DR.QAZIM NIMANI: GJURMËT ARKEOLOGJIKE NË FSHATIN PESHTER DHE BRUS

Prishtinë, 31 Mars 2020: Gjurmët e punimeve minerare në rajonin e Ulpianës
Gjurmët e para të veprimtarisë së shfrytëzimit të mineraleve në rajonin e Ulpianës, Prishtinës dhe të Janjevës na çojnë në mileniumin e tretë para erës sonë në brigjet e lumit të Graçanicës me rrethinë. Formacionet e shkëmbinjve silicor (të quajtur gurgacë) që kanë veti të copëtohen për ti përdorur si vegla të punës dhe për gjueti ishin mjaftë të kërkuara në periudha të hershme historike. Kur këto formacione të shkëmbinjve njeriu i epokës së gurit nuk i gjente në sipërfaqe filloi ti kërkoi nën tokë. Pikërisht këto depërtime në thellësi të tokës përfaqësojnë zanafillën e punimeve minerare. Shfrytëzimet e para të xeheve të Strallit, Bakrit dhe Hekurit janë të epokës parahistorike (Dushi, 1999 : 84).
B
azuar në gjetjet arkeologjike, mund të pohojmë se pranë këtyre kodrinave me shkëmbinj të Serpentinit dhe tokës pjellore jeta filloi që në mileniumin e IV para erës së re në periudhën e epokës së re të gurit ku u gjetën edhe gjurmë të vendbanimeve. Në gërmadhat e themeleve të shtëpive të vjetra në Badoc dhe rrjedhën e lumit të Graçanicës janë gjetur sëpata dhe vegla tjera prej Serpentinit të lëmuar dhe prej Ahatit (Çershkov, 1964 : 75).
Po ashtu, në këtë vendbanim janë gjetur edhe copa amorfe të Galenitit, të cilat dëshmojnë gjurmë të zanafillës së eksploatimit të mineraleve dhe xeheve në këtë rajon. Edhe pse këto janë dëshmitë e para të eksploatimit të xehes, fillet e para të eksploatimit të hovshëm të kësaj veprimtarie duhet kërkuar në lokalitetet e para të vendbanimeve në shekullin e V para erës së re në rrjedhën e lumit të Graçanicës dhe në rrethinën e Janjevës (Çershkov, 1964 : 75).
Zhvillimin e civilizimit në kështjella dardane në këto anë dhe ndërtimin e hershëm të fortifikimeve duhet kërkuar kah fundi i shekullit të V dhe shekullit të IV para erës sonë, pra në kohën e lulëzimit të mbretërisë Dardane. Në këtë periudhë metalet fisnike si ari dhe argjendi përdoreshin për përpunimin e stolive të ndryshme. Këto stoli shërbenin edhe si mjet shkëmbimi me qytetet e zhvilluara në Greqi dhe qytetet tjera të Gadishullit Ilirik.
Nga të dhënat që dihen deri më tani për dardanët mund të pohojmë se edhe dardanët i kanë farkuar monedhat e veta. Madje duket se në Dardani janë farkuar lloje më të hershme të monedhave të emetuara e të ashtuquajtura monedha “barbare” (Shukriu, 2004 : 82).
Gërmimet arkeologjike mundësuan që të njihemi me veglat e punës (siç janë: dalta, kazma, qyskia, enë, kopça, varëse, stoli etj.,) si dhe me varreza që u zbuluan në lokalitete dhe vendbanime xehetarie që dëshmojnë rolin e xehetarisë në zhvillimin ekonomikë të këtyre vendbanimeve. Nga shekulli IV para erës së re qyteti Damastion farkoi monedhat e veta që zgjati deri më 320 para erës së re, që dëshmojnë për përdorimin e hershëm të monedhave si shkëmbim në këto troje (Shukriu, 2004 : 49).
Në Dardani shfrytëzimi dhe përpunimi i metaleve ka pasur një zhvillim të madh në kohën e lulëzimit ekonomik dhe kulturor të Ilirëve. Për këtë dëshmojnë monedhat e shumta të zbuluara gjatë gërmimeve arkeologjike në qytetin xehetar Damastion. Sipas Dushit, Damastioni ka pasur simbolikë të mineraleve dhe qytetit xehetar, Çekiçin dhe Qyskinë (Dushi, 1999 : 92).
Damastioni ishte njëri ndër qytetet e hershme, i cili u ngritë në shekullin V para erës së re afër minierave të argjendit, por ende nuk është e sigurt vendndodhja e tij në Kosovë. Në rrethinën e Prishtinës dhe Janjevës janë gjetur monedha të qytetit xehetar Damastionit (Çershkov, 1964).
Zbulimi i këtyre monedhave në luginën xehetare të Kishnicës, Badovcit, Shashkocit, Janjevës dhe në rrethinën e Prishtinës mund të na shtyjnë të mendojmë se qytetin ilir Damastion duhet kërkuar në këtë rajon.
Me gjithë mendimet e kundërta rreth vendndodhjes të këtij qyteti, Zef Mirëdita mendon se Damastionin duhet ta kërkojmë në trevën qendrore të Dardanisë. Respektivisht, në trevën e sotme të Kosovës. Në vitin 1961 në jugperëndim të Janjevës në vendin e quajtur “toka e bardhë” janë zbuluar mbeturinat e një vendbanimi antik. Kjo trevë bashkë me Artanën dhe minierat e Kishnicës janë të njohura si vende xehetarie. Duhet të theksojmë se në këtë trevë janë gjetur më së shumti monedha të Demastionit, pastaj edhe Straboni si edhe Palimpsesti i Vatikanit i përmendin xeheroret e argjendit, të cilat gjendeshin në afërsi të Damastionit. Pikërisht këto të dhëna na bëjnë ta kërkojmë Damastionin në afërsi të Kishnicës, Janjevës apo Prishtinës (Mirëdita, 1979 : 104).
Gjatë periudhës romake vendbanimi i Ulpianës u zhvillua rrëzë kodrinave të pasura me minerale në regjionin e Gallapit dhe tokës pjellore të fushës së Kosovës. Kodrat e pasura me minerale pranë Ulpianës u formuan si rezultat i erupsioneve vullkanike në kohë shumë të hershme. Si rezultat i ftohjes së masës së vullkaneve në këtë rajon u formuan muret masive të shkëmbinjve të llojit të Serpentinës dhe Andezitit. Sasia e madhe e xeheve është masë e derdhur e llavës së vullkaneve. Muret masive nëntokësore të shkëmbinjve në këtë rajon janë të llojit Serpentin dhe Andezit. Janjeva shtrihet në afërsi të këtyre mureve vullkanike. Masa vullkanike vazhdon shtrirjen në veri ku në disa vende janë hasur xehe të Andezitit dhe Serpentinës (Colak & Mazuran, 2000 : 13).
Gjurmët e zgjyrës së metaleve janë të shumta në luginën e lumit të Kishnicës, në liqenin e Badovcit, Suteskë, në përroin e Butocit, Busi, Slivovë, Llabian etj. Afër Peshterit, te Guri i Bardhë, Dheu i Bardhë, në fshatin Bukovicë, Shesharkë, Hanroc dhe Brus, ka gjurmë të galerive. Në rajonin e Brusit, në lumin e Androcit, në vendin e quajtur “Uji i Kuq, te “Përroi i Deqit” në Badoc, dhe në kodrën e quajtur Gvozdenik të fshatit Shashkoc ka shumë zgjyrë të metaleve (Colak & Mazuran, 2000 : 13).
Në Gvozdenik zgjyra është e zezë në të gjelbër dhe e përzier me mbetje të argjendit. Në fshatin Veletin hasen mbetje të vjetra të zgjyrës në ngjyrë të gjelbër. Në Gvozdenik për nga përbërja më së shumti ka xehe si: Siderit, Piroluzit, Sfalerit, Galenit dhe argjend. Në vendin e quajtur Shkrijim dhe Vapnenc janë katër vende me zgjyrë të tubuar deri në madhësi prej 2,5m. Zgjyra e këtij lokaliteti përmban Galenit dhe grimca të Arit dhe Argjendit (Colak & Mazuran, 2000 : 13).
Nga burimet e shkruara për ndërtimet ne antikitetin e vonë janë të njohura disa kështjella pranë rrugëve kryesore dhe qyteteve më të zhvilluara të kohës. Dyndja e popujve barbarë drejt trevave ilire në shekujt IV-VI, dhe nevoja për t’u mbrojtur, e shtoi aktivitetin e ndërtimit të fortifikatave. Ky sistem mbrojtës i fortifikimeve u shtua sidomos në shekullin VI në kohën e perandorit me origjinë ilire Justinianit I (527-565).
Gjurmët arkeologjike në fshatin Peshter
Kulina në fshatin Peshter, komuna e Lipjanit është e ngritur mbi një kodrinë shkëmbore në hyrje të fshatit Slivovë në anën e djathtë të lumit. Kulina si lokalitet arkeologjik mesjetar është e regjistruar me numrin rendor 3688 në listën e trashëgimisë kulturore për mbrojtje të përkohshme në Republikën e Kosovës. Kulina hynë në mesin e shumë kështjellave tjera të vogla që bënin pjesë në sistemin e fortifikatave të qytetit të Ulpianës. Kjo fortifikatë e ndërtuar në një kryqëzim strategjikë rrugësh Ulpianë – Artanë dhe Artanë – Janjevë luajti rol të rëndësishëm edhe gjatë periudhës së mesjetës. Deri në shekullin XV zhvillim të dukshëm pati arkitektura ushtarake. Në periudhën e parë të pushtimit osman, disa kështjella u përdorën për vendosjen e garnizoneve ushtarake, kurse shumë prej tyre u rrënuan për të mos u kthyer më pas në qendra rezistuese të popullsisë kryengritëse. Kështjellat e qyteteve u kthyen në qendra administrative ushtarake, së bashku me disa kështjella që kishin rëndësi të veçantë strategjike.
Këto të dhëna dëshmojnë zhvillimin e xehetarisë në këto treva si dhe rëndësinë që e kishte kjo fushë në zhvillimin ekonomik të qytetit dardano-romak të Ulpianës. Prandaj, në këtë rajon duhet të ndalohen gurëthyesit dhe aktivitetet tjera ndërtimore pa vëzhgimin e terrenit dhe praninë e arkeologëve.

Foto 1. Fshati Peshter

Foto 2. Harta topografike e fshatit Peshter

Kulina është ndërtuar në Malësinë e Gallapit rreth 10 km në lindje të qytetit antik të Ulpianës. Shikuar në aspektin gjeologjikë Malësia e Gallapit dallohet me kodrina në formë konike dhe rrafshnalta të vogla të formuara që nga kohët e lashta vullkanike. Përbërja gjeologjike karakterizohet me shkëmbinj magmatikë, të pasur me minerale si: ari, argjendi, plumbi, zinku, etj. Shfrytëzimi i xeheve në këtë anë është i njohur qysh nga fazat më të hershme të shfrytëzimit të mineraleve, periudhës së Mbretërisë Dardane, Perandorisë Romake, Bizantine, gjatë mesjetës dhe në kohën e re.
Pranë qendrës së fshatit Slivovë, sa të kaloni lumin që ndanë fshatin Slivovë me fshatin Peshter ndodhen varrezat ortodokse (Foto 3 dhe 4). Në anën e sipërme të varrezave kalon rruga që çon në Kulinë. Mbi varreza ortodokse dhe themelet e një kishe të vogël janë dy grumbuj gurësh nga gërmadhat e ndonjë objekti të vjetër. Përballë varrezave mbi rrugë vërehet një hendek (kanal) që shkon në drejtim të majës së Kulinës.

Foto 3. Varrezat ortodokse rrëzë Kulinës. Foto 4. Hendeku mbi varreza që çon në drejtim të Kulinës
Në anën e majtë pranë këtij hendeku, përballë varrezave vërehen konturat e një objekti që na shtynë të mendojmë se kemi të bëjmë me një objekt kulti më të hershëm se sa kisha e ndërtuar brenda kompleksit të varrezave të sotme ortodokse (Foto 5 dhe 6).

Foto 5. Themelet e kishës në varrezat ortodokse. Foto 6. Grumbuj gurësh mbi varreza
Mbi faqet e pjerrëta të kodrës që çon në të djathtë të Kulinës vërehen konturat e mureve rrethuese të një kulle me një sipërfaqe rreth 0,10 ha (Foto 7 dhe 8).

Foto 7 dhe 8. Rrënojat e Kullës në anën e majtë të Kulinës
Brenda mureve të kullës ndodhet një pus për furnizim me ujë. Vërehet se brenda mureve kishte pasur gërmime klandestine (Foto 9 dhe 10). Duke u bazuar në gërmadhat e kësaj kulle konsiderohet se muret e ngritura janë të stilit arkitektonik poligonal, teknikë kjo e cila është përdorur në periudhën e lashtë.

Foto 9. Gërmime klandestine Foto 10. Pusi brenda mureve të kullës
Në anën jug-perëndimore të Kulinës vërehen strukturat e murit të kullës që vazhdojnë të zbresin në formë shkallës. Themelet e kullës janë të murosura me gurë dhe lidhje të gurëve me llaç gëlqeror, si dhe të punuara me një teknikë të lartë (Foto 11 dhe 12).

Foto 11 dhe 12. Gjurmët e themeleve të kullës në anën jug-perëndimore
Në anën veri-perëndimore të kullës vërehen gërmadha të vendbanimit që vazhdojnë në drejtim të lumit në fshatin Slivovë.. Në pjesën lindore mbi sipërfaqe të tokës kanë mbetur shumë pak gjurmë të ndërtimeve, por bazuar në disa fragmente të gurëve (Foto 13), në sipërfaqe dhe një gropë të hapur nga gërmuesit klandestinë (Foto 14), mund të pohojmë se ndërtimet janë shtrirë edhe në këtë drejtim deri te teleferiku, i cili gjatë fundit të shekullit të XX-të e bartte xehen prej minierës së Artanës në Kishnicë (Foto 15).

Foto 13. Fragmente të themeleve Foto 14. Gërmime klandestine

Foto 15. – Gurthyesi në fshatin Slivovë, fotografuar prej anës lindore të Kulinës (rrugës së teleferikut për bartje të xehes Artanë-Kishnicë.
Është me rëndësi të ceket se prej Kulinës në drejtim të lindjes ka ekzistuar një rrugë e vjetër që çonte në fshatin Peshter dhe Qukën e fshatit Brusë. Gjatë vëzhgimit të terrenit prej anës lindore të Kulinës e deri në fshatin Peshter nuk janë vërejtur gjurmë të ndonjë vendbanimi. Banorët e fshatit Peshter gjatë aktiviteteve bujqësore në arat e tyre deri me tani nuk kanë hasur në ndonjë gërmadhë të objekteve ndërtimore.
Rreth 2 km në lindje të Kulinës janë “Gurët e bojës” (Foto 16), të njohur nga popullata vendore me këtë emër për shkak se me ngjyrat e këtyre gurëve ishin pikturuar freska, piktura tjera murale dhe ngjyrosja e leshit për veshmbathje (Foto 17 dhe 18). Mbi “Gurët e bojës” në anën jugore në një lartësi mbidetare më të madhe se kodrat tjera është “Kodra e Gjemajl Agës”, prej nga komunikohej me të gjitha kështjellat rreth fshatit Peshter.

Foto 16. – “Gurët e bojës”, fotografuar prej “Kodrës së Jusufit”

Foto 17 dhe 18 – “Gurët e bojës”
Në lindje të “Gurëve të bojës” shtrihet “Kodra e Jusufit” (Foto 20), ku gjatë vëzhgimit në sipërfaqe nuk është vërejtur ndonjë gjurmë e vendbanimit, por edhe banorët lokal nuk kanë njohuri për ndonjë gjetje arkeologjike.

Foto 19- Kulina fotografuar prej fshatit Peshter i Epërm Foto 20- Kodra e Jusufit
Gjurmët arkeologjike në fshatin Brus
Jo shumë larg në lindje të Kodrës së Jusufit, përballë saj është Quka e fshatit Brus ose Kodra e Shaban Agës, që njihet si lokalitet arkeologjikë (Foto 21).

Foto 21. Quka e fshatit Brus, fotografuar prej Kodrës së Xhemajl Agës
Në lindje rrëzë Qukës së Brusit pranë “Rrugës së Maxhupit” janë varrezat e vjetra që njihen në literaturë si varreza të hebrenjve, por pozita e këtyre varrezave në hyrje të fshatit Brus, gurët e varrezave dhe rruga e vjetër në anën lindore të Qukës na shtyjnë të mendojmë se kemi të bëjmë me varreza të hershme dardane (Foto 22 dhe 23).

Foto 22 dhe 23 – Varrezat e vjetra në anën lindore të Qukës në fshatin Brus
Po ashtu, në veri-lindje të Qukës së Brusit, përkatësisht mbi Gropat e Qereçit, në livadhet e Qeskut dhe të Gonisë, pranë rrugës së vjetër Brusë-Slivovë nga banorët lokal thuhet se janë gjetur disa gurë të themeleve të objekteve.

Foto 24 – Gllama në fshatin Llajshec

Foto 25. Fshati Brus

Foto 26. Harta topografike e fshatit Brus

Në anën veriore përballë Qukës së Brusit shtrihet Gllama (Foto 24), e fshatit Llajshec, ndërsa përballë Kulinës shtrihet kodrina e quajtur “Bajraku” në fshatin Mukatë (Foto 28). Pozita gjeografike e këtyre dy kodrinave na shtynë të mendojmë se ishin fortifikata vrojtuese që vëzhgonin rrugën nga ana tjetër e lumit dhe komunikonin me Kulinën, Qukën e Brusit dhe fortifikimet tjera vrojtuese. Përballë Kulinës në fshatin Slivovë, përgjatë rrugës që çon në fshatin Kukaj dhe pranë një gurëthyesi në sipërfaqe nuk janë vërejtur gjurmë të vjetra të vendbanimit, por këtë e dëshmojnë edhe pohimet e banorëve lokal të cilët thonë se gjatë aktiviteteve të tyre bujqësore dhe ndërtimeve nuk kanë hasur në gjurmë të vjetra të civilizimit.

Foto 27 – Kulina, fotografuar prej fshatit Slivovë  Foto 28 – “Kodra e Bajrakut” në Mukatë

Nga burimet e literaturës janë të njohura themelet e vjetra të një objekti në fshatin Llabjan, për të cilin mendohet se ishte objekt doganor në rrugën që vinte nga Artana e që kalonte nëpër fshatin Brusë për në Janjevë. Po ashtu në afërsi të Kulinës ka mbetje të përpunimit të metaleve (zgjyrë) që nga antikiteti dhe mesjeta. Zgjyrë të metaleve janë evidentuar përgjatë tërë lumit në fshatin Slivovë, Llabjan, Honroc dhe fshatra tjera për rreth Kulinës, gjë që dëshmojnë për aktivitete më hershme në fushën e xehetarisë.
Duhet theksuar se xeheroret e Kosovës janë shfrytëzuar që nga periudhat e para të shfrytëzimit të metaleve, meqë ishte degë mbisunduese e ekonomisë. Ato ndikuan edhe në zhvillimin e qyteteve dhe ndërtimin e fortifikimeve në këto anë gjatë fazave të ndryshme historike. Nga këto të dhëna mund të supozojmë se në galeritë e xeheroreve ilire do të kenë vazhduar veprimtarinë e tyre xehetarie edhe romakët, ku galeritë e eksploatimit të xeheve që nga kjo periudhë janë ruajtur deri në ditët e sotme. 

Foto 29. Fshatrat: Peshter, Brus, Mukatë, Slivovë, Llajshec
Foto 30. Harta topografike e fshatrave: Peshter, Brus, Mukatë, Slivovë, Llajshec

_______________
Literatura:
[1] Dushi, M., 1999 “Xehetaria e Kosovës gjatë shekujve”, Dardania Sakra 1, Prishtinë
[2] Çershkov, E., 1964 Revista kulturore dhe shkencore “Përparimi”1-2, Prishtinë
[3] Mirdita, Z., 1979 “Studime Dardane”, Prishtinë
[4] Shukriu, E., 1979 “Dardania Paraurbane”, Studime arkeologjike të Kosovës e Dukagjinit, Pejë
[5] Shukriu, E., 2004 “Kosova Antike”, Prishtinë.
Fotot janë realizuar nga autori: Dr. Qazim Namani

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura