DR.PËRPARIM DEMI: SHQIPTARËT DHE SHTETI

Bukuresht, 26. 06. 2013 – Shqiptari nuk e do shtetin, se as shteti se ka dashur asnjëherë atë. Këtë gjë e kam ndjerë që në vogëli, por me kalimin e kohës revolta ndaj shtetit më është shtuar më tepër, sidomos kur kuptova shumë gjëra që shtetarët tanë na i fshehin. Kur ndjeva mbi kurriz dorën e rëndë të pushtetit, i cili e shtyp individin, e mbyt shpresën, e ndrydh ndërgjegjen e masës, e vjel dhe e mashtron atë. Binomi shtet-popull është i pandashëm, pasi shtet pa popull nuk mund të ekzistojë, por dhe populli pa shtet nuk mund të zhvillohet, nuk mund të mbrohet, nuk mund të zgjidhi problemet e jetës, nuk krijon dot fonde të përqendruara, nuk bën dot investime kapitale, nuk zgjidh dot konfliktet shoqërore dhe individuale, nuk ndërton dot strategji politike dhe ekonomike, nuk administron dot problemet e vendit dhe nuk plotëson dot nevojat, nuk….
Paratë e shtetit burojnë nga puna e popullit, prandaj dhe ai merr përsipër të krijojë kushte që vendet e punës të shtohen paralel me rritjen e forcës së punës dhe të mbajë treguesin e papunësisë në kufijtë e pranueshëm, pa krijuar kriza ekonomike, kriza financiare dhe buxhetore, kriza morale dhe politike, kriza shoqërore, kriza valutore, kriza ushqimore, kriza inflacioniste, kriza shëndetësore, arsimore, kulturore etj.
Një shtet i pasur mbi një popull të varfër është një anomali, që krijon situatë të panatyrshme konfliktore, shton urrejtjen ndaj pushtetit dhe administratës, situatë që çon drejt përmbysjeve, anarkisë, thellon korrupsionin dhe arbitraritetin. Ndërkohë që një shtet të varfër mbi një popull të pasur s’kemi për të parë ndonjëherë, pasi s’ka si të ketë. Një populli i pasur i rrit kërkesat në funksion të mundësive, rrit kontributin shoqëror, rrit pretendimet për një jetë më të sofistikuar, më të sigurt, më të begatë nga ana shpirtërore dhe kulturore. Prandaj rritja e vendeve të punës, rritja e vlerës së punës, rritja e rrogave dhe të ardhurave personale, administrimi efikas i buxhetit, orientimi i drejt i investimeve, projektimi i perspektivës së rritjes së nivelit të jetesës, janë detyra dhe objektiva të çdo administrate shtetërore që i shërben popullit të vet. Ky duhet të jetë dhe misioni, roli i saj, të cilin nëse nuk e luan e bën të pakuptimtë ekzistencën e vet.

Partitë politike premtojnë shumë dhe bëjnë pak në përgjithësi. U bë praktik e njohur që gjatë fushatës së zgjedhjeve ato ta hapin thesin dhe pas tyre e mbyllin prapë. Bile ndodh që dhe ta fshehin fare thesin që mos ta gjej kush veç tyre. E mbyllin me shtatë palë dryna thotë populli. Ky thesi i shtetit nuk ka të ngopur, sa ti hedhësh aq nxë, pale pastaj të flasim për vrimat e tij, nga cilat paraja e shkretë, e mbledhur nga djersa e popullit, rrjedh e nuk dihet se ku shkon. Pra, para kemi dhe para s’kemi, kush ngelet me gisht në gojë – populli fukara. Kjo dihet, e dinë të gjithë, dhe ata që nuk e dinë sa duhet, nuk janë ekonomistë, e marrin me mend, prandaj dhe zemërohen, nga njëherë dhe shfryjnë, revoltohen kur u shkon thika në palcë.
Po ti shtojmë këtij konflikti të përhershëm dhe komunikimin e shtrembët, fyerjen që i bëhet popullit, nënvlerësimin, mashtrimin, dhunën që ushtrohet nga pushtetarët, marrjen nëpërkëmbë të nevojave, kërkesave ekzistenciale të shoqërisë, depersonalizimin e njeriut të thjeshtë, mospërfillja, prepotenca dhe arroganca e punonjësve të administratës shtetërore që pasurohen nga kontributi i punës së popullit, atëherë e vetmja gjë mbetet është hakmarrja, e cila shprehet qartë dhe me votat negative gjatë zgjedhjeve të radhës. Përbuzja e qytetarit të thjeshtë nga ana e administratës shtetërore është ana më e shëmtuar e kësaj lidhje shtet-popull. E ndjejmë këtë përbuzje që në kufi, kur takojmë doganjerin, policin në rrugë, portjerin që rri dhe mban derën e zyrave, infermjerin kur shtrohemi në spitalin shtetëror, diplomatin që nuk ta hap derën, e deri tek zyrtarët e lartë apo deputetë, që rrinë kafeneve dhe bëjnë allishverishet e tyre në orarin e punës. Ndjehesh i fyer kur sheh rradhën e pensionistëve që presin me orë të tëra arkëtaren të mbaroj kafenë apo muhabetet e mëngjesit. Shteti nuk ua çon pensionin në shtëpi, por i detyron të rrijnë me orë të tëra në trotuare, para atyre barakave të ndryshkura si kotece pulash, në diellin e përvëluar të verës apo në shiun e ftohtë të dimrit. Çfarë poshtërimi njëriut që punoi dhe kontriboi një jetë në arkën e shtetit. Çfarë poshtërimi emigranitit që dërgon në Shqipëri gjysmën e rogës dhe regullon bilancin valuator të shtetit të paaftë, i cili paguan taksa dhe bakshishe të majme sa herë që vjen të shohë vëndin e tij, apo sa herë që troket në dyert e shtetit për ndonjë hall.
Qeveria që mbaroi mandatin në 23 Qershor, bëri mjaft punë të mira për sa i përket orientimit makro-ekonomik të vendit, bëri investime serioze në infrastrukturë dhe energjetikë, e plot gjëra të tjera, për të cilat u mburr mjaft gjatë fushatës, por harroi ti shërbej popullit në jetën e përditshme. Mblodhi mjaft servilë, sahanlëpirës, të paaftë, mbylli sytë para të korruptuarve të saj, i mbajti nën sqetull dhe i mbrojti dhe kur organet e drejtësisë duhet ti godisnin ashtu siç e meritonin. Ajo neglizhoi potencialin e të rinjve të shkolluar që mbetën pa punë, pa çka se kishin kualifikimin shumë më të lartë se ata që kishin lëshuar rrënjët aty ku nuk e kishin vendin. Ajo nuk goditi spiunët, zhvatësit, interesaxhinjtë, ata që kanë si qëllim të përfitojnë nga posti që kanë, ata që nuk kanë mëshirë dhe nuk u dhimbet paraja e popullit, po çahen më dysh të zhvatin sa të mundin nga arka e shtetit. Pra kjo qeveri harroi misionin e saj dhe kujtoi se duke pasur një tufë zagarësh që lehin për të do përjetësonte pushtetin e saj.
Ja që këto zgjedhje i dhanë një mësim të mirë, i treguan se nuk mjafton të takosh popullin vetëm gjatë fushatës, por këtë duhet ta kishte bërë gjatë gjithë kohës, përditë dhe përnatë. Të jetonte me të dhe për të. Nuk ka më zemërgjerë se populli shqiptar, nuk ka më bujar, nuk ka më trim, nuk ka më krenar, por veç mos i shkel në kallo dhe ruaje drejtësinë, e mbaje timonin drejt, pa të hedhura, përndryshe të merr zvarrë dhe të shtyp me këmbë.
Qeveria që do vijë, të nxjerri mësime nga kjo histori, nëse do që të iki me faqe të bardhë. Shtetarë dhe pushtetarë, parti dhe kryetarë, bëhuni të mençur dhe duajeni popullin tuaj, se ai ju ushqen, ai ju mban në kurriz. Mos e detyroni t’u hedhë në greminë si shumë të tjerë më parë. Qeveritë ndërrohen, shkojnë e vinë, por populli mbetet po ai, po aty, nuk ikën asnjëherë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura