GJOKË DABAJ: KËSHTU NUK MUND TË PËRPAROJË KOMBI SHQIPTAR!

Durrës, 28. 08. 2014: Këto ditë u dhanë lajmet (jo një lajm, por shumë lajme) që numri i pelegrinëvet në malin e Tomorrit këtë vit arriti në 320 mijë. U dha edhe numri i papërfytyrueshëm i deshvet e i qingjavet që janë therur me atë rast. Unë nuk po them: Pse kanë shkuar e pse shkojnë atje njerëzit tanë? Aq më tepër, kur asaj feste po mundohen t’i japin edhe njëfarë karakteri kombëtar, duke e quajtur traditë pellazgjike. Por s’po mund të rri pa i bërë 2 a 3 pyetje: Sa prej atyre njerëzve që shkojnë e hanë mish dashi në majën e atij mali të shenjtë shqiptar, e dinë mirë historinë e Abaz Aliut? Kush ka qenë Abaz Aliu? Nga ka qenë ai? Cilat janë të mirat që i jep Abaz Aliu Kombit shqiptar, praktike, të prekshme e të kuptueshme?
Të njëjtën dukuri, jo me desh të therur që piqen e hahen, por me numrin e qirinjvet që shiten e digjen, e shikojmë edhe te Kisha e Shënandout afër Laçit. Unë nuk po them: Pse po shkojnë njerëzit tanë te Kisha e Shënandout? Aq më tepër, kur aty po mblidhen shqiptarë pa dallim feje. Por prapë s’po mund të rri pa i bërë 2 a 3 pyetje: Sa prej atyre njerëzve që shkojnë e djegin qirinj në atë kodër sipër Laçit e dinë mirë historinë e Shën Antonit? Kush ka qenë Shën Antoni? Nga ka qenë ai? Cilat janë të mirat që i jep Shën Antoni Kombit Shqiptar, prtaktike, të prekshme e të kuptueshme? Me çfarë rezultati kulturor, shpirtëror apo material, mund të mburren (ngushëllohen) ata mijëra pelegrinë, kur kthehen në shtëpi? (Përveç atyre që shesin qirinj!)

Pelegrinët duke iu drejtuar varrit të Abaz Aliut në malin e Tomorrit dhe Pjekja e bagëtive që u therën për kurban.

=======================================

Kisha e Shna Ndout në Laç.

Në anë tjetër, unë, si njëri prej disa mijë shqiptarëvet, tepër të shqetësuar në këtë fillim të stërzgjatur të shekullit XXI, e di që ne shqiptarët kemi jo pak vende të tjerë martirësh gjëmërëndë e gjëmëpashuar, ku do të duhej të mbidheshim shumëfish më shumë edhe se te Kisha e Laçit, edhe se te Teqeja e Tomorrit.
E kemi diku te Gostivari a Tetova një vend që quhet Vakufi i Benicës, në të cilin sërbët dhe sllavët e tjerë ia kishin marrë dorën të na vrisnin jo 1 nga 1, por me tufa. A nuk do të duhej të mblidheshim të paktën 1 herë në vit në atë vend ku më duket se edhe sot i dëgjoj britmat e shqiptarëvet të pushkatuar e të therur aty?!
E kemi edhe një vend tjetër që quhet Zajasi i Kërçovës, ku do të duhej të mblidheshim të paktën 1 herë në vit më shumë se në Tomorr dhe më shumë se në Laç.
Në Paramithi të Çamërisë prapë e kemi një shesh ku s’pushojnë së thirruri shpirtrat e të parëvet tanë. Edhe atje do të duhej të shkonim e pakta 1 herë në vit.
Të shkonim, në një datë tjetër, edhe në vendin ku na u vra Marko Boçari, zulmë e pafikur e rilindjes sonë. Te Marko Boçari ka një arsye më shumë që duhet të shkojmë e të ndezim qirinj: Ai nuk u vra vetëm për vete, por u vra edhe për të tjerët.
Në njërin nga prillet tanë të zez, na janë korrur me mitraloza e automatikë disa mijë djem të posarritur. Atij vendi i thonë Tivar. A nuk do të duhej të shkonim aty dhe t’i ndiznim disa mijëra qirinj, të paktën 1 herë në vit?!
Por, gjithsesi, viti i pelegrinazhevet të pafund të shqiptarëvet duhej të fillonte atje, në vendin që quhet Bihor. Në një natë të akullt dimërore, atje na janë masakruar 4527 njerëz, midis të cilëvet vetëm fëmijë 1853.
Nuk po them që nuk ka motive për t’i përkujtuar, edhe Shën Antonin, edhe Abaz Aliun, edhe Shën Valentinin, por po them, me zë shumë të lartë dhe i bindur që askush nuk ka të drejtë të ma kundërshtojë: Kombi Shqiptar ka mijëfish më shumë arsye për të përkujtuar KURBANËT E VET, martirët që rrallë popull tjetër mund t’i ketë flijuar.

Mirëpo, çfarë të them unë, kur të gjitha këto dhe shumë të tjera si këto, të denja për t’u kujtuar e rikujtuar pa pushim e vit për vit, KOPEJA e gazetarëvet tanë as që kujtohet t’i përmendë?!
Kërkoj të mos ma zënë për të ligë fjalën KOPE, që po e përdor, për ta përfytyruar më mirë numrin e gazetarëvet që ka sot Kombi Shqiptar. Do të duhej të isha i lumtur që kemi kaq shumë gazetarë, por nuk mund të jem i lumtur, kur shoh që ata, në shumë raste, nuk po bëjnë atë që duhej të bënin.
Në ditën e Vakufit të Benicës, në Ditën e Zajasit të Kërçovës, në Ditën e Kërdisë në Çamëri, në Ditën e Marko Boçarit, në Ditën e Ukshin Hotit, të humbur e të pagjetur, në Ditën e Tivarit dhe në Ditën Borënxirë të Bihorit, nuk do të duhej të kish gazetë shqiptare pa shkruar diçka për këtë lloj martirizimi të Kombit Shqiptar. Të atilla ditë dhimbjemëdha, në datat kur na janë shkaktuar këto dhimbje, të gjitha gazetat tona do të duhej t’i përkujtonin me shkronja të mëdha mu në faqet e para.
Por çfarë mund të them unë për ata gazetarë SHQIPTARË që edhe Tivarit m’i thonë Bar, që trajtën e shkurtër U të një përemri ma shkruajnë gjithë jetën I e jo U, që emrin PLEH në numrin njëjës ma shkruajnë PLEHËR?!
E pra, kjo KOPE gazetarësh, për të cilën gjithsesi nuk mund të jem tërësisht i palumtur, që as DITËN E FLAMURIT, përmbledhësen e të gjithë përkujtimevet, nuk na e shënon e nuk na e propagandon as përafërsisht ashtu si duhet, a nuk meriton të quhet KOPE?!
Përveç KOPESË së gazetarëvet, kemi fatzezisht edhe KOPENË e politikanëvet, që, krahas dhe në kooperim me atë të biznesevet, është KOPEJA më e privilegjuar në këtë oborr të madh tonin.
Kemi edhe KOPENË e madhe të dijetarëvet lypsarë, të filozofëvet lypsarë, të poetëvet lypsarë, pa një kacidhe në xhep, ku bëj pjesë edhe unë.
A mund të përparojë kështu Kombi ynë, duke therur mijëra desh në majë të Tomorrit, duke djegur miliona qirinj në një kodër sipër Laçit, duke harxhuar miliona euro për dhurata Brenda orës të harrueshme në Ditën e Shën Valentinit, dhe duke i harruar, madje duke mos i kujtuar fare, duke mos i vlerësuar as aq sa një komb tjetër do të vlerësonte 1 viktimë të vetme, martirizimet që ky Komb i ka duruar si një Promete përjetësisht i mbërthyer?!
Dua të them: A nuk po i ngjan kështu Kombi ynë përditë e më shumë një bashkësie të pavetëdijshme gjallesash?!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura