DR.SULEJMAN ABAZI: VENDIMI EKSTREM I GJYKATËS SË SHKUPIT, DO TË RËNDOJË GJATË NË NDËRGJEGJEN E KALBUR TË POLITIKËS SHQIPTARE!

Tiranë, 4 nëntor 2017: Ditën e pardjeshme opinion shqiptar u përball me një vendim bizantin të gjykatës maqedone, e cila dënoi me mbi 7 shekuj burg ish luftëtarët e UÇK-së, të arrestuar në ngjarjen e Lagjes së Tirimave në Kumanovë, në 9 maj të vitit 2015.
Një situatë makabre, që do të rëndojë gjatë në ndërgjegjen e kalbur të politikës shqiptare.
Heshtin institucionet shtetërore, kur një gjykatë dënon shtetasit e tyre, si në Kosovë dhe në Shqipëri.
Nuk duhet të heshtë opinion shqiptar, juristët, gazetarët, ish luftëtarët, të mos tërhiqen përballë një procesi juridik të montuar politikisht, pa asistencën ndërkombëtare, për një ngjarje komplekse, që tronditi opinionin ndërkombëtar, me një fund tragjik, peshën e të cilit nuk ka legislacion që ta mbajë.
I vetmi reagim i partisë shqiptarë në pushtet në Maqedoni, është kërkesa për “hetim ndërkombëtar të ngjarjes së Kumanovës”.
Sa qesharake!! Dhe kjo vjen vetëm pas vendimit ekstrem të gjykatës së politizuar të Shkupit.
Po ku ka qënë më përpara BDI-ja dhe lideri i saj Ali Ahmeti?
Djemtë akuzohen për “terroristë” dhe “tërrorizëm”, kur policia, shërbimi sekret, ushtria rrethuan një lagje paqësore dhe filluan “luftën” me një grusht njerëzish, që ndoshta nuk kishin ndërmend të hidhnin asnjë fishek në aktivitetin e tyre.
Ata u gjendën të tradhëtuar.
Harrojnë sot politikanë, veprimtarë, ish luftëtarë, deri njerëz të thjeshtë, që ishte veprimi dhe prezenca e këtyre trimave në Kumanovë, që e solli situatën të përmbysej një herë e mirë pushteti i Nikollës dhe VMRO-DPMNE dhe Maqedonia të futet në rrugën e trasformimit perëndimor.
Njerëzit sot me të drejtë janë skeptik. Ata nuk ka se si të besojnë që edhe pas largimit të Nikolla Gruevskit, partia shqiptare e Ali Ahmetit, mban qeverisjen e radhës në pushtet, pa asnjë kusht.
Politikanët heshtin, sepse janë të përlyer në një skenar “të paditur”, që u la “dopio gjashtën” në dorë.
Por ata heshtin, sepse nuk kanë fytyrë të mbajnë më peshën e një krimi, që ka prekur dhe ka lënduar rëndë nervin kombëtar.

Ata nuk duan ta kuptojnë që, djemtë që u vranë në këtë skenar makabër, u bënë kurban për një çështje shumë të madhe, në shërbim të çështjes shqiptare, dhe vaçanërisht kundër pushtetit politik në Maqedoni.
Ata nuk kanë se si ta kuptojnë, sepse janë verbuar nga mizoria e bashkëpunimit, e servilizmit, e kapitullimit deri tek antikombëtarizmi i tyre, për të mbajtur në pushtet një rregjim ultranacionalist sllavomaqedon.
Kjo do kuptohet kohë më vonë, kur mjaft krime që janë bërë mbi shqiptarët në Maqedoni, autorët e tyre të dalin para drejtësisë.
Ata djem që sot përballen me këtë vendim gjakatar, të një gjykate gjenocidiste, duhet të jenë të qetë dhe të sigurtë, pasi shokët e tyre që dhanë gjakun, sot prehen në Vorrëzat e Dëshmorëve të Kombit në Prishtië dhe nuk kanë asgjë të përbashkët me terrorizmin e dyshes politike Nikola – Ahmeti.
Personalisht, kam besimin se forcat atdhetare tek shqiptarët në Maqedoni dhe me gjerë, do të gjejnë mundësi për të rrëzuar këtë vendim absurd politik dhe ultranacionalist, duke vënë në lëvizje të gjithë mekanizmat juridik kombëtar dhe ndërkombëtar.
Kurajua me frymë kombëtare e të akuzuarve para gjykatës, është aktkakuza më e rëndë që i bëhet pushtetit politik në Maqedoni dhe klasës politike të korruptuar shqiptare. E drejta mund të vonojë, por një ditë ajo do të dalë në dritën e diellit.
Lavdi Dëshmorëve të Kombit.
Sulejman Abazi – Neshaj, Tiranë më, 04/11/2017

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura