DR.SULEJMAN ABAZI: SAMITI I ÇIKAGOS LA JASHTË NATO-s MAQEDONINË!

Tiranë, më 24 maj 2012 – Maqedonia edhe këtë radhë mbeti jashtë anëtarësimit në NATO. Partia shqiptare në pushtet në Shkup, BDI, ka marrë përsipër rolin e “shpëtimit” të Maqedonisë nga gjëmë e madhe që e ka zënë. Problemeve që shtrohen në prononcimin për opinionin të BDI-së po ju bie shumë shkurt. Mesazhet le t’i kuptojnë kush të jetë i interesuar mes rreshtash. Një deshtim i paramenduar i politikës evropiane për këtë çështje serioze, në lidhje me sigurinë dhe stabilitetin në rajon.
Prononcimi spektakolar i BDI-së!
Zëdhënësi i saj vetëvlerëson “kontributet” që ka dhënë BDI “në proceset e integrimit të vendit në NATO” dhe me siguri edhe për t’u anëtarësuar në BE. Sipa megafonit BDI, vlërësohet se “ajo do të vazhdoj të jep kontribut maksimal për realizimin e qëllimit tonë më të rëndsishëm për momentin, integrimin e vendit në NATO dhe BE”. Më të rëndësishmet partiakët e BDI-së vlerësojnë: Marrja e përgjegjësisë për t’i udhëhequr më shumë se 2/3 e ministrive që janë më të rëndësishme për përgatitjen e vendit për integrime në NATO dhe BE dhe vlersimin e ktyre organizatave se, Maqedonia i ka plotësuar gjitha kushtet dhe standardet që i mbulojnë këto ministri”. (Lexoni: BDI-ja: Maqedonia meriton anëtarësim në NATO, distancohet nga vleresimi i Gruevskit – SH.B)

Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.

_________________________________

Shpjegimi ynë është: Po mirë, po deri tani çfarë ka bërë BDI dhe pse, meqë janë “plotësuar standardet”, Maqedonia nuk pranohet në NATO?! Kujt i interesojnë pallavrat politke përballë realitetit kokëfortë të mospranimit?! Të gjithë ata që nuk e pranuan Maqedoninë në NATO janë më budallenjtë e botës dhe këta të BDI-së qenkan më të zgjuarit?! Po pse vërtet ne do të besojmë se për herë të dytë Greqia jep “veton” e saj kundër dhe nuk na paska arësye të tjera?! Për këtë shkak, sipas liderve shqiptarë, BDI po merr përsipër “me politikën proaktive në drejtim të komunikojë drejtëpërdrejt, formalisht dhe jo formalisht me përfaqësuesit e saj me palën greke për të krijuar parakushte për integrim”.
E pabesuaeshme! BDI merr përsipër të zgjidh problemet e Maqedonisë me Greqinë, kur opozita maqedone për çështje pushteti reagon kundër(!). Edhe kjo e bukur është! BDI merr përsipër që “me presionin e vazhdueshëm brenda vendit të arrijë konsenzus politiko-shoqëror për kompromis politik”. Po të kishte kaq fuqi politike BDI, pse deri tani i ka lënë në errësirë të gjitha problemet që ka popullsia shqiptare brenda këtij shteti, duke shfaqur një kompromis të paprecedentë dhe një shitje të interesave shqiptare, duke u bërë “lëkurë mbrojtëse” e një pushteti të kalbëzuar, të korruptuar politikisht dhe me natyrë moniste e policore?
Gjithashtu, BDI “vlerëson kërkesat e partive opozitare maqedone”, të cilat “kryesisht nëpërmjet të disa individëve shqiptar të angazhuar prej tyre që luajn rolin e megafonit dhe marionetave të tyre, me kërkesat që BDI ta lëshojë qeverinë”, kjo e fundit i akuzon ata për “tejkalim të kontestit…si pjesë e strategjisë politike për pushtet, duke i shfrytëzuar shqiptarët për qëllimet e veta”. Edhe kjo është shumë e bukur! Frika e funksionarëve të BDI-së për të mos lëshuar karriget e pushtetit, duke synuar “shpëtimtarin e situatës në të cilën ndodhet shteti maqedon sot” nuk është vështirë të konstatohet!

Pamje nga Samiti i NATO-s në Ҫikago, (20 – 21 Maj 2012).

__________________________________

Nuk po shtrihemi më tej, për t’i kujtuar BDI-së dhe kasnecëve të saj se, në periudhën e pasluftës është heshtur për një Kod Zgjedhor demokratik, është heshtur për ç’rregjistrimin nga gjendjet civile e mbi 300 mijë shqiptarëve të emigruar, të cilët sot janë rrefugjatë pa atdhe në Planet, kur Marrëveshja e Ohrit ka dështuar totalisht, kur në shtetin maqedon ka mijëra raste të shkeljes së lirive dhe të drejtave njerëzore mbi popullsinë shqiptare dhe pakicat e tjera, ku na paraqitet një klasë politike shqiptare tepër konfliktuale, e përçarë, “opozitë brenda opozitës”, kur dhuna, terrori psikologjik e policor, kur vrasjet dhe përplasjet etniko fetare janë një fakt tragjik, kur varfëria dhe shkatërrimi i bizneseve shqiptare është një fakt, kur korrupsioni dhe akuzat për përfshirje në veprime kriminale po thuhen çdo ditë e më shumë fare hapur, në mënyrë të përgjithëshme dhe në emra të veçantë, kur fyerjet e shtetarëve maqedonas kundër vlerave të identitetit kombëtar shqiptar janë në kulmin e injorancës dhe fare hapur në sytë e botës së qytetëruar dhe nën heshtjen e pushtetarëve servilë e frikacakë shqiptarë, etj. etj. Edhe pse pak të thëna, bindemi se këto mjaftojnë që populli shqiptar t’i zërë me dru këta politikanë të dështuar, të shitur për një copë karrige dhe për interesat e klaneve dhe strukturave që përfaqësojnë.
BDI, pret “platformë me propozime konkrete” për t’i zbatuar!
Të shohim edhe një aspekt tjetër të këtyre pretendimeve: Kasneci i BDI-së pretendon se, “Këtë qëndrim e bazon në faktin se, deri më tani, nuk kanë marrë dhe nuk kanë parë ndonjë platformë të qartë alternative, të ofruar nga “ata”, me garanci dhe afate për tejkalimin e kontestit dhe të zhbllokimit të integrimeve”. Ju bëjmë me dije se, trajtimi i problemeve që kalon sot shteti maqedon, dhe veçanërisht gjendjen e vështirë të politikës shqiptare në këtë shtet, është një alternativë e plotë për të dalë nga kaosi dhe për ta ndihmuar stabilitetin në shtetin e sëmurë të Ballkanit.
Natyrisht, kjo mënyrë nuk i pëlqen liderëve të BDI-së, pasi ato janë të hidhura, të mbrujtura me kërkesat për drejtësi, me kërkesa themelore që vihen në bazën e funksionimit të një shoqërie të vërtetë demokratike, janë kërkesa që tentojnë t’u presin krahët dhe frymëmarrjen korrupsionit politik, moral dhe ekonomik në Maqedoni, janë kërkesa që rekomandojnë rrugën më të drejtë të bashkëjetesës së të dy kombësive shtetformuese në shtetin maqedon, janë në fund të fundit, kërkesa të karakterit popullor dhe atdhetar, ku përfshihet synimi për respektimin e të drejtave të popullsisë shqiptare në këtë shtet, duke kërkuar barazi, bashkëjetesë, respektim të të drejtave njerëzore dhe funksionimin e një demokracie reale. Të gjitha këto dhe të tjera kërkesa, janë ato që sjellin paqen dhe stabilitetin, janë ato që garantojnë një rrugë të hapur të Maqedonisë për tu anëtarësuar denjësisht në NATO dhe në BE.
Po pse ndodh e kundërta dhe në këtë situatë, BDI tenton të dalë si shpëtimtare e situatës pas mosanëtarësimit të Maqedonisë në NATO?!
Gjykojmë se ky është problemi. Atëherë, më pak arsyetim, informojmë opinionin shqiptar se ku qëndron e vërteta e delirit politik të partisë në pushtet, BDI.
BDI, është shumë e vockël të marrë përsipër përgjegjësi të tilla kaq të mëdha dhe më kaq peshë për sigurinë rajonale. Do të duhej të merrej në shqyrtim thirrja që i është bërë BDI-së që të largohet nga pushteti politik. Rasti më fatlum për ta bërë këtë është pikërisht shuplaka e fortë politike që mori qeverisja Gruevski nga vendimet e Samitit të Çikagos. Zgjedhja e kësaj rruge, është vazhdimi i aventurës politike të një klani të caktuar politik shqiptar në Maqedoni, i cili nuk mund të justifikohet më në asnjë rast për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve, përballë detyrimit për të vepruar sipas “paketave politike” të hedhura para syve të saj në tavolinë.
Opinioni shqiptar nuk mund të mashtrohet më. Po i bëjmë me dije se BDI-së sa për kulturë politike se, momantalisht në Ballkan, tri janë kombet që kanë peshën kryesore dhe që luftojnë të arrijnë synimet e tyre. Janë shqiptarët, serbët dhe grekët. Ballkani rezulton në krizë të thellë politike, me motive etniko – fetare. Kriza shqiparo – maqedone, kriza greko – maqedone, kriza shqiptaro – serbe, kriza e fshehur përkohësisht brenda Bosnje Hercegovinës, kriza greko – bullgare, kriza greko – turke. Besojmë se janë të mjaftueshme për të kuptuar situatën në këtë rajon jetik Lindje – Perëndim.
“Detonatori” kryesor i gatshëm të shpërthejë në çdo kohë mbetet brenda shtetit të Maqedonisë, duke pasur edhe një “detonator” rezervë në Bosnjë Hercegovinë. Të dy këto shtete me natyrë komplekse integraliste fetare, multietnike, jashtë organizmave ndërkombëtar politikë dhe të sigurisë, janë të ekspozuar përballë rrezikut të shpërthimit të dhunës etniko – fetare dhe ta destabilizojnë Ballkanin drejt një lufte të re. Ka dhe arësye të tjera të interesave ekonomike, të cilat nuk jemi të predispozuar t’i parashtrojmë në këtë komënt politik.
Kush vendosi këtë radhë përsëri që Maqedonia të mos anëtarësohet në NATO? Vërtet “vetua” greke?! Ky “arësyetim”, brenda të cilit është peshkuar edhe BDI, meriton një të qeshur deri në kupë të qiellit. Sa keq! Fati na i ra BDI-së të marrë përsipër përgjegjësi kaq të mëdha dhe të rënda në gadishullin e trazuar, ende “fuçi baroti”. Përsëri po ju rikujtoj një thënie të një kleriku të lartë, dikur në një bisedë të përbashkët me të: “Do të vijë shumë shpejtë koha që në Ballkan gjaku do të vejë në barkun e kalit”. Atëherë vërtet nuk e besova, por sot pas kaq kohësh, kjo thënie të vë në mëndime të trishtueshme dhe kobzeza.

___________________________________

____________________

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura