij në Bruksel, kishte urdhëruar fillimin e fazës së dytë të operacioneve luftarake të NATO-s kundër makinerisë ushtarake dhe policore të Serbisë. Në këtë fazë të dytë të operacioneve parashihej goditja dhe asgjësimi i mjeteve tankiste të artilerisë, si dhe i tërë makinerisë serbe të luftës, me të cilat forcat ushtarake dhe policore serbe po zhvillonin operacione me përmasë gjenocidi në Kosovë. Mirëpo, kjo fazë ishte zgjeruar edhe në hapësirë, ngase trupat serbe dhe teknika e tyre luftarake, përveç në Kosovë, do të qëlloheshin edhe në Serbi, siç thuhej, deri te paralelja 44, e cila përfshinte edhe qytetin e Kragujevcit.
Me këtë rast, zëdhënësi i Ministrisë amerikane të Mbrojtjes kishte deklaruar se gjatë fazës së dytë të operacioneve të NATO-s, do të vazhdohej edhe më tutje, duke u shtuar sulmet nga ajri.
Gjatë kohës së zhvillimit të operacioneve të kësaj faze, ishte regjistruar edhe një bisedë telefonike e Presidentit amerikan, Bill Klintonit, bërë me kryeministrin britanik, Toni Blerin. Kjo bisedë ishte e rëndësishme, ngase, përveç të tjerash, ishte shprehur vendosmëria për të vazhduar sulmet e NATO-s mbi agresorin serb, deri në arritjen e qëllimit.
Struktura të caktuara të NATO-s, përfshirë këtu edhe zëdhënësin e saj, Xhejmi Shian, ishin të vetëdijshëm për faktin se sulmet nga ajri nuk mund ta parandalonin çdo akt dhune e terrori mbi popullsinë civile shqiptare. Mirëpo, në anën tjetër, ai kishte thënë se shqiptarët do të duhej edhe të vetorganizoheshin, për t‟iu kundërvënë akteve kriminale të forcave ushtarake dhe policore serbe.
Në këtë kohë, në frontet e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ende nuk besohej plotësisht se do të kishte ndërhyrje. Pastaj, kësaj dileme ia lëshonte vendin ankthi se si do të dukej ndërhyrja, çfarë do të ishin bombat, si do të reagonte ushtria dhe policia serbe, por edhe si do të mund të mbrohej popullata civile, e cila ishte e pambrojtur. Në anën tjetër, në selinë e NATO-s dhe në qendrat e tjera botërore të vendosjes bisedohej për të gjitha format e ndërhyrjes. Në ato bisedime të gjata kishte zëra për dhe kundër ndërhyrjes së forcave të NATO-s mbi caqet e ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë dhe në Serbi.
Në kujtimet e tij shumë interesante dhe shumë domethënëse, gjenerali Klark ka dhënë edhe ndonjë moment emocional, edhe si shpalim i psikologjisë së luftës. Duke përshkruar botën e tij emocionale si ushtarak, ai ka dhënë edhe disa detaje të rëndësishme të fuqisë ushtarake të NATO-s, gjatë ndërhyrjes mbi caqet ushtarake serbe në Kosovë.
Përkundër faktit se vendimi për ndërhyrje dukej të ishte i njëzëshëm, në opinionin e vendeve të ndryshme kishte luhatje që herë pas here krijonin huti dhe dyshim. Kishte forca të caktuara, grupe njerëzish dhe individë me shumë ndikim, jo vetëm që ishin kundër këtij veprimi që kishte marrë NATO-ja, por thoshin se rrethanat luftarake do të ishin më të volitshme, nëse do të ishin dërguar trupa tokësore. Nga selia e NATO-s, shpesh nuk arrihej të bindej opinioni i vendeve të ndryshme, pjesëmarrëse në ndërhyrjen e NATO-s mbi caqet ushtarake dhe policore serbe në Kosovë dhe në Serbi. Mekanizmat udhëheqës të NATO-s kishin dy argumente që hidhnin poshtë arsyetimet e dilemave të asaj kohe.
Së pari, në kohën kur ushtarët tanë do të zinin pozicione në numër të mjaftueshëm dhe me mbështetjen e duhur, serbët do të kishin shkaktuar një numër tepër të madh dëmesh.
Së dyti, ndoshta humbjet në radhët e civilëve nga një fushatë nga toka do të kishin qenë më të mëdha, se ato të shkaktuara nga bombat e dala jashtë kontrollit. Në filozofinë e ndërhyrjes së NATO-s, siç dihej, kishte mbretëruar koncepti që të mos bëhej ndonjë veprim, i cili do ta shkaktonte vdekjen e një numri të madh të ushtarëve amerikanë. Në anën tjetër, as kjo arsye nuk ishte bindëse, nëse veprimi i këtillë e rriste mundësinë e fitores. Strategjia e NATO-s për ndërhyrje nga ajri edhe pse do të shqyrtohej e rishqyrtohej shpeshherë, siç e ka thënë edhe Presidenti Klinton në kujtimet e tij, asnjëherë nuk do të braktisej.
Konkluzione
Fushata e ndërhyrjes ajrore të NATO-s ishte një përgjigje e pritur kaherë kundër zhdukjes së një pjese të një populli dhe të lirisë së tij. Me këtë ndërhyrje NATO-ja po fillonte një mission të ri në kuadër të ekzistencës së vet pesëdhjetëvjeçare, duke krijuar një moral të ri botëror, në të cilin diktaturat fashiste luftohen edhe me armë. Intervenimi i Aleancës Veriatlantike pati karakter humanitar, ngase e shpëtoi nga çfarosja kolektive popullin e shumëvuajtur dhe liridashës shqiptar.
________________
Bibliografia:
1. Klinton, Bill. Jeta Ime, Tiranë, 2005
2. Wesley, Clark. Të bësh luftë moderne, Prishtinë
3. Pllana, Nusret. Rruga e lirisë, Prishtinë, 2000

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura